Letër e Hapur

Opinione

Letër e Hapur

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 14:58

Presidentes së Rëpublikës së Kosovës,

Shkëlqesisë së saj, Atifete Jahjaga

E nderuar zonja presidente,

Ndoqa me shumë trishtim ngjarjet e ditës së djeshme në Prishtinë. Ishte festa e pavarësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por në vend të festës, pas 103 vitesh ne shqiptarët u përballëm me dhunën e shtetit kundër opozitës dhe qytetarëve të saj. Policia e Kosovës e shfrytëzoi ditën tonë kombëtare për të realizuar qëllime të pastra politike. Arrestoi deputetin Albin Kurti dhe dhjetra aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes. Kjo që ndodhi dje në Kosovë kishte ndodhur vetëm njëherë në Shqipëri, në vitin 2000, plot 15 vite më parë, kur qeveria e Tiranës urdhëroi policinë e shtetit të qëllonte gjimnazistët në protesta dhe të arrestonte kreun e opozitës së asaj kohe. Ky është rasti i dytë.

Patëm menduar se kishte marrë fund një praktikë e tillë antishtetërore, antikushtetuese, antiligjore dhe antihumane. Por ngjarjet e 28 nëntorit të këtij viti në Prishtinë dëshmuan se qeveria e Isa Mustafës është shndërruar në problemin kryesor të shoqërisë në Kosovë. Ngjarjet e djeshme dëshmojnë se tashmë nuk është problem opozita, përkundrazi problem i Kosovës është qeveria e Isa Mustafës, vetë kryeministri dhe zevendësi i tij, Hashim Thaçi, të cilët përdorën policinë në ditë feste për të dëshmuar forcën e një shteti që nuk ka më integritetin minimal të qëndrojë në këmbë pa zgjedhje të reja, të lira e të ndershme.

Në vend të transparencës për marrëveshjet e nënshkruara, Mustafa dhe Thaçi po përdorin forcën për implementimin e tyre. Në vend të dialogut, ata kanë zgjedhur mjetet e dhunës për t’i mbyllur gojën qytetarëve dhe opozitës. Arrestimet e djeshme ishin një turp për qeverinë dhe drejtuesit e saj. Kosova nuk e meritonte një sjellje si kjo. Në ndjehemi të turpëruar për këto veprime dhe ju bëjmë thirrje Ju, zonja Presidente e Republikës, që të ndërhyni për të vendosur rregullin e shtetit ligjor e të së drejtës në vend, të ndikoni që policia, prokuroria dhe gjyqësori i Kosovës të çlirohen nga presioni politik i qeverisë. Ju bëjmë thirrje që të ndikoni me autoritetin tuaj që Albin Kurti, Kada Bujupi e të tjerë deputetë të akuzuar për dhunë në parlament të hetohen në gjendje të lirë. Dhuna nuk është zgjidhje. Zgjiidhja e konfliktit dhe krizës politike në Kosovë duhet kërkuar te mjetet demokratike, te dialogu dhe transparenca. Qeveria, mazhoranca, e ka për detyrë të plotësojë kushtet për këtë rrugë zgjidhjeje. Prandaj ajo është përgjegjëse kryesore për krizën.

Sa i përket rastit të dhunës shtetërore të 28 nëntorit, ju bëj thirrje t’i drejtoheni Parlamentit me një dekret tuajin për t’i shpallur të paligjshme të gjitha veprimet që policia dhe shteti kryen kundër qytetarëve të vendit! Duhet rikthyer në vend dinjiteti dhe integriteti i cënuar I festës së pavarësisë së kombit tonë, po ashtu i shtetit të Kosovës, zonja Presidente. Dhe këtë mund ta bëni vetëm ju.

Ju shpreh konsideratat dhe respektin tim më të thellë,
Miftar Kastrati
Zv. Drejtor Ekzekutiv I Institutit të Studimeve të Europës Juglindore

Miftar Kastrati. Dipl.MShk

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat