Mbi mënyrën e zgjedhjes së Presidentit!

Opinione

Mbi mënyrën e zgjedhjes së Presidentit!

Nga: D.Dushi Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 09:39

Kohëve të fundit është zgjeruar fushata për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit. Kalimi nga zgjedhja përmes Parlamentit në atë të zgjedhjes direkt nga qytetarët tani gëzon mbështetjen e opozitës, një pjese të konsiderueshme të shoqërisë civile (e tillë ç’farë është) dhe të disa sondazheve të bëra nëpër mediume të ndryshme.

Deri më sot, Kosova, por edhe vende tjera të rajonit, janë ballafaquar me kriza të ndryshme politike pikërisht nga problematika e zgjedhjes së të parit të shtetit, pra Presidentit.

Koalicione, lobime, shitje të vullnetit të deputetëve (rrjedhimisht qytetarëve), mungesë korumi, intervenime nga jashtë, e deri te zgjedhja e Presidentes së Kosovës Jahjaga që u bë nga metoda mashtruese, pra metoda e një gënjeshtre për marrëveshtje që të shkohet në zgjedhje, e që nuk u bë kurr, ku fatkeqësisht asitoj edhe një Ambasador i cili nuk mund të fajsohet fundja për çdo papjekuri politike të liderëve tanë!

Këto janë disa nga argumentet përse në Ballkan, ku në parlamente kemi të pranishëm deputet që denohen për krime të ndryshme, biznesmenë të lidhur ngushtë me politikën, të shpallur të sëmurë psikik, të piketuar si kriminel nga SHBA-të si rasti i disa deputetëve në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë etj.

Por nuk mbaron me kaq, duke u bazuar në brishtësinë e demokracisë në rajonin e Ballkanit, dhe gjendjen tranzitive, ku merr pjesë edhe Kosova, zgjedhja e Presidentit i është nënshtruar shumë interesave, grupeve të interesit, me pak fjalë, Presidenti rallë herë ka pasë fuqinë, pa-varësinë politike për të ushtruar pushtet në të mirë të qytetarëve, por më shumë i është nënshtruar presioneve të elitave politike me fuqinë më të madhe apo ndonjë servilitet për interesat e jashtme. Pra, Presidenti më shumë se krijues i unitetit të popullit ka qenë krijues i unitetit të grupeve të ndryshme të interesit (që në Kosovë kryesisht janë kriminale).

Ku ka mundësi për demokraci direkte, ajo duhet të aprovohet, në rastin e zgjedhjes së Presidentit, demokracia direkte është e aprovueshme dhe njëkohësisht e nevojshme për të zgjedhur problematikat e përmendura më sipër. Konkretisht, në shoqëritë tona ballkanike, ku pushteti konceptohet si gjendje në të cilën politikanët brenda një mandati bëhen milionerë, dhe ku fituesit e zgjedhjeve e shohin veten si hyjnorë, apsolut dhe të pa cenueshëm nga pothuajse çdo veprim i tyre, pushteti të bën arogant thotë Spinoza, por kjo arogancë ka tjera nivele te ne, pra të tejkaluara, është e domosdoshme të bëhen ndryshime. Rrjedhimisht, një President i zgjedhur direkt nga populli, do të kryente jo vetëm funksion demokratizues, por edhe balancues, sepse siç e dimë, në këto shoqëri, ndarja e pushteteve është e shkruar nëpër Kushtetuta, por me kaq përfundon kjo çështje.

Pra, Presidenti i zgjedhur nga populli do të ishte një institucion i cili do ishte i liruar nga papjekuria politike e partive dhe deputetëve, nga apetitet e tyre për pushtet, kapje të shtetit etj. Presidenti i zgjedhur direkt nga populli, do ju përgjigjej më shumë interesave të qytetarëve (sepse ata do e votojnë direkt), do ishte një mbikëqyrës i Gjyqsorit, Parlamentit dhe Qeverisë, dhe këto të fundit, do ishin përgjegjëse ndaj institucionit të Presidentit, duke qenë se ky i fundit, do gëzonte legjitimitet, përveq legalitetit që zakonisht buron më shumë nga procedurat, forca dhe pazaret politike, se nga demokracia.

Mbi efektet dhe interesat në kundërshtim me këtë ide!

Besimi te demokracia është shpresa e vetme që Kosova, por edhe rajoni, të përmbysin gjendjen e tanishme, dhe të çlirohen nga dhuna e të fortëve për të ecë drejt shoqërive të zhvilluara të Evropës. Kjo nuk bëhet me mashtrime politike, me kontrabandim të votave, por vetëm me demokraci të zhvilluar. Në rastin tonë, më specifikisht, në tentativën për zgjedhje të Presidentit nga koalicioni PDK-LDK, ku të dy partitë kanë kontrabanduar votat e elektoratit të tyre me këtë koalicion, dhe zgjedhja e kandidatit të tyre, ish Kryeministrit Hashim Thaqi, është rast studimi për klasifikim në fenomenet e shtruara në fillim të këtij shkrimi.

Ministri Thaqi, përveq që ka tashmë një reputacion të keq jashtë vendit, pas dyshimeve nga Gjykata Speciale dhe raporti i Senatorit Dick Marty, shkrimeve në media perendimore ku e përmendin zakonisht për të kundërtën e të mirës, ai gjithashtu është i lidhur ngushtë me grupin e tij të interesit, i specializuar në privatizime të ndërmarrjeve publike, grupim ky i cili është përgjegjësi kryesor për gjendjen e tanishme në Kosovë.

Si mund të bëhet President, me cilësimet: unifikues, mbrojtës i interesave, përfaqësues i Republikës etj., Thaqi, i cili në zgjedhjet e fundit unifikoj katër parti politike kundër tij? Pra zoti Thaqi gëzon simpatinë e PDK-së, dhe kjo nuk mund të mohohet duke qenë se nga pozita e pushtetit ai ka krijuar një klientellizëm deri në masën qesharake që më së miri e paraqesin humoristët “Stupcat”. Mirëpo, Ministri Thaqi njëkohësisht gëzon antipatinë e elektoratit të LDK-së, VV-së, AAK-së dhe Nismas, pra antipatinë (dhe refuzimin) e shumicës.

PDK-së nuk i intereson zgjedhja e Presidentit direkt nga populli, dhe në rast se ndryshon qëndrim do ishte kundër interesave të saj, kjo sepse kandidatët e tyre mund të dalin të parët në Kuvend, por jo në ndonjë votim direkt nga populli ku do përballeshin dy kandidat në ballotazh për President, rrjedhimisht elektorati anti PDK-së është i decentralizuar në shumë parti, por ata në pamundësi tjetër do drejtoheshin nga kundërkandidati i PDK-së, pra PDK nuk do kishte gjasa të fitonte Presidencën në votim direkt nga populli, andaj ata do bëjnë çdo gjë në fuqinë e tyre që kjo të mos ndodhë. Ata janë të specializuar në krijim të koalicioneve, blerje të deputetëve, shantazhime, proces në të cilin përdorin qoftë nevoja edhe Gjykatën Kushtetuese apo edhe Policinë, AKI-në etj.

Presidenti i zgjedhur direkt nga populli do i mundësonte Kosovës jo vetëm çlirim nga këto fenomene që jemi mësuar tashme me to, por do i mundësonte edhe një forcim të sovranitetit, kjo sepse pushteti dhe legjitimiteti i Presidentit do ishte më i madh, rrjedhimisht më pak nënshtrues nga interesat e jashtme apo ato të grupeve brenda.

Zgjedhja në këtë mënyrë do komplikonte disa çështje, sidomos do komplikonte gjendjen “stabile” të kaosit, në të cilin disa individë e kanë gjetur vetën shumë mirë, janë bërë milionerë, janë bërë aq të fuqishëm sa që kjo fuqi i ka bërë arogantë, e kjo arogancë, mund të jetë rënia e tyre, e shpresa e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat