Budallenj hesapi!

Opinione

Budallenj hesapi!

Nga: Kimete Berisha Më: 22 prill 2016 Në ora: 23:25

1. I armatosur me dije.
Sali Berisha i ftoi shqiptarët të armatosen dhe të mbrojnë veten dhe pronat e tyre nga rreziku.
Kjo thirrje që thyen monotoninë, vlen për të gjithë shqiptarët, se deputeti shqiptar nuk bëri thirrje të armatosen vetëm qytetarët e Shqipërisë, por i thirri të armatosen shqiptarët në përgjithësi, se tha (u bëjë thirrje shqiptarëve). Pra, kjo thirrje gjithëpërfshirëse, mbarëkombëtare, vlen për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.
Nuk e specifikoi llojin e armëve me të cilat duhet të armatosen shqiptarët, dhe e la mundësinë e zgjedhjes, që ne shqiptarët individualisht të zgjedhim vet se me çfarë armë do ta mbrojmë veten tonë.
Armë është edhe dija, armë është edhe fjala, që thonë "gjuha thyen eshtra" dhe vazhdojnë: "e vrau me fjalë".
S'di a e ta jep ndonjë fjalor i gjuhëve të huaja mundësinë që ta jep Fjalor Shqip, "Të armatosesh me dije".
Sa i përket armëve të ftohta (thika kuzhine, gërshërë rrobaqepësie, gërshërë mustaqesh, gjilpëra, sopata, çekana, gozhda, shpata e të ngjashme, me armë të tilla janë në gjendje gatishmërie të gjithë shqiptarët, si krejt bota.
Nga armët e ftohta kurrë nuk është çarmatosur njerëzimi.
Sali Berisha i paralajmëroi armiqtë e shqiptarëve, se ata nuk do të gjejnë birë miu ku do të fshehen.
Për ta dramatizuar këtë paralajmërim, dhe për t'i dhënë ngjyrime hataje, e përsëriti dy herë. (Këshillë: kur doni ta kërcënoni dikë dhe ta frikësoni, këshilloheni që fjalën kërcënuese që e përdorni ndaj tij ta përsërisni dy herë. Përvoja njerëzore ka dëshmuar se kur një kërcënim përsëritet dy herë, frika e kundërshtarit rritet pa masë.
Dhe vini re, fjala kërcënuese preferohet të mos përsëritet tri herë, dhe assesi të jetë e zorshme për t'u përceptuar, ndonjë fjalë latine apo citim filozofik. Kërcënimi preferohet të burojë nga gjuha popullore).
Sali Berisha e kishte zgjedhur kërcënimin më të parapëlqyer të shqiptarëve "S'do të keni birë miu për t'u fshehur", që do të thotë se s'do të keni 'pshtim".
Nga ky kërcënim përjashtohen vetëm ata armiq të shqiptarëve që kanë vendosur të fshihen në ujë (si minjtë e ujit), dhe si minjtë e arave e fushave, e të fshihen pas kollomoqave dhe simotrave të tyre. Pra, këtu bëhet fjalë vetëm për minjtë e shtëpisë, dhe birat e tyre.
Mua më pëlqen edhe kërcënimi "S'do ta gjeni rrugën për t'u kthyer në shtëpi", që do të thotë... "mos vet". Ka plot mundësi kreative që jep gjuha shqipe për ta kërcënuar armikun (gjithnjë në vetëmbrojtje), me idioma e me figura të bukura shqipe.
2. Nuk them se ishin frymëzuar nga Sali Berisha, se ata fëmijë filloristë (djem, pa përjashtim) të klasës së dytë apo të tretë kishin dalë nga shkolla, kur grumbull hynë në një dyqan dhe "kërcënuan" për hajgare të gjithë ata që ishin brenda.
"Komandanti" i tyre, e kishte zhveshur xhemperin e tij të kaltër dhe e kishte mbuluar kokën me të.
Vet i shtati apo i teti e zuri derën e butikut dhe tha: "A keni me shit kësi kapuçi që po ma shihni kë kokë?". Asnjëra prej nesh, as shitëset, nuk u përgjegj.
Pastaj, i trimëruar nga heshtja jonë absolute, djaloshi i vogël tha: "Qitni 500 Euro, ne jemi ISIS, të gjithëve do t'ju vrasim".
Ne vazhduam të heshtnim, kurse fëmijët u ngin lojë, filluan të qeshin dhe u larguan nga dyqani.
Askush nuk i mori seriozisht, se fëmijët nuk e kishin përnjëmend, ata, thjesht po luanin dhe po talleshin me ISIS.
3. Paramendoje sikur ndonjë imam të thirrte popullin (si Sali Berisha) të armatoset kundër pabesimtarëve, çfarë hataje do të ndodhte, sa njeriu do të arrestohej sa nami i zi do të bëhej.
Sali Berisha ka fat që askush nuk e merr seriozisht, veç gazetave që u duhet një titull skandaloz. Sepse, botës moti i ka treguar De Goli, se "Heshtja është arma finale e forcës".
Anipse, ndodh që të huajt nuk e dinë se heshtja te shqiptarët, konsiderohet si karakteristikë e qyqanit, e tutsit, e njeriut i cili i frikohet hijes së vet.
4. Derisa Sali Berisha i thërret shqiptarët që ta mbrojnë veten, dikush po i vret ish ushtarët e UÇK-së. Brenda javës u vranë dy ish-ushtarë. Njëri që kishte ardhur për pushime në Drenas, u vra në një mal, e tjetri u vra ashiqare nga një polic në Deçan, siç tha vet rreshteri, për shkak të së kaluarës së tij.
Pra, motivi i policit për ta vrarë qytetarin e paarmatosur, është e kaluara e viktimës!
"Në Policinë e Kosovës kanë depëruar edhe të atillë, që nuk e respektojnë zingjirin komandues të Policisë, por u shërbejnë kriminelëve dhe mafisë politike". Kjo thënie e ish ministrit të Policisë, Bajram Rexhepi, kurrë nuk u mor seriozisht nga askush, se nga prokuroria (që i shërben qind për qind politikës ditore), jo se jo.
5. Vend i vogël, në polici janë futur edhe njerëz të politizuar, të tillë që mund të lexojnë nga ti ndonjë shkrim që nuk u pëlqen e pastaj të të hakmerren posa të shohin në rrugë.
Rrugës për në Gërmi, papritur ndalohem nga policia e njësisë speciale. Ata ishin të armatosur me pushkë të gjata.
E krijova përshtypjen se ka ndodhur ndonjë tragjedi e madhe, se është vrarë dikush, apo se po kërkohet ndonjë kriminel i arratisur.
Më zgjodhi mua nga të gjitha veturat që kaluan para meje. Arrogant-sa të duash. Cinik-sa të duash. Lojtar-sa t'duash.
E pyeta: Çfarë ka ndodhur? Cila është arsyeja që po ndalohem nga dhjetra policë?
Tha: s'ka arsye. Thjesht ta lexova nga larg "gjuhën e trupit" dhe e pashë që je e shqetësuar "diçka".
M'u qesh me "body languange", por për inat nuk qesha. Kisha kujtuar për veten se as ata që më rrinë afër nuk ia dalin të ma lexojnë gjuhën e trupit, po qe, ndodhi, u gjet dikush që prej së largu ma lexon gjuhën e trupit.
Tha: ti nëse e ke ndonjë dokument që ty s'duhet të të ndalojmë-ma jep dokumentin.
Unë heshta.
Tha: (ti me siguri je duke thënë me vete, kush janë këta që më ndalojnë mua).
Unë heshta, dhe anipse nuk është në natyrën time. Komunikimi i tij ish personal, privat, sugjestiv, ai përveç gjuhës së trupit po i "lexonte" edhe mendimet e mia.
Tha: Nëse bash-bash të vjen kaq shumë mërzi dhe je kaq e shqetësuar dhe nervoz, ja, po ti kthej dokumentet, dhe vazhdo ku je nisur, nëse ke lënë ndonjë takim të caktuar, ku të pret dikush"
- Ok. Ami pra dokumentet dhe po shkoj në punën time- i thash. Dhe, ai (meqë po luante me mua), e vazhdoi lojën, dhe m'i dha.
Hyra edhe unë në lojë, nuk ja mora.
Ndërsa, pasi ma "fali lirinë", por unë nuk ja ktheva mbrapsht, m'u tek?
A u qetësove?
Jo, i thashë. Unë qetësohem kur du' vet. Jo, me urdhër. Ndoshta vendosi e nuk qetësohem kurrë.
Pastaj, e nxora telefonin nga çanta, për ta shikuar orën (derisa ata merrnin shënimet e mia), kur ai, u afrua edhe më ngat e tha: "tash ti na incizon".
- Nuk e kisha as idenë ta incizoja, dhe nuk është në etikën time t'i incizojë njerëzit tinëz, e konsideroj krim këtë akt, por atij nuk i thashë asgjë.
Kur u kryen muhabetet tona, polici i njësisë speciale, më tha "lidhe rrypin".
E lidha.
E krijova përshtypjen që u kënaq, i pëlqente pa masë të "luante" me nervat e mia, sepse para se të nisem, më tha: "e ke lidh shumë shtrëngueshëm, shliroje pak".
Normal, që e shlirova rrypin "pak", dhe e lash shumë të kënaqur "me mua".
6. Por, kur janë në pyetje kriminelët e vërtetë, gjykatat e Kosovës nuk dinë çka të bëjnë me ta. U erdhi krimineli nga Serbia, gjeneriali që ka urdhëruar vrasje e shfarosje të shqiptarëve, krimineli me këmbët e veta u kthye në vendin e krimit në Podujevë, dhe shqiptarët e shkretë i jepshin patligjana me hongër, e gjykatat e lan të lirë.
Nuk guxojnë as m'i gjyku. Një prokurore një ditë e "qiti" TV, e pyetke gazetari diçka për një vrasje, deri ku kanë shkuar hetimet. e asaj prokuroreje ju kishin rëndu kapak't e syve prej "shminkave" e maskarave, sytë s'mujke m'i çel prej s'rani.
Ekzakt si shpend i madh grabitqar, me krah të mëdhenj e të zinj, me sqep të kthyer me bisht të bigëzuar që ushqehet me kafshë të vogla e me zogj.
Qiftja e saj me ta nda drejtësinë. Zot!
Popull më pa mbamendje historike se shqiptarët-nuk ka.
7. Po, në fund të fundit, harrohen të gjitha, dhe mbahen në mend vetëm fjalët e mira:
"Unë kurrë nuk kam dashur të të bëjë të vuash
"Kurrë nuk kam dashur të të shoh të pikëlluar
"Unë vetëm kam dashur
Të të shoh ty duke qeshur e vallëzuar nën shiun e purpurtë që do të bie"
Kurrë nuk kam dashur të jem për ty një dashnor i fundjavave
Unë vetëm kam dashur të jem një si mik i joti
Kurrë nuk do të kisha mundur të të vjedh nga tjetri
Është kaq e turpshme që shoqëria jonë u desh të merr fund" (Princ)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat