"Policokracia" në Republikën e Kosovës

Opinione

"Policokracia" në Republikën e Kosovës

Nga: Shkruan: Nehat Hyseni Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 07:12

Skenat e (keq)përdorimit të Policisë së Kosovës nëpër rrugët e Prishtinës, në Kuvendin e Kosovës dhe në selitë e partive parlamentare të Kosovës, është bërë praktikë e hidhur dhe trishtuese aktualisht në Kosovë.
Këto skena të tmerrëshme dhe skajshmërisht kompromituese për demokracinë e brishtë dhe fëminore të klasës politike kosovare po eksportohen nëpërmes mediave audio-vizuele në tërë botën.

Maskarallëqet tona politike në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e opozitës, e cila në këtë legjislaturë të Kuvendit të Kosovës është minore me vetëm 1/3 e ulëseve në te.
Kjo minorancë rekorde e tyre, sa duket, po e bënë nervoz opozitën aktuale, e cila po mendon se realisht më shumë vlen se sa është votëbesuar nga populli i Kosovës.
Ose, ekziston mundësia që populli të ket "gabuar", meqë i votoi, siç thotë udhëheqësi ideor i opozitës aktuale, Albin Kurti, i votoi "hajnat e dorës së parë" të Kosovës, të cilët tani kanë mazhorancën prej 2/3 në Kuvend.
Meqë demokracia din të jetë "e padrejtë" (sipas Albinit), sepse kësaj radhe ka lënë në opozitë, duke mos ua dhënë votën "e merituar" atyre, si "hajna të dorës së dytë" (sipas Albinit).
Meqë është kështu, pra sipas Albin Kurtit dhe pasuesve ideologjikë të tij: VV, AAK dhe Nisma, atëherë Kuvendi i Kosovës bëhet target legjitim për dhunë dhe bllokadë totale të punës, me gazsjellës, sprej lotësjellës, vezë dhe dhunë mbi pronën publike e private nëpër rrugët e Prishtinës.
Natyrisht, opozita këtij inati dhe "debalansi" midis pritjeve nga zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, kur LDK dhe VV shpresonin të ishin parti të para, ato u zhgënjyen thellë, meqë PDK doli e para, LDK e dyta, kurse VV e treta dhe AAK u radhit si parti e katërt.
Këtë zhgënjim nga humbja katastrofale, Albin Kurti me propozimin e tij më 9 qershor 2014 për formimin e koalicionit të humbësve të zgjedhjeve, si me "shkop magjik", brenda natës i "shndërroi humbësit në fitues" të zgjedhjeve, me formimin e koalicionit LDK, AAK, Nisma (LAN), ndërsa VV do t'i bashkëngjitej këtij koalicioni dy muaj më vonë, më 10 shtator 2014, duke e zgjëruar koalicionin në VLAN.
Një interpretim i (pa) dyshimtë i Gjykatës Kushtetuese bëri që VLAN, edhpse i kishin numrat prej 2/3 të deputetëve, ua privoi të drejtën e marrjes së pushtetit, duke krijuar kështu krizë gjashtëmujore të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Me ndërmjetësimin dhe insistimin e miqve ndërkombëtarë dhe ambasadës së SHBA-së, më në fund LDK vendosi të bëj koalicion me PDK-në, duke i hedhur definitivisht në ujë ambiciet e Ramush Haradinajt për kryeministër të Kosovës!
Kështu, kutia e Pandorës e inateve të VV, AAK dhe Nismës shpërtheu në mllef të tërbuar kundër LDK-së dhe Isa Mustafës personalisht, duke u kërcnuar madje haptas se "nuk do ta lejojnë qeverinë LDK-PDK dhe kryeministrin Mustafa të qeverisë vendin!"
Prandaj, pasuan protestat skajshmërisht të dhunëshme më 24 janar 2015 (kinse) për "Trepçën" dhe për shkarkimin e ministrit serb të kthimit, Jabllanoviqin nga posti i ministrit, për shkak të fyerjes së nënave gjakovare të personave të pagjetur.

Sa duket, Qeveria Mustafa e ka "thembër të Akilit", dmth lehtësi të pakuptueshme të përdorimit të dhunshëm të Policisë së Kosovës për qëllime politike, që ajo i sqaron me "motivacion për zbatimin e ligjit", që faktikisht krijon skena të patolerueshme dhune edhe në Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor 2015.
Ky ishte një gabim i rëndë politik i Qeverisë që përdori dhunë gjatë ditës së festës kombëtare, për ta burgosur Albin Kurtin, që na befasoi të gjithëve.
Pa diskutim se ky akt i Policisë u gjykua nga opinioni gjithëshqiptar në Ballkan dhe në diasporë, si dhe nga mbarë bota demokratike gjithandej nëpër botë.
Gabimet e këtilla të deritanishme, do të thoja të pafalëshme të Qeverisë dhe Policisë së Kosovës, sipas sondazheve aktuale të vendeve të Quintit dhe SHBA-së, kanë ndikuar tmerrësisht në rënien e mbështetjes së votuesve, duke e rrënuar LDK-në në vendin e tretë, dmth pas PDK-së në vendin e parë dhe larg pas VV në vendin e dytë.
Ky fakt, realisht, duhet të jetë alarm për LDK-në dhe Isa Mustafën, sepse, realisht dyshohet se ai po punon sipas prapaskenave të Zëvendëskryeministrit Thaçi dhe të Kryeparlamentarit Veseli.

Dyshojmë se intervenimi i gabuar ndaj VV për Ditën e Flamurit ishte rezultat imponimit dhe presionit të madh të tyre ndaj Kryeministrit Mustafa. Dhe paradoksi qëndron në faktin se po kompromitohet performansa demokratike e kësaj qeverie tek populli i Kosovës dhe në botë, duke i avancuar dy parti dhe më saktësisht, dy liderë: Hashim Thaçin, si lider (joformal) të pozitës, si dhe Albin Kurtin, si lider (joformal) të pakontestueshëm të opozitës, i cili pothuajse i ka shuar së ekzistuari AAK-në e Ramush Haradinajt dhe Nismën e Fatmur Limajt.

Pra, tani për tani qëndrojnë punët kështu: Isa Mustafa është duke punuar në favor të Thaçit, ashtu si (Treshi-Triumvirati) Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Lima, me apo pa dashje, janë duke punuar për Albin Kurtin. Mbase këtë do ta kenë kuptuar këta dy të fundit gjatë diskutimit të Albinit për Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor 2015?!

Prandaj, Ramushi dhe Fatmiri ia kthyen shpinën tubimit në momentin kur Albini doli në foltore!

Ashtu si gabimi i pafalshëm dhe arrogant i Isa Mustafës gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013, se do të fitoj "me duar në xhepa" ndikoi bindshëm në humbjen e komunës së Prishtinë, dyshojmë se poqese do të kishte tani zgjedhje, së paku poqese i referohemi sondazhit të përmendur, LDK do t'i humbëte edhe më keq se ato të vitit 2013.

Shkak i drejtëpërdrejtë i kësaj humbje, pa dyshim do të ishte arroganca e (keq)përdorimit të tepruar dhe të pavend, të gabuar e të dhunshëm të Policisë së Kosovës kundër opozitës!

Poqese vazhdon edhe pak kohë me të njejtin avaz si deri më tani, Isa Mustafa do e avancoj Albin Kurtin si liderin kryesor dhe VV si parti më të madhe në Kosovë, kurse LDK do të katandisej e harrohej në pluhurin e historisë, duke dalur definivisht nga skena e politikbërjes kosovare.

Prandaj, kjo Qeveri duhet këndellur dhe duhet shkelur në këmbë fuqishëm, duke iu kthyer seriozisht agjendës së realizimit të premtimeve gjatë fushatës zgjedhore lidhur me punësimin dhe zhvillimin e Kosovës dhe të demokracisë, si dhe realizimin e Rezolutës për Luginën e Preshevës, të sponzoruar nga LDK dhe të miratuar më 6 qershor 2013 nga Kuvendi i Kosovës.

Sepse, deri më tani, kjo Qeveri, mjerisht, nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, madje nuk ka denjuar fare as të pres në takim aktivistët e kryesisë së Shoqatës së tyre, për t'u siguruar zyret në Prishtinë dhe Gjilan, që janë aq të domosdoshme për zhvillimin e aktiviteteve normale të tyre.
Natyrisht, presim që politika e çoroditur e deritanishme e (keq)përdorimit të Policisë së Kosovës për dhunë në rrugë, kundër protestuesve dhe maskarallëqet faqezeza nëpër rrugët e Prishtinës, duhet të marrin fund dhe t'ia lëshojnë vendin dialogut të mirëfilltë e demokratik, për të gjitha çështjet, prandaj edhe për Marrëveshjen e Brukselit të 25 gushtit 2015, e pse jo edhe të Marrëveshjes së 19 prillit 2013, nga e cila derivoi, realisht, kjo e fundit, si dhe të shqyrtohet pa zhurmë edhe çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Kjo Qeveri duhet ta vej "gishtin në kokë" dhe seriozisht të mendoj se si ta përmirësoj imazhin e vet, aktualisht të rrënuar përtokë dhe ta ndryshoj performansën e vet konform nevojave dhe rethanave aktuale politike e shoqërore të kohës, pa dhunë dhe me dialog të mirëfilltë demokratik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat