Uzurpimi i fjalës BESA!

Opinione

Uzurpimi i fjalës BESA!

Nga: Sheki Useini Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 22:20

Kur pakuptimësia e gjërave në vendlindjen time arrin kulminacionin e saj, atëherë shoku im i dashur nga Maqedonia për ta shuajtur zjarrin e mllefit, thotë shkurtë: PUSTO!

Ne konteksin logjik, filozofik dhe kombëtarë, subjekti shoqërorë politik i quajtur Lëvizja BESA, duke ia dhënë të drejtën vetes për „uzurpim“ të fjalës BESA, bën një gabim dhe shtrembërim të pakuptimtë të një vlere dhe kulti të veçantë për të gjithë ne shqiptarët kudo që jemi nëpër botë!

Madhështia dhe mistika e fjalës BESA argumentohet pikë së pari se ajo nuk mund të përkthehet në asnjë gjuhë të botës dhe prestigji i saj është shumë më i madh se i çdo individi, institucioni apo së fundi edhe lëvizje politike.

Me seriozitetin më të thellë mundohem të kuptoj, se si një subjekt politik i vetëemruar me „Lëvizja Besa“, pra i stolisur me nderin dhe testamentin historik të kësaj fjale, ia ka lejuar vetes me këtë kult të futet në gara politike. Besa si fjalë, të nderuar bashkëatdhetarë, nuk është instrument për strategji politike dhe mekanizëm për ndërtim të karrierave individuale apo grupore. JO, bre! Ajo është vlerë morale dhe nderë historik. Paradoks është të mendojë dikush ,se duke predikuar moral nga njëra anë dhe nga ana tjetër të bëjë politikë produktive. Morali dhe politika janë shumë të huaja njëra me tjetrën. Këto e shkatërojnë njëra tjetrën, kanë bërthama me energji të kundërta. Pse është vështirë të kuptohet kjo, pasiqë deri tani nuk ka pasur asnjë reagim konstruktiv apo vërejtje për këtë gjë nga ndonjë intelektual apo institucion shqiptarë vendorë.

Nismëtarët, kurse tani më liderët e kësaj lëvizje, me kryeneqësi dhe prepotencë, kanë veshur mantelën e quajtur Besa dhe në kurriz të saj mundohen të politizojnë kinse do të na servojnë zgjidhje më të reja. Me sa duket kjo stolisje për momentin ju bën mirë dhe ju dhuron një bonus për të qenë « ndryshe ».

Bile, nuk do kishte qenë absurd të kërkohej, që përdorimi i këtyre vlerave unikate të popullit shqiptarë, të lejohen vetëm me pëlqimin e akademive, ose pse jo edhe nëpërmjet një referendumi mbarëkombëtarë. Në BESË kanë hise të gjithë ata që e ndjejnë veten shqiptarë. Kjo është amanet dhe trashigimi nga të parët tanë. A duhet me të vërtet edhe kjo vlerë unikate e trashiguar,të njolloset për interesa politike dhe karrieriste?!

Nëse guxoj të jem pak metaforik, kjo ngjan sikur macja (Lëvizja Besa) të hekë pas vete me zinxhirë luanin (BESA, si kult) dhe të shkojë me të ka të dojë, duke përfituar gjithmonë nga autoriteti dhe forca e luanit.

Mesazhi i këtij teksti nuk ka tendencë të kritikojë, por të bëjë apel kolektiv për një vëmendje më të kujdesshme me vlerat unikate dhe morale kombëtare.

Sidoqoftë, akoma nuk më vdekur shpresa se këta njerëz dijnë se çka bëjnë !

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat