Armik

Opinione

Armik

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 08:54

Cilësimin llahtarisës të pakonkurrueshëm me asnjë makabritet verbal, ekuivalent me vuajtjen e pafundme nëpër internime, burgosjen ose vdekjen, dukej sikur e kishin shpikur pesqintë djaj mbledhur kokmëkokë në një shpellë për pesqint vjet rrjesht.
Nëse do cilësoheshe “armik”, thuhej dhe uluritej se, që prej pellazgëve, ilirëve, Skënderbeut, avni rustemit, e deri tek proletari më i humbur zhulanjos e barkthatë, duke përfshirë diktatorin, por kjo duke u konsideruar paradoks i paradokseve pra diçka absolutisht e pamundur, s’thuhej, të gjithë këta i urreje, dhe duheshe riedukuar, pra rrasur në burg. Nëse konsiderohej se të sipërcituarit nuk i urreje por i doje, nuk thuaj as nuk bërtitej, ishe vetvetiu “shok”. Pra mundësitë ishin dy, “armik” ose “shok”, asgjë e ndërmjetme. Mirpo halli ishte se nuk mund ta dije pse, për cilin shkak, për cilën arësye, meritë ose të metë, armik ishe apo armik s’ishe.

Edepsizët dinin ku të shkonin për të thënë se filani apo fisteku është armik, duhet futur në burg, dhe dëshira u plotësohej menjëherë pa asnjë verifikim. Por s’kishte asnjë zyrë a komitet, ku njerëzit normalë të mund të pyesnin; Shoku Janaq, të lutem më thuaj jam a s’jam armik? Nëse do bëje gabimin të pyesje jo shokun e partisë por ndonjë shok tëndin, të gjente belaja. Shoku që deri në atë moment të ishte dukur çun i mirë, papritmas shndrohej në një djall më i zi se shoku Janaq. Në vendin ku falë vigjilencës popullore armiqtë ishin të gjithë në burg, si mund të dyshoje tek vetja në ishe a s’ishe armik ? Këtu ka një problem. Këtu duhet ndalur. Kjo ha diskutim. Nga frika se po e provokoje, shoku yt ngrinte jakën e palltos, merrte frymë thellë, ikte vrap të spiunonte si armik me lakra në kokë.

Gjatë shqyrtimit brenda vetes të dilemës rrënqethëse nëse ishe a s’ishearmik, një herë të dukej se nuk kishe asnjë arësye të ishe, dhe qetsoheshe njëfarsoj. Por pas një çasti të dukej se nuk kishe asnjë arsye të mos ishe, dhe të kapnin përsëri të dridhurat. Ishe pra i dënuar të mos e dije nëse ishe apo nuk ishe armik. Por që të vazhdoje të gjalloje deridiku i orientuar duhej gjithsesi ta dije njëfarsoj nëse armik ishe apo armik s’ishe. Dukej sikur në këto rrethana e vetmja gjë që mund të bëje për ta shmangur dilemën cfilitëse të të qënit apo mosqënit armik, ishte të tkurreshe e tkurreshe pafund derisa, jo të zhdukeshe apo mos ekzistoje, ç‘ësht’ ajo fjalë, sa kohë armik nuk je për të mirën e popullit dhe të partisë duhej patjetër të vazhdosh të ekzistosh, por jo më i madh se një pikë. Por edhe pika s’ishte zgjidhje. Sa më i mbyllur e i heshtur të ishe aq më tepër dyshime ngjallje. Të damkosnin dhe të burgosnin edhe po të mos thoje asnjë fjalë, mos ta hapje gojën kurrë, madje si misterioz apo i pazbërthyeshëm, më tepër në këto raste.
Armik mund të ishe, por nuk e dije, po ashtu, si armik mund të mos ishe por kujtoje se ishe.

Mund t’i shtrëngoje dhëmbët dhe nofullat sa t’i thyeje, nuk i shpëtoje dot dyshimit që të rrinte mbi krye.
Askush nuk e dinte se çfarë duhej të bënte ose të mos bënte që armik të mos ishe dhe të mos dyshonin se ishe.
Askush nuk e dinte gjithashtu se çfarë kishe bërë a çfarë s’kishe bërë, që armik ishe.
Të ishe por të fshiheshe, ishte e pamundur, të gjenin në brimë të miut.
Të mos ishe dhe të thoshe s’jam, atë s’e hanin.
Të gjithë ishin, dhe askush nuk ishte.
Askush nuk ishte, e megjithatë të gjithë ishin.

Lodhjet për ta gjetur me mendje pse vallë e kërkonin me kaq ngulm armikun, të nxirrnin në përfundimin paradoksal; Duan të kenë sa më tepër armiq, çka s’mund të ishte e vërtetë, dhe lëmshi ngatërrohej. Këshilla e ndonjërit; Hë mo dhe ti ç‘e vret mendjen kot, qepe gojën, ule kokën, puno, dhe je në rregull, as kjo s’ishte zgjidhje. Të shumtit që përfundonin prapa hekurave ishin pikërisht ata që punonin dhe gojën e qepnin. Kur armikun s’e gjenin dot as atje ku ishte as atje ku s’ishte, jo rrallë i vërsuleshin njëritjetrit. Armiku ishte një oqean i pafund dallgët e të cilit përplaseshin të gjitha në një vend, në burg. Jeta rrezëllinte, plani tejkalohej, sukseset s’numuroheshin, ushtria stërvitej, kufitarët vigjëlonin, spiunat spiunonin, fshatarët korrnin drithë pa hesap, proletarët ndërtonin vepra madhështore, ata që ishin në burg edukoheshin, por për çudi, armiqtë shtoheshin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat