Vetëm të bashkuar triumfojmë kundër terrorizmit

Opinione

Vetëm të bashkuar triumfojmë kundër terrorizmit

Nga: Shkelzen Marevci Më: 23 nëntor 2015 Në ora: 13:23

Fenomeni antinjerëzor i terrorizmit është në rritje. Kërcënimet e ndryshme që bëhen në Kosovë, si përshembull kërcënimi verbal që i është bërë gjatë ligjërimit Kryeimamit të Bashkësisë Islame të Kosovës, rasti i një të arrestuari për terrorizëm pak para se të ndodh sulmi terrorist në Paris të Francës, si dhe arrestmi i tre personave pasi ndodhi rasti i Parisit janë tejet shqetësues, sepse flasin për prezencën e individëve me mentalitet radikale në Kosovë. Fatmirësisht, këto janë raste të rralla, mirëpo pasojat e rënda që i bart terrorizmi si krim, nuk duhet të neglizhohet qoftë edhe një rast i vetëm.

Terroristët, këta njerëz të dhunshëm, kriminelë enigmatik, që nuk njohin asnjë ligj, asnjë etni, asnjë qeverisje, asnjë fe apo qytetërim, jetojnë me ne, pranë nesh, madje mund të jenë edhe në të njëjtën shtëpi me ne, ata (terroristët) ndoshta pinë apo hanë me ne, stilin e veshjes mund ta kenë sipas modës ose zakonit, frekuentojnë shkollat, dinë gjuhë të huaja dhe nuk bien ne sy të opinionit.

Ata kamuflohen me maturi dhe nuk kundërshtojnë hapur, duken si njerëzit më të pafajshëm në botë, frekuentojnë dhe “respektojnë institucionet shtetërore e fetare dhe paraqesin urtësi” në çdo veprim e në çdo kohë. Këta njerëz të rrezikshëm, mendojnë e veprojnë me pabesi dhe befasi, me dhunë, me urrejtje dhe me një vendosmëri që shkon deri në vetëflijim. Terrorizmi është kryefjala e çdo aktiviteti politik, diplomatik e ushtarak. Ai është lajtmotiv, sepse është shndërruar në rrezikun kryesor të zhvillimit normal të marrëdhënieve midis shteteve, midis aleancave, rajoneve dhe në përgjithësi, të zhvillimit demokratik të shoqërisë. Ai është bërë një pengesë e madhe për emancipimin e shoqërisë njerëzore i jetës e aspiratave për progres e begati.

Prandaj është detyrë e gjithë popujve dhe qeverive të mbarë botës, të bashkohen në luftën kundër terrorizmit kombëtar dhe ndërkombëtar si armik i paqes dhe i sigurisë globale. Terrorizmi sot, paraqet një veprimtari të zhvilluar kriminale globale të cilën nuk e mbulon më vetëm ideologjia, por e mbulon edhe paraja, kurse për fitim më të madh është esenciale “fuqia e madhe luftarake e organizatës terroriste” ose shkalla e përgatitjes dhe përvojave të saj, kjo në të shumtën e rasteve arrihet duke manipuluar dhe duke mashtruar individë të caktuar.

Pra, kjo do të thotë se terroristët pa marrë parasysh faktin se pjesa dërrmuese e tyre fshihet pas ideologjive apo religjioneve, parimisht ata nuk udhëhiqen nga interesat e përgjithshme apo të përbashkëta të popujve që do të thotë se ata nuk luftojnë për qëllime të përgjithshme shoqërore, por fjala është për grupe të organizuara terroriste e kriminale, qëllimi i fundit i të cilave është realizimi i interesave individuale të udhëheqësve të organizatave terroriste e kriminale.

Terrorizmi si një fenomen i jashtëzakonshëm për nga rrezikshmëria, e i cili në çdo vend dhe kohë, i mbanë sot të gjitha shoqëritë e mbarë globit në frikë dhe panik të jashtëzakonshme, nuk duhet as të mendohet që mund të luftohet me lehtësi. Qëllimi i terrorizmit, faktorët nxitës të tij, mënyrat e të vepruarit të terroristëve, mjetet të cilat i përdorin terroristët për kryerjen e akteve terroriste e bëjnë shumë të rëndë luftën ndaj këtij fenomeni që e ka kapluar botën.

Prandaj, për t’i bërë ballë dhe për të pasur sado pak sukses në luftën kundër terrorizmit, duhet domosdoshmërisht t’i qasemi me një bashkëpunim të gjerë, duke filluar që nga individi i rëndomtë, shoqëria, organet kompetente të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, institucionet fetare si p.sh. bashkësitë fetare, xhamitë, kishat, sinagogat, hoxhallarët, priftërinjtë, rabinët, shoqëria civile, mediat etj. Të gjithë duhet të bashkëpunojnë dhe ta shtrijnë bashkëpunimin jo vetëm brenda territoreve nacionale, por edhe jashtë kufijve të shteteve të tyre. Pa një bashkëpunim të mirëfilltë kombëtar dhe ndërkombëtar nuk mundet që lufta kundër terrorizmit të jetë efektive dhe efikase apo të fitohet beteja kundër këtij krimi makabër.

Është fakt i pakontestueshëm, që globalizmi e ka vështirësuar luftën ndaj terrorizmit dhe ka imponuar një qasje krejt ndryshe nga e kaluara, e pjesa kyçe e kësaj qasje të re ka të bëj me imponimin për bashkëpunimin ndërkombëtar, jo vetëm në fushat e sigurisë, por edhe në shumë fusha të tjera. Përpos lehtësirave në aspektin zhvillimor ekonomik që e ka mundësuar globalizimi, fatkeqësisht ka ndikuar që lëvizjet dhe bashkëpunimet të jenë më të lehta për krimin apo kriminelët në përgjithësi dhe për terroristët dhe terrorizmin në veçanti. Prandaj, në luftë kundër terrorizmit, duhet që të përfshihen shumë aktorë kombëtar dhe ndërkombëtar, sepse kjo është e vetmja mundësi për ta mposhtur terrorizmin.

Duhet ta kemi parasysh një gjë, që në këtë botë me halle e ardhmja duket shumë e frikshme, sepse ndërrimi i shekujve nxori në dritë rrezikun e terrorizmit. Duke parë gjithë këtë ligësi çdo kush ndjen një nevojë shumë të fortë për ta zhdukur terrorizmin dhe për ta përmirësuar botën. Janë njerëzit ata që duhet të bëjnë gjithçka, pra jemi ne. Kemi zbuluar shumë gjëra të rëndësishme për ta lehtësuar jetën tonë, si qenie njerëzore kemi kaluar limite të zbulimeve që të parët tanë as që mund t’i imagjinonin. Jemi ne ata që po kërkojmë forma të reja të jetesës dhe kemi përmirësuar vetë jetën tonë dhe e gjitha kjo ka ndodhur atëherë kur mendonim se gjithçka ishte e pamundur.

Por duke i fituar këto beteja hapet shtegu i betejave të tjera që na presin, sepse fundja e tillë është jeta jonë në këtë botë, ku e mira dhe e keqja janë në luftë njëra me tjetrën deri sa të ekzistoj kjo botë. Prandaj, me çdo kusht duhet të jemi të bashkuar më shumë se kurrë dhe më shumë se për çdo gjë tjetër, sepse e keqja që vjen nga terrorizmi ndryshon apo dallon shumë nga e keqja e të gjitha krimeve të tjera. Dëmet nga terrorizmi janë dëme të pakrahasueshme me dëmet nga krimet tjera, sepse terrorizmi nuk i zgjedh viktimat e tij, madje viktimat e terrorizmit janë kryesisht njerëz të pafajshëm, pra nuk dihet se kush mund të jetë viktimë e radhës. Po ashtu, karakteristik e terrorizmit është edhe numri i viktimave, sepse terroristët mundohen me çdo kusht të vrasin sa më shumë njerëz.

Pra, arsye për tu bashkuar në luftën kundër terrorizmit, ka mjaftë. Mirëpo, a duhet të jemi të frikësuar ose pesimistë se ndoshta mund ta humbasim luftën kundër terrorizmit? Përgjigjja është jo, sepse njeriu me shpirtin e vetë synon nga më e mira dhe e përkryera. Por duhet të kemi parasysh që fitimi i kësaj beteje kërkon në rend të parë një qasje bashkëpunuese, durim dhe një vullnet të hekurt pasi rruga drejt fitores dhe ajo që të shpie drejt lirisë dhe paqes nuk është e lehtë për tu arritur. Nuk ka dyshim, që ai që arrin në majë të kësaj lufte, arrin i lodhur dhe i rraskapitur, por ja vlen, sepse paqja, uniteti dhe siguria e shoqërisë janë mu në pikën më të lartë.

Ndoshta ne nuk mund të arrijmë që ta gëzojmë këtë fitore se mund të biem të vdekur nga lodhja dhe sfidat që dalin gjatë luftimit të kësaj dukurie të shëmtuar, por për një gjë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të ndihemi krenar, që kemi vendosur të paktën një tullë në murin izolues ndaj terrorizmit, si dhe kemi hapur mundësi për brezat e ardhshëm që ta kenë më të lehtë betejën.

Për ta përmbyllur, dua të apeloj me një apel shumë të sinqertë tek çdo njeri, pavarësisht funksionit të tij, të bashkohemi në luftën kundër terrorizmit, sepse vetëm të bashkuar do të korrim sukses dhe do të dalim triumfues ndaj terroristëve qyqarë dhe terrorizmit si një krim makabër.

(Autori është magjistër i studimeve të shkencave të sigurisë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat