Dr. Ibrahim Temo, një nga figurat historike kryesore që ngriti në kambë revolucionin xhonturk e çoi Shqipërinë drejt shpalljes së pavarësisë

Opinione

Dr. Ibrahim Temo, një nga figurat historike kryesore që ngriti në kambë revolucionin xhonturk e çoi Shqipërinë drejt shpalljes së pavarësisë

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 13 tetor 2015 Në ora: 20:37


1.
Ndërvite, në ndejat tona për mirë, historiani Shpëtim Sala më ka fol shumë për patriotin panshqiptar Ibrahim Temo, rreth një bibliografie të tij, për hulumtime arkivore tek koleksionistë e miq për të sigurue dokumenta e foto rreth tij. Aq shpesh janë krye biseda të tilla mes nesh sa që mue më dukej se gjithçka ishte folur para disa ditësh e jo edhe para shumë vitesh. Kur hapa “Wikipedia”, tek zëri “Shpëtim Sala”, rigjeta faktin: “Në mars 2010 pritet të dalë libri “Ibrahim Temo në fondet e AQSH””. U krye në këtë kohë. Saktësisht. Doli në dritë, me një tirazh të pakët. Autori Sala eci dhe më tej: e përuroi dhe në qytetin e Strugës, në vendin e lindjes së Ibrahim Temos. I kanë pasë stërthanë dy kryetarët e komunës së Strugës, i maparshmi dymandator Ramiz Merko dhe i tashmi njëmandator Ziadin Sela –se kena me kontribue në botimin plotor e me tirazh të mjaftueshëm për trevën e tyre e botën akademike, etj. Kjo çështje është në udhën e vet, në mos i pari i dyti kryebashkiak ka me ba diçka. E, n’u kreftë, meritojnë mirënjohje.
Pesë vjet ka punue ky historian për me mbrri tek botimi i dytë i kësaj vepre të veçantë, me mjaft interes. Vërtet një punë mirëfilli shkencore e don patjetër kohën e vet. E ridoli prapë në dritë vepra e historianit Shpëtim Sala “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.SH. (1797-1944). Botim i Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. Tiranë, 2015. ISBN: 978-9928-4088-4-6. 398 faqe, me format klasik.
Në trungun e kësaj vepre bibliografia për Ibrahim Temon është shtati i këtij patrioti të madh, ku i ka përmbledh në një libër të vetëm të gjitha dokumentat arkivore: memorandume, fjalime, dorëshkrime, proklamata, letra, telegrame, kartëpostale, kanonizma, litografi, kartëvizita, etj. Gjithçka gjendet në dosjen e tij, Fondi nr. 19 në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Janë 1.073 zëra. Jo pak – 278 faqe bibliografi.
Studjuesi Shpëtim Sala, pas kësaj bibliografie, ka dhe një emër tjetër: bibliograf. Pra, ka hyrë në historinë e bibliografisë shqiptare. Ky është fryt i tij, në nderin e tij.
2.
Shpëtim Sala, si kryefjalë të veprës së vet, e ka vnue një studim të tij: “Materialet mbi dr. Ibrahim Temon në AQSH, ndriçime mbi jetën dhe veprimtarinë e tij”. Ky studim kap 51 faqe, po mund të ishte/jetë dhe libër me vete, me një format të zakonshëm, tradicional, 14 cm x 21 cm, tue pasë dhe element të tjerë, veçmas fotografitë. E do të ishte një botim me interes. Po autori Sala e ka ba zgjidhjen e vet: ia ka bashkalidhë veprës tanësore për dr. Ibrahim Temon. E i qëndron mirë asaj. Solide. Një parathanie e plotë që flet për një jetë të Ibrahim Temos plot me veprimtari kombëtare. Kush don me ditë në maje të gishtave për jetën e veprën e Ibrahim Temos le të kapin në duar këtë vepër të Shpëtim Salës.
Dr. Ibrahim Temo (Ibrahim Et’hem Mustafa) është nga një familje e madhe për nga vlerat intelektuale e patriotike, kulla e të cilit mbante mbiemnat: Et’hemi, Sojliu, Bakalli, Murati. Vllai i tij, Nuri Efëndi Sojlliu ishte një nga firmëtarët në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Të parët e tij u shpërngulën nga Gurabardhi i Matit më 1780.
Vet, dr. Temo ka lindur në Strugë, më 21 mars 1865. Sot emnin e këtij rilindasi shqiptar të madh, që Konica e quan “ardhetar i vërtetë” e mban gjimnazi i Strugës, shkolla fillore në Strimnicë të Zhelinës, etj. Dr. Ibrahim Temo, për nga profesioni ishte mjek ushtarak i njohur, mori titullin “Doktor i Medicinës” (Bukuresht, 1896), por dhe publicist me emër, pasi drejtoi gazetën “Hareket” (Bruksel, 1896), gazetën “Sada-i Millet”(Konstancë të Rumanisë, 1898).
Dr. Ibrahim Temo është krijuesi i Shoqërisë së fshehtë “Bashkim dhe Përparim” (1889) programi i së cilës bazohej në parimet e Kushtetutës Osmane (1876), kishte për qëllim emancipimin e shoqërisë osmane, ishin kundër absolutizmit të Sulltanit.Në shoqatat e Turqve të Rinj bënin pjesë mjaft shqiptarë që kishin bashkërenduar veprimtarinë e tyre me atë të Turqve të Rinj me qëllim që të realizonin Autonominë e Shqipërisë. Ndër veprimtarët më të shquar shqiptarë kanë qenë dr. Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri, Jashar Erebara e të tjerë.
Dr. Ibrahim Temo dha kontributin e tij në krijimin dhe veprimtarinë e klubeve patriotike shqiptare, në hapjen e shkollave shqipe, në mbështetjen e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe.
Dr. Ibrahim Temo botoi dy libra, atë me kujtime për jetën e Ataturkut dhe, tjetrin – për krijimin e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Librin me titull “Atatürkü niçin severim” (Pse e dua Ataturkun) më 1937 në Konstancë librin “Itihad ve Teraki Cemiyetinim te sekkübü” (Formimi i shoqërisë “Bashkim Përparim”) më 1939 si dhe disa libra në fushën e mjekësisë.
3.
Aparati shkencor i veprës i ka marrë kohë historianit Shpëtim Sala, sepse ka krye një punë të plotë, të saktë. Gjithanshmërit. Na flet për “kriteret e hartimit të treguesve” (fq. 339). Paraqet “Treguesi Tematik” (fq. 341-354), “Treguesi i Emrave të Njerëzve” (fq. 355-368), “Treguesi i Emërtimeve Gjeografike” (fq. 369-380). Krejtësisht 41 faqe. Nuk janë pak. Sigurisht këto japin dhe peshën e veprës të Shpëtim Salës dhe flasin për përgjegjshmëri shkencore në punën e tij studimore.
Në përmbyllje të veprës, Shpëtim Sala e kryen adetin e vet ma së mirit tue na dhanë dhe “Literaturë e shfrytëzuar” në përgaditjen e hartimin e kësaj vepre të tij shkencore, ku spikasin emra të njohur të historiografisë shqiptare e të atyne që janë marrë me jetën e veprën e dr. Ibrahim Temos, si: Zija Shkodra (shkrim studimor, Tiranë, 1962), Kristaq Prifti (monografi – Tiranë, 1987 e 1993 dhe Prishtinë, 1996), Hasan Kaleshi (Sarajevë, 1976 dhe Neë York, 1982), Bujduveanu Tanase (monografi – Konstancë, 2012); Petrit Pernaska (shkrim studimor, Tiranë, 1980), Lumturi Risvani – Përnaska (shkrime, Tiranë, 2009, 2012), etj.
Vepra “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.Sh.” (Tiranë, tetor 2015) ka një fond të pasur me fotografi të siguruara nga studjuesi Shpëtim Sala, të cilat i ka përndarë me kriter në faqe të caktuara të librit, prej tek ma e para faqe (portreti i Temos) e dekteri tek ma të fundit faqe, ku libralidhen 15 foto me ngjyra (fq.383-396) me faksimile dokumentash dorëshkrimore të I. Temos, etj. I numërova ato. Janë 58 gjithsej. Disa prej tyre botohen për herë të parë. Të tjerat janë foto të rralla. Aty gjenden dhe faksimile. Fotot i japin një bukuri të veçantë librit, veçanarisht këtij libri që është i bukur vet, i shtypur në standarte të larta bashkëkohore.
4.
E, nuk duhet me iu vnue pikën këtyne shenimeve për veprën “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.SH.” për pa e cek dhe një emër tjetër, tashma pjesë e veprës, intelektualen në pension aktiv, Lumturi Risvani, e cila i ka shkrue dy fjalë në krye librit, në hapje të tij, që duken, sit ë thuash, “qershi mbi tortë”.
Ish punonjësja e AQSH në Tiranë. Lumturi Risvani, flet “Mbi krijimin e Fondit “Ibrahim Temo” pranë A.Q.Sh. në Tiranë” (fq. 1-5), ku tregon historikun e “Fondit 19”, që zanafillon nga viti 1962 e ka pasë për kontributor studjues e arkistë të njohur si Haki Sharofi, Osman Myderizi, Jonuz Tafili, Andrea Sahatçi, Eleni Duka, Kristaq Prifti, Ferit Duka, Kujtim Nuro, Nezir Bata, Entela Muço, Krisavgji Zeqo, Arta Nika, Dodona Qyteza, Gelsu Maksutoviç.
Duhet thanë dhe kjo tjetra: Lumturi Risvani ka një punë të pandalur për të nxjerrë përditë e ma shumë e mirë në dritë e vëmendje të kohës figurën e dr. Ibrahim Temos, të cilin e ka dhe të afërt të saj në brezni genetike.
5.
Historian Shpëtim Sala është një emër që i ban nder kohës shqiptare me veprat e tij si “Fjalor Shqip-Greqisht-Italisht i Thimi Mitkos” – në dy volume me 626 faqe (Tiranë, 2013) dhe “Letra të panjohura të Nolit (2008), “Një perandor në Prizren” (studim monografik, 2008), "Këngë popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme” (2009), “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916” i shkenctarit austriak Maximilian Lambertz (përkthim);“Pogradeci në Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi” (Sprovë) (2011); “Akti i Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare” (2006, 2011); “Shkollat Shqipe në vitet 1887-1944” (2014); etj.
Kjo vepra e tij e fundit për dr. Ibrahim Temon, një nga figurat kryesore që ngriti në kambë Revolucionin Xhonturk e çoi Shqipërinë drejt Shpalljes së Pavarësisë, është një vepër si i nderon dhe autorin, dhe kohën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat