Politika-fushë me gjemba?!...

Opinione

Politika-fushë me gjemba?!...

Nga: Dibran Demaku Më: 6 tetor 2015 Në ora: 13:32

Politika si shkencë si drejtim apo edhe si art i së mundshmes është si një fushë e mbushur plotë e përplotë me gjemba.Shumë nga ata që janë marrë me artin e politikës dhe që në rrugëtimin e tyre nuk kanë ditur që të ju shmangen atyre gjembave,nuk kanë mbijetuar shumë në politikë.Veçse kjo nuk mund të thuhet edhe për Kryeministrin aktual të Kosovës z.Isa Mustafën,përndryshe edhe kryetar aktual i Lidhjes demokratike të Kosovës.Ai,pra Isa,si askush tjetër në rrugën me gjemba të politikës eci labirintheve të shumta të saj në kohë dhe hapësirë të rrymimeve të ndryshme politike.Hapërimin e vetë politik e nisi në sistemin socialisto-komunist,dhe atë jo si një anëtar i thjeshtë i asaj partie,por si shef i ekzekutivit të Kryeqytetit të Krahinës së atëherëshme socialiste të Kosovës-Prishtinës,e vazhdoi si ministër i financave i Qeverisë në ekzil të Republikës së Kosovës,për të përfunduar në postin më të lartë të tashëm në atë të Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës,tash shtet i pavarur dhe sovran!Rrugëtimi i tij kaq i gjatë politik,për përkrahësit e tij brilant,ndërkaq për kundërshtarët dhe oponentët e tij politik i mjerë dhe i dyshimtë,mbase në të ardhmen mund të jetë edhe si një objekt për studiuesit e fushës së shkencave të politikës dhe të sociologjisë!
Kryeministri aktual i Qeverisë së Republikës së Kosovës-Isa Mustafa, përndryshe edhe kryetar aktual i Lidhjes demokratike të Kosovës, në artin e politikës,pothuajse në të gjitha rrymimet e saj në kohë dhe hapësirë,hynte i heshtur dhe pa ndonjë zhurmë të madhe! Të tjerët,oponentët e tij politik,bënin zhurmë nëpër rrugë e sheshe,ndërkaq Isa „me duar në xhepa“ kur nuk e priste askush,bëhej shef i ekzekutivit të Kryeqytetit,bëhej Ministër i Financave i Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil,bëhej Kryetar i Lidhjese demokratike të Kosovës,për të arritur edhe në postin e Kryeministrit të Qeverisë aktuale të Republikës së Kosovës?!Hapërimi apo rrugëtimi i tij politik ngjanë me sportin e vrapimit maratonik,në të cilin marrin pjesë shumë kandidat,por që në fund fiton jo ai që është i përgatitur fizikisht,por ai që di të bëjë lëvizje të papritura:Ai nuk e fillon garën kur e fillojnë të tjerët,por fshihet në një vend të caktuar,dhe kur të tjerët janë të lodhur dhe të cfilitur nga vrapimi i gjatë,ai del nga vendi ku ka qëndruar i fshehur dhe me vrapim të shpejtë arrinë të fitojë!Vrapuesit e tjerë habiten në fitoren e tij,sepse gjatë maratonës atë nuk e kanë parë askund,por atij fituesit nuk i bëhet vonë se ç`thonë të tjerët,me rëndësi për të është që ai është shpallur fitues nga Juria e Maratonës?!
Hapërimin e tillë politik,Kryeministri aktual i Republikës së Kosovës,z.Isa Mustafa,e përdori pas zhgjedhjeve nacionale të 8-Qershorit të vitit të kaluar!Ashtu si edhe herave të tjera,në rrugëtimin e tij politik,edhe këtë herë ai do ta priste rezultatin e zgjedhjeve me një heshtje të admirueshme.Heshtjen e tij të njohur tashmë,ai do ta përdorte edhe pas shpalljes së rezultateve zgjedhore,që për të dhe për partinë e tij,nuk ishin të favorshme! Ai edhe pas humbjes së zgjedhjeve do ta ruante qetësinë dhe në njëqetësi të admirueshme do të bënte plane se si të shpallej Fitues i Maratonës në politikën kosovare! Njëherë do t`i bashkohej „Bllokut të famshëm“ të partive humbëse të zgjedhjeve dhe për gjashtë muaj me radhë do të bënte be e rrëfe se „kurrën e kurrës nuk do të bënte koalicion me partinë fituese të zgjedhjeve,e që ishte Partia demokratike e Kosovës!Për gjashtë muaj me radhë,Isa Mustafa së bashku me Liderët e tjerë të Partive humbëse të zgjedhjeve,në „Maratonën politike kosovare“, më të gjatën deri atëherë,do shurdhonin opinionin e vendit se si ata do të bënin një Qeveri dhe qeverisje krejt tjetër?!...
Por…tashmë kur Maratona politike kosovare ishte nga fundi,Isa Mustafa ,pa zhurmë të madhe dhe me heshtjen e tij tashmë të njohur,krejt papritmas,miqtë e tij të „Bllokut“ do t`i linte me gishta në gojë,duke bërë koalicion me Partinë demokratike të Kosovës me një marrëveshje,në shkëmbim të së cilës ai do të fitonte postin e Kryeministrit të vendit?!Kështu,këtë herë Isa Mustafa do të shpallej fitues i „Maratonës gjashtëmujore politike kosovare“,Maratonë kjo e fituar në mënyrë jo krejt të ndershme,por… nganjëherë Fitorja është më e rëndësishme sesa mënyrat edhe mjetët e përdorura për të?!...
Kështu,Isa Mustafa,në hapërimin e tij Maratonik në politikë do ta fitonte edhe Postin e ëndërruar prej tij në mënyrë të heshtur,post në të cilin aktualisht ndodhet,por që ka rrezik që mos ta ushtrojë deri në fund të mandatit?!...Pas nëshkrimit tij si Kryeministër i Republikës së Kosovës të disa Marrëveshjeve me Republikën e Serbisë,skena politike e Kosovës është në një vlim shpërthyes!
Ka të ngjarë,që këtë herë Isa Mustafa duke u ulur në Karrigën e Kryeministrit të Kosovës,me dëshirë ose pa të ka shkelur në fushën me gjemba të politikës!Se si po zhvillohen ngjarjet,këtë herë vështirë s`e do të mund të mbijetojë në postin që ka aktualisht,përveq nëse nuk ndodhë ndonjë mrekulli dhe të ua ndërrojë mendjen atyre të Opozitës!Këtë herë Politika kosovare,Pozitë dhe Opozitë,ka hyrë në një Labirinth,fundin e të cilit nuk e sheh askush,apo më mirë të thuhet se nga ky Labirinth i krijuar,vështirë të dilet pa pasoja?!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat