Artisti në kapje të unit

Opinione

Artisti në kapje të unit

Nga: Ilir Muharremi Më: 24 prill 2016 Në ora: 16:24

Sikurse krijimet e mëdha të artistëve, ashtu edhe ndjenjat e tyre të thella kanë kuptim më të madh sesa që shprehen. Artisti gjithmonë është në ndjekje të vërtetës individuale, është një rrugë drejt unit, apo kjo rrugë qe gjithmonë, vetëm duhet t’i jepet kuptim. A mund ta njoh vetveten? Sokrati këshillon: “Njih vetveten”. Kjo kërkon origjinën e sa kaluarës, nostalgjinë, por është padije. Kjo është ajo të cilën askush nuk mund ta identifikoj, është një lojë shterpë e cila rritet me masat e përafërta. Shihni këto male, këto gurë, aromën e luleve, netët me yje, si mund t’i mohoj kur forcën e tyre e provoj? “Megjithatë e gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak që të më sigurojë se kjo botë është e imja”, shkruan Kamy. Atëherë, ai mësohet të klasifikoj duke i numëruar ligjet e tyre dhe i pranon si të vërteta. Artisti kërkon kuptimin e botës duke anashkaluar kthjelltësinë e unit të tij.

Zemra te artisti filozof mbetet gjithnjë e panjohur për të. Ai është i bindur se uni ekziston dhe përmbledhja në thelbin e vet e shpërfaqur në ligjet e konkretes, rrëshqet. Por, uni merr të gjitha pamjet, më së shumti ato të trashëguara nga të tjerët, artisti vizaton këtë, por prapë dyshon në atë për të cilën gjithnjë do të ngre pyetjen. “A jam ai që duhet të jem”, nëse jam përse atëherë jam ky që jam, derisa nuk e njohë thellësisht unin tim. “Njeriu nuk është gjë tjetër veçse jeta e tij” bërtet Sartri. Ajo që peshon është realiteti, ndërsa shpresat dhe ëndrrat njeriun e dëshpërojnë dhe e zhgënjejnë, madje cilësohen si pritje të kota. Atëherë, çfarë na siguron të mendojmë se uni dhe ky univers është i yni? Ndoshta thënia e Kamysë se dituria e kësaj bote nuk e ndihmon aspak ta sigurojë se kjo botë është e tij. Asgjë nuk është e tij, ai mëson vetëm klasifikimin. Rruga drejtë panjohurish hap shtigje të virgjëra që burojnë nga larmit.

Shkenca na mëson se kjo gjithësi përbëhet nga atome, atomi vetë nga elektronet. Është e saktë, por çfarë më pastaj? Nganjëherë njerëzit pohojnë për fuqi të padukshme, sisteme planetare të padukshme, i tërë shpjegimi merr pamjen e figurës. Atëherë, kemi hyrë në sferën e artit që nuk ka fund. Duhet të zemërohem. Gjithçka shndërrohet në metaforë, pakuptimësia në vepër arti. Edhe sikur ta kisha në pëllëmbë të dorës tërë reliefin e botës, përsëri nuk do ta njihja mirë. Atëherë cili përshkrim është i sigurt? Ju na obligoni t’i besojmë hipotezave që aspak nuk janë të sigurta. “I huaj për vetveten dhe botën” përgjigjet Kamy. Në radhë të parë pohon vetveten për të cilën nuk është i sigurt që e njeh. Me këtë pohim ai vë çdo dyshim dhe ka të drejtë. Ai mohon vetveten sapo pohon. Pakuptimësia shpërfaqet që në lindje dhe vazhdon së kërkuari deri në vdekje, as në vdekje nuk ekziston çasti i zgjidhjes.

Zgjidhja dyshon në vetvete kaq mund të thuhet. Gjithçka që ofrohet, kategoritë shpjeguese nuk kanë lidhje me shpirtin. E vërteta e tij është e varur nga vetvetja, dhe gjithçka nga jashtë mohon të vërtetën e tij. Na mbetet të pohojmë se aventura e njeriut ndjek rrugën e saj dhe fati i tij ndriçohet brenda kuptimit në vetvete. Përse në thellësinë e njeriut buçet thirrja për qartësi? Në një pikë Kamy thotë se bota është absurde, por kjo botë në vetvete nuk ndjek ndonjë arsye. Apo ajo çfarë thotë Nietzsche-ja se “Kjo botë është mrekulli force, pa fillim, pa fund, një madhësi e bronztë dhe e palëvizshme force... që nuk harxhohet por vetëm shndërrohet”, për të vazhduar “Pashmangshmërisht e madhe pa harxhime as humbje, por edhe pa rritje”. Absolutizmi i gjendjes së saj kërkon arsyen te shndërrimi i cili e vë në lëvizje brenda vetes pa kurrfarë qëllimi, sepse po të kishte qëllim ai duhet arritur. Përjetësia është rrjedhëse dhe e kthyeshme. E thjeshta ndërlikohet, e bardha bëhet e zezë, nga tejngopja kthehet te e zbraztë dhe vazhdon....

Të moçmit para se të besonin në vetvete i besonin fatit dhe natyrës. Çdo gjë e jashtme është e pakuptuar dhe e kundërt me forcën e shpirtit. Rrjedhshmëria e tij lind nga vetja dhe kuptohet nga vetja. Ne vetështeremi sosim jetën tonë. Edipi e di fajësinë e tij, faji i dedikohet vullnetit të tij sepse është pjesë e fatit. Por, në vetvete ai thellë në shpirt ndjenë pafajësinë, apo nëse kërkon gjykimin ai pushtohet nga vetë shpirti. Artistët Gustave Moreau , Odilon Redon në Francë dhe Gustav Klimt në Austri qenë shumë të dhënë pas ëndrrave të tyre, cilësive mbinatyrore e misterioze të jetës. Misteri s’mund të jepet drejtpërdrejtë, andaj qe i nevojshëm simbolizmi për manifestimin e imazheve të çuditshme simbolike. Simbolet qenë të çuditshme, andaj ata i drejtoheshin ndjenjave dhe mbresave. Ajo që shihet është e dyshimtë të përcaktohet saktësisht kuptimi dhe arsyeja, edhe pse duhet të ekzistojë një arsye e cila nuk mund të gjendet. Piktura me titull ‘Shën Gjergji dhe dragoi (1889-90), nga Moreau shpreh pjesën vetjake të krijuesit. Nga detajet e shumta piktura nuk është realiste. Ngritja e pelerinës së Shën Gjergjit, shpreh kundërshtinë e forcës së rëndesës. Këtu artistit i intereson eksplorimi i asaj që kishte në mendje, sesa krijimi i skenave vërtetësore jetësore, ndaj piktura është prodhim i imagjinatës së tij. Atëherë, ndjenjat qenë më të rëndësishme sesa bota e jashtme. Ai thoshte: “Unë nuk i besoj as asaj që e prek e as asaj që e shoh. Unë besoj vetëm... atë që ndjej”. Dyshimi i artistit ndaj arsyes e izolon në vetvete, por edhe ndjenja lind me skepticizmin dhe vetështerohet.

Në këtë botë njeriu na del i huaj për vetveten dhe botën, ndoshta kërkon më shumë shpirt, apo të dominojnë shpirti dhe gjithçka është rregulluar aq mirë dhe nëse arsyeja thotë që bota është absurde, hedh poshtë çdo qartësi. Nëse Kamy e vë si pikën e fundit absurdin, atëherë edhe shpirti nëse do të kapet do të dyshoj në vetvete tokë me kuptimësinë. Na mbetet të ndjemë për të mos ja humbur kuptimin dhe nëse shndërrohet në art, nuk është shpirt.

Mjafton ta ndjemë në vetvete, pa logjikë. Në këtë univers të pakuptimtë njeriu ndjek fatin e tij. Ai i referohet ndjenjave. “Vajza e luleve” e Redonit mohon realitetin, kthjellë ëndrrën dhe ndjenjën. Nuk është bërë për të qenë realiste, tiparet e vajzës janë pak më shumë se një njollë, ndërsa lulet kanë gjethe të çuditshme ngjyrë blu. Ajo ka të bëjë më shumë me ngjyra dhe ndjesi shpirtërore. Redoni frymëzohej duke parë retë me imagjinatën figurative fantastike. Arti i natyrshëm mbetet vetëm një art i thjeshtë fotografik i lindur nga vetë natyra duke dhënë shije të vockël krijuesit ëndërrimtar. Atë çfarë nuk e kupton , por e ndjen është më e thellë për krijuesin.

Nëse artisti mban për vete pa arsyen dhe mendon se rregullon marrëdhëniet me jetën dhe botën, duhet ta përshtatë sjelljen e tij duke ndjekur deri në fund rrjedhojat. A mund të jetojë mendimi në këto paqartësi? Ndoshta edhe gjen ushqimin e vet. Realitetin e kuptonte si fantazmë dhe me vete merr diç nga kjo. Të gjithë artistët dhe filozofët janë munduar t’i bllokojnë rrugët e arsyes duke vrapuar pas rrugëve të vërteta. Këto janë të njohura sepse janë të jetuara nga ata. Çfarëdo qofshin tendencat e tyre, kanë lind nga kjo botë. E rëndësishme nga ta janë përfundimet të cilat ende dyshojnë në ato zbulime. Aq sa më shumë i afroheshin të vërtetës aq më tepër gjenin ngjashmëri. Po miratoja teorinë e Kamysë se njeriu është i huaj në këtë botë dhe u nxitova. Njeriu është farefis kalimthi në këtë botë. I arsyeshëm për momentin i cili shtyn përjetësinë, por nuk mund ta mohon unin dhe ngjashmërinë me të gjitha ekzistencat. Artisti në të gjallë duhet t’i mbaj sytë hapur deri në konsumim, jeta të jetë më e vlefshme se arti duke e vetënjohur shpirtin, për të cilin jam i sigurt se asnjëherë nuk do ta kap në tërësi, ngaqë është ujë që rrëshqet nëpër gishta. Vetvetja dhe bota në pamundësi të njohjes rrugëton drejt realitetit të hiçit, me një dëshpërim ku njeriu përpiqet të nuhasë sekretin hyjnor. Njeriu nuk mund të mjaftohet me zbulimin e unit, por duhet ta jetoj atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat