Martesa

Opinione

Martesa

Nga: Lis Bukuroca Më: 1 tetor 2015 Në ora: 19:46

„A ma ban hallall oj nane o, uuuuu uuuu uuuu. Ndoshta nuk t’ kam ngu gjithmone, uuuu uuuu uuuu! A ma ban hallall o vlla i dashtun, uuuuu uuuu. Unë po shkoj në shpi t’ huje: uuuu uuuu uuuu...”
Ajo ishte e ulur në një stol pranë derës. Kokën e kishte të mbuluar me vello, që i varej mbi fytyrë dhe mbulonte gjoksin duke zbritur gati deri në prehër. Ndërmjet rreshtave të luleve të vockla të qëndisura, shiheshin sytë e saj. Lotët i rridhnin rrëke, njëri pas tjetrit. Zëri saj dëgjohej deri në rrugë. Nëpër minder e shilte ishin ulur gra me fëmijët, që strukeshin pas tyre, me faqe të skuqura dhe sytë e përlotur. Një foshnje flinte qetë e thellë në prehër të nënës. Nora vështronte herë pas here plakat, pastaj gratë me fëmijë. Ndonjë grua fshinte lotët me shami, ndonjë vajzë vetëm me gishtin tregues të mbledhur pak, ndonjë plakë me grusht. Të gjitha ishin të zymta dhe në çdo çast pritej ardhja dasmorëve. Dy vajza shërbenin të ftuarit me çaj dhe llokume. Gratë flisnin dy nga dy mes vete, me zë të ulët. Vajtimi mbulonte bisedat e tyre dhe ato afronin kokën pranë veshit të shoqes dhe pëshpëritnin. Njëra tundte kokën në shenjë pohimi, tjetra e lëkundte në shenjë habie, e treta rrudhte mërrolët, e katërta vinte dorën në gojë dhe tjetra paloste buzët. Vajzat pasi shërbyen dasmoret, morën defet në dorë dhe vajtimi shoqërohej me rënien e dajres dhe këngës. Burrat gjendeshin në shtëpinë e fqinjit. Atje, atje nuk kishte dëfrim me muzikë. As vaje.
Nora banonte në dalje të qytetit. Atë e fejuan në katundin P., që gjendje një çerek ore larg me veturë nga shtëpia e saj. Majtas, pranë rrugës, që shpinte në katundin e burrit, gjendeshin varret.
Familja e saj ishte e varfër. I ati ishte tridhjetegjashtë vjeç dhe punonte me mëditje në ndërtimtari. Dy vite pat punuar edhe si kasap. Atë ditë të bukur e me diell, rrugët ishin stolisur me flamuj për ditëlindjen e njeriut, që të gjithë e thërrisnin shok; kudo flamujt e Jugosllavisë dhe flamujt e Maqedonisë nëpër ndërtesa dhe shtylla.
Pasdite, aty nja dy orë para se të binte muzgu, erdhi kushëriri, Zidushi, në rolin e shkuesit për herë të pestë. Pasi pinë tre çaje me limon dhe tymosën dhjetëra cigare, njërën pas tjetrës, i ati i Norës, Ibush Dani, u ngrit në këmbë dhe foli: “ Boll ma kusho, i koftë hallall Nora dhe ia pafshin hajrin! ” Ata i shtrënguan dorën njëri tjetrit dhe u ulën përsëri në minder. Nëna e Norës psherëtiu thellë. Ajo zbriti shaminë drejtë syve dhe fshiu lotët. Vëllai dhe dy motrat e Norës, vrapuan në dhomën tjetër ku gjendej ajo. Pas tyre, edhe nëna. Nora kishte lidhur kokën me një shami nga dhembja.

Zidushit i dhanë edhe një bohçe të qëndisur si shenjë se marrëveshja ishte lidhur për gjithmonë: me vlerë përjetësie, këtu dhe atje. Këtu poshtë, në Tokë, dhe atje lart, në Qiell. Pasi iku ai, i dhanë Norës fotografinë e burrit. Ishte një portret i vjetër i një ushtari me mustaqe dhe me yll në kapelën ushtarake. Nora e hodhi anash pa e shikuar fare dhe i tha së ëmës se nuk do ta marrë kurrë atë plak dhe se nuk do të bëhet kurrë nuse. Marrëveshja mirëpo ishte lidhur dhe pazari u bë deri në detaje më të imta.

Pas tri ditëve, erdhi Zidushi edhe një herë dhe solli para për ta bërë pajën. Nora ishte në kopsht duke ujitur, i ati duke prerë drunj në një cung, kurse e ëma para shporetit. Nora i hodhi një vështrim përbuzës kushëririt dhe vazhdoi me ujitjen pa e përshëndetur. Ai i lëshoi në dorë Ibush Danit një tubë parash dhe i tha se me këto mund të bëhet një arkë e mirë me të qëndisme. Ibush Dani futi gjysmën në xhep dhe thirri Norën për t’ia dhënë pjesën tjetër.
“Jepja nanës dhe bleni gjanat bashk!” Kur ajo hodhi paratë përtokë, i ati e zuri për flokë, ngriti sëpatën në ajër dhe i tha: “Unë ta pres kryt si pulës! Ni gjalë kish fitu dhe m’kish nimu, ty s’ta shef hajrin kërkush”, bërtiti ai. “ Ti mun m’ i zgjedh kundrat, jo burrin, shtriga e keçe!”, vazhdoi ai me zë kërcënues. Nga Ibush Dani kishin frikë edhe në lagje. Pas punës në mishtore, pat therur një shqiptar me thikë, por nuk e burgosën.
Qafa e saj ishte lakuar anash dhe Nora shikonte sëpatën duke u dridhur. Zidushi ia mori nga dora dhe nga ballkoni bërtiti e trishtuar nëna e Norës. Ajo iku brenda duke qarë. Ata tymosën një cigare në oborr dhe u ulën në ballkon. Atë ditë u caktua edhe dita kur do të vinin vjehërria për herë të parë.
Nora ia nisi pajës, por nuk mendonte kurrë se do të bëhej nuse. Që nga ajo ditë, në gjumë i shfaqej kjo ngjarje dhe zgjohej e trembur dhe mezi merrte frymë. I frynë tri herë te një hoxhë, pastaj i blenë edhe një hajmali, por gjendja e saj nuk ndryshonte.
***
Kur qe lindur Nora, pat mbetur dy ditë pa emër. I ati qe zhgënjyer pse fëmija i parë ishte vajzë dhe iu kërcënua shoqes se do t’ia falë dikujt. Me të dëgjuar këtë, mësuesja, që ishte fqinja e parë, shkoi pasdite për të pirë një kafe. Ajo pas dy orëve bindi Ibush Danin ta mbajë fëmijën dhe në praninë e saj, e pagëzuan Leonora. Ndoshta për ta harruar atë ndodhi, ndoshta pse ishin mësuar me të, prindërit e quanin vetëm Nora, kështu e quanin edhe të tjerët në lagje.
***
Pas katër viteve të fillores, Norës ia ndaluan vijimin. Ishte nxënësja më e zellshme, më e suksseshme në shkollë. Ajo ëndërronte ta vazhdojë, por burrat ishin të bindur se çikat, që shkojnë në shkollë, bëhen “kurva” ose “shkina”.
Në moshën dhjetë vjeçare, Nora ia nisi stërvitjes në punët e shtëpisë. Në fillim duhej të bënte vetëm punë të vogla: të fshinte dhomën, t i pastrojë xhamat dhe t’i varë rrobat në një tel të oborrit, që ishte lidhur në mes dy pemëve. Më vonë nisi edhe me kuzhinën: fërgimin e specave, vezëve, gatimin e bukës, lakrorëve dhe përgatitjen e fasules. Pastaj u mësua t’i lajë rrobat me duar dhe aty nga mosha katërmbëdhjetëvjeçare mësoi edhe hekurosjen e pantallonave dhe këmishëve; përgatitjen e turshive dhe shërbimin e plotë të familjes. Përveç mirëmbajtjes së shtëpisë, prindërit ia mësuan edhe nënshtrimin si kusht të mbijetesës në bashkëshortësi. Mbi të gjitha, mbylljen e gojës si domosdoshmëri dhe respektimin e pakusht të çdo qenie njerëzore në shtëpinë e burrit. Edhe shtazore, nëse kishte tek ai. Shpesh i thoshin se do ta zgjedhin burrin më të mirë për të. I ati e quante “kralicë”. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, Nora nisi të kujdeset për anën e vet të jashtme. Ajo merrte modele të fustaneve nga gazetat dhe i qepte vet.
Si gjashtëmbëdhjetëvjeçare u shndërrua në një vashë të bukur, me flokë si mëndafshi dhe të gjata deri në bel: me sy të mëdhenj, qafë të gjatë, fytyrë të këndshme dhe ëmbëlake, të larë dhe engjëllore. Kur flitej në lagje për një vajzë të bukur dhe të ndershme, gjithmonë përmendej emri i saj: “Nora! Nora është princeshë. Lum ai që ka fat Norën.” Me të mburreshin prindërit dhe lagjja: e bukur dhe e hajthme si sorkadhe, e bardhë si lulebora, e dëgjueshme dhe e pagojë si askush. “Ah, Norë nuk lindet më”, thoshin burrat dhe gratë. Madje, edhe fëmijët e lagjes e donin Norën. Veshjet e saja ishin të thjeshta, të pastër gjithmonë dhe të qepura me shije. Ajo krihej dhe zbukurohej para pasqyrës. Edhe në qytet, kur kalonte pranë ndonjë xhami me prindërit, ngadalësonte hapin, shikonte trupin dhe tundte kokën për t’i shpupurishur dhe dallgëzuar flokët e gjata. Flokët hidheshin në ajër dallgë-dallgë dhe pastaj ktheheshin për t’u palosur përsëri mbi supet e saja. Kjo sjellje e re trazoi t’ atin dhe nisi ta shohë me dyshime dhe frikë. Atij nuk i pëlqente se ajo merrte gazeta dhe romane nga shoqet. Atij nuk i pëlqente se bija lexonte. Atij nuk i pëlqente se ajo zbukurohej edhe më para pasqyrës. Hamendjet e tija u vërtetuan një ditë kur erdhi në shtëpi një kartolinë anonime. “ Nora, un t’ du shum!” Kjo i prishi gjakun dhe pezmatoi të atin. Ai e rrahu me një zorrë të çezmës, pastaj mori gërshërët dhe ia preu flokët. Ibush Dani ishte i bindur se Nora dinte kush ishte dërguesi. Në fillim, ia ndaluan gazetat dhe romanet, pastaj edhe daljen në qytet.
Ajo nuk dilte më as para dere për të biseduar me ndonjë shoqe. Mbante një shami në kokë dhe sa herë dilte jashtë, nxitonte ndërmjet pemëve të oborrit për t’i marrë rrobat e thara. Edhe prindërit nuk ishin më të kënaqur me punën e saj. Filluan qortimet e përditshme për mospastrimin e mirë të shtëpisë dhe kjo gjendje shkaktoi pakënaqësi dhe zhgënjim.
“Kjo po do burrë, i tha Ibush Dani shoqes. Ajo u mendua ca dhe tha: “heh, o njeri, ndoshta i ka ardhë koha”, dhe vazhdoi me gatimin e flijës.
Pasdreke Ibush Dani doli në qytet dhe para kafenesë takoi kushëririn e vet nga nëna, Zidushin. Duke pirë kafe i tregoi se Nora po halitej shumë dhe se sjelljet e saja tregonin se ajo dëshironte burrë.

“Qamurani”, tha ai pa u menduar shumë. “Qamurani punon me mu, e njoh mirë. Vjen nga ni familje shum e pasme dhe sigurisht i merr gjith harxhimet e darsmës. Unë kam fol me atë”
Para disa javëve Ibush Dani pat kundërshtuar këtë fejesë. Edhe atëherë qe fjala për Qamuranin. Ai ishte njëzetenëntë vjeçar. Kishin shumë tokë dhe punonte edhe në ndërmarrjen ku prodhoheshin dërrasat. Ata kishin disa lopë, dhjetëra dele, dhjetëra pula dhe vetëm një këndes. Një traktor dhe disa hektarë tokë. Qamuranin nuk kishin mundur ta martojnë më herët, jo vetëm pse ishte nga fshati P., jo pse kishte edhe shtatë vëllezër dhe katër motra, por shumë herë ishte parë i dehur nëpër kafene me “shkina”. Ishte rrahur shpesh me njerëz dhe një herë pat qëndruar gjashtë muaj në burg sepse pat rrahur një maqedon, por, dy vitet e fundit ishte qetësuar. Për ta lehtësuar martesën e tij, i ati i bleu edhe një makinë të madhe.
Pasi hyrën edhe disa veta në kafene, ata folën me zë të ulët. Në fund, para dere, duke u përshëndetur, i premtoi se do të flasë edhe me të shoqen.

***
Disa ditë para dasmës, Ibush Dani e shiti lopën. Nuk e shiti përgjithmonë, por e shiti përkohësisht. Në lagje flitej se kishte shitur bijën. Duke shkuar në “pazarin e xhave” i kishte thënë një fqinji se ishte i detyruar ta shesë lopën. “Darsmja po kushtojke shum”, kishte thënë ai. Pas dy orëve qëndrimi në pazar, ai shiti lopën dhe duke i shtrënguar blerësit dorën tha: “ Të koftë hallall lopa dhe ia pafshi hajrin.” Blerësi u nis ngadalë duk tërhequr lopën për kërpeshi pas vete. Ibush Dani futi paratë në xhep, i nxori edhe një herë, i rinumëroi dhe u nis edhe ai duke përshëndetur blerësin me dorën në ajër.
***
Në orën dymbëdhjetë u dëgjuan sirenat e makinave, disa çaste më vonë lakuan në rrugicën e Norës. Ishin dhjetë dhe njëra pranë tjetrës, u ndalën pranë oborrit. Gratë u nisën drejtë shtëpisë së Norës, burrat u shoqëruan nga mikpritësit në shtëpinë e fqinjit, që ishte pranë. Oborri ishte rrethuar me një mur gati dy metra. Në kanatën e majtë të portës së madhe, ishte integruar edhe një deriçkë. Djathtas gjendej ahuri pa lopë dhe para dere me shputa të shtrira mbi kashtë, dremiste qeni Laro. Dasmorët nuk qëndruan shumë dhe aty pas një ore e nxorën Norën në ballkon duke e mbajtur dy gra për krahë. Këmbët iu kishin dobësuar shumë.

Nora ngriti kokën dhe pa grumbullin e njerëzve para shkallëve. Ndjeu se po i dobësoheshin gjunjët dhe dy hallat, që po e mbanin piskatën: “ujë, ujë!” I lagën pakëz fytyrën duke u kujdesur shumë të mos i lagnin velin dhe fustanin e bardhë. Ajo përpëliti disa herë qerpikët. Ngriti kokën, shikoi përsëri njerëzit, që e përcillnin pas çdo hapi dhe uli shikimin. Shkallëve zbriti shumë ngadalë dhe ktheu kokën të shikojë shtëpinë edhe një herë. Dy çupa i ngritën pakëz fustanin para, një tjetër pas dhe ajo ngriti këmbën për ta kapërcyer pragun e fundit të shtëpisë tek dera e oborrit. Aty u dobësua përsëri dhe, edhe një herë u dëgjua një zë trishtues i hallës duke bërtitur bijës: “ujë, ku e la ujin mëri, toka t’ lëshoftë”!
“Do t’ gazojna, na i mori ftyrën!”, tha Ibush Dani. Askush nuk iu përgjigj. Sapo çeli sytë, e futën shpejt në një makinë të madhe dhe e ulën prapa. E ëma i dha me vete edhe një shishe ujë. Pas saj hyri vjehrra. Ajo u ulë djathtas, majtas kunata. Vjehrri u ulë para.
Një kukuvajkë fluturoi tri herë rreth kulmit të shtëpisë, ngadalësoi rrahjen e flatrave për t’u ndalur mbi pullaz, por vazhdoi fluturimin e pasigurt dhe u ndalë në shtyllën e majtë të portës së madhe. Të gjithë u shikuan në mes vete. Një çun bëri një top bore dhe gjuajti në drejtimin e saj. Kukuvajka e trembur fluturoi menjëherë dhe u lëshua mbi pullazin e shtëpisë së Norës. Atje zgjaste qafën dhe shikonte për rreth.
Edhe nga shtëpia tjetër nisën të dalin burrat jashtë për t’u takuar me gratë e tyre para makinave. U përplasën dyert e veturave, pastaj buçitën sirenat dhe kolona u nisë drejt fshatit. Kukuvajka fluturoi. Disa e përcollën me bisht të syrit, pa lakuar kokën dukshëm. Ajo fluturoi edhe një herë rreth shtëpisë dhe vazhdoi fluturimin drejt qendrës. Nëna e Norës mori frymë thellë dhe fshiu lotët.

Vetëm prindërit e saj dhe familja e burrit dinin se Nora në fillim të dhjetorit kishte dashur të bëjë vetëvrasje me medikamente. Kjo ishte arsyeja pse u nxitua me dasmën, e jo siç ishte paraparë, në verë, deri sa t’i rriteshin mirë flokët dhe t’i mbushte shtatëmbëdhjetë vjet. Mjekimi u mbajt fshehtë dhe pasi doli nga spitali, mbikëqyrej edhe më shumë. Kur kaluan pranë varreve, Nora shikoi tërë kohën në atë drejtim. Madje, edhe kur i lanë pas vete, ajo ktheu kokën edhe një herë. Makinat nuk ngisnin më shumë se tridhjetë në orë dhe në hyrje të katundit, një dorë nxori një jastëk të qëndisur nga xhami i makinës së parë. Dhjetëra të rinj iu vërsulën jastëkmbajtësit për t’ia marrë atë. Vetëm disa minuta para hyrjes së makinës në shtëpi, një kushëri i dha jastëkun Qamuranit dhe ai pagoi.

Makina e parë u ndalë pranë një grumbulli të madh të borës. Veturës iu afruan tre rom: njëri me daulle, i dyti me klarinetë dhe i treti me harmonikë. Ata dridheshin dhe bënin muzikë përjashta. Qamurani shtirej se nuk kishte parë makinën dhe vazhdonte me vallëzimin: i qeshur, i gëzuar, i ngazëllyer, plot hare dhe i veshur bukur me një kollare në qafë. Kishte pantallona të zeza, këmishë të bardhë dhe një mantel të trashë të lëkurës, ngjyrë bezhë. Gratë e zbritën Norën nga makina. Dikush nga dasmorët thirri Qamuranin. Ai ngriti kokën lartë, fshiu ballin dhe eci krenar duke nxjerrë gjoksin para. U takuan ballë për ballë, rreth tij vëllezërit dhe motrat. Pak më tutje, prindërit, hallat, tezet, kushërinjtë dhe shumë të ftuar.
“Ky është burri yt”, i tha vjehrra duke treguar me gisht drejt Qamuranit. Ai zgurdulloi sytë dhe hapi gojën kur pa Norën. Shikimet e tyre u takuan për disa sekonda dhe Nora vari kokën përsëri. Vjehrra dhe kunata e madhe e mbanin për krahë dhe dalëngadalë e hipën në katin e dytë dhe e ulën në një stol pranë derës. Qamurani kërceu edhe një valle në oborr, pastaj nxitoi edhe ai shkallëve përpjetë, pas tij vrapuan edhe disa të rinj, që kishin ngelur poshtë. I ati i Qamuranit i pagoi muzikantët dhe ata ikën me instrumentet e tyre.
Vjehrra bëri shenjë me kokë, kunata iu afrua Norës dhe i tha diçka në vesh. Ajo u ngrit në këmbë. Kunata ecte para saj për t’i treguar se kujt duhet t’i marrë dorën.
Nora shikoi gjithë ato gra brenda, ata burra dhe ata fëmijë. Ato fytyra plot gëzim dhe uli shikimin.
“Mas pari vjerrit!”, tha kunata.
Nora i mori dorën. Një herë në mjekër, një herë në hundë dhe një herë në ballë. Radhën e kishte vjehrra, pastaj burri dhe më në fund të gjithëve në dhomë, edhe fëmijëve.
Kur u ul përsëri, Nora u përpoq të kuptojë domethënien e përkuljes dhe marrjen e dorës. Përkuljen e trupit gati në palosje të plot, nuk ka nevojë ta shpjegoj, tha me vete. Kjo domethënë nënshtrim tërësor, i plotë, i pakundërshtueshëm dhe i pandryshueshëm në këtë botë dhe në tjetrën. Me prekjen e mjekrës dhe hundës, mendoi ajo, sigurisht u premtohet mbyllja e gojës, qepja e saj nga mjekra deri te hunda dhe, duke prekur ballin, në fund, u premtohet se do të jenë ballëlart dhe krenar me të, me shërbimet dhe me nënshtrimin e saj. Unë nuk do të jem unë, por do të jem ashtu si dëshirojnë ata. Unë do të jem ata, jo unë! Ata janë unë, unë nuk jam më unë, tha me vete Nora. Edhe emri më zhduket. Tani e tutje quhem vetëm Nuse.
“Nuse, nuse”, bërtiti kunata tjetër duke i lëshuar pranë dorës një enë me plot gota për t’i shpërndarë pije dasmorëve. Ajo u ngrit dhe u habit me forcën e vet dhe punën që kreu pa ndihmën e askujt. U ulë përsëri në stolin e vet pranë derës. Sa herë hapej ajo, Nora ngrihej. Sa herë mbyllej dera, ajo ngrihej përsëri. Fëmijët herë luanin në dhomë, herë në korridor. Dera hapej e mbyllej pa pra. Disa vajza me defe në duar këndonin para saj: “...a ma mirë te na a te baba, te nana te baba fukara...!” Nora ngriti pakëz kokën, i pa njërën pas tjetrës dhe mbylli sytë përsëri. Muzika vazhdoi deri në mbrëmje dhe nëpër shumë këngë dëgjoheshin fjalë tallëse, përbuzëse dhe ngacmuese.

Kur u ulën rreth sofrës, Nora piu vetëm një gotë ujë dhe hëngri vetëm dy lugë oriz. Aty rreth orës nëntë, shumica e dasmorëve ikën. Mbetën vetëm halla, teze, disa kushërinj, disa kushërira, vëllezërit dhe motrat e Qamuranit. Vjehrra i foli Norës diçka në vesh dhe i bëri shenjë bijës me dorë. Ajo eci lëndimthi, sikur të ecte mbi gozhda dhe hyrën në dhomën e fjetjes. E lëshuan mbi krevat me shumë kujdes, sikur të ishte njeri prej bore dhe dolën jashtë. Kur dëgjoi zhurmën e mbylljes së derës, ajo i hodhi një shikim të shpejt dhomës, rënkoi dhe mbylli sytë përsëri. Qamurani vallëzoi edhe një valle, pastaj iu afrua daja dhe i foli diçka në vesh. Ai pohonte duke lëvizur kokën. Pastaj iu afrua edhe i ati.
“Ngo babës, ka çika që nuk janë çika dhe i luten burrit mos me flet sonte bashkë. Sot mun me lishu, nesra jo”, tha ai. Ai tundi përsëri kokën. Pranë derës i mëshuan Qamuranit në shpinë dhe e shtynë me vrull në dhomën e fjetjes. Dera u mbyll pas tij dhe nisi përsëri kënga. Ai mbylli qoshet e perdes me kujdes dhe u ulë pranë saj duke i zbuluar fytyrën dhe pastaj i hoqi edhe velin. Faqet e Norës ishin të skuqura dhe dukej se po vuante nga zjarrmia.
“Unë jam Qamurani”, i tha ai dhe shtriu dorën. Nora zgjati dorën ngadalë dhe e lëshoi mbi dorën e tij duke kthyer kokën anash. Dora e saj e ftohtë u lëshua mbi dorën e tij të ngrohtë, si një dorë e një njeriu të alivanosur. Ai u ngrit, mori këmbët e saja në dorë dhe e shtriu në shtrat. Ajo lëshoi kokën në jastëk dhe vuri dy duart mbi fytyrë. E soditi i ulur një copë herë dhe u ngrit përsëri. Futi dy duart nën shpinë dhe vithe, rrotulloi Norën barkas dhe nisi shkopsitjen e fustanit të bardhë. Nora si e trembur, u kthye vetëtimthi përsëri ashtu si qe më parë. Ai e vështroi i habitur duke rrudhur ballin.
“T’ lutna, jo sonte, nesra!”
Qamurani u buzëqesh në mënyrë cinike, solli kokën dhe nuk tha gjë. E ktheu me vrazhdësi në anën tjetër duke përdorur edhe forcën dhe vazhdoi me shkopsitjen.
“T’ lutna, shuke dritën!”, u dëgjua përsëri zëri i shterur dhe i përvajshëm i Norës.
Ai lëkundi kokën majtas e djathtas dhe vazhdoi me zhveshjen. Kur e ktheu në shpinë, Nora vuri me shpejtësi dorën e djathtë poshtë, me të majtën u përpoq ta mbulojë gjoksin. Iu rrëqeth trupi dhe dy pika loti dolën nga sytë e saj. Faqet dhe buzët iu kishin zbehur, kurse trupi i saj kishte humbur ngjyrën e vet; dukej si i bardhë, si i verdh dhe kishte marrë pamjen e një kufome. Flokët i kishin rënë mbi jastëk, anash dhe prapa, sytë i mbante të mbyllur. Fustani dhe të gjitha veshjet e saja Qamurani i hodhi në dysheme pranë krevatit. Të gjitha. Nora shtrëngoi nofullat. Në dhomën tjetër dhe në korridor kënga dhe defi nuk pushonte. Qamurani u ngrit në këmbë, ndezi një cigare, shëtiti poshtë e lartë nëpër dhomë dhe vështroi Norën lakuriqe. Pas disa minutave, fiku cigaren, zhveshi pantallonat, çorapet dhe brekët, këmishën e mbajti dhe, egërsisht hapi këmbët e saja, që Nora u përpoq t’i mbajë të mbyllura. Ajo kafshoi buzët, kërcëlloi dhëmbët dhe mbuloi fytyrën me jastëk.

Një çerek ore më vonë, Qamurani u shfaq në korridor. Muzika pushoi menjëherë dhe të gjithë drejtuan shikimin drejt tij duke pritur një shenjë. U ngritën në këmbë edhe ata, që ishin ulur, që nuk vallëzonin dhe hapën sytë. Qamurani bëri shenjë me kokë dhe mbylli përsëri derën pas vete me një buzëqeshje dhe kënaqësi të lehtë. Hareja, kënga dhe muzika shpërtheu aty për aty. Gjysmë ore më vonë, Nora u ngrit, veshi një dekolte dhe luti burrin ta shoqërojë deri në banjë. Ndjehej e ndytë dhe i vinte për të vjellë dhe duhej larë menjëherë. Pas kërkesës së Qamuranit, disa veta, që ishin në korridor, hyrën në dhomë. Qamurani priste aty. Pasi doli ajo, hyri edhe ai të lahet. Në dhomë gjeti Norën të mbuluar me jorgan. Nora ishte mbledhur kruspull. Nora ishte mbledhur si lëmsh. Nora dëneste. Nora rënkonte mbyturazi dhe dridhej nën mbulesë. Nora dukej se kishte rënë në një farë kllapie. Nora i kishte kthyer shpinën anës nga duhej të shtrihej burri. Nora ndjehej e ndotur, fëlliqur e zhyer dhe e përlyer. Princesha e lagjes, ndjehej poçavër. Qamurani fiku llambën dhe nuk u shtri në vendin e vet, por përsëri tek Nora. Ai përkëdheli flokët e saja dhe i pëshpëriti në vesh: “pi sot, ti je e jemja. E jemja për gjithmonë, n’ kët dynja dhe n’ tjetrën. Për dit kena m’u knaç!”, dhe u mbulua edhe ai me jorgan.
***
Mjeku erdhi në shtëpi dhe nënës së Norës i dha një injeksion për ta qetësuar. Aty u mblodhën të afërmit dhe graria e lagjes. Vajtimet dëgjoheshin deri në rrugë. Burrat ishin në shtëpinë e fqinjit. Atje nuk qanin. Hyrjet dhe daljet nuk pushonin.
“Medet, do t’ vin qameti!”, tha një plak, që ishte ulur në krye të dhomës. “Çikat po dojnë m’ u martu me gjem, që i dojnë vet e jo që e do baba e që ja zgedh edhe me lozë!”
“Kohë e keçe ka ardhë”, tha plaku që ishte pranë tij. “ Qameti asht ngat! Para dere!”

Nora nuk kishte mundur të mbyllë sy. Aty, sapo kishte shkrepur agu i parë, ishte ngritur ngadalë kishte marrë fustanin e bardhë nga dyshemeja dhe kishte ecur në maje të gishtave. Derën nuk e kishte mbyllur fare, por vetëm e kishte afruar për të mos bërë zhurmë. Në banjë kishte veshur përsëri fustanin e nusërisë. Kishte hedhur flokët majtas, kishte zbuluar qafën e gjatë dhe e kishte parë të skuqur, me shenja të lehta kafshimi. Ngadalë kishte dalë në korridor dhe kishte lënë derën pakëz të hapur për të depërtuar drita. Kishte hapur një sirtar të dollapit dhe aty kishte gjetur shumë pako me medikamente dhe disa tjerë në shishe të vogla.
Rreth orës gjashtë e gjysmë, kur ishte zgjuar Qamurani, kishte parë Norën pas dere të ulur me kokën e varur dhe flokët e derdhura para vete. Pas gjysmë ore, hoxha kishte konstatuar vdekjen e saj. Ajo u varros në qytet nga mesi i dhjetorit të vitit 1970. Përveç dy familjeve, kortezhit iu bashkëngjitën edhe dhjetëra nxënës dhe qindra njerëz. Në lagje flitej se kartolinën e kishte dërguar kushëriri, Zidushi. Këtë e besonin të gjithë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat