Prishtina e përlotur

Opinione

Prishtina e përlotur

Nga: Fadil Lepaja Më: 13 tetor 2015 Në ora: 13:29

Prishtina mbrëmë ra në gjumë e përlotur. Nënat si nëna, të brengosura për djemtë, dhe vajzat e tyre, qofshin ata polic apo opozitë, e kishin më së vështiri. Por kujt i bënë për to?! Politikës tonë i intereson veç nëna Shqipëri, apo Kosovë. Askush si përmend ato nënat tona që mblidhen e bëhen shuk, dhe qajnë, sa herë që nga foltorja e parlamentit apo me megafon, ndokush e përmend mamanë e vet ideologjike apo politike.

Pra lotët në Prishtinë nuk ishin lot gëzimi. Nuk ishin as për kombëtaren kuq e zi e cila na dha të pimë “Red bull”. Lotët e mbrëmshëm në Prishtinë, nuk ishin lot gëzimi. Populli po qante nga lotsjellësi.

E në Tiranë, atmosfera ishte krejt tjetër nga ajo në Prishtinë. Populli i harroi për pak çastet krejt telashet e përshtatjes me kërkesat e BE nga pakoja e integrimeve, apo përpjekjet e klasës politike për të simuluar vetëvrasjen, me të cilin rast do të pësonte vetëm krimi, ndërkohë që politika do të mbijetonte.

Kryeministri Rama, i pakënaqur me kamerierin e ngathtë, e kapi vet tabakanë dhe e shërbeu De Biasin. Edi, spontan ...! Ai, si zakonisht e mori për vete krejt atë energji pozitive nga fitorja në Armeni, e cila dorën në zemër, na befasoi të gjithëve. Së paku nëse shohim nga dritaret e bastoreve! Më e befasuara ishte vet kombëtarja, por ajo e mori veten shpejt, kur e kuptoi se armenët e kishin vendosur të humbasin me çdo kusht. E patën vështirë derisa e kuptuan se sa gola po i duan në portën e tyre. Pastaj e ua mbushëm portën. E kishim nga mllefi i betejës së Elbasanit. Nejse, fitores “nuk i shikohen dhëmbët”!

Lajmi i mirë është se më në fund dolëm edhe në ballinën e “Wall Street Journa”l. Kjo nuk është një gazetë roze ku dalin këngëtarët, mafiozët, apo (porno) yjet. Është gazetë serioze nga e cila merr drejtim vet politika globale. Në fotografi, Kuvendi i Kosovës dukej i bukur, egërsisht i bukur, gati krejt i mbuluar në mjegull, e cila gjithsesi është politike. Lajmi i keq është se parlamenti nuk lahej në mjegull, por në lotësjellës. Me rëndësi me të përmend, mediat. Po na njohin, ndërkombtarisht.

E lotësjellsi është bërë instrument politik, në Kosovë. Përpos shtetit, edhe revolucioni po e hedh ku po i teket. Pra, nuk e përdorë më vetëm policia. Ky është rreziku nga fëmijët e rritur me lotsjellës. Nuk rrinë dot pa të. Kur mundet “Skenda” muzikal, Ministri i Brendshëm kosovarë, të hedh lotsjellës, përse nuk mundem unë, duket të ketë thënë më vete Albini ambicioz, dhe pa kompetenca kushtetuese, e shpërndau parlamentin. Dikush u përpoq të ia kujtonte atij, se kjo nuk është e ligjshme, po ku dëgjon për ligjin, revolucioni.

Nuk do të shkojë shumë, dhe sipas kësaj logjike, opozita do të dal në shesh e veshur me uniformë, dhe me gaz-maska e policët të veshur në civil do të arrestojnë uniformat. Opozita kur të ndiqet nga sheshi, do të strehohet në parlament. Natyrisht, pozita do të e lëshojë parlamentin, nëse është nevoja. Kështu së paku ka premtuar kryeparlamentari, në përpjekje për me e mbajtur opozitën me çdo kusht në parlament.

Populli si zakonisht, i hutuar dhe i përlotur, në orët e vona të natës ikë në gjumë. Një gjë është e sigurt: kushdo që e hedh lotsjellësin, populli po qanë.

Përndryshe, e kemi dëshmuar se demokracia te ne funksionon edhe pa parlament. Edhe pa shtet. Madje edhe pa popull.
Se populli i zgjodhi përfaqësuesit. Shteti global po na bënë operacion nën llupë. E “sovrani”, populli, i ulur, apo i shtrirë përpara ekraneve të sheshta, po e përcjell drejtpërdrejtë nga sheshi, apo parlamenti se si po shpërfaqet vullneti i tij.

Pra, Albini, në mënyrë antikushtetuese e shpërndau parlamentin, me lotsjellës. Por kush ka nge për kushtetutë, njeri. Derisa deputetes së bukur dhe të brishtë, e cila vjen nga Drenica heroike, i ra të fiktë, dhe dukej sheshit se po turpërohej që po e lëshonte fushëbetejën dhe po e linte partinë nën mëshirën e opozitës, deputetja tjetër e PDK, përkundrazi po ankohej në opozitën e cila e bllokoi parlamentin, duke harruar se ishte ajo vetë e cila edhe fizikisht e bllokoi parlamentin për gjashtë muaj, duke mos e lëshuar karrigen e kryesueses as edhe për një çast të vetëm, derisa “e krijoi” këtë koalicion qeverisës.

Edhe kryeparlamentari, të cilin edhe në mediat e partisë e quajnë vetëm kryetari, për të shprehur rolin e tij aktual në vend, i befasoi të gjithë me durimin e tij, me gatishmërinë për me e respektua opozitën pafundësisht, dhe mos me lejua që në asnjë mënyrë që pushteti të mbetet pa opozitë, pra pa legjitimitet. Kur i ka numrat, koalicionit i duhet edhe legjitimiteti. Legjitimitetin e merr nga opozita. Kjo po e thyen edhe stereotipin për të si njeri të ashpër, i cili kishte udhëhequr një shërbim të fshehtë, për të cilin po ashtu fshehtazi flitej, ajo që tash flitet publikisht.

Për dallim prej Blertës,së brishtë, Albulena deputetja luftarake e “Vetvendosjes” ishte krejtësisht “shkrepa –shkrepa”, siç edhe na mëson edhe vet kënga. Nëse e kam ngatërruar këngën, të më falë deputetja, por nuk munda me i rezistue krahasimit. Ajo zbuloi edhe armë të tjera të rrezikshme, që përdorë pushteti kundër opozitës, vdekjeprurëse madje, dhe është çudi se si ato nuk janë përdorur më parë në luftime. Kjo armë doli të jetë gota, dhe jo çfarëdo gote porse veç ajo me të cilën deputeti i LDK , nuk deshi të lagë askënd me ujë sikur bëri Albini me Xhavitin, por e gjuajti atë drejt opozitës, me qëllim të vetëm për të ... vrarë. Kështu po e kualifikon opozita. Pra, opozita kishte gjuajtur me ve, por vezët nuk janë armë. Ato anë ushqim. Le krejt.

Me këtë rast pësoi edhe stereotipi tjetër për Albinin. “ Ai lexon gjithë ditën po më thoshte një adhurues i tij[.“Lexon edhe duke hangër buk. Lexon në autobus. Lexon në veturë . Lexon në aeroplan. Lexon në shtrat”.
“E çka bënë tjetër Albini, përpos që lexon “, e pyeta? Veç lexon!

Gjithsesi, nuk e pyeta se çka lexon. Mund të më përmendë ndonjë autorë që nuk e njoh, dhe ky do të ishte edhe një argument më shumë, se Albini ka të drejtë të bëjë gjithçka, edhe me hedhë lotsjellës në parlament, vetëm sepse policia paska hedhur më parë në shesh. Tash policia duhet të vij e të thyej xhamat e parlamentit, apo çfarë?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat