Liria e shtypit në Europë është në rrezik!

Opinione

Liria e shtypit në Europë është në rrezik!

Nga: Nga Frank Shkreli Më: 1 tetor 2015 Në ora: 21:36

Ky është konstatimi i njërës prej organizatave më të mëdha botërore, misioni i së cilës është mbrojtja e fjalës së lirë dhe mbështetja për gazetarët anë e mbanë botës. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG) (Committee to Protect Journalists) është një organizatë me qëndër në New York, e pavarur, dhe jo fitimprurëse që punon dhe vepron në mbrojtje të lirisë së shtypit kudo në botë. Gjatë viteve jemi mësuar të lexojmë nga kjo organizatë raporte dhe kritika ndaj vendeve kun ë mënyrë konsekuente është shkelur liria e shtypit dhe ku dhunohen sistematikisht të drejtat e gazetarëve, vende siç janë Rusia, Kina, Turqia, Irani e shumë vende të tjera autoritare. Andaj, raporti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, mbi rrezikun përball të cilit gjëndet liria e shtypit në Europë në këtë moment, ishte disi si i papritur dhe i pari i këtij lloji.

Këtë shqetësim mbi pengesat ndaj lirisë së medias në Europë, KMG-ja e bëri të ditur në një konferencë për gazetarët në Bruksel më 29 shtator 2015, me rastin e shpërndarjes së raportit të parë mbi lirinë e shtypit në vendet e Bashkimit Europian (BE). Liria e shtypit në Europë është në rrezik, thuhet në raportin e KMG-së dhe shton se Bashkimi Europian e ka për detyrë morale të mbrojë këtë të drejtë dhe të kërkojë njëkohësisht llogari nga shtetet anëtare që shkelin këto të drejta, nënvijohet në raportin me titull: “Një Akt Balancues: Liria e shtypit në rrezik, ndërkohë që BE-ja përpiqet të harmonizojë masat me vlerat” europiane. Në raport analizohen përpjekjet e BE-së për të balancuar idealet e saja si një udhëheqëse globale në mbështetje të lirisë së shtypit, me ligjet e disa vendeve anëtare të saj që nuk përputhen me parimet e lirisë së shtypit. Raporti i KMG-së shqyrton gjithashtu se çka ka ndodhur kur vendet anëtare të BE-së nuk kanë zbatuar angazhimet e tyre në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe si rjedhim rekomandon masa specifike që duhet të marrë BE-ja si organizatë në terësi dhe për vendet individuale në veçanti. Në raport theksohet se BE-ja tani për tani nuk ka një mekanizëm të fuqishëm për të kërkuar përgjegjësi nga vendet anëtare të cilat nuk zbatojnë angazhimet e marra në fushën e mbrojtjes së lirisë së medias.
“Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve është i shqetësuar në lidhje me numrin në rritje e sipër të shkeljeve të lirisë së shtypit nga disa vende europiane, të cilat tradicionalisht janë konsideruar si shembuj të mirë të praktikave demokratike”, është shprehur, Jean-Paul Marthoz, korrespondenti i KMG-së në Europë dhe autori i raportit mbi rrezikun që i kanoset lirisë së shtypit në kontinentin europian. Ai ka shtuar se është gjithashtu i shqetësuar nga “Dështimi i Bashkimit Europian për të ndërmarrë masa konkrete dhe të vendosura, në mbrojtje të të drejtave të gazetarëve.” Ai theksoi se, “Nëqoftse BE-ja do të mbetet një autoritet global në mbrojtje të lirisë së shtypit, atëherë Bashkimi Europian duhet të përdor të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të ndaluar sulmet kundër gazetarëve dhe për të siguruar që të mos lejohen kërcënimet ndaj gazetarëve dhe ndaj lirisë së shtypit” në territorin e saj, ka thënë autori i raportit të parë të KMG-së në lidhje me kërcënimet ndaj lirisë së veprimit të gazetarëve dhe fjalës së lirë, në 22 vendet e BE-së.
Kjo për më tepër, thuhet në raport, pasi liria e shtypit është një prej faktorëve kryesorë që BE-ja kërkon edhe nga vendet kandidate për antarësim në Bashkimin Europian, vende siç është Shqipëria, por edhe Republika e Kosovës që pritet të bëjë lutje për antarësim – vende këto në të cilat gazetarët janë përballur me sfida të ndryshme gjatë pesë viteve të fundit, sipas KMG-së.
Në raport thuhet gjithashtu se gazetarët, në vendet që tanimë janë anëtare të Bashkimit Europian si dhe në vendet që shpresojnë eventualisht të bëhen anëtare të BE-së, përballen me kërcënime të ndryshme nga qeveritë dhe grupe të ndryshme ekstremiste. Raporti thekson se ndërsa politikat e BE-së, në sipërfaqe, duket se mbrojnë lirinë e shtypit, në shumë raste atyre u mungojnë mekanizmat e nevosjhme për të mbajtur përgjegjëse vendet anëtare, kur ato shkelin Kartën e Bashkimit Europian për të Drejtat Themelore të Njeriut. Si shembull, raporti i KMG-së pasqyron keqësimin e lirisë së shtypit në Hungari dhe rekomandon që Bashkimi Europian të jetë më i vendosur edhe në mbrojtje të lirisë së shtypit në vendet që shpresojnë të bëhen anëtare të BE-së, vende siç është Turqia, theksohet në raport.
Në lidhje me përkeqësimin e atmosferës së lirisë së shtypit në Hungari, Kati Morton, anëtare e bordit të KMG-së dhe ish-drejtoreshë e kësaj organizate dhe e cila vetë është me origjinë hungareze, është shprehur me rastin e botimit të këtij raporti se pengesat ndaj lirisë së shtypit dhe ndaj lirisë së gazetarëve në Hungari, “janë në kundërshtim të plotë me vlerat e Bashkimit Europian.” Kati Morton, gjithashtu ish-bashkshorte e Peter Jennings, njërit prej gazetarëve më të njohur të Amerikës, i cili ka ndërruar jetë vite më parë u shpreh se, “Asnjë shtet anëtar nuk duhet të lejohet të sillet në këtë mënyrë dhe pa ndëshkim”, ndaj gazetarëve dhe lirisë së shtypit. Nëqoftse këto vlera janë gjithnjë të rëndësishme për Bashkimin Europian, atëherë Brukseli duhet të provojë se masa të tilla kundër lirisë së shtypit kanë pasoja të drejtë për drejta”, ka shtuar ajo.
Siç duket si një parandjenjë e përkeqsimit të lirisë së shtypit në Europë, në Maj të vitit 2009, një grup prej 48-kryeredaktorësh dhe gazetarësh të njohur nga vendet e Bashkimit Europian, kanë përpiluar dhe nënshkruan në Hamburg të Gjermanisë, “Kartën Europiane mbi Lirinë e Shtypit”. Në Kartën prej 10-paragrafësh nënvijohen parimet bazë të lirisë së shtypit dhe të mos ndërhyrjes qeveritare në punën e gazetarëve. Qëllimi, sipas përpiluesve të Kartës, ishte që parimet e saja mbi lirinë e shtypit të ishin të njëjtat për të gjitha vendet e Europës dhe që njëkohësisht zbatimi i këtyre parimeve të ishte një kusht edhe për vendet që aspirojnë antarësimin në BE. Është interesant por edhe shqetsues fakti se liria e shtypit, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve është në rrezik në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore -- që tani janë anëtare të BE-së ose në ato shtete që aspirojnë të bëhen anëtare -- e ku 25 vjetë më parë as nuk ekzistonte liria e shtypit. Sa shpejt kanë harruar!
Botimi i Raporti të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve mbi rreziqet me të cilat përballen gazetarët dhe liria e shtypit në përgjithësi anë e mbanë Europës, nuk është një shënjë e mirë për zhvillimin e demokracisë së vërtetë në atë kontinent --25 vjetë pas rënjes së komunizmit në Europë. Duket se elitat politike dhe shoqëritë në përgjithësi ende nuk e kanë kuptuar si duhet se shtypi i lirë që kontribon drejtë informimit objektiv dhe të paanshëm të publikut, është themeli i demokracisë së vërtetë, siç ka thënë edhe Thomas Xhefersoni, njëri prej themeluesve të kombit amerikan, krye-autori i Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe Presidenti i tretë i Amerikës. Ai ishte një mbështetës i fortë i demokracisë dhe i të drejtave dhe lirive të individit, përfshirë sidomos lirinë e shtypit -- fjalët e të cilit edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të kumbojnë dhe të influencojnë botën. Njihet mirë thënja e Xhefersonit në lidhje me lirinë e shtypit dhe me rolin e gazetarit. Ndonëse ai kritikohej ashpër nga gazetat e kohës së tij, megjithkëtë besimi i tij në lirinë e shtypit dhe të gazetarit ishte aq i fortë, ndërkohë që ka shprehur bindjen se shtypi i lirë luan një rol më të rëndësishëm se vet qeveria. “Po të detyrohesha të zgjedhë ose të vendosi midis një qeverie pa gazeta, apo në favor të ekzistencës së gazetave pa qeveri, unë nuk do të hesitoja aspak të vendos për këtë të fundit”, ka thënë Xhefersoni.
Në përfundim, në raportin e Komitetit për Mbrojtjen e gazetarëve thuhet se “Dështimi i Bashkimit Europian për t’u përballur me këto sfida që prekin jo vetëm gazetarët që veprojnë mbrenda vendeve anëtare, por njëkohësisht minon edhe mundësitë e BE-së për të mbrojtur lirinë e shtypit jashtë kufijve të saj, duke krijuar kështu një alibi për politikat shtypëse të shteteve autoritare ndaj lirisë së medias në vendet e tyre. Çfarë të drejte ka BE-ja të kritikojë vendet e tjera të cilat shkelin lirinë e shtypit dhe të drejtat e gazetarit kur vet BE-ja ka mungesa në këtë fushë? Komiteti për Mbrojten e Gazetarëve nenvijon përfundimin e arritur se bazuar në deklaratat e gazetarëve dhe të mbështetësve të ndryshëm të lirisë së shtypit anë e mbanë Europës, shqetsimet e të cilëve pasqyrohen në raport, BE-ja “duke mos kërkuar përgjegjësi ndaj vendeve anëtare (që shkelin të drejtat e gazetarit dhe lirinë e shtypit), ka dështuar që me vendosmëri dhe në mënyrë konsekuente të mbrojë lirinë e shtypit”mbrenda territorit të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat