Për Republikën

Opinione

Për Republikën

Nga: Albulena Haxhiu Më: 23 nëntor 2015 Në ora: 18:23

Me datën 28 nëntor Opozita e Bashkuar po organizon një Manifestim "Për Republikën" në sheshin që mban emrin e dëshmorit Zahir Pajaziti. Këto ditë po bëhen plot tre muaj që nga nënshkrimi i marrëveshjeve të 25 gushtit pra për "Zajednicën", kodin telefonik, sistemin energjitik, urën e Ibrit dhe ndarjen e Suhodollit dhe po aq nga nënshkrimi i 26 gushtit për demarkacionin me Malin e Zi. Tre muaj këto që Qeveria Mustafa-Thaçi-Lista Serbe në vazhdimësi injoroi kërkesat e opozitës dhe qytetarëve të Republikës. Meqë Isa Mustafa e kuptoi pafuqinë e tij karshi zmbrapsjes së opozitës dhe dështimin e tij për të përçarë opozitën e bashkuar, tani dëshpërimisht po e përdorë mekanizimin e sistemit tonë të drejtësisë për burgosje dhe frikësim.

Në seancën ilegale të 17 nëntorit, që dukej tamam si konferencë për media e Mustafës dhe Thaçit, të njëjtit nuk lanë fjalë pa thënë për opozitën. Me një fjalë publikisht Mustafa urdhëroi policinë dhe prokurorinë që të arrestojnë deputetët e opozitës. Dhe menjëherë në mbrëmje u lëshuan fletëarrestet për deputetët opozitarë.

Kur flitet për sistemin e drejtësisë natyrisht se të gjithë jemi në dijeni se të njëjtit i është zënë fryma nga rrjeti i krimit të organizuar që kupolën e ka bash brenda individëve të Qeverisë. Mirëpo tani Isa Mustafa po i përdorë prokurorët edhe si mashë kundër protestuesve që i vlerësojnë marrëveshjet si copëtim të Republikës.

Kur jemi këtu, i kemi ende të freskëta fjalët e para të Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, pas marrjes së detyrës si për shembull "të gjithë ata që kanë fituar paligjshëm mos të ndihen mirë", "në shtatë vitet e ardhshme në pozitën e Kryeprokurorit të shtetit do të udhëhiqem nga parimi dhe standardet më të larta në luftimin e krimit dhe të korrupsionit".

Thënë të drejtën nuk është se kisha dëgjuar shumë për Aleksandër Lumezin sa ishte prokuror ndoshta për faktin se nuk di ndonjë rast me peshë që ka çuar përpara por edhe duke i njohur rrethanat në të cilat po jetojmë, nuk mund të bëhesh Kryeprokuror Shteti pa pasur mbështetje nga njerëzit e pushtetit dhe ndonjë burokrati ndërkombëtar, e kjo po dëshmohet tash së voni. Megjithatë në fillim nuk është se nuk u krijua një shpresë e rrejshme të paktën te qytetarët e Republikës pas këtyre deklaratave pompoze.

U bënë shtatë muaj që nga zgjedhja e tij dhe zyrtarët e korruptuar po ndjehen super mirë madje po vazhdojnë të pasurohen pa i penguar askush dhe dosjet e tyre të korrupsionit janë pluhurosur në sirtarët e prokurorive e të cilat ua kujtojnë vazhdimisht gjatë takimeve në negociatat e Brukselit. Nuk shpjegohen ndryshe nënshkrimet e Mustafës dhe Thaçit.

Që nga 25 dhe 26 gushti (ngjashëm me kohën e Millosheviqit ku dhe atëherë Prokurorët kanë qenë edhe shqiptarë që janë përdorur nga regjimi) nuk shkoi javë pa u arrestuar aktivistët e VETËVENDOSJE!-s duke vijuar me të të gjithë opozitës, në rrugë, në shtëpi dhe në vendet e tyre të punës dhe atë vetëm sepse po organizonin aksione simbolike për t'ia prishur rehatinë kësaj mafie politike dhe po shpërndanin fletushka për tribuna në kundërshtim të "Zajednicës" dhe demarkacionit me Malin e Zi, këto dy projekte famëkeqe. Duke mos u mjaftuar, tani së fundi edhe po bëjnë përndjekjen politike të deputetëve të opozitës për veprimet e tyre në mbrojtje të Republikës dhe territorit.

Shtrohet pyetja se për çfarë drejtësie po flasim?! Për drejtësinë që kidnapon dhe burgosë deputetët e opozitës, bastisë e shkatërron shtëpitë e deputetëve dhe familjarëve të tyre, që amniston djemtë e pushtetarëve, që lejon pasurimin e paligjshëm të "Jakave të Bardha", që dënon me 9 vite policët që arrestuan me të drejtë rojat ilegalë të Vulinit, që burgosë qytetarët e Kroit të Vitakut për shkak se po ndërtonin shtëpitë e tyre atje?

Kryeprokurori Lumezi në vend të kërcënimit publik dhe zbatimit të urdhrave për persekutimin e deputetëve të opozitës, le t'i tregojë dhëmbët me strukturat paralele kriminale të Serbisë (që vazhdojnë krimet të papenguar) hetimin dhe dënimin e zyrtarëve të korruptuar dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, po ashtu edhe me hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut por pse jo edhe me kallëzimin penal ndaj Deputetit Armend Zemaj dhe kallëzimin penal për kidnapimin e Deputetit Albin Kurti.

Z. Aleksandër Lumezi mos zbatoni urdhrat e pushtetarëve që përveçse të paligjshëm janë dhe kundër interesit të Kosovës në afatgjatë. Veprimet tona në Kuvend janë të domosdoshme dhe nuk kanë fare të bëjnë me organet e drejtësisë dhe me individët. Ju e keni shansin ideal në pozitën që mbani të ndërmerrni veprime konkrete dhe t'ia hiqni qafe Kosovës këta njerëz që po e mbajnë peng Republikën dhe po pasurohen në kurriz të qytetarëve të varfër e të secilit prej nesh. Pritet pra veprimi juaj. Veprimi i Kryeprokurorit kundër krimit të organizuar në nivele të larta. Mosveprimi juaj konform rëndësisë së detyrës që mbani një ditë do t'ju bëjë bashkëpërgjegjës sepse nuk ka justifikim për heshtjen para mafies.

Për sa që na takon ne jemi të vetëdijshëm për se ndalja e bosnjëzimit të Kosovës edhe mund të na kushtojë por ama projektet që janë në shpërputhje me vullnetin e popullit do të zhbëhen. Nuk e di nëse ka burgje të mjaftueshme për të gjithë ne protestuesit e Opozitës së Bashkuar por ama e di se as metodat e regjimit policor të Millosheviqit dhe as ato të stilit putinian nuk na ndalin në rrugën tonë të drejtë. Kjo është vërtetuar njëherë në Kosovë. Tani po vërtetohet sërish.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat