Mohikani i fundit

Opinione

Mohikani i fundit

Nga: arch. Ylber Vokshi -Ylli Më: 25 prill 2016 Në ora: 14:52

Në Amerikë ka ekzistuar fisi autokton indian Mohikanët,kryeplaku i tyre nuk ishte pajtuar kurrsesi me metodat “bashkëkohore” të zhvillimit të shoqërisë amerikane dikur,
ku kishte padrejtësi të mëdha,e tëra kjo kishte ngjarë para disa shekujve. Ky fis me vendosmëri kundërshtoi ato tendenca destruktive të asaj kohe të cilat e gëlltitën, ashtu si shumë pasardhës të tyre që pësuan keq me asimilimin-zhdukjen e ati etniteti, i cili vetëm kërkoi barazi në mes të njerëzve të barabartë e asgjë tjetër !.
E tregova ketë detal të “vjetër” të historisë amerikane për të bërë një krahasim me atë se çka është duke ndodhur në shoqërinë kosovare post-konfliktuoze,gjegjësisht me shkatërrimin me vetëdije të hapësirës urbane që e kemi trashëguar,e me të cilën nuk kemi se çka të mburremi. Ajo pas luftës udhëhiqet nga një pakice profiterësh të cilët pa rezervë po i përkrahin “politik-bërësit” e Kosovës që 17 vite,pa u brengosur fare për të ardhmen e gjeneratave të reja.
I kam përcjell të gjitha ndodhitë hapësinore dhe zhvillimet urbane,në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës,që katër dekada si profesionist. E di se kemi qenë “jetim” dhe të diskriminuar në ish shtetin e sllavëve të jugut,por kurrsesi nuk mundem me u pajtuar se çka i bëmë ne vetvetes pas vitit 1999 kur nuk i kishim mbi krye “ata”. Faktori ndërkombëtar as që kishte nevojë të ndërhynte në veprimet tona të pa shpjegueshme. Vetë ne ia filluam këtyre veprimeve të çoroditura,të pa krahasueshme as për ndonjë shoqëri e cila për së pari herë ka filluar të aplikoi rregullat e civilizimit urban.
Ky vend kishte një histori të bujshme shumë shekullore ku kanë sunduar shumë regjime,duke u nisur nga romakët,bizantinët,osmanët,sllavët e së fundit shqiptarët si pasardhësit e pellazgëve - ilirëve. Të gjithë ata ketë territor e kanë trajtuar në mënyrë të ndryshme,në harmoni me interesat e tyre ekspansioniste. Nuk ka kuptim të trajtoi ketë hapësire me të kaluarën e një varfërie ekstreme hapësinore dhe urbane,pasi gjithnjë e kemi pasur“fajtorin” kujdestar të gjetur diku jashtë neve,si turqit apo sllavët e jugut në shekujt e fundit, kurrsesi nuk kemi qenë pak vetëkritik për veprimet tona.
Perioda e pas vitit 1999 me argumente që shihen dhe preken,në të gjitha vendbanimet e Kosovës, bindshëm vërteton atë që ne ishim në gjendje t’i bënim hapësirës jetësore që na rrethon. Një vandalizëm i pa parë me ndërtime që po ngjan në shekullin 21,as që e kanë paramenduar profesionistët e rrallë urban dhe hapësinor në Kosovë.
Sot me mburrje disa “planer shqiptar” të Kosovës,për të kamufluar të gjitha të bërat e të pa bërat,me dështimet e tyre të qëllimshme qartë të identifikuara,për përfitime të mjera materiale,për momentin na mbajnë ligjërata në stilin duke kërkuar “fajtorët” kujdestar,përse po iu dështojnë planet rregulluese urbane. Pas shumë viteve po tentojnë të arsyetohen,duke pretenduar së janë të tejkaluara ligjet e pas luftës,duke u fshehur pas atyre ligjeve që askush nuk i respektonte nga profesionistët por as nga vendimmarrësit kosovar. Haptas me qellim që të jenë të pa zbatueshëm i aprovuan ligjet reja në vitin 2012 dhe 2013 në fushën e Ndërtimit dhe Planifikimit Hapësinor.
Aspak nuk ishin vetëkritik se përse nuk reaguan publikisht nëse veprat e tyre u ndryshuan,u degraduan,ku ishte autorësia,ku ishte etika profesionale e tyre gjatë këtyre viteve ! Disa herë i kamë potencuar,disa çështje elementare të cilat planerët dhe urbanistët do të duhet t’iu përmbaheshin,së paku duke e respektuar kodeksin moral të arkitektëve, të cilin nuk jam i sigurt a e kanë lexuar apo respektuar ndonjëherë.
Është e pa mundur që ata të cilët e krijuan me qellim këtë situatë kaotike hapësinore dhe urbane në Kosovë që 17 vite,për qëllime të përfitimeve të lehta,të kontribuojnë në ndryshimin e asaj. Me ligjet e reja të Ndërtimit,Planifikimit Hapësinor, me qellim kanë krijuar konfuzion,huti të mëdha pasi ato nuk janë të aplikueshëm në pjesën ma të madhe të Kosovës. I takojnë shoqërive ma të avancuara në ketë lami në botë,që ne me mospunën kronike tonë as përafërsisht nuk iu ngjasojmë.
Që moti janë identifikuar ata që po luajnë me ardhmërinë e gjeneratave të ardhshme,aspak nuk kanë të drejtë të keqpërdorin pozitat e tyre vendimmarrëse në kohën dhe vendin e caktuar. Do të i mallkoi historia pasi këto ndërtime shihen,preken,e në një formë akuzojnë. Herë do kurdo do të japin përgjegjësi,së paku morale, si ata edhe pasardhësit e tyre që menduan se është lehtë të “pasurohen” në kurriz të populli të vet,që ju besoi dhe sakrifikoi edhe ma të shtrenjtën,jetën e bijve të tyre.
Së shpejti edhe në Kosovë do të vjen deri te ngopja e tregut,posaçërisht me ndërtimet e pa planifikuara të banimit,si rezultat i mos planifikimit hapësinor dhe urban,së bashku me të gjitha pasojat që i ka kjo dukuri si kushtet e varfra të jetës urbane,ekonomike,sociale,infrastrukturore etj. Simptomat e para vetëm po vërehen,kemi reagime të ndryshme që po kërkojnë “fajtorët”gabimisht në pushtetin lokal, i cili në disa komuna po kërkon vetëm zbatimin e ligjeve të urbanistikës e asgjë tjetër.
Kjo dukuri nuk është e re,e kanë përjetuar shumë shtete të cilat kanë ndërtuar pa planifikim. Së fundit kjo dukuri është prezentë edhe në Shqipëri ku kriza në industrinë e ndërtimit ka filluar të aktualizohet me mbetjen e mijëra banesave pa u shitur,posaçërisht në zonat bregdetare. Ky është rezultat i mos planifikimit urban apo përshtatshmërisë ekonomiko-sociale,pa kryer fillimisht një studim fizibiliteti (arsyeshmerisë ekonomike) për një zonë të caktuar,si vepron e tërë bota e civilizuar.
E kamë shpjeguar shume herë në shkrimet e mija profesionale dhe në prononcimet publike,në konferenca,seminare se respektimi i ligjeve urbane vetëm do të ju sjelltë përfitime të gjithëve,e posaçërisht atyre që merren me ndërtime si biznese përfituese, nëse punojnë sipas rregullave të lojës ( ligjeve). Asgjë nuk është e re në ketë çështje,shoqëritë tjera e kanë tejkaluar ketë problematik para shumë viteve. Faktorët vendimmarrës në Kosove i kanë injoruar sugjerimet,këshillat e profesionistëve të Planifikimit Hapësinor,e katrahura urbane pa pengesa edhe sot po vazhdon.
Ma së miri e kamë përjetuar në lëkuren time insistimin për të respektuar normat,standardet,rregulloret,ligjshmërinë në fushën e Planifikimit Hapësinor,Urbanizmit dhe Arkitekturës, u tregua ky mëkati dhe “gabimi” ma i madh i imi ne jetën time profesionale. Ashtu si Mohikanin e fundit që e asimiluan në shoqërinë Amerikane,edhe disa pa sukses po tentojnë,të më kushtëzojnë,shantazhojnë me metoda të ulëta,gjegjësisht të më izolojnë me cenzurë gebelsiane ,për të injoruar situatën kaotike hapësinore dhe urbane në Kosovë. Këtu gati asgjë nuk funksionon nga aspekti urban,si janë hapësirat e përbashkëta publike, gjelbërimi, hapësirat rekreative për fëmijë dhe të vjetër,garazhet dhe parkingjet publike,shtigjet për biçikleta e tjera.
Për të gjithë ata që po punojnë në vitet e fundit,me imponime kriminale që nuk kanë lidhje me fushën e planifikimit hapësinor dhe urban,revolta e ime për të pasur një rregull dhe rend institucional iu dukët qesharake,por së shpejti do të vijë koha që këto veprime nuk do të tolerohen ma nga gjeneratat e reja të profesionistëve,se shumë u teprua,boll ma,edhe ne e meritojmë të shijojmë një jetë dhe rregull urban,si e tërë bota e civilizuar.

Prishtinë arch. Ylber Vokshi -Ylli
25.04.2016 arkitekt i pavarur
[email protected]

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat