Lavdi në qiell, magjja pa miell

Opinione

Lavdi në qiell, magjja pa miell

Nga: Shkroi: Anesa Aliti, studente në Fakultetin e Shkencave politike, diplomacisë dhe gazetarisë, në FON, Shkup Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 17:29

Paradoksalisht derisa në vazhdimësi po bëhen përpjekje që robotët t’u ngjajnë njerëzve, këto të fundit çdo ditë e më shumë po humbasin racionalitetin njerëzor: Për individët pa koncept, të vendosurit e prioriteteve është bërë sfiduese, ndërsa dallimi i nevojave nga dëshirat është sfida vetë. “Lavdi në qiell, magjja pa miell”-është kjo thënia e njohur popullore që më së miri mund ta përshkruajë realitetin në të cilin po jetojmë.

Me gjasë është e kotë kërkesa për përfaqësim të denjë, derisa deputetët tashmë u ngjajnë të a.q. ‘gra xheloze’, që kërkojnë gjëra të reja për inat të grave të fqinjëve. Mund t’ua kenë parë tabletët e rinj deputetëve të ndonjë vendi tjetër, çfarë mangësie kanë që të mos paisen edhe vetë me të njëjtat?! As nuk mund të thuhet se nuk kanë nevojë për to: katalogjet, rrjetet sociale dhe aplikacionet tjera më nuk janë interesant, ndërsa teknologjitë e reja gjithmonë sjellin diçka të re! Për më tepër, këto tabletë po të donin mund t’i blenin me pagat që marrin, por një gjest i tillë nuk do të ishte i hijshëm ndaj qytetarëve, të cilët për to paguajnë tatime! E as që u kanë borxh të papunëve që i votuan: e sigurt është se edhe vetë një ditë do të jenë të papunë, prandaj kënaqësinë e sodit nuk duhet lënë për ta shijuar nesër!

Nuk mund të mohohet se jeta dinamike ndikon që të harrohen disa prioritete, përfshirë edhe estetikën. S’ka problem sa të pastra janë gjërat (lexo: ajri, ambienti jetësor), se mbeturinat duhet të hedhen diku. Kryesorja është që vendi të duket bukur, qoftë edhe për një natë të vetme në fund të vitit: gjithçka të zbukurohet e të ndriçohet me llamba shumë-ngjyrëshe. Të rriturit të magjepsen aq shumë, saqë fëmijët të heqin dorë nga dëshira për t’u rritur! Pasi ky aktivitet mahnitës është obligim moral, në rast se buxheti shtetëror ka deficit shteti ka të drejtë të kërkojë hua nga shtetet tjera. Se siç duket këmbët mund të shtrihen, pavarësisht sa është jorgani. E në krizën ekonomike globale, nuk është patjetër të kthehet borxhi siç bëri ‘I çmenduri Erdoan’. Mund të duket absurde por kjo nuk është aspak më tragjike sesa dasmat luksoze, shpenzimet e të cilave çifti i ri i mbulon me kreditë bankare. Ndryshe si do të arsyetohej ekzistenca e bankave?!

Fundi i nëntorit aktualizoi temën mbi atdhedashurinë. E vetë datat historike të rëndësishme janë raste ideale për të filluar fushatën parazgjedhore (kujto: “Abazi”). Naim Frashëri na kishte porositur “po sot pëndë dhe kartë na duhet, nukë tjetër.” dhe këto vërtetë nxënësi shqiptar i ka edhe në shkollën me dysheme të kalbura, të ndërtuar qysh në ish-Jugosllavi. Ndërsa sa i përket shqipes, Gjergj Fishta e kishte mallkuar vetëm atë “që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja, flet e t'veten e lèn mbas dore.” e në shoqërinë multi-gjuhësore siç është Maqedonia të tjerët nuk e kuptojnë gjuhën shqipe prandaj në shumë vende shqiptari nuk e flet dot.
...Fundja mjafton krenaria e të qenit pasardhës të ilirëve!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat