Mangupat!

Opinione

Mangupat!

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 12:22

1. Dikush m'i ka shpuar gishtat e dorezave!

Sot, në mëngjes, duke i heq nga teli rrobet e varura për t'i tharë era, e hetova se dikush që nuk ma do të mirën m'i kish shpuar gishtat e dorezave, gisht për gisht, s'kish lënë gisht pa shpuar.

Fustanet, brekët, hulahupet e xhinglat tjera, i gjeta në gjendje të rregullt, pra, nuk ishin shpuar me mjete të forta, sikurse ish vepruar pamëshirshëm ndaj dorezave!

Sikur krimineli të kishte realizuar sulmin e tij edhe ndaj fustaneve dhe ndaj brekëve të mia, do të kisha menduar se autori i këtij krimi konfeksional ka qenë i motivuar seksualisht, nga pasioni, nga lakmia apo nga ndonjë motiv që gjithsesi ka të bëjë me emocione.

Por meqenëse sulmuesi ka zgjedhur të shpraz mllefin dhe frustrimin e tij vetëm kundër dorezave të mia, atëherë s'ka filozofi, këtu po shihet qartë se bëhet fjalë për një njeri të motivuar politikisht kundër personit tim.

Prej orës 6 të mëngjesit e deri në ora 18, kam menduar thellë për këtë akt qyqar dhe kam ardhur në përfundim se dikush ma do të keqen.

Gjithashtu, kam konstatuar se sulmuesi është mashkull.

Dhe nëse ai mashkull e lexon këtë shkrim ia bëjë me dije se unë tashmë jam shumë e vendosur në rrugën time, nuk lejoj të trembem nga këto gjeste të pamëshirshme dhe nuk zbrapsem dot nga ëndrrat e mia.

Gjithashtu, personin në fjalë e njoftoj me sinqeritetin më të madh se nuk kam doreza tjera.

Rastin nuk e kam paraqitur në polici, sepse unë nuk besoj në drejtësi.

2. Sikur të kishte drejtësi, nuk do të kërcënonte kaq egër dhe me stil kaq të pagdhendur as Hashim Thaçi, kur atë ditë tha se nëse bash dëshiron kur do i nxjerr në rrugë kundër opozitës 1 milion shqiptarë.

Jam e bindur se jo 1 milion shqiptarë, por as 10 shqiptarë nuk i gjen që dalin në protesta pro krijimit të 'shtetit serb' brenda Kosovës.

Përndryshe, nëse unë e kam gabim, dhe vërtetë është ashtu siç ka thënë ai, se vërtetë 1 milionë shqiptarë do të dilnin pro ndarjes së Kosovës, atëherë s'kemi çka flasim më shumë për këtë temë.

Do të jetë çmendur 'populli' që për Hashim Thaçin e jep Kosovën, e për Kosovën e jep jetën.

3. Ai që po përpiqet ta 'çmend' popullin, natyrisht që më së pari e ka 'çmendur' veten.

Hashim Thaçi po bën gjithçka që ta nxis opozitën kundër vetes.

Hashim Thaçi, me mish e me shpirt, me secilën rrokje e togfjalësh, me secilin gjest dhe shprehje të fytyrēs po e nxit opozitën kundër vetes dhe kundër qeverisë?

Pse nuk i konvenon paqja?

Pse Hashim Thaçit i konvenon rivaliteti fals me opozitën!

Kur duhet të flas 'urt e butë' si presidenti i ardhshëm i të gjithëve, Hashim Thaçi bën si mangup!

4. Mangup i 'rrezikshëm' dhe i pamposhtur po paraqitet edhe kryrministri Mustafa.

Me emocione të forta, nat e ditë, kurrë pa u ndal fisohet dhe e sulmon opozitën, dëshprimisht duke kërkuar nga ajo që të heq dorë nga qëllimet e saj.

Çka do të thotë kjo?

Pse kryeministri, njësoj si Hashim Thaçi, merret me punët e opozitës dhe sillet si këshilltari i tyre!

Pse është obsesionuar pas tyre?

Opozita këtë punë ka: të protestojë, të rebelohet, të kundërshtojë, të bojkotojë!

Çka i duhet kryeministrit t'u thotë liderëve të opozitës se kauza e tyre është 'fals'.

Nuk është 'fals' kauza e opozitës, 'fals' është rivaliteti i pozitës me opozitën.

Zotërinjtë e pozitës thonë se i kanë numrat, e kanë koalicionin e fuqishëm, e kanë një ushtri 'kineze' që kur duan mund t'i nxjerrin në rrugë për t'ua 'nxjerr shpirtin' pakicës opozitare, atëherë pse kanë nevojë edhe t'i 'edukojnë' opozitën, t'u mbajnë orë pedagogjie e alkimie (duke u munduar t'i bëjnë 'njerëz'), dhe t'i bindin ata që patjetër t'u binden atyre.

Opozita e ka punën e saj, dhe kur shkel rregullat dhe ligjet, ballafaqohet me drejtësinë, siç po japin llogari për veprimet e veta shumica prej tyre!

Ky rivalitet 'fals' apo kjo armiqësi false e pozitës ndaj opozitës po ushqehet edhe nga disa ambasadorë të huaj, të cilët po kërkojnë qetësi absolute, heshtje, silence, bindje dhe përulje të opozitës së 'vogël' ndaj pozitës 'së fuqishme'.

Ambasadori amerikan dhe ai i BE duhet ta dinë që janë dukur shumë vrazhdtë, të ulur në rendin e dytë si pëshpëritësa të ndonjë teatri amatorësh soc-realist, në takimin e fundit te Presidentja.

Nëse ka Ligj dhe Rregullore, nuk ka nevojë për hatër, për ndërmjetësime e për t'i lutur njerëzit që ta respektojnë Ligjin, e të mos fusin gaz lotsjellës në Kuvend.

Respektimi i Ligjit nënkuptohet, prandaj nuk bëhet kurrë pikë e rendit të ditës në tryeza të pështira rivalësh fals.
Opozita nuk kanë pse e pranojnë ofertën e qeverisë që të sillen si pozitë.

E pozita, duhet të provojë të mësohet 'me Ramushin' kundër tyre!

Pse kaq dëshprimisht duan t'i heshtin e t'i bëjnë për vete liderët e opozitës?

Pse janë kaq të fuqishëm, e ndjehen kaq të dobët?

5. Por derisa pozita nuk ia del ta bëjë për vete opozitën, Hashim Thaçi e ka bërë për vete LDK-në.

Shumica prej tyre mezi presin që Hashim Thaçi të bëhet president i Kosovës, të bindur thellë, se që nga ai moment kur Kadri Veseli e merr PDK-në në dorë, ajo parti do të dridhet dhe do t'i bie elektorati, minimumi 10 %.

Pra, shumica në LDK kujtojnë se Hashim Thaçi do ta shkatërrojë PDK-në kur të bëhet president i Kosovës.

Kështu kujton LDK, që e var fatin dhe të ardhmën e saj, jo në reforma të brendshme, por te Hashim Thaçi.

Natyrisht, përveç Lutfi Hazirit, të cilit kur nuk i flet goja, i flet b*tha.

6. Dikujt i flet shpirti kur e mendon protestën e opozitës në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Sa më përket mua, aspak nuk më pëlqen që organikja të shndërrohet në inorganike; festa të shndërrohet në protestë;
dashuria të shndërrohet në urrejtje.

Kur dikush e shfrytëzon festën e pavarësisë së Kosovës për të protestuar, mbështetem në Frommin, dhe këtë akt e quaj 'nekrofili politike'!

Kur është për të festuar, festojmë;

kur është për të qarë-nuk qeshim;

kur është për qeshur-nuk vajtojmë.

Kur është për të jetuar- nuk themi 'Rroftë vdekja'!

Nevoja për ta prishur atmosferën festive, nuk është e shëndoshë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat