Keqkuptimi i sprovës dhe durimit të shpije në radikalizëm dhe terrorizëm

Opinione

Keqkuptimi i sprovës dhe durimit të shpije në radikalizëm dhe terrorizëm

Nga: Shkelzen Marevci (Magjistër i studimeve të shkencave të sigurisë) Më: 6 tetor 2015 Në ora: 14:42

Jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve radikale e terroriste të cilat janë duke ndodhur në botë në emër të fesë Islame. Dhe me të drejt pyesim, a thua vallë këto veprime radikale e terroriste burojnë me të vërtet nga feja Islame? Si ka mundësi që një fe e paqes ashtu siç është feja Islame, e cila që nga emri i saj “Islam” (paqe) të tregon që këto veprime nuk mund t a kenë asnjë lidhje njëra me tjetrën, apo të jetë burim për dhunë dhe gjakderdhje? Ndërsa, në anën tjetër shumë veprime radikale e terroriste ndodhin duke menduar që aktet e tilla janë të bazuara në Islam. Jemi dëshmitar, që disa individ apo grupe terrorist veprimet e tyre i lidhin ekskluzivisht me fenë Islame. Pra, jemi me një pikë, ku domosdoshmërisht duhet të qartësohen se feja Islame dhe terrorizmi nuk përkojnë njëra me tjetrën. Për këtë mendoj që më së shumti mund të kontribuojnë hoxhallarët. Hoxhallarët këtë problematik mund ta qartësojnë nëpërmjet ligjërimeve të tyre. Por ajo që duhet të theksohet është, që pikërisht ndonjëherë mund të filloj problematika nga ligjërimet e hoxhallarëve. Hoxhallarët, pa dashje, por ndoshta nganjëherë nga neglizhenca apo mospërgatitja adekuate, mund të ndikojnë që disa individ të cilët janë të prirur për veprime radikale e terroriste, ta keqkuptojnë ndonjë nga temat e ligjëruara nga hoxhallarët. Tema e cila po që se keqkuptohet, e që mund të bëjë dëm të madh është pikërisht tema e sprovave dhe durimit.
Gjatë trajtimit të këtyre temave, hoxhallarët në vazhdimësi e kanë shpjeguar dhe thënë, që po që se je sprovuar me ndonjë të keqe (mospajtim, fjalosje, fyerje, etj), duhet të bësh durim, sepse Zoti është me durimtarët. Për hir të së vërtetës edhe unë kam këtë bindje. Atëherë cila është qasja adekuate për këtë çështje? Sipas mendimit tim, mendoj që duhet së pari ta kuptojmë mentalitetin e atyre që e dëgjojnë ligjëratën, sepse ka nga të pranishmit në ligjëratë, që janë me prirje radikale. Të tillët janë të prirur të absorbojnë dhe pastaj të veprojnë vetëm atë që është e rënd dhe e mundimshme. Të tillët veprojnë kështu, sepse mendojnë që sa më shumë të kesh mundime, aq më shumë do të kesh shpërblime, por harrojnë që mundimi jo domosdoshmërisht të sjell shpërblimin, sepse njeriu edhe duke vrarë veten mundohet, madje është mundi më i madh psikik i njeriut, mirëpo për këtë mundim dhe shumë mundime të tjera të këtij lloji nuk do të shpërblehesh, por për kundrazi, do të dënohesh me dënim të rënd nga Zoti. Pra, jo çdo gjë që të mundon të shpërblen. Fatkeqësisht, personat e tillë kanë arritur me një pikë, që sa më të mundimshme dhe në kundërshtim të jenë veprimet e tyre me të tjerët, aq më të kënaqur do të ndihen. Kundërshtimet ndaj tyre i lidhin apo krahasojnë me kundërshtimet që ju kanë bërë profetëve. Ata e krahasojnë zhvillimin jetësore Islam të tyre me zhvillimin e jetës së Profetit Muhamed. Mendojnë që duhet të reagohet në të gjitha sprovat identik me reagimet e Profetit Muhamed, p.sh kur Profeti Muhamed është kundërshtuar për një çështje të caktuar Ai ka duruar dhe madje ka këmbëngulur, sepse sprovat e tij kanë qenë me qëllime të mospërhapjes së fesë Islame. Ndërsa sot, individ të caktuar me prirje radikale kur këshillohen për ndonjë çështje të caktuar, e që nuk ka lidhje me mospërhapjen e fesë Islame, por me gabimet që i bëjnë në emër të Islamit, këmbëngulin në bindjet e tyre edhe pse nuk kanë fare të drejt, por këmbëngulin vetëm e vetëm duke e lidhur situatën e tyre me sprovimin e Profetit Muhamed, se ai ka durur e edhe ne duhet të durojmë, por harrojnë që sprovimi apo durimi i Profetit Muhamed ka qenë absolutisht brenda kuadrit të kënaqësisë së Zotit, ndërsa si ka mundësi që durimin e tyre për ndonjë sprovë eventuale ta krahasojnë me sprovimin apo durimin e Profetit Muhamed kur të tillët veprojnë kokë në vete, e jo duke u konsultuar me kompetentët (hoxhallarët), kjo është në kundërshtim me parimet Islame. Karakteri apo bindja e këtyre individëve, e cila konsiston në injorancë, mashtrim dhe manipulim fetarë, bënë që të tillët me bindje të pa luhatur të qëndrojnë në mendime të gabueshme edhe pse ata mendojnë që janë duke vepruar drejt. Në momentin që këta individ bijën preh e mashtruesve, vështirësohet mundësia për këshillimin e tyre, sepse çdo tentim në përmirësim apo këshillim për ta është i papranueshëm. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë dhe kujt po i ligjërojmë këto tema, sepse mendoj që këshillimet e tilla nuk zënë vend te të gjithë njësoj, sidomos te ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme fetare. Madje tek të tillët ka kundërefekt, sepse injorantet fetare këmbëngulin në injorancën e tyre, duke qenë të bindur se janë të sprovuar dhe duhet duruar. Kur të praktikohet feja Islame, duke mos pasur njohuri të mjaftueshme, shpeshherë bëhen gabime dhe e keqja me e madhe është se nga injoranca e thellë janë të bindur që çdo gjë është në rregull, e kjo vetëm se e thellon të keqën dhe shkon deri aty që individët me prirje radikale të radikalizohen e të bëhen shumë të rrezikshëm. Shpeshherë ndodh, që kur të këshillohen të tillët për ndonjë mendim apo veprim radikal ai arsyetohet apo e ngushëllon vetën e tij duke ngatërruar atë situatë me atë që shpesh e ka dëgjuar, se sa më shumë sprovohesh dhe të kundërshtojnë, aq më shumë duhet të durosh dhe rezistosh, sepse kështu kanë duruar profetët dhe njerëzit e mirë që kanë ardhur pas tyre, pra ky është i bindur se është nga ata njerëz të mirë që vijnë pas profetëve. Mirëpo, të mjerët nuk e kanë kuptuar, që këmbëngulja e tyre është në kundërshtim të plot me dispozitat Islame dhe jo vetëm që nuk mund t’ia ndryshosh bindjet apo veprimet e tij, por sa më shumë që mundohesh ta bindësh që e ka gabim apo kundërshtosh, aq më shumë je duke ja forcuar bindjen dhe e bënë më të pa luhatur nga qëndrimet e tij dhe kështu vazhdon deri në radikalizmin e tij. Po të marrim në analizë terrorist të cilët kanë vrarë dhe kanë terrorizuar në emër të fesë Islame, do ta vërtetojmë se ata kanë filluar së pari me praktikimin e ritualeve fetare Islame, pastaj janë kapluar nga euforia, pastaj duke qenë euforik kanë kaluar me një stad ku nuk kanë mundur t’ju rezistojnë mashtrimeve dhe manipulimeve të mashtruesve të cilët kanë vepruar në emër të fesë Islame për t’i bindur se e vërteta është në anën e tyre, pastaj mashtrimet janë bërë e vërteta e vetme dhe e padiskutueshme për ta, pastaj duke qenë të bindur se vetëm ata e kanë mirë, pikërisht në këtë fazë kanë këmbëngulur dhe i janë kundërvu me të gjitha forcat që kanë poseduar dhe me injorancë të thellë të gjithë atyre që janë munduar që t’i këshillojnë dhe për pasoj kanë përfunduar në terrorist.
Prandaj, hoxhallarë të nderuar, në këtë kohë të manipulimeve dhe mashtrimeve. Në këtë kohë kur nuk flasin kompetentet por flasin jokompetentët. Në këtë kohë kur mashtrues dhe manipulues janë mbuluar me petkun e hoxhallarëve, domosdoshmërisht duhet të ndryshoni qasjen në ligjërime, duhet që të bashkëpunoni më shumë me profesionist të të gjitha lemive, sepse ligjëratat e juaja ngërthejnë në vete nga të gjitha profesionet, ndërsa për ju është e vështirë t’i zotëroni të gjitha. Pasi që feja lidhet shumë me aspektin shpirtërorë dhe sociale, mendoj që bashkëpunimi duhet të shtohet me psikolog dhe sociolog, sepse psikologjia është shkencë që merret me aspektin shpirtërorë (psikologjike) të njeriut e do t’ju ndihmoj në përmirësimin e qasjes. Po ashtu, sociologjia do t’ju ndihmoj që ta përmirësoni qasjen në aspektin e trajtimit të problemeve shoqërore. Ju do të jeni shumë më të kompletuar në ligjërimet e juaja po që se jeni më bashkëpunues. Ligjëratat të cilat dalin mbi bazën e bashkëpunimit, janë më të frytshme për një rini më të shëndosh dhe shoqëri e shtet më të sigurt.

Shkruar nga Shkelzen Marevci

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat