Vizita e sekretarit John Kerry dhe gjendja në Kosovë

Opinione

Vizita e sekretarit John Kerry dhe gjendja në Kosovë

Nga: Gani Qarri Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 11:41

Gjendja e krijuar kohëve të fundit, nga sulmet dhe kërcënimet ekstremiste, ka shkaktuar ankth dhe pasiguri të madhe gjithandej botës së civilizuar. Lëvizja vahabiste dhe terrorizmi islamik, është kthyer në shqetësim global dhe rrezik permanent për të gjithë njerëzimit.

Ekstremizmi islamik, arriti shtrirje të gjerë dhe krijoi hapësirë të madhe veprimi edhe në Kosovë. Ai jo vetëm se po eksponohet kërcënueshëm në vendet e zhvilluara evropiane, në të cilat rekruton fëmijë ish refugjatësh nga vende të ndryshme myslimane, por falë një numri të konsideruar të klerikëve vahabisto-salafist, nën ombrellën e besimit fetar dhe bekimin e BIK-ut, ka kohë që bashkëpunëtorët e simpatizantë të ISIS-it, zhvillojnë aktivitetin e tyre ekstremist, plotësisht lirshëm edhe në Kosovën tonë të vogël, tash e sa vite.

Madje, që nga ardhja e z.Tërnava në krye të BIK-ut, ata veprojnë kudo dhe të papenguar nga askush. Ndaj, gjendja këtu, jo vetëm se mund të shpërthej çdo moment në përmasa të rrezikshme por edhe kërcënon seriozisht edhe qëndrueshmërinë e vendit si dhe mbarëvajtjen e shtetësisë së brishtë të Kosovës.

Fatmirësisht, Departamenti shtetëror i SHBA, njoftoi këto ditë se Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, më 2 dhjetor do të vizitojë Kosovën.

Ardhja e tij ,në këtë kohë, flet mjaft, për rritjen dramatike të kërcënimeve, nga ekstremistët islamik edhe në Kosovë, të cilët të prirë nga imamë që identifikohen edhe me letërnjoftime e pasaporta të Serbisë, tash e sa kohë, jo vetëm rrahin e kërcënojnë këdo që guxon ti kundërshtoj ata, por edhe kontrabandojnë armë ilegalisht nga Serbia dhe e rrezikojnë seriozisht gjendjen e sigurisë në vendin tonë, duke bashkëpunuar hapur me njerëz dhe klerik “fetar” të lidhur me ISIS.

Në mars të vitit 2009,policia gjatë një patrullimi rutinor përgjatë kufirit Kosovë Serbi, në malin afër vendkalimit ndërkufitar të quajtur Mutivodë, pati zbuluar se me makinën e drejtuar nga kryeimami i Xhamisë më të madhe në Prishtinë,Shefqet Krasniqi, po kontrabandoheshin ilegalisht armë nga Serbia, si pushkë, dylbi, pistoleta ,fishek dhe shurdhues armësh.

Megjithatë, edhe pse në vitin 2010,gazetat patën lajmëruar se për aktin e lartcekur të kontrabandës, kundër imamit Shefqet Krasniqi ishte ngritur një kallëzim penal, për çudi atëbotë u arrestuan vetëm dy shoqëruesit e tij, Arsim Krasniqi dhe Shaban Albry, por jo edhe Shefqeti vet.

Sipas të gjitha gjasave, edhe me këtë rast, duket të ketë intervenuar përsëri mbuluesi i shumë akteve të paligjshme në vend, i njohur me emrin BIK, në mënyrë që policia dhe gjyqësori i Kosovës, ta fshehin edhe këtë padi të ngritur ndaj një kryeimami, për shkak të kontrabandës ilegale të armatimit, nga Serbia.

Ndaj, nga atëherë ky rast mbeti i pa sqaruar dhe vetëm kështu, imami i akuzuar Shefqet Krasniqi mundi ti shpëtonte ndjekjes penale deri më sot.

Por xhevahiret e imamëve vahabist nuk mbarojnë këtu. Në shtatorin e vitit 2014, Policia e Kosovës arrestoi radhazi edhe dy herë të tjera, imam Shefqet Krasniqin, tani edhe për cenim të rendit kushtetues, përhapje të urrejtjes ndërfetare, mosdurim kombëtar dhe nxitje të ekstremizmit islamik.

Përveç caktimit të asokohshëm të masës së paraburgimit prej 30 ditësh, më në fund pritet edhe ngritja e aktakuzës kundër tij, për veprat e kryera penale, me të cilat ai, pas një hetimi të gjatë, përfundimisht edhe duhet të dal para drejtësisë.

Madje, aksioni i Policisë së Kosovës, nuk përfundoi vetëm me burgosjen e Shefqet Krasniqit, por pas një varg bastisjesh të objekteve dhe lokacioneve të ndryshme gjithandej në Republikën e Kosovës, ky aksion rezultoi me arrestimin edhe të 40 imamëve tjerë vahabist nga 57 të dyshuar, për veprën penale, si; përhapje e urrejtjes, përçarje ndërfetare, mosdurim kombëtar e racor, dhe nxitje e ekstremizmit islamik në vendin tonë.

Kurse, sa i takon rrezikut që kreu i BIK-ut,z. Naim Tërnava, tash e më tepër se një dekadë me radhë, po i shkakton popullit dhe Republikës së Kosovës, më 8 shtator të vitit 2013, opinioni i gjerë u paralajmërua publikisht edhe nga vet studiues i islamit dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës për Pluralizmin Islamik me seli në Washington të SHBA-së, z. Sylejman Schwartz.

Studiuesi dhe udhëheqësi i lartë i kësaj Qendre, qysh atëherë pati tërhequr vërejtjen se ekstremizmit islamik në Kosovë, rrugën ia mban hapur, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.

Madje siç është e njohur për vendor e ndërkombëtar, vetëm pas ardhjes së Naim Tërnavës në krye të BIK-ut, filloi edhe regjistrimi i të ashtuquajturave OJQ, vahabiste (Organizata Joqeveritare)që nuk ishin asgjë tjetër veçse grupime ekstremiste të lidhura ngushtë me organizata terroriste islamike në shtetet arabe, të cilat në emër të “fesë” dhe “humanitetit” vepronin hapur, jo për zhvillimin dhe përparimin e vendit, por për ngritjen e rrjeteve vahabiste dhe nxitjen e rrymave të ekstremizmit islamik edhe në Kosovë.

Ndër grupimet e para ekstremiste dhe më të fuqishme islamiste në Kosovë, që u regjistruan menjëherë pas ardhjes së N. Tërnavës në krye të BIK-ut, që në vitin 2004, ishte e ashtuquajtura AKEA e kamufluar si “Asociacion për Kulturë, Edukim e Arsimim”, aktiviteti i të cilës më së paku kishte të bënte me kulturë dhe arsimim apo edukim të njëmendët.

AKEA, në fakt indoktrinonte e pa penguar nga askush të rinjtë tanë me ekstremizëm islamik dhe përgatiste ata, për dërgim në luftën sektare që zhvillohej në Siri dhe Irak.

Falë kësaj “shoqate” dhe rreth 20 të ashtuquajturave OJQ-ve, tjera vahabiste, nga Kosova u dërguan mbi 300 të rinj të luftojnë për ISIS në Siri dhe Irak, prej nga mëse 50 sish iu kthyen familjeve të vdekur nga atje.

Madje, pjesëmarrja kaq e lartë e të rinjve shqiptar në kuadër të ISIS-it, organizuar dhe ndërmjetësuar nga këto organizata, e radhiti Kosovën në vendin e katërt si burim ekstremizmi, për nga numri i banorëve, në krahasim me të gjitha shtetet tjera në Botë.

Kështu, mjerisht, klerikët vahabisto-salafist të cilët tash e sa vite të kamufluar si imam xhamish nën ombrellën e BIK-ut, zhvillojnë aktivitet të pareshtur ekstremist, lirshëm dhe të papenguar nga askush.

Ata, pas realizimit me sukses të fazës së rekrutimit dhe dërgimit të mbi 300 të rinjve, për të luftuar në Siri e Irak, tani kanë filluar ta tmerrojnë popullin shqiptar edhe me kërcënime për sulme, tragjedi dhe përgjakje të mëdha, në të gjitha format dhe mënyrat, ngjashëm me ato në Paris dhe qytete e vende tjera në Evropë dhe Botë.

Ndaj, përveç burgosjes së paradokohshme të mbi 40 imamëve ekstremist, pezullimit të “punës „për një vit, ateherë të 14 OJQ-ve, të cilat në emër të “fesë” dhe “humanitetit”, as që ndaluan por vazhduan pareshtur veprimtarinë vahabiste dhe bashkëpunimin e pandalur me ISIS, për rekrutimin me mashtrim dhe dërgimin e të rinjve shqiptar të luftojnë në Siri dhe Irak, detyroi organet shtetërore që këto ditë, përfundimisht të mbyllin tërësisht 16 organizata të tilla, salafisto-vahabiste në vend.

Madje, nga rreziku potencial me të cilin grupet ekstremiste kërcënonin vendin dhe popullsinë e pafajshme, Ministria e Punëve të Brendshme, u detyrua tu bëjë thirrje të gjithë banorëve për shmangien e tubimeve, koncerteve dhe pikave me frekuentime të mëdha në vend.

Për aq më keq, pas tragjedisë së ndodhur në Paris, shqiptarëve dhe vendit tonë të vogël, pikërisht nga njerëz si Naim Tërnava, u erdhi edhe një trofe tronditëse, këtë herë e shpërfaqur si mbledhje paragrafësh xhihadiste nga “Kurani” të cilat për momentet dhe gjendjen e krijuar, nuk di njeriu si ti kuptoj ndryshe, nëse jo si porosi shumëdimensionale kërcënimi për të gjithë të "pa-fetë" në vendin tonë e më gjerë.

Me paraqitjen e tij kamufluese dhe "shitjen" e prononcimit personal si mbledhje të sureve "kuranore" mbi mënyrën dhe përzgjedhjen e kohës për veprimit xhihadist, Naim Tërnava edhe një herë dëshmoi se ai nuk e ka ndërmend të distancohet nga kamuflimi i vahabistëve të strehuar në vendin tonë dhe kërcënimet e tyre terroriste.

Përdorimi i paralajmërimeve të “tërthorta” për konflikte me përzgjedhjen e qëllimshme të paragrafëve me mbështetje të drejtpërdrejtë në doktrinat islamiste te luftës, cituar nga paragrafi i tretë i shkrimit të tij, më 16 nëntor 2015, jo vetëm se pasqyrojnë përkrahjen ndaj akteve të ekstremistëve islamik, por përpiqet të shpjegojë edhe mënyrën e veprimit si dhe kohën e duhur për aktivizimin e luftës xhihadiste në terren.

Madje,nuk mund të jetë vetëm rastësi që e gjithë kjo vjen, mu në kohën kur nga shteti u mbyllën jo më pak se 16 organizata vahabiste, të ashtuquajtura jo qeveritare, të cilat me bekimin e vet Naim Tërnavës dhe BIK-ut, të udhëhequr "përjetësisht" nga ai, me vite të tëra vepruan lirshëm në Kosovë.

Ato, u angazhuan drejtpërsëdrejti për nxitjen e ekstremizmit islamik, dhe për gjithë këto vite vepruan të pa penguara edhe pse prej kohësh dyshoheshin se ishin të përfshira në aktivitete të ndaluara rekrutimi të të rinjve tanë për ISIS, financimin e ekstremistëve si dhe përhapjen e propagandës në mbështetje të terrorizmit islamik në vend dhe në Botë.

Madje, një paraqitje e tillë e tij, ndodhë pikërisht në momentet, kur dihet se edhe hetimet ndaj ish-imamit të Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqit, si dhe të mbi 40 imamëve tjerë vahabist të arrestuar nga Organet Policore të Vendit, nën dyshimin e bazuar për vepra të njohura penale kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës, ende nuk kanë pushuar dhe pritet të ngrihen padi të reja, të cilat mund ta rrezikojnë edhe atë vet si dhe pozitën që mbanë si udhëheqës i BIK-ut.

Ndaj duke parë sjelljet dhe qëndrimet e tij, nuk befason aspak, paralajmërimi i zëshëm dhe tërheqja e vëmendjes së opinionit të gjerë me fakte bindëse nga vet drejtori ekzekutiv i Qendrës së Pluralizmit Islamik z. Sylejman Schwartz, i cili me të drejtë, që në vitin 2013, theksonte se besimi mysliman tek shqiptarët, deri me ardhjen e Naim Tërnavës në krye të BIK-ut, gjithmonë ka qenë i moderuar dhe shembull për tolerancë në gjithë botën, por që nga ardhja e tij në kryesimin e BIK, e tutje edhe në Kosovë është komplikuar çdo gjë.

Edhe me rastin e kërcënimeve të paradoditshme të shpërfaquara në shtetin amë, nga elementët terrorist që tash e sa vite veprojnë lirshëm nën ombrellën e BIK-ut, në Kosovë, Ministria e Brendshme e Shqipërisë bëri të njohur se skanimi i elementëve terrorist, është bërë direkt nga Kosova.

Kurse këshilltari për siguri kombëtare i kryeministrit të Kosovës, z. Edon Myftari, vërtetoi se ekziston rrezik potencial për sulme terroriste nga po këta ekstremistë islamik edhe në Kosovë.

Ndaj, pas një veprimi kaq të gjatë e të pakontrolluar të vahabistëve, të cilët patën BIK-un, për “shtëpi” dhe kryetarin aktual, perde e mburojë veprimi, vendi ynë nuk mund të mjaftohet as gjejë qetësi, vetëm me përpjekjet për mënjanimin e pasojave, nëse nuk luftohet në mënyrën më të vendosur edhe vet shkaku i ekstremizmit dhe terrorizmit që në themel.

Nga gjithë ato sa thuhen, nuk do mend se, pikërisht që nga ardhja e Naim Tërnavës në krye të BIK-ut, një kompozim i rrezikshëm vahabist i përbërë nga bashibozuk vendor e të huaj, pareshtur bie erë gjaku e shkatërrimi total, kudo edhe në vendin tonë.

Ata, vetëm me ndihmën e BIK-ut, për gjithë këto vite mundën të vepronin si pashallëk më vete, krijuar shtet mbi shtet në vendin tonë, dhe kthyen Kosovën në një enklavë të pashembullt vahabiste me rrezik permanent për gjithë rajonin.

Ndaj, populli as shteti i Kosovës, nuk guxon që në këto momente vendimtare të mjaftohet vetëm me mbylljen e vonuar të disa OJQ-ve, të njohura vahabiste, të cilat tanimë kanë realizuar me sukses misionin e tyre degradues, indoktrinues dhe ekstremist në vendin tonë.

Për pasojë, nuk mund të garantohet siguria vetëm me thirrje banorëve për kujdes e mënjanim pikash të frekuentuara, në vend se të ndalohet menjëherë çdo lloj veprimtarie xhihadiste, të shpallen të jashtëligjshme të gjitha grupet antikombëtare-vahabiste, dhe autorët e përhapjes së salafizmit dhe shtrirjes së ekstremizimit islamik, të dërgohen menjëherë në burg, aty ku edhe e kanë vendin.

Njëkohësisht, dhe pa vonuar, para drejtësisë për tradhti të lartë kombëtare, duhet të vihen të gjithë imamët që sollën vendin ne këtë gjendje si dhe vet kryetari aktual i BIK-ut, ngase siç theksonte me të drejtë, para sa kohësh edhe kryetari i Qendrës Islamike z.Sylejman Schwarz, pa largimin e menjëhershëm të Naim Tërnavës, nuk mund të ketë zgjidhje as adresim të problemeve me grupet ekstremiste dhe vahabiste në Kosovë.

Sipas imamit Musli Verbani, Naim Tërnava menjëherë pas përfundimit të luftës,mblodhi dhe gradoi elitën e imamëve me ideologji vehabiste, me të cilët kufizuan mandatin dhe ndryshuan në atë mënyrë kushtetutën e BIK- ut, që dr. Rexhep Bojës ti pamundësohej kandidimi edhe për një mandat, megjithëse Dr Rexhep Boja, pa ndryshimet e ndërmarra, pas katër vitesh, kishte të drejtë të kandidohej përsëri për myfti.

Mandej,pa kaluar mirë 5 vite, i frikësuar nga konkurrenca e Dr. Xhabir Hamitit,të cilin më vonë edhe do ta rrihnin vahabistët, z.Tërnava përdori të gjitha metodat e mundshme, të lejuara dhe të palejuara për ta ndryshuar edhe një herë dhe përshtatë Kushtetutën, e nënshkruar me dorën e vet, në atë mënyrë që tani, atij t’i mundësohej, të zgjidhej myfti i përhershëm.

Si ”kundërshpërblim” Naim Tërnava,pikërisht vahabistët më të çmendur i emëroi udhëheqës në xhamitë më të mëdha dhe kryesore të vendit, u dha dorë të lirë për shpëlarjen e trurit të të rinjëve shqiptar, dërgimin e tyre në Irak e Siri si dhe përhapjen e ekstremizmit islamik kudo që mund të arrinin ata, anë e mbanë Kosovës.

Se imamët antikombëtar vahabist, vazhdimisht punuan ngushtë dhe bashkërenditën mirë e në mënyrë precize të gjitha aksionet e tyre antishqiptare me Serbinë, flet edhe fakti se derisa Serbia pushtoi pjesën veriore të vendit tone dhe gjysmën e qytetit të Mitrovicës, imamët antikombëtar vahabist vepruan me të gjitha fuqitë për shkombtarizimin dhe dezorientimin e plotë të rinisë sonë, nxitjen e atmosferës anti- SHBA dhe anti- evropiane si dhe lidhjen e të rinjve shqiptarë me terrorizmin islamik.

Edhe shqiptari 21-vjeçar, Arif (arid) Uka, me gjyshin hoxhë dhe udhëheqës të një xhamie në fshatin Zhabar afër Mitrovicës, vet i ikur bashkë me familje nga Mitrovica e Kosovës dhe strehuar në Sosenheim të Gjermanisë, pas rënies në kontakt me ekstremistët islamik,përveç se kishte ndryshuar emrin nga Arif në Arid Uka, i cili identifikonte veten edhe me nofkën arabe “Ebu Reyann”, më 2 mars të vitit 2011, në emër të hakmarrjes islamiste, në aeroportin e Frankfurtit, ai vrau dy dhe plagosi edhe dy ushtarë të tjerë amerikanë, derisa vendlindja e tij në atdhe mbahej e pushtuar nga serbët.

Kështu, argatët vahabist,me mbështetjen që gjetën tek BIK, dhe imamët e shitur, arritën deri aty, sa të shpërlanin trurin dhe dezorientuan totalisht të rinjtë tanë, për ti larguar nga atdheu dhe dërguar të luftojnë, jo për çlirimin e shtëpive të tyre dhe trojeve të veta, nën pushtimin serb në Mitrovicë dhe pjesën veriore të vendit, por në Irak e Siri, për ti bërë ata mish për top dhe lënë eshtrat e tyre atje, pa e ditur as vet se për çka flijohen në atë luftë të pakuptimtë sektare e të huaj për ta.

Më 25 mars të vitit 2014, i riu Blerim Heta, nga Ferizaj, vrau në një sulm vetëvrasës në Bagdad mbi 50 persona. Prindërit dhe i vëllai deklaruan se Blerimin e ri, e mashtruan dhe shpëlanë trurin imamët Shefqet Krasniqi, Bekir Halimi dhe Omer Bajrami.

Ne jemi familje evropiane, nuk kemi lidhje me ekstremizma dhe pas kësaj që na ndodhi më s’dua të dëgjoj për fe, u shpreh i dëshpëruar babai i tij.

Indoktrinimi radikal i të rinjve tanë, nga imam vahabist të financuar direkt nga Serbia dhe Rusia,u bë jo për të mirën e shqiptarëve por për shkatërrimin e tyre dhe të qenies sonë kombëtare, rrezikimin e Pavarësisë dhe shtetësisë së brishtë të Kosovës, gjë që me të drejtë alarmoi edhe SHBA dhe shtetet euro-perëndimore, ndaj dhe ishte koha e fundit, që John Kerry, të vinte pa tjetër në Kosovë.

Me këtë rast, shpresojmë shumë se pas gjithë atyre që ndodhën nga vahabistët nën ombrellën e BIK-ut, qysh nga ngjitja e Naim Tërnavës në krye të këtij institucioni, kësaj radhe SHBA, dërgon John Kerry-n, me porosi të qarta në vendin tonë , nga i cili edhe inteligjenca dhe atdhetarët e vërtetë që ia duan të mirën atdheut dhe kombit të vet, në emër të popullit shqiptar, duhet të kërkojmë që Amerika të bëjë përfundimisht realitet, largimi e Naim Tërnavës dhe mënjanimin përfundimtar të politikanëve që kooketuan me vahabistët, si dhe të kthej dr. Rexhep Bojën sërish në krye të BIK-ut.

Siç dihet nga të gjithë, dr. Rexhep Boja, këtë institucion e udhëhoqi me ndershmëri e pietet të lartë kombëtar edhe në vitet më të vështira, nga 1990 deri më 2003, kohë kur grupet vahabiste nuk mund ta shihnin as në ëndërr Kosovën, e lëre më të krijonin strofujt e tyre ekstremist dhe vepronin hapur e në mënyrë të pakontrolluar gjithandej vendit duke rrezikuar pareshtur jetën e të rinjve shqiptar, mëvetësinë shtetërore të Kosovës dhe qenien tonë kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat