Përshëndetje atdhetare Profesorit Sami Repishti

Opinione

Përshëndetje atdhetare Profesorit Sami Repishti

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 21:38

I dashur Profesor Samiu,
Në faqen e internetit të gazetës “Panorama” të datës 06 shkurt 2016, lexova me shumë vëmendje letrën që u keni dërguar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për mendimin paradoksal që qenka shprehur nga një grup ekspertësh juridikë, për të përfshirë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të një neni, sipas të cilit duhet të mbyllen me kyç dosjet e krimeve të komunizmit në Shqipëri.

Me këtë rast, u njoha edhe me kundërshtimin e prerë të Presidentit Bujar Nishani ndaj propozimit të ekspetëve të lartpërmendur dhe vendosmërinë e tij për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese nëse ai propozim kalon në Kuvend. Nuk ka asgjë për t’u habitur, i nderuar Profesor, edhe sikur ky nen të përfshihet në Kushtetutë me vendim të Kuvendit. Sepse ka kaluar një çerek shekulli që kur diktatura e egër enveriste u përmbys formalisht nga pushteti, por vendin e saj e zunë neokomunistët enveristë, të cilët, normalisht, nuk mund ta dënojnë Enver Hoxhën për krimet e rënda që kreu kundër pjesës më fisnike të popullit shqiptar dhe kundër inteligjencies së shquar që qe shkolluar në Perëndim.

Fakti që Kuvendi i Shqipërisë nuk i ka marrë absolutisht në shqyrtim Rezolutat e Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit, fakti që Enver Hoxha vazhdon ta gëzojë edhe sot e gjithë ditën titullin e lartë “Hero i Popullit”, fakti që krerët e partive politike i kanë kthyer këto të fundit në çiflig personal dhe, automatikisht, edhe Kuvendin e Shqipërisë, fakti që Nexhmije Hoxha gjenë hapësira në mjetet e informimit masiv për të shfajësuar kriminelin Enver Hoxha dhe krimet e tij kërkon t’ia faturojë popullit shqiptar, dëshmojnë shkoqur fare se në stanin e politikës zyrtare me flamur të shpalosur majtist dhe të disa historianëve të marrosur pas tij, ka një tendencë të hapur për rehabilitimin e figurës kriminale të Enver Hoxhës.

Ju keni plotësisht të drejtë, i dashur Profesor, kur thoni se e keni të vështirë ta kuptoni heshtjen e rinisë shqiptare, sidomos heshtjen e rinisë universitare, heshtjen e inteligjencies universitare, heshtjen e mbarë popullit shqiptar para fakteve të tilla skandaloze.

Me sa duket, klasa politike në pushtet e trajton popullin shqiptar thjesht si “material për konsum”, ashtu siç e trajtonte Enver Hoxha, duke e varfëruar deri në palcë, sepse një popull të varfër që mendon vetëm për kafshatën e gojës, është shumë e lehtë ta mbash nën fre. Një strategji e njohur kjo që i ka rrënjët në lashtësi.

Me respekt.
Prof.dr. Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
13 shkurt 2016

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat