Pastrimin e politikës së Tiranës dhe Prishtinës nga korrupsioni dhe krimi e bëjnë zgjedhjet kombetare dhe ndëshkimi ligjor

Opinione

Pastrimin e politikës së Tiranës dhe Prishtinës nga korrupsioni dhe krimi e bëjnë zgjedhjet kombetare dhe ndëshkimi ligjor

Nga: Nga Skënder S. KAPITI Më: 24 prill 2016 Në ora: 20:05

Kur bëhet fjalë për informacione të sakta, jo të manipuluara dhe jo të imponuara e të seleksionuara nga politika dhe interesi; për analiza dhe opinione të këtilla sociale, ekonomike, integruese por sidomos me tematika politike, korrupsioni, papërgjegjshmërie, padrejtësie dhe antiligjshmërie; për mashtrimet, spekullimet dhe gënjeshtrat e politikës, politikanëve dhe pushtetarëve në Shqipëri, ato vlejnë po ashtu edhe për Kosovën, dhe anasjelltas, pasi si politika ashtu edhe politikanët e të dy vëndeve kanë një përputhshmëri të plotë dhe identike pothuajse në sjellje e veprime, gjë që konstatohet nga informacionet dhe nga opinionet e opinionistëve, të publikut e të shoqërisë civile, të redaktorëve dhe gazetarëve të mediave si nga Shqipëria dhe nga Kosova duke arritur që të komunikojmë, t’i mësojmë dhe të gjykojmë e të vlerësojmë realitetet jo reale që na paraqet politika dhe për të vërtetat reale të padëshirueshme e që politika në të dy shtetet shqiptare mundohet t’i fshehë ato dhe dështimet e saj.

Është për t’u përshendetur puna e disa mediave shqiptare, që janë shumë të pakta si p.sh. media e Juaj që ja dërgoj edhe këtë shkrim timin, të cilat mundësojnë brënda një kohe rekord paraqitjen e një diapazoni të gjërë opinionesh dhe analizash nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora si të paanshme por edhe të atyre që shkruajnë anshmërisht; media të cilat mundësojnë komunikimin, debatin dhe komente për lajme, për probleme dhe problematika, për aspekte të ndryshme që nga ato letraro-artistike, sociologjike, politike, publike, historike, kombëtare etj.; por pa marrë parasysh preferencat dhe pa parabërë seleksionime partiako-politike për to, gjë që mundëson kështu lirshmërinë, gjykimin dhe vlerësimin e tyre nga vetë opinioni i gjërë publik; rol dhe detyrë që e kanë mediat e lira dhe të pavarura për ta paraqitur realitetin nga këndvështrime të ndryshme.

Hyjmë tani në temën kryesore që i shqetëson shqiptarët kudo, si në Shqipëri por edhe në Kosovë e Maqedoni, pra kudo: çfarë i ka mbetur politikës së politikanëve tanë ku më dashamirëse për Shqipërinë, Kosovën dhe për tërë shqiptarët, për prosperitetin dhe integrimin e tyre janë SHBA dhe BE se sa kjo politika e këtyre partive tona që është antipublike dhe kunderintegruese. Prandaj qënka e vështirë Reforma në Drejtësi, se vetë politika aktuale, kuptohet për këtë të 25 viteve te fundit, kurrë nuk mund ta bëjë pasi aq rëndë është përfshirë ajo në krim, korrupsion dhe në hajdutëri; dhe prandaj po angazhohet shumë faktori ndërkombëtar, sepse drejtësia e korruptuar dhe kriminalizimi i politikës i ka rrënjët e thella dhe është instaluar për gjatë gjithë kohës së tranzicionit. Dhe rezultati i kësaj politike antikombëtare dhe kundërintegruese është eksodi masiv i shqiptarëve si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova drejt Europës edhe tani në vitin 2015-2016, njëzet e pesë vite që nga rënia e komunizmit.

Po e them atë të cilën e kam shkruar dhe më parë se: atyre që u duhet bërë gjyqi në Shqipëri janë: politkanët, qeveritarët, gjyqtarët dhe pothuajse të gjithë atyre që kanë pasur një post apo një detyrë shtetërore apo publike në Shqipëri këto 25 vite tranzicion, pa përjashtuar dhe ata në Kosovë. Këta janë autorët e rrënimit dhe të falimentimit të shtetit shqiptar; të degradimit të ligjit, të moralit dhe të drejtësisë; të deformimit dhe të keqfunksionimit të shoqërisë; të demtimit rendë të imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare; të mosintegrimit të Shqiptarëve në BE; këta janë zullumqaret qe e kanë nxjerrë në ankand Shqipërinë dhe autorët e rrënimit të vlerave e të trashëgimisë së vyer kombëtare të ashqiptarëve si besa, burrëria, ndershmëria dhe patriortizmi. Dhe a nuk duhen dëbuar këta nga politika dhe pushteti por edhe për t’i ndëshkuar ligji? Ky është Dekriminalizimit i politikës dhe kjo është edhe vetë Reforma në Drejtësi

Mendoj se edhe pas miratimit të Ligjit të Dekriminalizimit si dhe të Ligjit për Reformën në Drejtësi politika aktuale e sotme nuk ka ndërgjegjen, dëshirën dhe as vullnetin e mundësinë për t’i zbatuar ato, prandaj duhen zgjedhje të lira të parakohshme të cilat ta pastrojnë politikën e kriminalizuar nga individët me rekorde kriminale, dhe të vijnë politikanë të rinj jo mëkatarë dhe të lirë e të papërlyer në krime dhe në korrupsion; pra politikanë të pastër që i seleksionon, i pastron dhe nuk i lejon më për të kandiduar ata me rekorde kriminale Ligji i Dekriminalizimit dhe Ligji që do të Reformojë Drejtësinë. Kur politika dhe parlamenti aktual e ka kaq shume të vështire për ta bërë dhe miratuar Ligjin për Reformën në Drejtësi a mund të bëhet fjalë se pas miratimit të tij vetëm si pasojë e presionit ndërkombëtar, a do ta zbatojë vallë këtë Ligj po kjo politikë e korruptuar dhe e kriminalizuar?

Se sa i vërtetë është fakti se politikës aktuale shqiptare nuk i intereson në të vërtetë integrimi po sjellim në kujtesë deklarimet e shumë eurodeputetëve të Parlamentit Europan të para 5 vitesh të cilët thonin se liberalizimin e vizave e bëmë për shqiptarët dhe jo për meritë të pushtetarëve dhe politikanëve të saj.

Eurodeputetja Tanja Fajon, ajo që loboi më së shumti për Shqipërinë në PE në një intervistë të saj me 08 Gusht 2011 klasën politike shqiptare e etiketonte si persona që e vënë interesin personal mbi atë të popullit, dhe që kujdesen për interesat e tyre dhe jo të qytetarëve të vet. Dhe fakti që megjithë liberalizimin e vizave j’u la për detyrë Politikës shqiptare: luftë kundër korrupsionit, integrimin e të riatdhesuave, si dhe sekuestrimin e aseteve kriminale dhe që liberalizimi i vizave nuk duhet të pasohet me kërkesa për azil. Vetë këto rekomandime dhe këto detyra të lëna për t’i kryer politika shqiptare tregojnë se ashtu si dhe antarësimi në NATO edhe liberalizimi i vizave nuk kanë ardhur për meritë të politikës shqiptare po si shans dhe dashamirësi e Perëndimit për shqiptarët.

Po t’i krahasojmë rekomandimet e dhëna pas Liberalizimit të vizave të vitit 2010 me situatën sot, vërejmë se ajo vetëm sa është përkeqësuar pasi jo vetëm që nuk është luftuar korrupsioni po është rritur ai dhe trafikimi i drogës; jo vetëm që nuk është bërë integrimi i të riatdhesuarve po nuk është riatdhesuar njeri se nuk ka se ku të vijë dhe çfarë të bëjë në Shqipëri; jo vetëm se nuk është bërë sekuestrimi i aseteve kriminale por është kriminalizuar shumë më tepër drejtësia dhe parlamenti; dhe jo vetëm që pati kërkesa për azil nëpër vëndet e BE, po ndodhi fenomeni i eksodit masiv drejt vëndeve të BE , tani në vitin 2015 dhe vazhdon edhe tani në vitin 2016 akoma, pothuajse ashtu si në kohën e pasrënies së komunizmit, dhe njëlloj si eksodi i sirianëve që largohen nga lufta civile atje. Nuk kanë të ndalur skandalet e politikës dhe e pushteteve të çdo kohe në Shqipëri, ku kohët e fundit media zbuloi aferën më korruptive të padëgjuar ndonjëherë, atë të aferës prej miliona eurosh, të kësaj vjedhje megahajdutërie bërë me operatorin e shpërndarjes së energjisë, me CEZ Shpërndajen (që edhe këtë CEZ-in e shpërndarjes së energjise po PD e solli) që i kushton shumë rëndë taksapaguesve shqiptarë, popullit më të varfër e më të papunë në Europë; që i kushton kaq shtrenjtë nga pamëshira dhe nga grykësia e pangopur e politikës më hajdute dhe më të korruptuar në Rajon, Europë dhe ndoshta pse jo dhe në Botë që si kjo në Shqipëri është edhe politika në Kosovë.

Dhe ky është realiteti që politika shqiptare i ka ofruar progresit dhe integrimit të shqiptarëve që edhe statusi i antarit kandidat na u dha pa asnjë kusht, që do të thotë se u dha si bamirësi, pas refuzimit të tij 4 herë radhazi nga BE. Është dashamirësia dhe këmbëngulja sidomos e SHBA-së që po ja imponon politikës shqiptare ashtu si miratimin e ligjit të dekriminalizimit të politikës dhe reformën në drejtësi, si dy kushtet kryesore që ja kërkojnë Shqipërisë institucionet e BE për Integrimin.

Duke u marrë vetëm me Reformën në Drejtësi dhe me Ligjin e dekriminalizimit të politikës duket sikur janë mbuluar dhe kanë dalë nga agjenda edhe sëmundjet sociale të rënda që kanë agravuar së tepërmi si papunësia, varfëria , korrupsioni gjithinstitucional administrativ të cilat kanë rritur në ekstrem pakënaqësinë sociale. Të gjitha këto së bashku e kanë bërë politikën shqiptare shume të neveritshme jo vetëm te shqiptarët po edhe te ndërkombërarët që dhe atyre ju ka kushtuar shumë kohë dhe shqetësime kjo politika e politikanëve shqiptare. Edhe ndërkombëtarët, pse jo, mund të jenë dakord për zgjedhje të parakoshme pasi as ata nuk kanë më pikën e besimit tek politika aktuale shqiptare që edhe atyre ua ka sjellë në majë të hundës sjellja dhe veprimet e padenja, të pabesa dhe aspak serioze dhe të korruptuara kundër interesave të shqiptarëve kjo politika dhe këta politikanët tanë aktualë, me të cilët as mund të punojnë më as institucionet ndërkombëtare për integrimin e Shqipërisë në BE.

Pra pyesim se a mund të bashkëpunojë dhe të jetë e besueshme kjo politika aktuale shqiptare për faktorin ndërkombëtarë, ku ka mbi 2-3 vite që kjo politikë pengoi dhe e sabotoi si Ligjin e Dekriminalizimit ashtu dhe Reformën në Drejtësi gjë që jep siguri se po kjo politikë edhe do e pengojë po edhe do ta neglizhojë zbatimin e tyre po qe se ajo do të vijojë të sundojë politikisht shqiptarët dhe Shqipërinë edhe pas miratimit dhe ligjësimit të këtyre ligjeve në letër.

Mos ta gënjejë veten politika dhe as të mashtrohet opinioni se mund të mashtrohen ndërkombëtarët vetëm me miratimin e Reformës në Drejtësi dhe BE menjëhere do të fillojnë bisedimet për antarësimin e Shqipërisë në BE, pa i kryer detyrat dhe pa u zbatuar nga politika shqiptare Dekriminalizimi i Politikës dhe Reforma në Drejtësi. Me këtë politikë dhe me këtë qeverisje zor se mund të zbatohet Reforma dhe Dekriminalizimi por vetëm me një politikë të re të pakriminalizuar që mund të vijë me zgjedhje të lira, të pamanipuluara, me vota të lira dhe të pakorruptuara që akoma prej 25 vitesh as zgjedhje sipas standarteve demokratike, në Shqipëri nuk janë zhvilluar ende. Edhe nëse ndodh dhe bëhet e miratohet Reforma në Drejtësi atë nuk e zbaton dot kjo klasë e sotme politike, përshpejtimin e zbatimit të tyre e bën një klasë dhe përfaqësuesit e tjerë të popullit, përfaqësues të pastër dhe të pakriminalizuar që i sjellin në parlament zgjedhjet e reja të parakohshme ose do të zvarritet implementimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi poqese e miraton ky parlament deri në zgjedhjet e ardhshme kur e parashikon mandati.

Ashtu si e theksova në hyrje të këtij shkrimi e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën, që edhe në Kosovë duhen zgjedhje të parakohshme, pasi gjëndja edhe aty nuk është aspak më e mirë sepse: edhe në Kosovë kjo politika aktuale në qeverisje është në krizë dhe prej saj ka buruar dhe buron korrupsion, papërgjegjshmëri, varfëri, papunësi, padrejtësi, mosintegrim,vjedhje e grabitje pronash e pasurish, eksod etj., dhe të vetmen gjë që edhe politika e Kosovës dhe politikanët e saj kanë si sigurinë më të sigurt është ajo sa për veten e saj, është pandëshkueshmëria për të gjitha këto realitete negative dhe të pakëndëshme, për korrupsionin dhe zullumet që kanë autorësinë e saj, kjo politika qeverisëse aktuale edhe e Kosovës.

Mënyra se si u formua bashkëqeverisja PDK-LDK; mënyra se si u zgjodh Presidenti i Kosovës, me protesta në parlament dhe jashte tij nga opozita, pa marrë parasysh se ishin apo jo të drejta, por që protestat e pakicës i legjitimon demokracia, kjo nga njëra anë, dhe jo toleranca e kokëfortësia e pushtetit nga ana tjetër: që të dyja lojra dhe akrobacira politike me justifikime “demokratike”; mënyra se si ky kualicion qeverisës ka kapur shtetin dhe që nuk ka funksionuar dhe as nuk i shërben interesit publik dhe kombëtar, por përkundrazi i ka bërë dëme si interesave të shoqërisë, shtetit dhe kombit, dhe si pasojë e këtyre realiteteve Kosova është në këtë krizë politike. Kjo krizë politike kërkon zgjidhje, dhe poqese nuk bëhen zgjedhje të parakohshme, si më e mira dhe më e duhura që është, ose, ose, minimalisht pa një formulë apo riformatim rrënjësor qeverisjeje që të mos jetë manipulim dhe Pazar tjetër i ri vetëm për përfitime personale edhe prej krerëve të Treshes Opozitare: AAK, VV dhe NISMA që protestuan deri tani së bashku kundër kualicionit LDK-PDK, dhe pa ndërmarrjen e njërës nga këto veprime politike, situata në Kosovë vetëm sa do ta agravohet dhe konfliktohet akoma më shumë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat