(De)mitizimi i kombeve

Opinione

(De)mitizimi i kombeve

Nga: Ridvan Emini Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 21:18

Në fillim të viteve të ‘90-ta, menjëherë pas luftërave Ballkanike, pra atyre të shpërbërjes së Jugosllavisë, në mes të Serbisë e cila i nxiti ato dhe që i fshehte duart e përlyera, Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë, në Evropë po përdoreshin përsëri keqinterpretimet e vjetra të shekullit të nëntëmbëdhjetë që iu bënë historisë për të justifikuar urrejtjen dhe dhunën. Në tridhjetë apo katërdhjetë vitet e fundit aspekti i kërkimeve shkencore historike ishte më i kujdesshëm, pra ka bërë korrigjime në mënyrën sesi historianët profesionist i kishin interpretuar dokumentet e shkruara dhe eksponatet arkeologjike të së shkuarës së largët.

Në këto vite, historianët modernë nëse mund të shprehim kështu kanë zhvilluar interpretimet e tyre etno-nacionaliste të së shkuarës për paraardhësit tanë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, si pjesë e një ndërmarrje politike thellësisht angazhuese. Megjithatë, në entuziazmin për të gjetur historitë “e duhura” për kombet e reja që sapo ishin çliruar, politikanët dhe ideologët po përplaseshin me atë që mund ta quajmë “mbeturinat toksike” të shovinizmit etnik të shekullit të nëntëmbëdhjetë, përfshi Kosovën këtu.

Shtetet e vogla të cilat sapo ishin shfaqur, apo komunitetet etnike që po luftonin kundër shtypjes dhe diskriminimit brenda shteteve të mëdha siç ishte ish Federata Socialiste e Jugosllavisë, kishin nevojë jashtëzakonisht të madhe për këto mite, pavarësisht se ishin fallto për tu dhënë atyre një ndjenjë lashtësie, fisnikërie dhe krenarie, mirëpo sidomos serbët pretendonin së paku në një lashtësi të tyre, madje duke i cilësuar ato si shumë fisnike dhe për to, serbët ishin mjaftë krenarë.

Këtu në fakt duhet pasur një kritikë. Së pari, ne kurrë nuk duhet ta bazojmë të ardhmen tonë në një vizion fallto të së shkuarës, s’ka rëndësi sesa e domosdoshme mund të duket kjo. Së dyti, duke argumentuar që popujt evropianë janë më tepër në procese komplekse të papërfunduara, sesa njësi fikse dhe të pandryshueshme, ne as nuk po e mohojmë ekzistencën e tyre dhe as nuk po i refuzojmë aspiratat e tyre. Pra, identitetet etnike janë reale dhe varietetet e identiteteve etnike kanë ekzistuar në të shkuarën e afërt, por edhe në atë të largët.

Por, natyra subjektive dhe e ndryshueshme e këtyre identiteteve është e atillë, që të gjitha përpjekjet për të krijuar sisteme politike nga një grup etnik dhe vetëm për një të tillë, sikurse çdo komunitet të kishte të drejtën e lindur për sovranitet, ka çuar nëdiskriminim, mungesë stabiliteti dhe dhune. Pretendimet që figura të largëta heroike në të kaluarën kishin po të njëjtat identitete personale, besnikërie dhe aspiratat si ata të popullit bashkëkohorë, nuk arrin të marrin në konsideratë kompleksitetin dhe ndryshueshmërinë e historisë njerëzore.

Edhe kur dëshira masive e popujve të kontinentit të vjetër të quajtur Evropë, është që t’i projektojë identitetet e tyre bashkëkohore në të kaluarën, gjë që është e kuptueshme, historianët profesionist nuk duhet të bashkëpunojnë për ta falsifikuar apo fabrikuar këtë gjë. Shumë historianë bashkëkohor profesionistë, në vend që ta rimarrin në shqyrtim punën e pararendësve të tyre të shekullit të nëntëmbëdhjetë në dritën e avancimeve bashkëkohore në të kuptuarit e së shkuarës, shesh thjesht përforcojnë keqkuptimet naive dhe të rrezikshme të gjeneratave të kaluara.

Historia ka rëndësi, por jo në mënyrën që kanë pretenduar shumë udhëheqës politikanë, si në Kosovë, po ashtu edhe në vendet e tjera Ballkanike, e veçanërisht në Serbi dhe Maqedoni ku në shtetin e fundit që përmendëm, është duke u zhvilluar një fabrikim masiv i figurave, madje edhe duke bërë ato të pranishme prej bronzi e çfarëdo materiali tjetër të pranishme në Shkup, duke derdhur miliona e miliona para për to, vetëm e vetëm që të duket si një vend i cili mbart në vete një histori gjoja shumë të lashtë.

Historia nuk është mjet për të restauruar të shkuarën, ashtu siç pretendon Maqedonia e ditëve të sotme.

Ajo(historia) është në fakt studimi i ndryshimeve të shoqërive njerëzore me kalimin e kohës. Ne duhet të arrijmë një botëkuptim të ndershëm të së kaluarës, edhe nëse kjo do të thotë që duhet të rregullojmë apo të hedhim poshtë mite të caktuara, në mënyrë që të krijojmë një të ardhme më të mirë.

Ajo që ka bërë historiania serbe Olivera Milosavleviq, askush në Serbi nuk e ka bërë në të kaluarën, pra edhe Serbia duhet të heq dorë nga mitet e fabrikuara kundrejt popullit shqiptarë. Historiania Milosavleviq ka thënë se qysh në gjysmën e dytë të shekullit XIX, stereotipi negativ për shqiptarët ka qenë i shprehur në një sërë librash të autorëve serbë pa ndonjë redaktim të veçantë shkencor. Më i përhapuri ka qenë, sigurisht, ai për urrejtjen ndaj serbëve.

Ajo ka shtuar më tej se me politikën pushtuese të qeverisë serbe ndaj arbanasve(shqiptarëve), në kufirin perëndimor të Serbisë janë krijuar marrëdhënie të tilla që në të ardhmen e afërt vështirë mund të pritet paqe dhe gjendje stabile. Ndërsa sa i përket shtypit serb ajo është shprehur se shtypi ynë(serb), në një garë katastrofale për të ndihmuar një politikë të referuar dhe ekzekutuar në mënyrë të neveritshme, me muaj dhe vite (ka) përhapur mendime tendencioze për arbanasit.

Bazuar në këtë dhe në tërë këtë katrahurën e madhe të fabrikimit të historisë, duku e përmbysur atë dhe duke e bërë më shumë mit se sa histori, ne si komb shqiptarë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm për vlerat historike që kemi pasur dhe ato që kemi në historinë më të re të vendit. Historia e re e vendit duhet të jetë e përshkruar ashtu siç edhe ka ndodh, dhe assesi në ndonjë formë tjetër duke krijuar mite dhe legjenda të figurave të caktuara, ku synim i politikës çdo herë është zgjatimi i duarve të saj deri tek figura të caktuara të kombit, vetëm e vetëm për interesa politike të përkohshme, mirëpo nëse ndërhyhet njëherë në to, atëherë është vështirë të përmirësohet imazhi i tyre.

Duke qenë në mesin e disa festave kombëtare dhe shtetërore të vendit, ne si shqiptarë dhe si shoqëri në përgjithësi, pavarësisht kufijve administrativ dhe shtetëror që kemi në mes vete, pavarësisht se nga jemi të rreshtuar ideologjikisht, ne kemi një synim të vetëm, dhe për të realizuar atë ne duhet ta trajtojmë historinë tonë të lashtë dhe atë më të re me shumë kujdes duke mos lejuar fabrikimin e saj nga politika dhe qarqe të caktuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat