Eunukët shqiptarë në mbrojtje të Jugosllavisë e Turqisë

Opinione

Eunukët shqiptarë në mbrojtje të Jugosllavisë e Turqisë

Nga: Gani MEHMETAJ Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 09:54

Kur hordhitë serbe bënë krime të shëmtuara në Kosovë e në territoret etnike pas tërheqjes së ushtrisë turke, shqiptarët e harruam gjenocidin anadollak. Turku mizor papritmas u bë turk i mirë. Por me turkun e mirë kohë të gjatë askush nga shqiptarët nuk u mor.

As turku nuk u mor më shqiptarët, ua la në duar serbëve, më të cilët zhvillonte marrëdhënie të shkëlqyeshme. Dashuria ndaj turkut shpërtheu befas në dhjetëvjetëshin e fundit më depërtimin e frymës islamike. Eunukët shqiptarë, përnjëherë e rikujtuan dashurinë për Turqinë islamike. Deri dje nuk u bëhej vonë as për turkun, as për islamin, sepse e shqyenin gurmazin më lëvdatat për Jugosllavinë. Pjesa dërmuese e këtyre eunukëve shqiptarë janë gjysmë analfabetë. Ka edhe ndonjë intelektual eunuk, që u shërben me servilizëm.

Kur e mori frerin e udhëheqjes së Jugosllavisë Milosheviçi, i cili nisi më dhunën që nuk mbahej në mend në tridhjetë vjeteshin e fundit, shqiptarët e Kosovës e të territoreve etnike e harruan gjenocidin e ushtrisë jugosllave. Grupe të tëra nisën ta vajtonin kohën “e artë” të Jugosllavisë. Në këtë vajtim eunukësh harruan se Josip Brozi, vrau 50.000 shqiptarë të Kosovës e të territoreve etnike, shpërnguli në Turqi, në marrëveshje më shtetin turk mbi 250.000 shqiptarë dhe burgosi mijëra bashkëkombës tanë. Ky terror vazhdoi me intensitet deri me 1966, kur nga presioni ndërkombëtar iu lirua laku shqiptarëve. Tito, për krime e ngarkoi ministrin e vet të brendshëm A.

Rankoviqin. Prapë 50.000 shqiptarët që i vrau për katër vjet (1945- 48), nuk i përmendi. Në vlerësimet e mëvonshme shqiptarët e vrarë u cilësuan armiq të Jugosllavisë. Dënimi politik i torturave të Rankoviqit u bë me 1967. Atë nuk e ekzekutuan, as nuk e burgosën, megjithëse akuzohej për qindra shqiptarë të vrarë e mijëra të torturuar. Rankoviqin e pensionuan.

Por ra zemërimi i propagandës jugosllave mbi te, Tito doli i larë. Në sytë e shqiptareve, prapë me procesin e shpërlarës së trurit, Tito mbeti shpëtimtarë. Dhe shqiptarët eunuk nisën ta shajnë e ta dënojnë vetëm dhunën e Rankoviqit, por nuk e thanë asnjë fjalë të keqe kundër Titos. Ai për një pjesë të shqiptarëve me tru të shpërlarë mbeti biri më i madh i shekullit XX.

Është e habitshme që këtë dozë dashurie servile e dëgjon edhe sot e kësaj dite në Kosovë, e në territoret etnike, por edhe në Shqipëri: Tito i mirë, Miloshevqi i keq, Jugosllavia shtet i të barabartëve, Serbia burg i shqiptarëve.

Ndërkaq, Jugosllavia ishte Serbi e zgjeruar, e mbështjellë më demagogjinë e vëllazërim-bashkimit. Serbia edhe më tutje mbetet burg i shqiptarëve: komunat e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës janë nën terror, ndërsa janë territore shqiptare.

Serbia nuk ka ndryshuar. Mbase një pjesë e këtij shkulmi të vonuar të nostalgjisë për Jugosllavinë është pasojë e qeverisjes së keqe në Kosovën e pavarur, kur erdhën në krye të shtetit njerëz pa kulturë, pa arsimim e më të kaluar baritore, por eunukët nuk e bëjnë vetëm për këtë arsye. Nostalgjikët jugosllav sikur i vajtojnë privilegjet e tyre personale e grupore pa u brengosur se si jetuan pjesa dërmuese e bashkëkombësve.

Këtë dashuri ndaj Jugosllavisë nuk e thonë publikisht, nuk e deklamojnë sikurse bënin dikur, por e thonë kurdo që u vjen rasti në biseda të përditshme.
Në Shqipëri po ashtu një pjesë e qarqeve intelektuale e artistike asnjëherë nuk ngurruan e nuk ngurrojnë ta lavdërojnë kohën e Titos. Natyrisht edhe në Tiranë, sikurse në Prishtinë, lobi serb është shumë i fuqishëm, në mediet elektronike e të partitë. Duke i dëgjuar apo duke debatuar me ta të mbërthen dëshpërimi. Athua nuk e njihnin pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi? Nuk duan ta njohin kohën e vuajtjeve të bashkëkombësve të tyre?

Apo aq u bën, mjafton që ata e patën mall Jugosllavinë, ndërsa ai mall nuk iu hoq as sot e kësaj dite, megjithëse Jugosllavia vdiq.

Brezi i vjetër i nipërve të Enver Hoxhës, mund të kuptohej pse kanë nostalgji për Jugosllavinë dhe pse nuk i urrejnë serbët (komunizmi i mësoi se nuk duhet të urrejnë popujt, por qeverisjen e keqe), por është e pakuptueshme prej nga nostalgjia e brezit të ri për Jugosllavinë e servilizmi për serbët.

Njëfarë Rigels Halili, i prezantuar kulturolog në “Radion Evropa e lirë”, në frymën e eunukut servil e mbron Jugosllavinë, e shtrembëron shëmtueshëm historinë e Kosovës e të territoreve etnike shqiptare, e kritikon nacionalizmin e Ismail Kadaresë, i cili në vitet e tetëdhjetë doli i vetmi shkrimtar në mbrojtje të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Duke u përpjekur t’u futet nën sqetull serbëve, R. Halili në mënyrë cinike përpiqet të na tregoj se ne nuk paskemi qenë të okupuar, por të barabartë në Jugosllavi. Dhe pastaj fillon elozhet për Jugosllavinë e për serbët. Në Shqipëri i duam serbët, në Kosovë i urrejnë, u lëpihet serbëve, ky eunuk nga Shqipëria. Turpin e bashkëkombësve të vet të cilët e ftuan në Tiranë këngëtarin shovinist G. Bregoviq, (i ka kënduar himn ushtrisë së Milosheviqit), apo Z. Çoliqin përpiqet ti nxjerr pozitive.

Ish bashkiakun e Tiranës, E. Ramën e nxjerr dashamirë të serbëve që ia dha Bregoviqit çelësin e Tiranës, në vend që kryeministri i tashëm t’ia jepte çelësin e shtëpisë së vet. Meqë ky far Halili është i tredhur në tru, nuk e di, as nuk do ta dijë se jugosllavët vranë 50.000 shqiptarë të Kosovës për katër vjet. Apo aq i bënë? Opinionet e tij për Jugosllavinë “e popujve të barabartë” janë opinione të njëjta më ato të Enver Hoxhës, i cili pati komplekse të paskajshme inferioriteti ndaj jugosllavëve. Nipi i Enverit nuk dallon nga gjyshi.

Eunukët shqiptarë e mbrojnë me ngulmë Jugosllavinë e Turqinë, duke shkelur mbi interesat e kombit e shtetit të tyre. Janë qindra, mbase mijëra të tillë që s’prajnë si urith natën e ditën. Rrëmojnë themelet e shtetit e të kombit të tyre për interes të shteteve, të cilat rendojnë aq shumë mbi kombin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat