Selamet e selamit janë vetëm një zhgënjim eduardian...

Opinione

Selamet e selamit janë vetëm një zhgënjim eduardian...

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 18:43

1.
Eduard Selami është mësuar kryehere me selame në politikën e ditës, po as kësi rasti nuk mujti me na e çue as lezmën, kur tha së fundit në një intervistë në “Zëri i Amerikës” se “lidershipi i ri aktual i Partisë Demokratike më ka zhgënjyer mua”. Ky selam i vjetër iu kthye vet Selamit të rilindur. Shpesh herë ata që ia mësuan harkun Eduardit i ka gjuajt me shigjeta, saqë kjo shibë e tij e selamtë i ka zhgënjyer shumë jo vetëm krahëtarët bajemirë. Ai nuk na zhgënjeu vetëm me etiketimet adresore në intervistë, por i ka zhgënjyer me mijëra vetë në elitën e pushtetit e të shtetit dhe në popullin demokrat me veprimtarinë e tij politike në Shqipëri kur bante lidershipin në PD, kur iku emigrant përtej Atlantikut, edhe pas 18 viteve të kthimit të tij nga Amerika.

Befasia është se Selami ende lozon e lazdron, pozon e pompon me të tilla zhgënjime hileçore, që kanë emrin e tij përveçor: “Zhgënjimi Eduardian”.

Ky, Eduardi i selameve, ka’i’herë e ka zhgënjyer dhe vet Lulzim Bashën, qëkur Selami ishte ndër dy-tre emrat kryesorë të shtabit të Elektoriadës 23 qershor 2013 në Qarkun e Elbasanit pasi arritën të fitojnë vetëm katër deputetë të PD-së. Ndër ta dhe Eduardi.

Kjo ishte një humbje politike në zonën elektorale fitimtare të Lulzim Bashës, kësokohe kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe me nismen e të cilit u jetësua Tuneli i Krrabës, i përuruar në kulmin e zgjedhjeve 2013, etj. Në Elektoriadën e 28 qershorit 2009 Lulzim Basha – kryesues liste kishte arrit fitore të madhe me 7 deputetë demokratë në Qarkun e Elbasanit, ndërkohë që PD kishte humbur vazhdimisht aty: 11 me 0 më 1997; 11 me 1 më 2001 dhe 9 me 2 më 2005, në vitin e ardhjes në pushtet.

2.
Eduardi i kumton selamet përtej vetëvetes me përgjithësimet pa kut: “lidershipi aktual i PD më ka zhgënjyer mua dhe pjesën më të madhe të Partisë Demokratike”. A ka krye analiza e sondazhe Eduard Selami kur flet kaq hapët me opinione jo reale, pa kandar maturie politike, pa tagër moral ndaj lidershipit të PD e antarësisë mbi njëqindmijëshe të saj.

E, pse e themi këtë? Për disa arsye: Eduard Selami erdhi nga Amerika me një emër të madh që ia jepnin vetëvetiu ky vendi i madh amerikan, ky miku ynë i madh amerikan, rikthimi nga diaspora shqiptare si një nga ish-drejtuesit kryesorë në Shqipërinë postkomuniste, etj. por emri po i zvogëlohet shpejt dhe me të tilla opinione, përcaktime e qëndrime ndaj lidershipit e partisë së vet demokratike.
Sigurisht nuk e di saktësisht se sa e ka ndjerë veten e tij kryetar i PD Eduard Selami në vitet ’90 kur ishte në pushtetin e shtetin e kohës, por me lidershipin e ri të shekullit të ri, në këto vite që PD është në opozitë të vështirë, mendoj se Eduard Selami do e ketë (ri)ndjerë veten faktikisht si “kryetar i PD”, si një nga kryetarët historik të PD, pasi në cilësinë e ish-kryetar të PD-së e ka një zyrë të veten në selinë e re të PD-së. Mirëpo, Eduard Selami sado që të merret me kritika të tilla të sojit të vet nuk do të mundet të bahet oponencë politike as si djehit, Azem Hajdari i PD-së dhe as si Ben Blushi i sotëm i PS-së. Përndryshe: Eduard Selami nuk ka me mujt me u rikthye kryetar në PD aq sa mamuthët kanë me u rikthye jetësisht në epokën dixhitale e në këtë botë globale.

3.
Në vargavijë të kritikave politike mediatike tek “Zëri i Amerikës”, deputeti demokrat Eduard Selami, ish kryetar i PD-së, personalitet politik shqiptar, fjalaflet, sipas tij, se “lidershipi aktual i PD nuk ngjall shpresë e besim”, se “duan ta shikojnë dhe një herë PD si parti e shpresës për shqiptarët”, se “ ne kishim një shpresë që për 1 vit, për dy vjet, të ishim ata që i jepnin një drejtim tjetër”, etj.

E drejta dhe e vërteta flet ndryshe: Lidershipi Lulzim Basha është parë e votuar gjithnjë në strukturat e Partisë Demokratike si “Njeri i Shpresës”. Lulzim Basha në korrik 2011 kur u zgjodh antar i Kryesisë së PD ishte ma i votuari i Këshillit Kombëtar të PD-së. Lulzim Basha në tjetrin korrik 2013, kur u zgjodh kryetar i ri i derisotëm i Partisë Demokratike, sipas parimit “Një antar – Një Votë”, mori mbi 80 për qind të votave nga antarësia e vjetër dhe e re e PD-së në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa, për ju ish kryetari i hershëm i PD-së, z. Eduard Selami, duhet thanë se në vitin 2013 erdhët në Shqipërinë Londineze, si të thuash, i mirëpritur dhe si “Njeri i Shpresës”, por vitin e kaluar kur konkuruat për Sekretar i Përgjithshëm i PD nga 270 vota të Këshillit Kombëtar të PD nuk morët as 80 prej tyre, dolët i treti në listë, pas Arben Ristanit e Enkelejd Alibeajt. Pra, ju z. Eduard Selami, edhe kësaj here, iu ranë kreditet në provën e votës.

Diçka tjetër: as ju z. Eduard Selami e as ndonjë tjetër në PD, nuk mund të bani rolin e profetit që të thoni se kishim shpresë që për 1 vit apo 2 vjet të riktheheshim në pushtet. Aq ma tepër kjo nuk mund t’i kërkohet veç lidershipit Lulzim Basha, pasi nuk është e as nuk duhet të jetë Gjergj Elez Alia që do të shkojnë të luftojnë kundër “dy bajlozave të kuq” Rama-Meta e t’i flakin ata nga zyrat sepse ky vet, dikush apo shumkush tjetër ka andrra apo shpresë për t’u ulur në karriket e pushtetit e të shtetit shqiptar. Gjithkush e din se si vihet në pushtet dhe askush nuk ka përse të bajnë fajtor një njeri të vetëm për një fakt e mosrealitet të tillë. Natyrisht, as lidershipin Lulzim Basha, që është imazhi, fryma e shpresa e PD së sotme në opozitë e në të nesërmen në pushtet.

E, në përmbyllje z. Eduard Selami due të them se kur flisni për zhgënjimin tuaj e për humbje shprese tek të tjerët duhet të keni ma mirë parasysh disa fakte vetjake: Ju, z. Eduard Selami, ishit në krye të Partisë Demokratike si “Njeri i Shpresës” dhe u larguat prej andej pa shpresë...Ju, z. Eduard Selimi, shkuat në Amerikë në “Vendin e Shpresës së Madhe” dhe atje punuat deri në mbijetesë dhe u kthyet prej andej pa shpresë…Ju, z. Eduard Selami rierdhët në Partinë Demokratike si “Njeri i Shpresës…”, po pas dy vitesh prapë jeni në kërkim të Shpresës, akuzoni të tjerët për Shpresën, ndjeheni “të zhgënjyer” nga “Njerëzit e Shpresës”. Mirëpo, selamet e tua Selam nuk kanë të bajnë me lidershipin e Shpresës në PD dhe as me rikthimin e Shpresës në PD, tek kjo forcë politike e djathtë në ecje drejt pushtetit, tek kjo pasuri kombëtare shqiptare e Dhjetorit ’90 e Dhjetorit 2015, por këto selame politike mediatike janë e mbeten vetëm një “Zhgënjim Eduardian”!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat