"Sa e trishtuar" është Borja pa vajza (!)

Opinione

"Sa e trishtuar" është Borja pa vajza (!)

Nga: Nga Azem Parllaku Më: 22 nëntor 2015 Në ora: 13:32


Namik Dokle ka ardhur tek lexuesit si autor i romanit "Vajzat e mjegullës” një frymëzim nga jeta e tij e fëmijërisë, që shtrihet edhe në ditët e sotme, ku secili gjen veten nga jeta e dëshpëruar tek shpresa për një sinjal më të mirë, nga mjegulla në pritje të vajzave.

Një roman me protagonistë pa emra, me të cilin Dokle bën për vete lexuesit nga adoleshentët tek intelektualët.
Rrëfimi i një dashurie të madhe, ku vërshon dashuria për jetën, për vendlindjen, për njerëzit, për gjuhën, për zakonet identifikuese, për mitet dhe legjendat ende të gjalla, për të bukurën në një realitet herë-herë të shëmtuar.
Kush janë “Vajzat e mjegullës”?

Vajzat e mjegullës janë të gjitha vajzat që janë viktima të kohës së tyre. Ky është pikërisht koncepti i romanit që ka shkruar Dokle, sepse është nisur nga parimi që, misioni i historisë, nuk është që të shkruajë për ata që bëjnë historinë, por për ata që janë viktima të historisë apo të njerëzve që bëjnë historinë.
Viktima mund të jetë një njeri, një komunitet njerëzish, një krahinë, një vend apo një kontinent i tërë. Nga kjo pikëpamje, vajzat e mjegullës mund të jetë edhe një plakë e cila dikur ka qenë vajzë, apo një grua e moshës së mesme.

Pra, është në kuptimin që mund të jetë vajzë, por edhe mund të jenë djem, që kanë qenë viktima të historisë. “Vajzat e mjegullës” janë gjithë ngjarjet e mjegullta të jetës sonë.
Në roman ka një element konkret, sepse krahina që përshkruan Dokle, është një krahinë të cilën e ka jetuar, e ka ca tradita paksa të veçanta, sidomos në organizimin e dasmës dhe të festës që njihet si "Dita e Shëngjergjit", e që në Borjen nga vjen Dokle, ajo kremtohet me madhështi.

Në roman rrëfehet se, tre muaj para festës së "Shën Gjergjit", të gjitha vajzat e fshatit merren dhe çohen në një aksion, dhe fshati pret vajzat të kthehen për të festuar në ditën në të cilën nuk ka lule, po nuk ka vajza.
Vajzat e romanit të Namik Dokles, mishërojnë simbolikisht të bukurën dhe të mirën që presim çdo ditë e në çdo ndodhi të jetës sonë. Kjo është dhe pritja dhe pyetja simbolike “A do të kthehen vajzat”. Duke pritur zhvillohen të gjitha ngjarjet e romanit.

Vajzat janë edhe mjegulla dhe rrezja e diellit të cilën ne e presim.
Ngjarjet zhvillohen në krahinën e Gorës e cila shtrihet në dy shtetet shqiptare dhe në shtetin maqedonas.
Gora është një krahinë me 29 fshatra, e ndarë në tre shtete; 18 fshatra ishin nën Serbi, por sot për fat të mirë janë në Kosovë, 9 fshatra në Shqipëri, e 2 në Maqedoni.

Dokle shkruan për një realitet që e njeh mirë, mbasi aty në Gorë ka lindur e është rritur, ndërkohë dhe si njeriu me petkun e politikanit e njeh mirë komunitetin i cili e ka zgjedhur dikur për t'a përfaqësuar.
Në romanin e Dokles ka personazhe me emrin e vërtetë, ka dhe të tjerë që janë produkt i fantazisë të shkrimtarit.
Ngjarjet në roman nuk i tregon vetëm autori, pjesërisht i tregon një fëmijë 13-vjeçar, pjesërisht i tregon një plakë të cilën e konsiderojnë 300 vjeçe, sepse është mbartësja e të gjithë kujtesës së asaj çka ka ndodhur. Narratorët e romanit janë të përzier me njëri-tjetrin, por synojnë të arrijnë mozaikun e një jete e cila është një jetë e trishtuar, por që ka shpresën dhe besimin se nesër do të bëhet më mirë.

Në një moment fëmija i kërkon plakës t’i mësojë magjitë që ajo bën. Dhe ajo i thotë: “Jo mor bir, mi lër mua këto magji. Magjia jote është shkolla”. Një mesazh ky që, ti nuk mund të bësh atë që kanë bërë paraardhësit, pasi koha kërkon diçka tjetër, dhe ti do të bësh atë çka kërkon koha jote.

Ngjarjet zhvillohen në vitet ’50, në një situatë të privacioneve edhe ekonomike e kulturore, ku njerëzit përzienin misrin me tërshërën nga mungesa e ushqimeve, aq sa mullixhiu që bluan drithin i thotë të voglit: “Me këtë që po sillni këtu, do të hingëllini të gjithë”.

Personazhet e romanit nuk kanë emra, as Xhaxhai, dhe as fëmija nuk ka emër. Fëmija tregon në vetën e parë, që do të thotë se fëmija mund të jetë gjithkush. Xhaxhai i librit është shumë afër realitetit, pasi Dokle vjen nga një familje e fisshme në Gorë.

Frymëzimin e parë autori e ka marrë nga ditët kur në fshat kishin ikur vajzat dhe ai kishte shkruar vetëm një fjalë: “Sa i trishtuar është fshati pa vajza”. Vajzat u morën të gjitha në aksion për ndërtimin e hidrocentralit të Ulzës, dhe nuk u la asnjë vajzë në fshat. Dhe një familje që e martoi vajzën vetëm që ajo të mos shkonte në aksion, i morën motrën më të vogël. Një familje që nuk pranoi t’i çonte vajzat në aksion, u arratis.

Personazhi kryesor që vërtitet në libër është një adoleshent ndërkohë që vërtitet gjithkush sic është një nga personazhet e tjerë qendorë një intelektual, një mësues-poet, që në kërkim të lirisë së tij krijuese, ai bie viktimë e kohës dhe pushkatohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat