Psikopatët që rrahin gratë

Opinione

Psikopatët që rrahin gratë

Nga: Lis Bukuroca Më: 13 tetor 2015 Në ora: 20:38

Nuk kemi mësuar kurrë në shtëpi se bashkëshortja është e moralshme. Nuk kemi mësuar kurrë se ajo ka dinjitet. Nuk kemi mësuar kurrë se ajo ka sedër. Nuk kemi mësuar kurrë se ajo është besnike, por zakonisht dhe vazhdimisht të kundërtën. Nuk kemi mësuar kurrë se ajo është pjesë e barabartë apo shtylla kryesore e një familjeje. Nuk kemi mësuar kurrë që bashkëshorten ta trajtojmë me aq respekt sa edhe nënën. Nuk kemi mësuar kurrë t'i falënderohemi, por kemi mësuar dominimin dhe dyshimet kronike, djallëzore. Kemi mësuar kontrollin permanent. Keni dëgjuar një këngë dashurie, ku burri tradhton? Rrallë apo fare. Gjithmonë është gruaja ajo që stigmatizohet për vepra të pamoralshme, edhe pse ato vepra, edhe nëse bëhen, bëhen me burra, por për të njëjtin veprim, kur e bën burri, quhet akt mburrjeje, kur e bën gruaja, akt kurvërie.

Nëse merren parasysh paragjykimet që kemi ndaj grave, atëherë është për t'u çuditur pse martohemi me gra. Madje, do t'ishte e rekomandueshme urrejtësitë e grave të martohen me burra. Sot kjo është normale. Gruaja tek ne si bashkëshorte ka vetëm vlerësime negative dhe njeri i dyshimtë, që madje duhet t'i caktohet edhe një kujdestar mbikëqyrës.

Kur ne të ndryshojmë qëndrimin ndaj gruas, kemi ndryshuar qëndrimin ndaj gjysmës së shoqërisë, me këtë edhe ndaj jetës dhe botës. Nuk mund të vështrohet bashkëshortja si e përdalë potenciale, por nëna të shenjtërohet, sepse edhe ajo nënë, ishte grua e dikujt, e dikujt që nuk i besohej fare dhe që ka jetuar një jetë në shërbim, pa asnjë mirënjohje: e trajtuar pa respekt dhe e shndërruar në një poçavër, që pret mirënjohje nga fëmijët për t'u rehabilituar apo shpërfillet në një qoshe: e zymtë dhe e tronditur, pa kuptuar as pse jetoi, as pse u flijua. Dhembjen e saj janë munduar ta shpalosin shumë poet shqiptarë, në të shumtën e rasteve, në rolin e nënës mirëpo, jo të bashkëshortes. Shumë poezi nga dhembja e madhe, kanë vlerë epigrafi. Poezitë flasin më tepër për keqardhjen, rolin vrojtues, por edhe pamundësinë për të ndryshuar dhe, disa që u këndojnë mjerimit të nënës, u shkaktojnë mjerim grave të veta, pra nënës së fëmijëve të vet.

Njeriu që dashuron nuk tradhton kurrë. I dashuruari edhe kur del nga shtëpia, merr dashurinë me vete. Dashuria ka selinë në kokë. Në kokë gjendet truri. Truri merre vendime. Në trurin që ka dashuri, nuk ka vend për tradhti.

Gruaja që dashuron, nuk tradhton kurrë. Ka raste të tradhtisë në Perëndim sepse burri ka tradhtuar, ose për shkak të shtypjes së madhe. Sidoqoftë më e mirë është ndarja, se sa vepra e njëjtë. Shumë burra konsiderojnë gratë labile, të paafta, inferiore dhe nuk duhet pasur besim të plotë. Tek kjo sjellje paranoide ndaj gruas, ka ndikuar edukata në shtëpi pikë së pari. Madje edhe edukata marrë nga gratë. Edhe atyre u është imponuar bindja se janë qenie të pasigurta: të luhatshme, që nuk mund të rezistojnë dhe se nuk kanë gjë tjetër në kokë, pos seksit. Duke mashkullorizuar edhe ato qëndrimet e tyre, kanë dhënë tutje një edukatë të gabueshme, që dëmton edhe burrin dhe sedrën e tij. Për këtë edukatë aberrative ka faje pikë së pari burri. Në një familje, ku mësohet se gratë janë qenie dekorative të burrave, ose qenie jo të denja dhe të barabarta, aty nuk ka lumturi femërore, por ka vetëm rehati mashkullore. Të shumtë janë faktorët që ndikojnë tek rrahja dhe keqtrajtimi i grave. Ato mund të jenë mësime të marra pavetëdijshëm nga fëmijëria. Ato mund të mësohen nga rrethi. Ato nuk luftohen nga shkolla dhe nuk ndiqen në mënyrë konsekuente nga shteti.

Në një shoqëri, ku dominimi i gruas quhet burrëri, në një vend ku rrahja e gruas quhet guxim, në një vend ku nënshtrimi i gruas quhet trimëri, ai vend nuk mund të jetojë në lumturi sepse një pjesë e madhe e popullsisë, gjallon e shtypur. Shtypja është plot trishtim dhe dhembje, ashtu si është edhe represioni i pushtuesve. Peshën e shtypjes nga një pushtues i jashtëm dhe peshën e shtypjes, nga burri në shtëpi, truri nuk e percepton ndryshe, por vetëm si fenomen tragjik, që ndikon në shkatërrimin dhe vullnetin për ta jetuar jetën. Zakonisht pasojnë sëmundje psikike, sepse diku 90 për qind të sëmundjeve, janë psikosomatike, dmth. kur shpirti ia shkakton trupit.

Shkrimtarët tanë të mëdhenj janë marrë pak me barazinë gjinore. Ndoshta për shkak të utilitarizmit Edhe pse i tejkaluar si libër “Emili ose mbi edukatën” i Jean Jaques Rousseaus në Japoni është si lekturë e domosdoshme shkollore. Për të ndryshuar qëndrimet, duhej shndërruar në lekturë edhe “Gjinia e dytë” nga Simone de Beauvoir, ose “Arti i të dashuruarit” të Erich Fromm. Për të kuptuar dashurinë duhet lexuar edhe “Dashuria si pasion apo drejt kodifikimit të intimitetit“ të Niklas Luhman, por edhe "Dashuria një ndjenjë e çregullt" nga filofozi David Richard Precht dhe natyrisht, duke marrë në konsiderim të paevitueshmin, çlirimtarin e seksualitetit të ndrydhur Sigmund Freudin. Lumturia e një populli, mund të matet vetëm me lirinë e gruas. Popujt që shtypin gruan, nuk mund të ecin para, sepse gjysmës së popullsisë, i ndalohet arsimi dhe emancipimi. Nëse nënat nuk dinë, edhe fëmijët nuk mund të edukohen si duhet. Pra degradimin që i ati mund t'i shkaktojë gruas dhe injorancën e imponuar, përjeton nesër ai si rezultat tek fëmijët e vet.

Por pse rrihen gratë? Rrahin ata psikopatë që nuk ndjehen meshkujt të mjaftueshëm dhe kanë frikë. Rrahësi ka probleme, jo e rrahura. Atij i nevojitet nënshtrimi për ta kuruar psikozën e vet. Rrahin ata që rrahjen, shkaktimin e dhembjeve dhe nënshtrimin si metodë edukative, kanë mësuar në shtëpi. Rrahin personat që nuk pranojnë dështimet e veta, por u duhet një fajtor kujdestar. Shumë herë dhe në shumë shoqëri, për çdo dështim, fajësohet gruaja. Kjo bëhet për ta ruajtur integritetin dhe pagabueshmërinë e njeriut burrë, të trajtuar dhe respektuar si perëndi. Ndërgjegjja mashkullore mirëpo është e ndotur qysh në fillimet e legjendave njerëzore: qysh nga Adam dhe Eva, ku gruaja satanizohet me mollën.

Shkurt e shqip, mund të thuhet, se aty ku njeriu mund të vritet pse iu shikua gruaja, aty kanë xhelozi deri në sëmundje psikike ndaj gruas, nga inferioriteti i tejtheksuar, por nuk janë aspak xheloz ndaj copëtimit apo rrënimit të shtetit të vet. Gruaja e ligë mund të zëvendësohet me një tjetër, por humbja e atdheut, nuk zëvendësohet kurrë me një atdhe tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat