Çka po u mungon shqiptarëve të Maqedonisë?

Opinione

Çka po u mungon shqiptarëve të Maqedonisë?

Nga: Kastriot Osmani Më: 25 prill 2016 Në ora: 08:07

Maqedonia tash e sa kohë është në një gjendje tejet kritike, në një krizë ku nevojitet shkëndijë e vogël (si vendimi i presdientit tashmë në masë të madhe i kontestuar, për amnestimin e politikanëve) që vërtetë t’i lëkunden themelet shtetit dhe të rrëshqet buzë greminës. Fërkimet e mëdha të taborreve maqedonase edhe pse në të kaluarën vërtetë fiktive dhe tejet simbolike, sot kanë marrë qasje tjetër.
Opozita maqedonase u tradhëtua kushtimisht nga pushtetarët maqedonas, me kapjen e shtetit deri në atë masë, që u pa se me metoda demokratike ky sistem që u ngrit në dhjetë vjeçarin e fundit, është e pamundur që të rrëzohet dhe qasja pro-ruse e pushtetarëve u dha më shumë përkrahje ndërkombëtare opozitës, që deri më tani është edhe kundërshtari më i madh i qeverisë autoritare “Gruevski-Ahmeti”.
Faktikisht opozita pa se “unifikimi kombëtar” maqedonas kundrejt shqiptarëve qysh prej pavarësimit të shtetit në vitet e 90ta (qasjen e përkrahjes indirekte dhe direkte gjatë kohës së tyre në pushtet pro politikave diskrimininuese ndaj shqiptarëve në të gjitha institucionet shtetërore, kujtimi më i freskët koalicionimet etnike në qytetet me shumicë shqiptare në zgjedhjet lokale) u përdor në mënyrë tejet tinzare nga pushtetarët e tanishëm për të futur shtetin në duart e tyre dhe kjo i kushtoi shtrenjtë opozitës.
Përpjekjet e tanishme për t’u treguar të moderuar dhe gjithëpërfshirës duke vënë në pah multietnicitetin si themel për luftën ndaj këtij pushteti si dhe koncepti i tillë i rindërtimit të shtetit, me të drejtë shihen si të dyshimta nga masa shqiptare duke u bazuar pikërisht në të kaluarën jo të largët të hidhur të përjetuar.
Por, ajo që dua të përqëndrohem më shumë është qasja e politikës shqiptare ndaj kësaj situate të krijuar tash e sa kohë. Dy partitë parlamentare shqiptare me qasjen “tejet konstruktive” padyshim se janë për tu kritikuar ashpër, pasi që po sakrifikojnë drejtësinë në emër të status kuosë shqiptare. “Politikat” e heshtjes së të dyja palëve domosdoshmërisht shkuan në të mirë të pushtetarëve maqedonas, që në Marrëveshjen e Shkupit nuk arritën që të faktorizohen si imponues të ndërkombëtarizimit të sërishëm të çështjes shqiptare si dhe avansimit të saj, por në vend të saj, bën sehir dhe lëshuan një rast tejet të rëndësishëm. Kjo dhe dëshmon drejtimin e gabuar të këtyre subjekteve si dhe përgjegjësinë e tyre proporcionale të pjesëmarrjeve në qeverite anti-shqiptare pa kurrëfarë kushte, që realisht stagnoi dhe getoizoi shoqërinë shqiptare.
Shpresëdhënëse dhe mirëseardhëse ishte ardhja në skenën politike shqiptare të subjekteve të reja, që fillimthi ishin të perceptuar si potencial ndryshues të diskursit politik të deritanishëm. Por, edhe kjo dita ditës po shkon duke u venitur, pasi që edhe këto subjekte po shfaqin simptomat e para të një mendësie vijuese të njëjtë politike dhe se ndryshimi thelbësor në shoqërinë shqiptare do të duhet ende të pres fatkeqësisht.
Të dyja taborret e krijuara tashmë të këtyre subjekteve jashtëparlamentare po spikatin elementin agresiv për nga karakteri si dhe joradikalitetin për nga tema, të kundërtën e asaj që Lëvizija Vetëvendosje po imponon në shoqërinë shqiptare të Kosovës, një ndryshimi të vërtetë të mendësisë politike, e që këta zotërohen tek ne se po përfaqësojnë këtë vijë politike, e që fatkeqësisht nuk janë duke e përfaqësuar.
“Lëvizja”-Parti(shih në web-faqen zyrtare) si dhe “Reformistët” janë kundër vetëvetes së tyre qenësore, pasi që po e mohojnë bashkimin dhe koordinimin e tyre politik, duke vendosur barriera që në situatën e tanishme nuk është as e nevojshme, as e arsyeshme. Pakënaqësia e madhe ndaj subjekteve ekzistuese nuk u premton asgjë subjekteve të reja politike, duke pasur parasysh këtu edhe staticitetin tradicional të popullatës ndaj subjekteve politike. Ngelet për tu parë lëvizjet e ardhshme që mund të ndërmarrin, por, mosunifikimi dhe moskoordinimi i tyre, do të ishin “autogola të rëndë” në zgjedhjet e ardhshme kurdo që do të mbaheshin.
Një bashkim eventual opozitar duke e ngritur atë mbi parime, padyshim se do të shihej ndryshe si dhe do të rikthente optimizmin tek shqiptarët. Një “Opozitë e bashkuar” politikisht mirë e artikuluar me pika të qarta politike si dhe kombëtare të avansimit të statusit të shqiptarëve brenda shtetit, me kundërshtim thuaja edhe nihilist ndaj kësaj qeverie anti-shqiptare, me një marrëveshje paraprake të shkruar me opozitën maqedonase si dhe koordinimi dypalësh në sforcimin e presionit edhe më të madh qytetar ndaj kësaj qeverie, do ta përcaktonte edhe fundin e saj si dhe do të shënonte hapjen e kapitullit të ri të një shtetit të ridefinuar të barabartë për të gjithë, me pikëpamje pro-perëndimore. Ja që kjo është për tu dëshiruar dhe uroj që opozitarët e “rinj, të vegjël” mos të marrin epitetin e mirënjohur se deshën të jenë “të parët e katundit” dhe përfunduan…!
Nga e gjithë kjo, si qytetar i një republike, themelet e ndërtimit të së cilës i pati të mbrapshta, mund të konstatoj se si shqiptar nuk isha dhe nuk jam i përfaqësuar, por i diskriminuar sistematikisht në shtetin deklarativisht multietnik, por, as nuk po shoh shenja pozitive në përmirësimin e statusit tim në këtë shtet dhe kjo “falë” mbrapshtllëkut të përfaqësuesve të mi.
Duke filluar që nga shtypja edhe me forcë shpeshherë të zërit kritikues, pavullnetshmerinë e hapjes ndaj alternativave progresive, presionie të stilit monist ndaj mediave, instrumentalizimin e skajshëm të institucioneve edukativo/arsimore që përfundoi me student-diplomë shërbyes besnik të këtij sistemi si dhe duke qenë pjesëmarrës me partnerët e tyre në të bëmat tjera të bëra, na bën të përjetojmë realisht nostalgjitë e tyre tanishme për sistemin e kaluar.
Dhe po, pikërisht kjo “po i mungon shoqërisë shqiptare”!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat