Nëntori i katërt dhe fundi i historisë

Opinione

Nëntori i katërt dhe fundi i historisë

Nga: Fadil Lepaja Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 10:46

Kanë rrejt, miq të dashur, kur kanë thënë se historia ka vdekur. Nuk ka vdekur, as ndër mend nuk e ka. Nuk vdes historia lehtë. Së paku jo ndër ne. Nuk lejojmë ne, pa u “farue me djem dhe qika”!

E ardhmja mund të pres ! Së paku duhet të pres derisa ne të kryejmë edhe pak punë kombëtare që na kanë mbetur pa kryer. Ku do të mbeten, pas kësaj, meritokracia jonë e cila po shpurdhë e pakënaqur, në mes të qytetarëve të zakonshëm, në përpjekje për të ngjitur sërish shkallët e (pu)shtetit? Por në krye, lufta po zhvillohet brenda llojit në mes të vetë grupeve meritokrate. Janë (ar)miq të vjetër, ata, dhe e njohin mirë njëri tjetrin. Në rregull diferencimi në oligark dhe meritokrat, por çfarë faji ka qytetari që po mbahet në mes, peng?

Kulaçi është zvogëluar dhe nuk ka mjaftueshëm për të gjithë meritokracinë. Kushdo që ka kontribuar diçka po do me e konvertue në lek. Ose në pushtet. Kështu lufta brenda llojit po bëhet e pa kompromis. Ata që mbijetuan nga koha kur oligarkët ndërruan lëkurë, për pushtet dhe fuqi, janë kapur për...kombi! Vetëm një nëntor, i katërt, me patjetër duhet për të rigjeneruar meritokracinë. Ka asi me merita, dhe asi pa merita. Ka edhe asi që janë bërë shpi prej çështjes kombëtare ... ! Por, veç shtëpia nuk mjafton! Prandaj kombi nuk mund të flejë!

“Përse i katërti, pra”, do të pyesni ju me të drejtë, kur është e qartë se i treti ende nuk ka ndodhur. I treti, për ata që nuk e dinë, i pat ikur Enverit, veç për një ditë! Kështu tash Shqipëria londineze feston dy festa: 28 dhe 29 nëntor.

Po i lëmë anash paralajmërimet se, “nëntori i tretë”, do të ndodhë sivjet, në Prishtinë. Kombi, kuptohet, është i tëri në ethe, në nëntor. Ca nga gripi ca nga politika. Politika si po e shihni ka filluar të ndërhyjë edhe në çështje të mëdha. Problemet e vogla, si ajo që njihet me sintagmën “një jetë me dinjitet” do të i zgjidhim në Evropë, prandaj me to nuk merret politika. As pozita, as opozita. Pastaj, si edhe e dimë, kosovarët jetojnë si është më së miri. Janë më të lumturit në rajon. Vitet e kaluara, agjencitë prestigjioze të botës, që merren me hulumtimin e “lumturisë”, i kanë shpërnda pyetësorët e anketave pikërisht nëpër stacione autobusësh, nga ku po niseshin karavanet e refugjatëve të kontraktuar për në Evropë. Lumturia arrihet në nivelin orgazmatik, kur e ke gjetur tashmë një shpresë për me ikë. Orgazma kolektive përjetohet sapo dikush e përmend fjalën liberalizim.

Të më falni, se nga llafet gati e harruam historinë. E keni parasysh një karrocë me kuaj, e cila ecë nëpër një kohë me shi dhe turbulenca? Nuk kishit si t’a shihnit ndryshe, veçse në filmin “Nëntori i dytë” me të cilin u rrit gjenerata ime. Është karroca e Ismai Qemajlit. Karrocieri nëse nuk e kam ngatërruar emrin, quhej Haki. Bashkë me Marigo-në, ata përbëjnë figurat kryesore të popullit që asistuan në shpalljen e pavarësisë. Marigo e qëndisi flamurin, e ky ishte karrocier. Pra, krejt kjo ndodhi, në “nëntorin e dytë”, pikërisht në Vlorën tonë, e cila më vonë u bë e njohur edhe me “gunat mbi tela” si ishte koduar në një tjetër film, operacioni luftarak i cili e pat hedhur në det, Italinë. Apo më vonë, Vlora njihej edhe për skafat...! Edhe Zani, e pat shpallur një pavarësi me ‘97, por ajo mbeti në anën tjetër , ende të pa ndriçuar të historisë!

Pra, Ismaili bënte dritë. Ai po udhëtonte drejt Vlorës. Aty e kishte begenisur për me e ngritë flamurin. Afër detit, afër mbretit. Kjo është histori, dhe ju mos e ngatërroni me filmin të cilit po i referohem. Në film kishte edhe ndikime politike. Për shembull, ishte futur kontrabandë, Hysniu, delegati i Gjirokastrës, i cili kishte dalë për me e pritë Ismailin. Shihet qartë, në film, se edhe Ismaili padyshim e ka ditur, se nga ajo shtëpi një ditë do të lindte Enveri. Kështu, qysh atëherë ishte kapur lidhja. Hysni Hoxha ishte xhaxhai, i Enverit, të cilit për një ditë i iku “nëntori i tretë”!

Do të pajtoheni se është arsye koti kjo, që veç për një ditë, mos me ja njohur “nëntorin e tretë” Enverit. Pastaj, ai vet e kishte deleguar në film, xhaxhin e vet Hysni, që të priste e të nderonte në emër të tij, vet Ismail Qemajlin. A nuk ka kontiunitet? Mos na bëjë telashe , histori! Edhe ashtu, ti do të vdesësh një ditë!

Nejse, se e harruam fare, Hakiun. Apo nuk ishte Haki? Nga ngutia nuk arritja të shihja filmin, online! Por çfarë rëndësie ka, Ai veç një copë karrocier ishte. Po të ngiste karrocën e tij këto ditë, nëpër Prishtinë, do të e ndalonte “patrulla” kombëtare e Dardanit, dhe do të e nxirrte nga karroca zyrtare. Karrocën do të e digjte e Hakiun do e bënte për pesë pare, përse po e voziste karrocën jasht orarit zyrtar.

Por, në film, karroca pat ngecur në përrua. Gjendja paraqitej pak a shumë sikur me parlamentin e Kosovës. Shtyje, shtyje, shtyje dhe nuk del nga llumi. Kështu “dardanët” dolën në rrugë dhe filluan të djegin, fillimisht kontejnerët, pastaj veturat dhe çdo gjë që është zyrtare, ndërkohë që “tifozët kuq e zi” dhe “plisat”, ende po mbahen mirë, sepse po ndihen përfaqësues “zyrtarë”.

Po pra, ata i kanë edhe ueb faqet e tyre. Kanë edhe logo. Kanë edhe bëmat e veta. “Tifozat kuq e zi” për shembull e shpalosën flamurin gjigantë sa herë humbiste kombëtarja, ndërkohë që “plisat” rrëzonin rrugës edhe ndonjë president, këndej. Derisa erdhi vet De Biasi! A e kuptuat tash, se nuk ka Shqipëri të Madhe, pa së paku një italian? Keni ftuar ndonjë italian në Prishtinë?

“Ec ti , e ngrite flamurin në Vlorë, se unë do vij pastaj, se nuk e lë dot karrocën”! Pak a shumë kështu i thoshte Ismailit, karrocieri me vetëdije të lartë. Ismaili mbërriu me kohë, gjithsesi, sepse kohën e ngritjes së flamurit e caktonte ai. Për Isa-in, ende nuk dihet se ku ngeci puna: sahati me qostek ishte prishur, apo po e priste “rrugën e kombit” të shtrohej. Për shkak të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë askush nuk e përmend gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës, që po zhvillohej asokohe në Kosovë, nën flamurin e çlirimit nga Perandoria Osmane. Askush nuk po e përmend as kriminelin e luftës, gjeneralin serb Dikoviç , i cili e viziton zyrtarisht, pa kurrfarë pengese Kosovën dhe takohet me forcat paqeruajtëse ndërkombëtare. Nga ndërkombëtarë, e qeveritarë, “Nëntori i tretë” nuk preferohet të jetë arsye që Serbia të na hidhërohet.

“Nëntori i katërt” , jo”i treti”, do të ndodhë në Prishtinë, vëllezër. Me kohë natyrisht. Do të ndodhë gjithqysh në nëntor. Me 28 nëntor.

Përndryshe, si e dini, ftesa e opozitës për të dalë në shesh, është shpallur. Festa do të jetë gjithëpopullore. Veç pozita duhet të mos jetë prezente. Ata janë tradhtarë. Se, slogani kryesorë përgjatë historisë tonë ishte: “Kush nuk bashkohet është tradhtarë”! Do të thoni se, në këtë përplasje perspektivash dhe civilizimesh, patjetër dikë do të tradhtosh! Do të ishte sukses, nëse arrijmë të mos e tradhtojmë së paku vetveten dhe ëndrrën tonë të lirisë. Aman, veç mos më thoni, sërish: kush jemi ne?

Mos ma përmendni as dilemën hamletiane, të Remit: “Në Evropë, apo në Europë”! Kërkund nuk po shkojmë, mik! Le të vjen këtu kush të dojë: në dashtë Europa, apo në dashtë Evropa!

Ju kanë rrejt, miq të dashur, ju kanë rrejt! Historia nuk ka vdekur, as njet nuk e ka! Ajo po na mban peng dhe nuk po na lë të bëjmë paqe as me vetveten.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat