Mbretërimi i ndjenjës së pasigurisë tek qytetari dëshmi e mos funksionimit të institucioneve të shtetit

Opinione

Mbretërimi i ndjenjës së pasigurisë tek qytetari dëshmi e mos funksionimit të institucioneve të shtetit

Nga: Shkruar nga Shkelzen Marevci Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 10:51

Që të ndihesh i sigurt nuk është gjë e vogël, në fakt është diçka që nuk arrihet lehtë. Gjithashtu të ndihesh i sigurt është gjë e jashtëzakonshme, sepse ndjenja e sigurisë së individit (qytetarit) është vulë e dëshmisë së një shteti në të cilin funksionon çdo gjë për së mbari. Por, athua vallë në shtetin tonë (Kosovë), cila ndjenë mbretëron tek individi, e sigurisë apo e pasigurisë?

Me sa di unë nuk është bërë ndonjë hulumtim i cili qetë në pah se cila është ndjena e cila mbretëron tek individi në shtetin e tonë. Mirëpo, duke u bazuar në ngjarjet dhe situatat e ndodhura që nga paslufta e deri më sot, jam i bindur që ndjenja e pasigurisë së individit është dukshëm më e lartë se ajo e sigurisë. Duke filluar së analizuari pushtetin legjislativ gjatë seancave në Kuvend, mjafton për të kuptuar se te individi i këtij vendi mbretëron ndjenja e pasigurisë.

Në Kuvendin e Kosovës shohim dhe dëgjojmë se si shahen, fyhen, ofendohen dhe akuzohen me akuza nga më të rëndat, të mbushet mendja se aty konfrontohen grupet më të rrezikshme mafioze, të spiunëve, armiqve të vendit e jo të zgjedhurit e popullit! Njëri deputet akuzon tjetrin për tradhti kombëtare, tjetri për korrupsion, tjetri për vrasje, tjetri për spiunazh, tjetri për dhunim, tjetri për amoralitet e shumë e shumë akuza të tjera të këtij lloji.

Fjalori i përdorur nga disa nga ta të bën të mendosh se përse nuk është vendosur +16 në ekran të televizorit, pra t’i ruajmë fëmijët nga tmerri dhe gjuha e ndytë e të zgjedhurve të popullit. Nëse ndalemi së analizuari ekzekutivin e vendit, shihet qartë se në këto institucione dominojnë punësime me bazë nepotiste e militantiste, e që pasoja është zhdukja apo rrënimi i profesionalizmit nga këto institucione.

Ndërsa, po të ndalemi te gjyqësori apo sistemi i drejtësisë së këtij shteti, do ta vërejmë me sy të lirë se brenda sistemit të drejtësisë mbretëron një gjendje e mjerueshme dhe këtë mjerim e vërtetojnë proceset gjyqësore që bëhen me interferenca politike. Në mungesë të një sistemi profesional e funksional të drejtësisë në shtetin Kosovës, derivojnë institucione dhe zyrtarë të pandërgjegjshëm gjatë kryerjes së detyrave të tyre për të cilat paguhen nga djersa e popullit.

Sistemi shëndetësor e dëshmoj mjaft se çka mund të derivojë një sistem jo funksional i drejtësisë. Në QKUK vetëm nga kardiologjia për mbi 100 mjek janë hapur hetim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion. Në mungesë të funksionimit të një shteti ligjor krimi bashkëjeton me organet e ndjekjes. Krimi i organizuar, haraçi, fajdeja, kontrabanda me narkotik, kontrabanda me armë, vjedhjet e veturave, dhuna në familje, trafikimi me qenie njerëzore e shumë e shumë krime të tjera janë dëshmi se në këtë vend nuk kryhen punët ashtu siç duhet nga organet e ndjekjes.

Prezenca e këtyre krimeve dhe kriminelëve është indikator se në këtë vend ka një bashkëjetesë ndërmjet organeve të ndjekjes dhe kriminelëve. Raporte kredibile ndërkombëtare në vazhdimësi na tregojnë se vendi është kapluar nga krimi i të gjitha llojeve.

Prandaj, duke u bazuar në të gjitha këto që u potencuan më lartë dhe shumë të tjera që nuk janë potencuar, natyrshëm vjen pyetja e madhe, athua te individi i shtetit tonë mbretëron ndjenja e sigurisë? Ndërsa përgjigjja është kjo, se tek individi i këtij vendi pa dyshim mbretëron ndjenja e pasigurisë. Ndjenja e pasigurisë së individit nënkupton edhe ndjenjën e pasigurisë së shoqërisë, sepse shoqëria përbëhet nga individët.

Për të ardhur në këtë gjendje, duhet shumë të punohet për së prapi, andaj përgjegjësit janë të shumtë, duke u nisur që nga politikanët (pozitë e opozitë), shumica absolute e zyrtarëve të lartë shtetëror, shoqëria civile që një pjesë mjaft e madhe e tyre fatkeqësisht detyrat e tyre i kryejnë me një dozë të konsiderueshme të servilizmit ndaj politikanëve.

Mirëpo, për të dal nga kjo situatë, deri më sot pak e kemi vërejtur vullnetin e të ngarkuarve për t’i luftuar këto dukuri që prishin ndjenjën e sigurisë së individit dhe shoqërisë, andaj vetëm mbetet ta lutemi Zotin e Plotfuqishëm, që të bëjë ndonjë mrekulli e te individi dhe shoqëria e këtij vendi të mbretëron ndjenja e sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat