Të bësh “shaka” me simbolet

Opinione

Të bësh “shaka” me simbolet

Nga: NDUE DEDAJ Më: 8 tetor 2015 Në ora: 12:51

Simbolet janë të shenjta dhe jo të gjitha shenjat e së kaluarës janë simbole. Aq më keq kur fut “duart” në to për t’i trazuar, ndërruar vend, për t’u dhënë më pak a më shumë shkëlqim, nis përdorja e tyre, ndaj është i natyrshëm reagimi i publikut, detyra e të cilit nuk është të dijë historinë me pikë e me presje, por të ndihet mirë prej saj. Ka kohë që kemi probleme me simbolet, keqkuptime me to dhe për to. Një palë i ngreh ditën, një palë tjetër i shkreh natën.
Një aksion spastrues nisi pas 90-s kur u rrafshuan të gjitha shenjat datuese të periudhës 1944-1990, lapidarët e dëshmorëve, pllakat e bazave të Luftës etj., që për hir të së vërtetës ishin me tepri. Ndërkohë që u ngritën shtatore të reja të merituara e të pamerituara. Pas një heshtjeje disavjeçare, befas kjo puna e simbolikave u rikthye, bile me hov. Nisi në Kavajë me heqjen e obeliskut të demokracisë, ngaqë do të kryheshin punime në qendrën e qytetit. Spostime monumentesh, me shkakun apo pretekstin e punimeve në qendrat urbane, ka patur dhe tjetërkund, ku pas rikonstruksionit të shesheve të qyteteve është parë të ikë një shtatore pak më thellë në “pyllin” e parqeve dhe të dalë më në pah një tjetër. Edhe vetë Skënderbeu e ka pësuar nga kjo, i është dashur që vendin qendror në mes të qytetit të Burrelit t’ia lërë Mbretit Zog.
Na duket shqetësuese përdorja e disa simboleve për të nënvizuar sense politike, krahinore apo fetare, pavarësisht fshehjes së këtij konteksti. Ndonëse koha ka treguar se simbolikat e sajuara e fabrikuara bien shpejt, pasi nuk i ngjisin publikut dhe aq më pak historisë. Dihet që vlera e një simboli është gjithpranueshmëria e tij, edhe kur ai është me ngjyresë religjioni, pasi harmonia fetare parakupton në radhë të parë respektimin e shenjave të besimit të tjetrit. Në Lezhën dybesimshe askush nuk shqetësohet nga kumbonët e katedrales, ashtu si askush nuk bezdiset nga zëri i hoxhës që thërret besimtarët për të falur namazin. Atëherë përse jepet shkas për debat me anë të gjesteve të pamenduara “historike”?
Ka dy javë që na ka mbërthyer historia e pllakës së Sulltan Sulejmanit në kalanë e Lezhës, e fort-reklamuar nga disa dhe e kundërshtuar po fort nga disa të tjerë, pa mundur askush të na thotë se pse u “zbulua” vetëm ajo pllakë sulltanore e shekullit XVI dhe u vendos në njërën nga portat e kalasë?! Nuk mund të mos pyesësh me këtë rast, pse ministria e Kulturës, kur iu fut kalasë së Lezhës, nuk i shkoi asaj në rrënjë, t’i shkundte të gjitha mbishkrimet e vjetra nga pluhuri dhe t’i ngjiste në mure, por veçoi vetëm atë të Sulltan “vëllait”, që sipas ndokujt po ia pëlqyekemi telenovelat, por jo dhe atë pllakën! Ama duke nxituar nga zyrat të na thuhet se qenka dhe një mbishkrim latin që do t’u vika së afërmi, sikur kjo t’i vinte gjerat në vend, të krijonte atë ekuilibrin e duhur! Njëlloj pazari, për hir pllakës që bëri zhurmë, hajde të vëmë dhe dhe një “ndryshe” nga ajo, që të mos kenë ç’të thonë kundërshtuesit e Sulejmanit, që nuk janë vetëm katolikët.
Problemi është i thjeshtë, nëse ai mbishkrim arabisht do të gjendej në muret e kalasë prej motesh, do të ishte pa kuptim që të hiqej sot prej aty, kurse ndryshon puna që ta marrësh nga muzeu dhe ta mballosësh në mur, pa u shpjeguar më parë për publikun se në ç’rrethana qe hequr. Se, siç është thënë me të drejtë, nëse ndodhi që pllakën e Sulejmanit e hoqën kryengritësit e vitit 1911-1912, që janë “pushtuesit” e fundit të asaj kalaje, në të vërtetë çlirimtarët historikë të saj, nuk na lind e drejta neve ta rivendosim prapë. Por dhe nëse ajo pati rënë vetiu nuk është aq e lehtë rivënia e saj pas njëqind vitesh, pasi nuk po ngre lart ndonjë “pllakë” të shkruar nga Gjon Gazulli a Marin Barleti. Edhe mbishkrimin e famshëm të Shtetit të Arbërit ne e kemi në Muzeun Kombëtar dhe jo të ngjitur në fasadën e godinës së Presidencës apo të Kryeministrisë. Ashtu siç nuk na falet ta dëmtojmë duke e spërkatur me bojë të zezë pllakën relike, dhe pse ajo është e Sulejman pushtuesit. Çudia është se tani që kalaja e Lezhës na është zemëruar me pllakën e pafat po dëgjohen zëra se ajo kala nuk paskësh luftuar dhe aq në kohët e mesjetës, bile na kishte qenë e shkretuar për shumë motmote, deri sa kishte dalë shpëtimtari i saj “i madhërishëm” dhe e kishte rindërtuar, sipas fjalëve të pllakës, duke ia bekuar fronin si sundimtar?! Por dokumentet e paraqitura nga Aurel Plasari në artikullin e tij shkencor “Damjanë dhe sulltanë” nuk lënë vend për gjykime nihiliste me të kaluarën e kësaj apo asaj fortese. Vërtet nuk e shohim prapë si armik Sulejmanin pas pesëqind vitesh, por dhe t’i japim nder nuk na duket punë me mend, pasi nuk mund ta kishte atë ndër shqiptarë ai dhe asnjë sulltan tjetër.
Plot herë me simbolikat kombëtare është vepruar drejt, sidomos në Kosovë, me shtatoret e Skënderbeut, Nënë Terezës, Bill Klintonit, Ibrahim Rugovës, apo New Bornin, si një antipod i Murit të Berlinit etj. Mjaft e spikatur është dhe shtatorja e Gjergj Fishtës në Lezhë (realizuar me fondin e ministrisë së Kulturës), ndërkohë që Tirana nuk ka shkëlqyer në këtë mes, të paktën me shtatoren artistikisht të dobët të Sulejman Pashës. Ashtu siç obeliskun e 100-vjetorit të Pavarësisë nuk po e mbajmë dot pa na e zhgarravitur e prishur. Tirana nuk po ia del dot mbanë sidomos me bunkeret. Një bunker u inagurua nga PD-ja para dy vitesh e gjysmë, instalacioni “Postbllok” në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, që përmban dhe elemente nga burgu i Spaçit, si shtylla galerie. Një tjetër nga PS-ja para pak muajsh, ekspozita video-muzeale “Bunk’Art” në brendësi të bunkerit antibërthamor të regjimit komunist. E fill pas kësaj dhe zbulimi i “Shtëpisë së gjetheve”, sërish një lloj bunkeri i asaj kohe. Një tjetër bunker po bëhet gati të hidhet në “treg”, tuneli i nëndheshëm i Ministrisë së Brendshme, që shkaktoi dhe një protestë të ish-të përndjekurve politikë. Asnjëra palë nuk e pranon bunkerin e tjetrës. Ata që nuk janë pyetur as për njërin dhe as për tjetrin “bunker” janë qytetarët. Çfarë iu duhen 700 mijë bunkerëve të vërtetë të Hoxhës dhe këta artistikët? Nëse dy palët politike, e majta dhe e djathta, e kanë seriozisht këtë punën e fshikullimit të diktaturës, përmes simbolikës së bunkerit, të mos ndalen në lulishtet e Tiranës, por të shkojnë e të restaurojnë kampin e Spaçit, ku ka patur aq shumë fjalë se do të kthehej në muze. Por vetëm fjalë. Turistët që do t’iu rrëfenim “bunkerët” e rinj të Tiranës do të vinin buzën në gaz me këtë sensin tonë bunkero-simbolik, duke marrë ata udhën andej nga bunkerët e vërtetë, që kjo tokë i mban në shtat si hijena të Luftës së Ftohtë pa mundur t’i shkulë dot. Kjo është arsyeja që nuk na nevojitet të sajojmë simbolika kinse monumentale.
Ministria e Kulturës kohët e fundit po restauron varrezat e Rrmajit Shkodër, përfshi dhe ato të disa figurave të shquara të kombit, si Kol Idromeno, piktor dhe arkitekt i shquar rilindas, e cila do të ishte po aq e vlerësuar nëse me një projekt të ngjashëm do të kishte restauruar dhe varrin e Hafiz Ulqinakut, një figurë fetare e atdhetare me nderim të posaçëm në rajonin e Shkodrës. Por dhe nga epoka e errët e perandorisë otomane mund të gjendeshin gjurmë me interes që lidhen me mesjetën shqiptare, si dokumentet otomane, apo kronikat e Elvia Çelebisë, arma e të cilit ishte lapsi dhe jo shpata. Nuk janë kohë aspak e përshtatshme për “shaka” pa kripë me simbolet, kur topat e shtetit islamik pa shembin tempujt sirianë dymijëvjeçarë, duke bërë që kujtesa të shkojë në zero. E njerëzimi pa kujtesë si mund të jetë?
Vërtet që institucionet qendrore apo vendore kanë këshilltarët e tyre nëpunës, por për disa nisma që lidhen me trashëgiminë kulturore me ndikim në komunitet nuk mund të “këshillohen” vetëm në nivel zyrtar. Është elita ajo që shprehet me argumente dhe publiku ai që vendos se çfarë duhet të afishohet në panteonin e kulturës rajonale apo kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat