Jok, arkadash Ismet Özel!

Opinione

Jok, arkadash Ismet Özel!

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 29 prill 2016 Në ora: 09:19

Na qenkësh dikund një poet,më saktë ,ky poet,na qenkësh në Turqi.Dhe jo një poet dosido por një poet e shkuar poeti.

Me tamam,siç do të thoshin.Një mbipoet që bën hije mbi të gjithë poetët e tjerë.Na qenkësh një poet i ditur dhe një poet me nam,pra.Dhe fjala e tij na paskësh peshë ,madje peshuaka rëndë jo sa një gur mulliri por sa një gur i madh bjeshke,sa një shkëmb mali në mendimin e këtij shteti goxha të madh dykontinentësh.

Ai na paska ndejtur ditë dhe net pa gjumë në dritën e kandilit të tij dhe na paska shkruar e na paska shkruar, prandaj fama e tij na qenkësh rritur aq sa na u barabitka me të mëdhenjtë e Turqisë dhe u paska bërë dritë atyre, madje kjo edhe i duket atij pak,tepër pak se ai mund të barabitet edhe me ata të mëdhenjtë e botës në zanatin e tij prej poeti.

Dhe një ditë këtij poeti të madh i paskësh shkrepur në mendje të thotë edhe një fjalë të madhe,një xhevahir,se dihet që nga poetët rrjedhin fjalë të xhevahirta.Por që s’qenka e thënë gjithnjë.Se ai mund t’ia thotë një fjalë të madhe “vëllait”,i cili na qenkësh vëlla,por i cili kërkuaka hisen e tij si gjithë vëllezërit e kësaj bote denbabaden.

I paska pëlcitur damari atij një ditë dhe ia paska thënë troç vëllait të tij: po deshe kështu rrimë bashkë,po nuk të begenisi kështu,pirdhu nga ke ardhur,nga sytë këmbët se ti këtu nuk do të nxjerrësh bidatë të ri.Ia tha “vëllait” të tij dhe as nuk i bëri syri vërr as tërr.Se ai na qenkësh në tokën e tij e “vëllai” i tij na qenkësh ardhacak e ardhacakut nuk i takon asgjë.

Ia tha “vëllait” këtë fjalë dhe tregoi trimëri se me trimëri edhe matet njeriu. Kësaj i thonë trimëri,kësaj i thonë dituri,kësaj i thonë guxim, kësaj i thonë fjalë në sy dhe shkurt e shqip i thonë: të ta them pa hatërmbetje. Unë ta them, por ty mos të të mbetet hatri.

Mos i ngrys vetullat,mos e var turirin ,mos më shiko vëngër!Se me demek atij,poetit ë madh pra, i paskësh kërcyer kandari, që “vëllai” i tij arnaut dashka të quhet me emrin e vet, ta thotë se kush është, ta flasë dhe ta shkruajë gjuhën e tij shqipe dhe dashka të quhet me emrin e vërtetë me dinjitet dhe me identitet. Dhe kjo nuk u duruaka nga ai edhe nëse mund të durohet nga të tjerët, nga ai jo se jo.Se i dhimbka atij fort.

Iu prishka qejfi, i humbka oreksi, iu turbulluaka dhe iu trazuaka vreri që ka brenda dhe i humbëka terezia e të jetuarit barabar me tjetrin. Se kjo botë u dashka të jetë shkallë-shkallë që dikush të jetuaka më lart e dikush tjetër më poshtë,dikund atje thellë mbase pse jo edhe në gropë, ndoshta edhe në ferr. A ka racizmi ndryshe brirë, efendëm!

Dashka,pra “vëllain” e tij ta mbajë çirak dhe ky zotëria t’ia shtrëngojë dhe t’ia çlirojë frerin apo siç do t’i pëlqente edhe vetë poetit të madh turk “javashin”. Se ai ,i madhi poet e shkuar poetëve,fjalën barabar apo i barabartë nuk e paska dëgjuar dhe nuk e paska lexuar sepse në fjalorin e gjuhës së tij nuk “ekzistuaka”, sado një fjalor të tillë, më të parin dhe më modernin e leksikografisë turke na e paskësh bërë pikërisht një arnaut me mend dhe me nam i Perandorisë së tij të dikurshme disakontinentëshe, i quajtur Sami Frashëri dhe të cilin ai sigurisht do të donte edhe më tutje ta quante Shemsedin Sami, të cilin sado i lindur në Shqipëri, vendi i tij e paska “birësuar” dhe nuk ia lejuaka as eshtrat t’ia jepte nënës së vet Shqipërisë për t’ia varrosur në tokën e tij,të lindur e të rritur.

Ai na qenka hidhëruar se si “vëllezërit shqiptarë”të Turqisë, të cilët ende qenkan gjallë dhe paskan ndjesi nacionale,domethënë kombëtare për çudinë e çudirave të kësaj bote ende nuk qenkan shkrirë në shumësinë e numrave dhe milionëve të popullit të tij turk.

Ç’janë këta milionë shqiptarësh,të cilët ende vazhduakan të jenë kaq kryeneqë aq sa moti kanë hyrë edhe në frazeologjinë leksikore proverbiale turke “mos u bëj kryeneq si shqiptari”, që na dëshiruakan dhe ëndërruakanë edhe sot e kësaj dite të quhen me emrin e tyre të vërtetë.Përse nuk e begeniskan emrin tonë të bukur turk, po dashkan ende ta mbajnë emrin e tyre të moçëm. Ç’kujtesë paskan këta arnautë?

Ç’janë këta bukëekupëpërmbysur ,të cilët edhe pas kaq shekujsh bashkëjetese ende nuk e paskan shuar qiririn e tyre,me të cilën ndriçuakan trurin dhe mendjen e tyre kryeneqe.Ç’janë këta arnautë, të cilët nuk dashkan ende të shkrihen në turmën e madhe turke dhe të asimilohen e të bëhen tamam si jemi ne soj i mirë, por dashkan edhe sot e kësaj dite me kryeneqësi të vazhdojnë që t’u bien daulleve dhe të thërrasin si tellallët e kohës së sulltanëve se ne ishim, jemi dhe duam të mbetemi vetëm shqiptarë!!!

E kjo, thotë poeti i madh ,vëllezërit e mi nuk mund të ndodhë dhe nëse doni që të ndodhë,atëherë ju duhet të ikni nga ky vend dhe të “pirdheni së këtejmi”,sikter!!!Ç’dashkan pra këta arnautë? Ç’ëndrra shohin ende ata, madje ç’ëndrra në ditë me diell dhe me sy hapur?

Se këtij poeti të madh i pëlqyeka që gjeni i tij turk të vazhdojë të lulëzojë gjithandej nëpër botë e ai i arnautit le të vyshket,le të thahet dhe le të vdesë fare. Madje ky poet i madh menduaka sigurisht se kudo ku janë turqit,duhet të mbahen dhe trajtohen mirë dhe ndaj tyre si racë e zgjedhur të përkujdesemi që t’i trajtojmë e t’i mbajmë mirë e më mirë.

Pse jo edhe në Kosovë, ku ka ca mijëra turq të deklaruar, paçka se shumica janë me origjinë shqiptare, (se ku ke parë ti turk me mbiemrin Bytyç) le të mbahen turq dhe atje në Kosovë dhe le t’i ruajnë mirë e mirë për farë se janë të sojit të mirë. Le të ketë për ata shkolla, fakultete, flamuj, simbole, radio, televizion, gjuhë të folur dhe gjuhë të shkruar se soji i tyre nuk mundet pa to.

E arnautëve ç’u duhen këto në Turqi?Po xhanëm!Të vjen mirë ty poet turk, kur bie fjala në Gjermani ku jetojnë turq,edhe atje duhet të kujdesen gjermanët për ta ,që t’u japin edhe shkolla dhe të mos i lënë të asimilohen se vaj medet pastaj? Ndaj edhe Gjermania e bën sot e kësaj dite këtë punë.

Paguan miliona e miliarda për turqit,por ama edhe për grekët,italianët,polakët,arabët,shqiptarët, rusët, kurdët, etj. që ata ta ruajnë gjuhën e tyre dhe të jenë të integruar mirë ,por gjithnjë me identitet të vetin nacional dhe kulturor.

Se njeriu ka të drejtë të njohë dhe ta ruajë origjinën, rrënjët dhe identitetin e vetë. Po sikur ta pyesim poetin e madh turk se a i lejohet një shkrimtari të dalë hapur kundër lirisë dhe të drejtave themelore të një “minoriteti”,por ama të një “minoriteti” të madh ama, çka do të na thoshte?

Apo t’i bënim pyetjen tjetër se kështu thotë letërsia jote:ngulfate tjetrin,shtype tjetrin!? Me këtë frymëzim dhe me këtë filozofi shkruan ti veprat tua? Kështu e thotë këtë fantazia dhe imagjinata jote krijuese? Se në mos pastë liri në realitet,të paktën ka në imagjinatë. Sa keq zoti Ismet Özel që shqiptarët nuk u shkrikëkanë për vullnetin tënd aq lehtë në turmën e madhe të popullit vëlla turk, sepse shqiptarët pra, paskanë rrënjë të thella dhe paskanë një ADN të fortë mijëravjeçare dhe nuk u asimiluakan aq lehtë, sado ua keni ndaluar të gjitha.

Ua keni bërë zap të të quajturit shqiptarë!Ua keni ndërruar emrat e mbiemrat,ua keni shtuar dhe ngjitur si merimanga kushedi sa prapashtesa allaturke ,por ata sikur duan sërish të mbeten shqiptarë dhe vetëm shqiptarë.

Janë,pra vërtet kryeneqë për të mbetur gjithnjë ata që ishin dhe që janë dhe jo një hibrid apo melez i ri në turmën e madhe të miletit turk.Se edhe turku,i nderuari poet, do që të mbetet turk dhe vetëm turk kudo që është.Dhe kjo të duket mirë,të shijon?Sikundër edhe anglezi apo gjermani, italiani apo francezi!

Po,sepse secili e ndjen veten mirë dhe rehat vetëm në kostumin e vet që e ka bartur me tamam ndër shekuj.Janë shqiptarët ata që nëpër qindravjeçarë kanë jetuar me turqit dhe madje kanë udhëhequr në këtë perandori.

Sa sadriazemë,sa vezirë,sa pashallarë,sa gjeneralë ka nxjerrë populli shqiptarë për ta udhëhequr popullin turk?

Në vend që t’i falënderoni, ju “i pirdhni”njerëzit e racës së tyre se nuk dashkan të shkrihen në turmën tuaj!Shqiptarët kanë gjurmë shumë më të hershme se ç’keni ju poet me metafora raciste, Ismet Özel. A nuk jetoni ju vetë në qytetin megametropol, që e themeloi një shqiptar me emrin Konstandini i Madh dhe ia dha emrin e vetë Konstantinopol, ndërkohë që ju vetë aty erdhët si ardhacak.

Doni t’ua kujtoj apo mbase e dini vetë kur dhe si?Apo a nuk ngriheni në këmbë ju vetë kur këndohet himni turk,të cilin e keni dhuratë nga një shqiptar i rrethit të Pejës me emrin Mehmet Akif,i cili vdiq me emrin e atdheut të tij në gojë, Kosovës, për të cilën edhe shkroi vargje? Ju vije mirë kjo, apo mbase edhe mund t'ju vije keq, se e paska bërë këtë himn një shqiptar,i racës së atyre që u thua"pirdhuni"!?

Apo a nuk jetoni ju vetë në një shtet modern,të cilin e krijoi dhe e udhëhoqi një shqiptar i lindur shqiptar me emrin Kemal Ataturk, të cilit çdo mëngjes i falet deri në përulje populli turk, ndaj edhe ti sigurisht se të ka bërë shtet?

Në vend që të keni mirëkuptim se ç’dhurata të bukura ju kanë dhënë shqiptarët, ju “ i pirdhni ata” sikter përtej vendit, ku tashmë kanë krijuar ekzistencën e tyre me shumë dhimbje por me shumë dinjitet dhe me shumë krenari deri në kryeneqësi!

Jok arkadash,jok! Sot është koha e njerëzve të lirë dhe globi është bërë i vogël për të gjithë,sepse liria po kërkon rrugën e vet që të futet kudo dhe ku secili do që të quhet me emrin e vërtetë.Lejoni që edhe shqiptarët të jetojnë dhe të tregojnë veten e tyre me dinjitet dhe me identitet!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat