Diplomacia amerikane me mesazhe të qarta për politikanët kosovar dhe opinionin Publik!

Opinione

Diplomacia amerikane me mesazhe të qarta për politikanët kosovar dhe opinionin Publik!

Nga: Dr.Nijazi Halili Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 13:47

Dikur, diplomacia kjo formë e politikës ndërkombëtare kishte shkëlqimin e salloneve, të mbrëmjeve aristokrate të mbushura me dolli dhe me buzëqeshje, ku çdo veprim, çdo gjest, qoftë edhe një shprehje e syve, një lëvizje e mimikës shprehte qëndrimin e një shteti apo të një Perandorie të tërë. Ishte profesioni që kërkonte më shumë elegancë dhe sjellje të rafinuara, të rëndësishme jo vetëm për të transmetuar mesazhe politike, por edhe për të kuptuar ato të të tjerëve. Ndaj diplomatët kanë qenë zgjedhur nga klasat aristokrate të një vendi, traditë që vazhdon dhe sot të ndiqet në vendet europiane.

Të qenit i rezervuar dhe sekreti ishin dy pikat kyçe të një diplomati, si mësohet edhe sot në kurset e marrëdhënieve ndërkombëtare. Është e rëndësishme të dish të flasësh mirë por akoma më mirë duhet të dish të heshtësh. Tërë ky sistem tradicional apo klasik i të bërit diplomaci prej kohësh ka hyrë në krizë. Zhvillimi i mjeteve të komunikimit, revolucioni teknologjik si dhe globalizimi informatik ka bërë që standartet e dikurshme të jenë vjetëruar.

Diplomacia klasike u “revolucionarizua” në fillimet e shekullit të kaluar me lindjen e diplomacisë së konferencave nuk kishte më qëndrime të një personi që shprehnin interesat e një shteti, por takime të përbashkëta midis tyre që eleminonin sekretin dhe që bëheshin në prezencë të oservatorëve të tjerë.

I rëndësishëm në këtë ndryshim është fakti se për herë të parë ndodh që diplomacia nuk bëhet vetëm në tavolinë, por transferohet edhe në publik. Ky transferim, që për shekuj ka qenë sekret dhe privilegj i një pakice, realizohet sot nëpërmjet konferencave të shtypit e deklaratave, pra nëpërmjet mediave.

Dhe këtu lind rëndësia e mediave në diplomacinë botërore, sepse janë ato që bëjnë të qarta opinionit publik mesazhet e “koduara” të diplomatëve. Pikërisht nga kjo rëndësi që kanë mediat lind dhe problemi i madh që mund të krijojnë ato. Sot, mediat janë të shumta, të llojeve nga më të ndryshmet, në konkurrencë të madhe ndaj njëra tjetrës dhe në kërkim të një lajmi goditës, i cili shet më shumë. Për rrjedhojë, të shumtë janë edhe gazetarët që merren me përcjelljen e lajmit dhe komentet.

Këta gazetarë nuk janë diplomatë që mund të lexonin edhe pas rradhëve apo të perceptonin mesazhe nga qëndrimet. Numri i tyre i madh shton probabilitetin që mesazhet të mos kuptohen nga shumica, e si pasojë të përcillen në sensin e gabuar te publiku.

Kjo ndodh edhe në botë. Fakt që ka “detyruar” diplomatët dhe krerët e tyre të japin deklarata, shumë më të qartë, më të prerë në mënyrë që të mos keq interpretohen e aq më shumë, të mos keqkuptohen.

Edhe në Kosovë po ashtu edhe në Shqipërisë ky problem është më i madh po të konsiderosh edhe faktin se ka media, të cilat edhe kur i kuptojnë mesazhet i interpretojnë sipas interesit politikë.

Edhe pse kanë filluar të bëhen gjithnjë e më të qarta e të drejpërpërdrejta, në mediat tona shikon të njëjtën deklaratë e cila interpretohet në dy mënyra krejt të kundërta, a thua vallë kujt do t`i shërbejnë informacionet e tilla të deformuara, a është në interes të vendit apo e dëmtojnë infromacionet mediatike në këtë rast situaten e krijuar politike.

E nëse europianët janë më skeptikë e më të kujdesshëm në deklaratat e tyre në lidhje më krizën dhe mënyrën e zgjidhjes së saj, diplomacia amerikane është më e drejtpërdrejtë dhe lehtësisht e kuptueshme e sidomos në rastin tonë. Kjo për faktin se diplomacia amerikane është e vetmja që ndërthuret me politikën si dhe përcjell mesazhe të qarta për politikanët vendas dhe opinionin publik, e sidomos për ngjarjet e fundit politike të krijuara në Kosovë.
Në diplomaci edhe tonet e deklaratave bëhen sipas niveleve. Sa më i lartë të jetë ai aq më i butë është toni, sepse nënkuptohet që fjala përcjell mesazh më të fortë. Kurse ne, këto rregulla të diplomacisë standarte i interpretojmë si ndryshim qëndrimi nga një ditë në tjetrën, sikur të mos ishin diplomatë amerikanë me politika të qarta, me siguri se do të rrezikoje siguria dhe paqa ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat