28 Nëntori festë apo protestë ?

Opinione

28 Nëntori festë apo protestë ?

Nga: Ridvan EMINI Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 22:11

Partitë opozitare në vend, të cilat po njihen edhe me emrin “opozita e bashkuar”, pas disa muaj tentime për rrëzimin e qeverisë me anë të bllokadave të punimeve në Kuvend, protestave të cilat zakonisht përfundonin dhunshëm, filluan një fushatë të re antiqeveritare, me pretekst të tërheqjes së nënshkrimeve të Marrëveshjes së Brukselit, ku ndër të tjera në këtë marrëveshje parashihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, po ashtu edhe për Marrëveshjen për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas opozitës, qeveria e udhëhequr nga dy partitë më të mëdha në vend PDK dhe LDK, përveç që kanë bërë marrëveshje të dëmshme duke e tkurrur hartën e Kosovës në veriperëndim të vendit, po ashtu kanë bërë tkurrje të hartës edhe në brendi të hartës(vendit)me Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit.

Opozita, e cila sa i përket Marrëveshjes së Brukselit, ku kjo marrëveshje është ndërmjetësuar dhe është sponsorizuar nga Unioni Evropian, ka caktuar datën për raportim të Kryeministrit Isa Mustafa, mirëpo ajo datë ishte shtyrë me kërkesë të grupit parlamentar të LDK-së për disa ditë më vonë, për arsye se partneri i koalicionit Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, nuk ishte në Kosovë dhe se raportimi i Kryeministrit do të ishte më i bindshëm me prezencën e tij në Kuvend. Mirëpo, opozita këtë akt e konsideroj si provokim dhe si mosgatishmëri për raportim nga ana e Kryeministrit, duke e akuzuar atë për marrëveshjen e nënshkruar dhe duke e quajtur si njëri jo vendimmarrës, dhe njëkohësisht duke e quajtur partnerin e tij të koalicionit Hashim Thaçin si “shef” të vendit.

Në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, Kryeministri Mustafa doli të raportoj para deputetëve për marrëveshjen në fjalë, mirëpo deputetët e opozitës e sulmuan atë me vezë. Nga këtu e tutje situata politike e vendit mori një kahe tjetër, atë të kaosit, ku pozita nguronte të deklarohej haptazi për Marrëveshjen e Brukselit se ishin të detyruar ta nënshkruanin, ndërsa opozita filloi rrugën e kaosit, duke vandalizuar me sheshet publike të kryeqytetit dhe me pronën private.

“Opozita e bashkuar” e përbërë nga ish partitë e koalicionit VLAN(VV, AAK dhe Nisma) duke menduar se sikur në rastin e shkarkimit të Ministrit të qeverisë nga radhët e komunitetit serb Jabllanoviq, qeveria do të bjerë pa ndonjë rezistencë të madhe. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi. Partitë opozitare duke pasur problem të sillnin në protestë qytetarë në numër sa më masovikisht, gjetën një mënyrë tjetër, atë të nënshkrimit të peticionit.

Nënshkrimin e peticionit konsiderohet se kanë bërë mbi 200 mijë qytetarë. Peticioni në fakt si proces i kryente dy qëllime, së pari e maste sa janë qytetarët të gatshëm të shprehen kundër këtyre marrëveshjeve, dhe së dyti shërbente pikërisht për qëllim të brendshëm të opozitës, e veçmas partisë lidere opozitare Lëvizjes Vetëvendosje.

“Opozita e bashkuar” e Kosovës, duke aluduar në numrin e madh të qytetarëve që e kanë nënshkruar peticionin, synonte që dhunën që e shfaqte në seancat e Kuvendit, të bartte jashtë këtij institucioni, duke e legalizuar vandalizmin madje edhe shfaqjen e dhunës. Opozita, në protestat e organizuara në dy muajt e fundit rezultoi se, protestës pavarësisht nënshkrimeve kundër këtyre marrëveshjeve nuk iu bashkëngjitën qytetarët apo më mirë të themi nuk u bashkuan në dhunën e shfaqur nga opozita.

Pas arrestimit të deputetes opozitare Donika Kada Bujupi, e cila disa herë në Kuvendin e Kosovës kishte hedhur gazë lotsjellës, duke pamundësuar zhvillimin e seancave parlamentare, opozita tentoi sërish të bartë “mesazhin” tek qytetarët për revanshin përfundimtar ndaj qeverisë, mirëpo nuk rezultoi të jetë i suksesshëm. “Opozita e bashkuar” e Kosovës, morri vendim për shtyrjen e protestës deri me datën 28 nëntor.

Liderët e “opozitës së bashkuar”, morën vendim që me datën 28 nëntor të këtij viti, të organizojnë një Manifestim kundër këtyre marrëveshjeve, duke u shprehur të bashkuar rreth vullnetit të tyre për një shtet sovran dhe të barabartë për të gjithë!. Ky manifestim i paracaktuar për datën 28 nëntor, duket kryekëput i menduar mirë. Por, shtrohet pyetja se a më parë do ti bashkohen qytetarët një proteste të quajtur me emrin “Manifestim”, apo të festojnë festën e flamurit kombëtar duke iu gëzuar çlirimit të një pjese të popullit shqiptarë. Është problem që të shfrytëzohet i gjithë gëzimi dhe festimi i qytetarëve, pasi që deri më tani nuk ka ndonjë precedent të më hershëm. “Opozita e bashkuar” rreth vandalizmit e në emër të të mirës së përgjithshme, është vështirë ti bind qytetarët me këtë frymë të protestimit. Pavarësisht, të gjithave, qytetarët kanë dëshmuar se e duan vendin më shumë se opozita por edhe se sa pozita.

Me rastin e ikjes masive të qytetarëve nga vendi drejt shteteve evropiane, ata kanë dëshmuar se e duan këtë vend. Ata kanë dal nga vendi si rezultat i gjendjes socio-ekonomike të krijuar, pikërisht nga partitë opozitare. Ata kanë zgjedhur të keqën më të vogël për vendin, por duke dëmtuar veten e tyre dhe familjet e tyre, duke rrezikuar në rrugët e pa rrugë, drejtë Evropës. Qeveria natyrisht se është fajtore për atë situatë, mirëpo ata qytetarë duke mos u pajtuar me gjendjen e krijuar nga ana pushtetit, por gjithashtu duke mos u pajtuar edhe me ofertën e ofruar nga opozita për vandalizëm, zgjodhën rrugën më të dëmshme për veten e tyre, por njëkohësisht edhe duke mos dashur të dëmtojnë vendin e tyre me vandalizëm.

Festa e 28 nëntorit, pavarësisht thirrjeve të “opozitës së bashkuar” për Manifestim kundër marrëveshjeve, sipas të gjitha gjasave do të festohet e qetë. Andaj e vetmja pikë e pa analizuar e opozitës më duket se ka mbetur ajo e festimit të kësaj dite, të cilën ditë deri më tani e kanë festuar më shumë se çdo festë tjetër shtetërore të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat