Në burg

Opinione

Në burg

Nga: Lis Bukuroca Më: 29 shtator 2015 Në ora: 19:18

Burrit i është dhuruar forca për ta mbrojtur bashkëshorten dhe fëmijët nga rreziku i jashtëm, jo për t’i dhunuar dhe shtypur brenda, në shtëpi...

Kështjella u ndërtua në fund të shekullit XII nga një kont dhe iu shtua edhe një godinë në fillim të shekullit XIII nga pasardhësit e tij. Në fillim kishin hyrë e dalë kardinalë, kontë, aristokratë, kalorës, më vonë edhe shkrimtarë dhe poetë. Në vitin 1846 kështjella u shndërrua në burg. Në fillim banuan njerëz për vepra të ndryshme dhe hajna të rëndomtë, më vonë u mbushë me nazistë. Dalëngadalë kështjella u shndërrua në një burg të përzier: italianë, turq, grekë dhe jugosllavë. Më vonë iu shtuan edhe kombe tjera: rusë, shqiptarë, kurdë dhe tunizian. Numri i vendasve zvogëlohej, numri i të huajve rritej me krime të rënda dhe të ndryshme nga ato gjermane.
Burgu është i rrethuar me një mur të lartë gjashtë metra dhe një metër mbi të, tel me gjemba. Para gjendet një portë e madhe për automjete dhe një derë. Pasi shtypet susta, dëgjohet zëri i policit, që vështron nëpërmjet video kamerës. Pastaj hapet dera dhe menjëherë djathtas gjendet sporteli me tre policë para monitorëve: dy burra dhe një grua. Pas identifikimit, dorëzimit të pasaportës, celularit, kalohet detektori. Polici shtypë sustën dhe hapet dera e dytë. Pa u mbyllur kjo, nuk hapet e treta. Dëgjohet një shkrap i vogël dhe hapet ajo. Mbyllet e treta dhe njeriu shfaqet në oborr, para kështjellës me tre kate dhe bodrum, ku në mesjetë lidheshin me zinxhirë heretikët dhe magjistarët. Në çdo qoshe një video kamerë. Aty, shtypet përsëri susta dhe hapet dera e katërtë. Majtas një sportel dhe një zyrë e madhe, ku gjenden pesë polic. Aty tregohet emri i personit për t’u vizituar. Përballë gjenden dy ndarje me shufra metalike nja katër metra të larta dhe katër metra të gjera, në mes të tyre, një korridor i gjerë katrorë. Polici hap derën e pestë me një çelës të madh, që është e inkorporuar në ndarje dhe e mbyllë përsëri. Majtas pas tri shkallëve gjenden tri dhoma për vizitorë. Me një tjetër çelës të madh polici hapë derën e gjashtë, e inkorporuar si e pesta dhe hynë në korridorin e kriminelëve. I gjatë, i gjerë me plot dyer të mbyllura, majtas dhe djathtas. Dera e shtatë, është dera e kriminelit dhe ai ndjenë gëzim të madh, kur dëgjon shkrapin e çelësit në vrimë dhe zakonisht brofë në këmbë: vizitë!

Pas disa minutave, polici solli në dhomën e vizitorëve zotin Lapi. Kishte flokë të shpupurishura dhe ishte veshur me pantallona sportive dhe papuçe. I pa rruar dhe dukej i lodhur nga pagjumësia. U ulë dhe ngriti kryet ngadalë duke shtrënguar dy duart para vete. Tridhjetë minuta, tha polici dhe doli jashtë. Ai ndezi një cigare dhe afroi shpuzoren duke e shtyrë mbi tryezë .
Edhe sa vite ju kanë ngelur? - pyeta deri sa po ulesha.
Edhe 3001 ditë. Pak më shumë se tetë vite! - shtoi kur pa se po e shikoja i habitur. Burgu është për burra! - tha me një buzëqeshje për ta rritur vlerën e njerëzve në kështjellë dhe për ta zvogëluar vlerën e atyre, që ishin jashtë saj, si në kohën e kontit.
Gazetat patën bërë të ditur se ju është shqiptuar dënimi më i madh, edhe pse nuk keni treguar pendim, zoti Lapi. Madje ishit ndjerë edhe krenar në gjykatë...
Për atë që kam bërë unë, njeriu nuk mund të pendohet, tha ai duke i rregulluar flokët.
Domethënë ende jeni i bindur se ju keni vepruar drejtë?
Po! Këtë ia kam thënë edhe gjykatësit, edhe atë me një buzëqeshje, tha me një zë të mekur.
E di! Buzëqeshjen ka përmendur gjykatësi edhe në arsyetim. Ju vratë gruan për dyshime, mirëpo...

Çfarë dyshime!? - bërtiti i shqetësuar dhe u ngrit nga karrigia. I fërkoi sytë, bëri tre hapa, u kthye përsëri, vuri duart mbi tryezë dhe u përkulë duke më parë drejt në sy. Çfarë kishe bërë ti? – bërtiti duke shtrënguar nofullat. Kjo është arsyeja pse desha të flas me ty. Më vështroi një kohë të gjatë me shikim të fiksuar dhe të ashpër. Në fytyrë i kaloi një çehre e kuqe dhe u ulë.
E pash i hutuar. Pyetje të tillë nuk e prisja dhe ula shikimin mbi tryezë. Pse mendoni se gruaja shkeli besnikërinë bashkëshortore? - thash pas një heshtjeje të vogël. Në shqyrtimin kryesor është vërtetuar se nuk ka pasur shkelje të tillë, domethënë, mungonte motivi...
Jo, më trego ti pikë së pari, si shqiptar, si do të kishe reaguar dhe u ngritë në këmbë.
U ngrita edhe unë, nuk di pse dhe ngelëm ballë për ballë. Si do të veproja unë në mungesë besnikërie? - e përsërita për t’ i dhënë vetes kohë dhe për t’u zhytur dhe paramenduar një fatkeqësi të tillë dhe mora frymë thellë.
Jo mungesë besnikërie! Tradhti quhet! – tha ai me zë të lartë dhe u ulë përsëri. Unë mbeta në këmbë.
A bën ta them mendimin tim, ju lutem? – pyeta dhe qëndrova para tij duke e parë në sy pa lëvizur qerpikët. Gjendja po bëhej e rëndë.
Po! Flit! Unë dua ta di! - tha tani me zë më të qetë duke picërruar sytë e skuqur dhe ndezi një cigare.
Shikoni zoti Lapi, fjala tradhti mund të përdoret për vepra të liga ndaj atdheut, jo në dashuri. Tradhti është kur shkaktohet një dëm kolektiv, jo individual. Ta quajmë pabesi bashkëshortore, shkelje kurore apo brivënie, jo tradhti.
Ajo më pat dhënë besën, mirëpo, shtoi ai dhe u lëviz me karrige nga vendi duke thithur cigaren.
Zoti Lapi, besa kërkohet për gjakmarrje, sepse nuk është emocion si dashuria, që lindet te njeriu, por një qëndrim, që mësohet, që imponohet. Dashuria nuk imponohet, lindet. Në dashuri besnikëria vetëkuptohet. E dyta, kërkimi i besës në dashuri domethënë: »Unë nuk jam burrë i mjaftueshëm, por më premto se nuk më braktisë kurrë!« Kur ju ka dhënë besën? Në fillim apo pak para vrasjes?
Jo, në fillim, - tha ai dhe u gëlltit. Si do të reagoje ti, nguli këmbë.
Zoti Lapi, nëse ajo shkon me një tjetër, unë do t’ isha ndarë menjëherë. Kaq. Më shumë jo.
Aq të bën për nderin? Fytyrën? – pyeti ai.
Fytyra i merret atij, që gabon, jo të ndershmit.
Ha,ha,ha, budallallëqe, pastaj kurva t’ i merr edhe fëmijët, shtoi ai duke sjellë kokën me habi.
U përpoqa ta përmbaj veten, një herë mendova të dalë jashtë, por megjithatë vazhdova:
Unë nuk jam nënë, zoti Lapi! Fëmijët i takojnë nënës, mua kujdestaria e rregullt. Dëgjoni ju lutem! Atë grua, që e kam dashuruar me vite dhe me të cilën kam fëmijë, edhe nëse bën një shkelje të tillë, nuk e quaj kurvë, por para së gjithash shtroj pyetje vetes: Pse nuk kam vënë re humbjen e dashurisë? Ku isha unë? Dhe, fundi i fundit, ajo nuk është e detyruar të jetojë me mua deri në fund të jetës, por vetëm deri sa ekziston dashuria e ndërsjellë. Kur shuhet ajo, ndarja është më e mirë, se sa bashkëjetesa me grindje të përditshme. Kjo dëmton fëmijët. Natyrisht, ndarja pa brirë është më e pëlqyeshme, por nëse i kemi kësmet zoti Lapi, durim, njeriu duhet të përpiqet ta zvogëlojë dëmin, jo ta rrisë!
Hëm! - murmuroi diçka ndërmjet dhëmbëve. Fiku cigaren dhe ndezi tjetrën i zhytur në mendime.
Kur zhduket dashuria, vazhdova unë, zhduken edhe motivet që na kanë bashkuar, zoti Lapi. Ajo duhet të jetë e lirë, e barabartë, është madhore, por nëse bën gjëra, që rrënojnë dashurinë, atëherë ndarja është zgjidhje. Ai kafshoi buzët dhe futi dy duart në flokë duke i shpupurishur dhe u ngrit.
Zoti Lapi, një fqinje pat deklaruar gazetarëve, se ju i kufizonit shumë lirinë shoqes. Ajo ju pat quajtur despot dhe pasha.
Natyrisht, unë duhet të kujdesem për nderin e saj, është detyrë e imja, tha me një buzëqeshje të lehtë dhe uli kokën.
Zoti Lapi, gruaja kur del jashtë, zakonisht merr edhe kokën me vete, si burrat, dhe, në kokë zoti Lapi, gjendet dashuria, nëse ka, nëse jo, gjendet dëshpërimi, zhgënjimi me burrin. Në kokën me dashuri, nuk ka vend për shkelje të kurorës zoti Lapi. Gruaja e lumtur, kurrë nuk shkelë kurorën! Për nderin e saj kujdeset ajo vet, nuk është e mitur. Burri është burrë, por jo tutor! Ajo, që ka aftësi mendore të martohet, ka aftësi edhe ta ruajë nderin e vet. Nëse gabon, njeriu ndahet, kaq e thjeshtë është kjo. Ai rrotulloi paketën e cigareve në dorë dhe fshiu hundët.
Domethënë, nëse gruaja shkon me burrë tjetër, nuk të humbë nderi? - pyeti duke ngritur vetullat.
Pse nderi i im? Ajo dëmton nderin e vet!- thash.
Nderi, pse ta mori fytyrën!
Mua më merret fytyra nëse unë shkoj me grua tjetër, si i martuar dhe aty prek nderin tim duke lënduar sedrën, vetëvlerësimin dhe dashurinë e bashkëshortes; aty nuk preket nderi i saj, por i imi. Ajo ndjen dhembje, por nuk çnderohet me veprën time, as unë me të sajën. Çdo njeri është përgjegjës për veprat e veta dhe për emrin e vet. Nëse shoqja sëmuret, nuk shkoni ju te mjeku, por ajo. Nëse ajo bën vepër penale, dënohet ajo, jo ju. Si krimi, edhe shkelja e kurorës, nuk shpërndahet nëpër familje, po bie mbi kokën e vepruesit. Ofshamat ndoshta i dëgjojnë të gjithë, por, çnderohen vetëm ata që janë kënaqur.
Jo zotëri, gabim, gabim e ke, këtu shkatërrohet nderi im dhe i familjes! - tha me bindje të plotë.
Pse nderi juaj? Juve nuk jua ka bërë askush atë punë, as familjes tuaj, jo. E thash me druajtje se do të shkatërroja ecurinë e bisedës, por nuk munda të përmbahem. Më kishin mbuluar djersët.
Shiko zotëri, unë nuk di çfarë filozofie përfaqëson ti, por te ne, tradhtia e gruas dënohet me plumb...
Jo te ne, në kokën tuaj, ndërhyra shpejt. Shqiptari nuk e quan burrëri vrasjen e gruas. Nënën e fëmijëve të vet dhe ju vërtetë mendoni se keni dënuar shoqen?- shtova për të ndërruar drejtimin e bisedës.
Po! Pa asnjë dyshim! Kam mbrojtur nderin edhe të familjes...
Kush ju jep të drejtën të bëni vetëgjyqësi?
Burrëria, tradita, zakoni...
U kuptuam, zakonet që kanë sjellë ata, që sot janë skelete dhe të cilëve nuk u dihet as varri. Në rregull. Nëna juaj vdiq, kur dëgjoi për dënimin. Kë dënuat ju? Nderin e kujt e ruajtët?
Ngadalë zotëri - bërtiti i mërdhezur - nëna ime ka vdekur nga pika në zemër, i kishte ardhur dita.
Pikërisht në çastin kur mori lajmin se djali i vetëm, pas pesë vajzave, dënohet me 15 vite?!
Babai im e sheh si unë, sigurisht edhe nëna e ka parë në këtë mënyrë...
Mirë, ju thatë se keni dënuar shoqen. Unë mendoj se keni dënuar veten dhe të tjerët rreth jush. Katër fëmijët i ka marrë shteti, u ka ndërruar identitetin dhe dikush tjetër kujdeset për ta. A nuk keni dënuar, përveç dy nënave, edhe fëmijët?
Uli shikim drejt këpucëve hodhi cigaren në dysheme, e mori përsëri dhe e fiku në shpuzore. Fëmijët nuk i dua më, ata janë bijë të kurvës ! – tha ai dhe ndezi cigaren tjetër.
Më jepni edhe mua një, i thashë, edhe pse kishte katër vite që nuk tymosja dhe fshiva djersët nga balli.
Çka do të kishe bërë ti? - iu kthye përsëri asaj pyetje.
Shikoni, zoti Lapi, ju thash edhe më parë, do të ndahesha dhe do të gjeja një grua tjetër, në planetin Tokë ka miliarda gra dhe do gjeja një, por, nuk do fusja veten në këtë kështjellë dhe, nuk do të shkatërroja jetën e fëmijëve, nuk do të dëmtoja veten akoma më shumë...
Po tallesh! E çka mendon bota? - më ndërpreu.
Nuk më intereson. Unë jetoj jetën time sipas aftësive të mia, jo sipas telekomandës dhe mençurisë së turmës! Unë jam unë, nuk jam ata. Unë jam në njëjës, jo në shumës dhe gjykoj në njëjës. Jo të vras për të fituar nder jashtë, e për ta humbur këtu brenda, në kështjellë! Unë ndjej dhembje, jo ata. Tani ju dergjeni në burg, jo bota...
E fëmijët? - më ndërpreu përsëri dhe u largua nga tryeza duke u mbështetur në karrige.
Do t’ isha munduar ta fsheh motivin e ndarjes dhe ta zvogëloj dëmin. Të mos traumatizohen ata dhe nuk do t’u kisha treguar për brirët. Ata nuk duhet ta humbasin respektin ndaj prindërve, përndryshe e humbin edhe ndaj vetvetes. Humbin drejtpeshimin kurrë marrin vesh se njëri nga prindërit e tyre, nuk është i moralshëm. Do bëja kështu nga dashuria ndaj fëmijëve, jo ndaj ish gruas, tanimë. Do ta kisha ruajtur dashurinë ndaj tyre dhe do t’ isha kujdesur për ta, aq sa mundem, por nga një shtëpi tjetër. Ndoshta, edhe do të qaja në një dhomë, do të bërtisja e shaja, por kurrë nuk do të prekja me dorë nënën e fëmijëve. Burrit i është dhuruar forca për ta mbrojtur bashkëshorten dhe fëmijët nga rreziku i jashtëm, jo për t’ i dhunuar dhe shtypur brenda, në shtëpi. Këto janë perversione!
A duhet të besoj? - pyeti duke më shikuar pjerrtas.
Nuk di, është punë e juaja. Pyetja ishte hipotetike, pranoni edhe përgjigjen si të tillë.
Ti më dukesh nga një planet tjetër! - tha ai duke ulur shikimin dhe psherëtiu thellë.
Ndoshta, i thash, ndoshta jam. Ishim te dënimi i merituar i shoqes, sipas jush. Deri tani pamë rastin e nënës, humbjen e fëmijëve dhe babai juaj, i donte nipat. Ai nuk ka më nipa. Sidoqoftë, t’i numërojmë dënimet sipas meje dhe më merrni për shqiptar nga një planet tjetër.
Ai pohoi me kokë dhe shtypi cigaren në shpuzore dhe nxori tjetrën. Katër fëmijë të dënuar, tani pa prindër. Të traumatizuar për tërë jetën, bijë të vrasësit. Ata nuk mund të krenohen me të atin! Kurrë! Gjyshin e tyre nuk po e numërojmë fare, sepse ai po krenuaka me veprën. Dy nëna, bëjnë gjashtë. Pesë motrat, bëjnë njëmbëdhjetë veta, që keni dënuar ju shpirtërisht dhe ju jeni i dymbëdhjeti, që paguan dënimin edhe fizikisht. Dhe, ndjeheni krenar! Në emër të popullit vepra quhet e pështirë. Në emër të qytetërimit të këtij shekulli, të arritjeve mendore, të dijes. Prindërit e saj, pesë vëllezërit dhe katër motrat, gjithsej 23 veta, dënohen nga nderi juaj. Ju keni vrarë nga xhelozia, zoti Lapi, i shtyrë nga motive të ulëta, nga dobësia vetjake, pasiguria dhe dyshimi në vetveten.
Jo! Nuk është e vërtetë, - kërceu si i trembur në gjumë dhe fshiu ballin. Unë nuk jam i çmendur! Unë e kam parë si qeshej me kolegun e vet, me gjithë zemër. Ashtu nuk qeshej me mua, jo vitin e fundit.
Zoti Lapi, qeshja me një koleg të punës, është si qeshja me një shok klase, qarja para një kolegu nga keqtrajtimi i burrit, është i ogur i keq, thash unë. Ai vuri gishtin në tëmth dhe nuk foli. Keni marrë vesh se vëllai i saj se do të hakmerret? - vazhdova unë.
Mendon se kam frikë, e vras edhe atë si lepurin, le të provojë!-tha me një vështrim të ftohtë.
Bukur shumë, zoti Lapi. Kur dilni nga burgu, do t’ i keni 57 vjet. Përjashta nuk ju pret njeri.
Po, mirëpo dal me fytyrë dhe krenar.
Krenar? Zoti Lapi, thoni se dilni me fytyrë e krenar, e në fakt na e morët fytyrën edhe neve përjashta.
Sa herë keni shkuar ju me gra tjera?
Vetëm tri herë!
Ju lumtë! Vetëm tri herë! Sipas ngjashmërisë, shoqja paska pasur të drejtë të ju ekzekutojë tri herë?
Jo, ajo, jo. Ajo nuk ka të drejtë. Vetëm burri ka të drejtë ta dënojë gruan!
Mirëpo, ne, duhet t’ i respektojmë ligjet, ato dënojnë njeriun, siç po e përjetoni, jo rregullat zakonore. Ligjet nuk ta ndalojnë shkeljen e kurorës, shkeljen e ndalon vetëm dashuria. Ju keni dënuar 23 veta të pafajshëm. Më përzihet stomaku zoti Lapi, më vjen për të vjellë. Vërtetë nuk kuptoni se keni gabuar?
U ngrit në këmbë, bëri disa hapa drejt murit e goditi atë disa herë me kokë, pastaj edhe me grushte dhe ia plasi vajit. Fytyra iu bë e murrme. Shtyra karrigen prapa dhe vështroja i hutuar. Mbuloi fytyrën me dy duart dhe lotët i rrokulliseshin faqeve si një fëmije të humbur, që kërkon prindërit në turmë. Vazhdoi të ecte nëpër dhomë poshtë e lartë dhe godiste murin herë me kokë, herë me shqelma. Hodhi cigaren në dysheme pastaj u ulë në qoshe dhe dëneste duke mbajtur dorën e djathtë të përgjakur.
Nga rraptimat, që u dëgjuan edhe në korridor, vrapuan policët. Ai fshehu dorën pas shpine.
Aha, klithi njëri, menduam se po ju rrah juve dhe mbylli përsëri derën.
Pas pak u ngrit dhe u ulë përsëri. Fshiu lotët nga faqet dhe shikonte në dysheme. Nuk e kishte vizituar njeri. Nuk kishte të afërm këtu, ata që e njihnin, nuk dëshironin ta takonin më.
Zotëri, a më fal ti gabimin?- m’u drejtua. Së paku ti, kam nevojë! Të lutem! Nuk mund të flejë natën, imagjinoj shoqen, fëmijët, vajin e tyre. Do të çmendem, - tha dhe mezi merrte frymë.
Ngrita shikimin dhe e vështrova gojëhapur. Ofshana thellë dhe solla kokën. Unë?! - e pyeta i turbulluar në mendje, thua se kishte edhe dikush tjetër në dhomë. Unë mund të ju fal për dëmtimin e imazhit tim, por jo të shqiptarëve në qytet. Mund të flas me kunatin tuaj. Më tepër jo. Si mund të ju fal unë ju lutem për dëmin shkaktuar shoqes, fëmijëve, dy familjeve?! Nuk e posedoj këtë autorizim magjik, hyjnor, kaq të madh, jo, thash, më vjen shumë keq, por nuk mundem.
Ai shtypi cigaren në shpuzore dhe ndezi tjetrën. Një copë herë heshti. Kërcëlloi dhëmbët duke shtrënguar nofullat dhe vazhdoi me një zë vajtues. Unë u ngrita, u mbështeta në mur dhe e dëgjoja me vëmendje.
Kam lexuar qindra libra në këtë burg, do të lexoj edhe më. Si djalë i vetëm, më trajtonin si princ. Kisha më shumë vlerë se pesë motrat e mia, madje, më shumë vlerë se edhe nëna ime, merre me mend këtë?! Unë isha një, por vleja më shumë se gjashtë veta! Kur kisha më shumë vlerë se gjashtë gra në shtëpi, si të mos kisha gjashtë herë më shumë se shoqja?!
Tani, motrat e mia të “pavlera”, kujdesen për babanë e sëmurë, jo unë, i linduri me fat, me përparësi të përjetshme. Ai rrihte nënën shpesh. Pse kishte shikuar mamin ndonjë burrë në rrugë për shembull apo grosha pa kripë. Isha dhjetë vjeç dhe qaja në një qoshe, nuk e harroj kurrë. Ai godiste mamin me shqelma, me grushte. Ajo qante me zë të lartë, ai i bërtiste: »Mos ta dëgjoj zërin, se mora revolen!» Unë dridhesha, druaja se ai në çdo çast do ta merrte. Dënesja dhe lutesha të mos qajë mami me zë. Ajo qante, nuk pushonte, betohej se nuk njihte atë njeri. Babi nuk besonte. Ndoshta mami kishte dëshirë të vdiste, siç dëshiroj edhe unë tani. Kur mami alivanosej, ai godiste murin me kokë dhe më bërtiste: »vrapo e merr ujë, po vdes shtriga«! Unë nxitoja me kanë në dorë. Babi ishte i vetmi djalë me shtatë motra. Kur vendosa ta vrasë gruan, më dukej se do të bëhesha më burrë. Bëja atë, që nuk kishte pasur guxim ta bëjë ai, por ashtu ishte kërcënuar gjithmonë... Mori frymë thellë, fshiu lotët, fërkoi sytë dhe lëshoi kokën mbi tryezë. Disa minuta qëndroi ashtu, pastaj ngriti kokën dhe vuri dorën para goje.
Mirëpo, e dini mirë se nuk ka shkelur kurrë kurorën, apo jo?- e pyeta pasi u qetësua pak.
Po! E di, tani e di, ajo nuk ishte e tillë. Nëse i besoj pafajësisë së saj, atëherë çmendem, më kupton, çmendem? Unë në qeli e përsëris dhjetëra herë në ditë, se ajo më ka tradhtuar; e shaj, bërtas, e qortoj dhe pastaj qetësohem.
Domethënë nga xhelozia imagjinonit skena të ndryshme dhe bënit një film, që i besonit vetëm ju?
Po, përafërsisht kështu...
Një mike e shoqes tuaj pat deklaruar se ju keni detyruar gruan t’ i hajë nga dy pjata për drekë dhe për darkë, a është kjo e vërtetë? Me dy duart kroi qafën pas, pastaj kokën dhe u ngrit në këmbë.
Po!- tha, po! E detyroja të hajë shumë, sepse nuk duroja shikimet e burrave. Ishte shumë e bukur, e gjatë, e hollë, me flokë të lëshuara mbi supe; vishej me shije. Burrat e shikonin, kthenin edhe kokën. Kjo më shqetësonte. Madje, e shikonin edhe gratë. Më vonë jo, u bë gati njëqind kilogram. Ajo ishte engjëll, unë isha një derr i shekujve të kaluar, tha ai dhe ia plasi përsëri vajit. Vitin e fundit mbante dietë dhe më kundërshtonte; unë nuk isha mësuar të më kundërshtojë një grua! – shtoi duke qarë me gulçima saqë mezi merrej vesh.
Vizita mbaroi, na ndërpreu një polic duke hapur derën. Unë shtyra karrigen dhe u nisa drejtë daljes.
Pse më ndihmon? - tha me kokë të kthyer gjersa polici e tërhoqi lehtas për krahu.
Nuk po e bëj këtë! Erdha vetëm këtë herë, vetëm nga mëshira.
Do të flasësh me kunatin të mos hakmerret apo jo?
Po, mirëpo nuk e bëj për të mirën tuaj. Uroj të jetoni njëqind vjet dhe t’i shihni për ditë nënat me fëmijët e tyre, çiftet e lumtura dorë për dore, që jetojnë me trup e shpirt në këtë shekull, jo të ndërtohet familje, si shtëpi me qerpiç, me katër kate, në shekullin XXI dhe natyrisht, është në pyetje vetëm dita se kur do të shembet. Zoti Lapi, ju nuk kishit mosmarrëveshje me shoqen, ju ishit në kacafytje e sipër me kohën, me kohën zoti Lapi, me shekullin e ri dhe e vratë atë, por luftën e humbët ju! Ne kemi ligjet sot, zoti Lapi, shkruar nga të gjallët, për të gjallët, që përkufizojnë rregullat e sjelljes në jetë, jo parimet e të vdekurve. Çdo brez jeton me ligjet e veta. Krenari duhet të jetë respektimi i ligjit, i barazisë në familje. Jo vrasja. Jo mendimet e atyre, që nuk kanë as gur mbi varrë! - shtova unë dhe u nisa shkallëve te poshtë krejtësisht i tronditur, me ndjenja të turbulluara deri në palcë.
Vetëm një minutë! - iu drejtua policit. A më fal Zoti? Çka duhet të bëjë – pyeti me një vështrim të përlotur.
Nuk di, nuk jam takuar kurrë me të, me gjithë dëshirën time të madhe, i thashë. Sidoqoftë, mendimi im është ky: për vrasjen e njeriut, nuk falë Zoti, as nuk mburret Djalli dhe ngrita dorën në ajër për t’i dhënë lamtumirën.
Nuk paska më shpresë për mua? - pyeti me një zë të dridhur duke fshirë lotët me dorën e majtë.
Ndoshta ka. Kur ta braktisni kështjellën, punoni deri sa të jeni gjallë dhe çdo centë dhurojani fëmijëve bonjak. Janë fëmijët tuaj. Edhe tokën, shtëpinë, që trashëgoni, shiteni, shiteni dhe ndërtoni një pallat për gra të keqtrajtuara. Aty do jetë bashkëshortja juaj!
Ndoshta duhet t’ i ndihmojë edhe babait? Nëse është gjallë...
Çfarë?! – bërtita i befasuar. Zoti Lapi, ju nuk keni pasur kurrë baba dhe nuk keni, harrojeni këtë! - dhe hapa derën e katërtë duke u përshëndetur me policët. Në dalje e sipër dëgjova përplasja e derës së shtatë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat