Në Kosovë, një 28 Nëntor ndryshe...

Opinione

Në Kosovë, një 28 Nëntor ndryshe...

Nga: Nga Redan BUSHATI Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 19:10

Kosova po përjeton një situatë të nderë politike, e cila po shoqërohet kryesisht me probleme socio-ekonomike në jetën e vendit. As në kohën e Millosheviçit, të detyruar nga shovinizmi serb, nuk ka pasur kaq e kaq largime të shqiptarëve të Kosovës drejt vendeve të Europës, me këtë të fundit që nuk e ka vëmendjen, sidomos sot, për çka po ngjet në shtetin më të ri të saj.

Kosova, shtet i lirë e i pavarur, duhej të kishte më shumë vullnet për t'u udhëhequr drejt një rruge të drejtë, me një politikë dhe ekonomi solide. Por ashtu siç anembanë shqiptarisë, edhe në Kosovë është e pakuptueshme sjellja e politikës dhe politikanëve të saj. Figura që kanë luftuar me trimëri kundër uzurpatorit, sot pa mëdyshje futen në “pazare” të dyshimta me Serbinë, kinse për hir të bashkëpunimit dhe stabilitetit në Ballkan, fjalë të dëgjuara rëndom, pikërisht nga ata që as e duan dhe as nuk janë të interesuar që Ballkani të jetojë në paqe, sepse pikërisht kështu u jepet udhë këtyre “pazareve” të errëta.
Gjithsesi, sot opozita ushtroi të drejtën e saj : manifestimin, frymën për të kundërshtuar marrëveshjet e kësaj qeverie, e kësisoj vetë qeverinë për politikat e saj të “shitjes së Kosovës”, sipas opozitës (VV-AAK-Nisma). Mirëpo, qeveria me pushtetin dhe autoritetin e saj nuk u tregua aspak e denjë, përkundrazi tregoi një anë tejet të turpshme dhe shënjuese, sidomos në këtë ditë të rëndësishme për shqiptarët, Ditën e Flamurit. Pushteti tregoi dhëmbët e një autokracie të frikshme që nuk pyet për asgjë dhe askënd.

Pushteti i bëri një nder mbi të gjitha Albin Kurtit. Duke zgjedhur pikërisht Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë për arrestimin e tij, pushteti i bëri një dhuratë Kurtit në veçanti, por edhe opozitës në përgjithësi. Kurti u bë hero, ndërsa opozita shtoi një arsye tjetër për të dalur në protesta masive.

Me të gjitha ato probleme të përditshme si korrupsioni, krimi, droga dhe paqëndrueshmëria e përgjithshme e shtetit të ri, pushteti zgjodhi të arrestojë Kurtin mû në këtë ditë të rëndësishme dhe mbi të gjitha gjatë kësaj proteste të opozitës, duke krijuar zhurmë, lëndime në njerëz dhe mbi të gjitha shantazh dhe provokacione ndaj kujtdo që nuk mendon si pushteti në fuqi. Demokracia nuk i njeh këto skandale, këto mënyra arrestimi dhe këto procedura ndalimi. Kurti dhe opozita nuk e duan më pak Kosovën se pushteti aktual dhe ato nuk meritojnë të trajtohen si kriminelë. Pushteti ka detyrime tejet të rëndësishme karshi qytetarëve të saj, që po zgjedhin rrugat e vështira të emigrimit si shkak i problemeve të shumta në shtetin e tyre. Pushteti duhet të sigurojë stabilitetin e vendit, zhvillimin ekonomik, social e kulturor dhe marrëdhëniet normale me opozitën. Përndryshe, ajo nuk meriton të qeverisë punët e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat