Thashetheme rreth betejës së Elbasanit

Opinione

Thashetheme rreth betejës së Elbasanit

Nga: Fadil Lepaja Më: 29 shtator 2015 Në ora: 10:39

Shteti është mobilizuar. Për çdo polic duhet gjetur së paku një terasë, prej ku do të kujdesen për sigurinë dhe do të shikojnë edhe ndeshjen. Mijëra polic janë ngritur në këmbë. Po simulojnë situata . Nga 97-ta nuk mbahet mend një lëvizje kaq masive e strukturave të (pa)sigurisë. Edhe armiku, pra tifozeria është mobilizuar. Kuq e zi, bardh e kuq, kjo betejë duhet fituar me të gjitha mjetet. Ai që humbë do vajtojë për 500 vjetët e ardhshëm. E kanë kapur me inat , tifozeria.

Lëre se nikoqiri është mobilizuar, por edhe mysafiri ka angazhuar krejt strukturat e veta inteligjente, me zbulim e me kundërzbulim, vetëm që të kuptojë se ku dhe me kë po e kalon natën “ballisti”! Afria e tij e vërejtur prej mediave, me partinë e “VeVe” i ka brengosur të gjithë që kujdesen për sigurinë. Fundja, mjafton vetëm një ve e hedhur drejt arbitrit anësorë, dhe kjo mundet me e mbyllë ndeshjen me ...katastrofë. Në tavolinë! Pastaj do të futet në stadium , sigurimi, pas kohe si zakonisht dhe kryeparlamentari Meta do të thërras: “Kush e thirri sigurimin, dilni jashtë, lëreni “VeVe”-në të qëllojnë derisa të e godasin cakun. Nëse jo Isain, atëherë së paku ndonjërin nga zëvendësit që po qeshen në prapavijë.

UPPS! Dale, se e paskam gabuar kolumnën. Edhe fushëbetejën! Po flisnim për Betejën e Elbasanit, e jo atë të “VeVe” në parlament, në Prishtinë. Edhe pse, “VeVe”-ja po gjuante me ve të prishura. Fundja ve andej e ve këndej, askush nuk na akuzon dot se nuk kemi “ve”, pra nuk jemi larg realitetit. Një komb, një kombëtare, e flamuj sa të duash.

Pastaj nuk jemi as jashtë temës se tashmë është fenomen global: sporti është kulmi i politikës. Vazhdim i politikës me veshje sportive. Pa kravatë! “Like”e ke njeri.

Në këso atmosfere, diqysh të duket më normale kur të shutojnë nga zyra në zyrë, nga sporteli në sportel. Atmosferë sportive.

E derisa shteti po merret seriozisht me sigurinë, dhe krimin, biletat për Elbasan, kanë kapur stratosferën.

Mediat përflasin drejtpërdrejtë nga nëntoka se çmimi për një biletë, për çfarëdo vendi qoftë, vetëm brenda të jetë, ka kapur majat. Po flitet për çmimin prej 500 euro për një biletë, në treg të zi. Prognozat thonë se me një tetor çmimi e kap edhe mijëshen. Kësaj i thonë biznes.

Nejse, kur e përmendëm tregun e zi, nuk menduam për keq. I zi apo i hirtë i thënçin, se tjetër s’ka. Nuk gjen.

Pastaj, stërshitësit garantojnë edhe emrin dhe mbiemrin tënd në biletë, kështu që nuk ka arsye për shqetësim. Edhe nëse e keni blerë biletën duke shitur gjak pranë transfuzionit kombëtarë, dhe prapë keni mbetur jashtë, edhe për ju ka ngushëllim: janë ekranet gjigande që mbahen nga reklamat. Aty mund edhe të pini, të thyeni e madje edhe të qoni dashuri me ndonjë “tifoze” të dëshpëruar e cila gjithsesi nuk do të harrojë të ju marr lekët... pra,askush nuk do të e ketë mendjen te ju. Nejse, mund t’a bëni edhe me ndonjë “tifoz”, sipas preferencave. Janë ditë krenarie, këto.

Pranojeni, se 500 euro për me hy në histori nuk është një shumë aq e madhe , e cila ja vlen të përmendet për një ngjarje të tillë. Edhe banka më e lodhët, nga ato “mikro” me kamata “makro”, të jep kredi, të cilën ti, pastaj e paguan tërë vitin, pak nga pak.

E kur të na pyesin, fëmijët nesër, në ishim apo jo në Elbasan Area, do tu themi përplot mburrje: ishim! Në radhë të...! Lëre radhën vëlla. Në çdo betejë më së miri kalojnë ata që kishin kapur qoshen.

Po flitet se grupi i famshëm serb “Bajaga”, e që në përkthim do të thotë pak a shumë njëjtë, pra bajga, ka kërkuar hiq më pak se 30.000 euro që të këndojë në Elbasan. Edi, pasi e kishte quar dorën në kuletë, rrept, ashtu si di veç Edi, papritmas e kishte kapur një e dridhur! Ok, ai është adhurues i Bregoviçit, edhe i “Bajaga dhe instruktorët”, por tash Edi ka edhe përgjegjësi. Po të ishte me para të veta, e bënte pa menduar dy herë, por nga buxheti...hm. Mbase duhet pyetur edhe Luli, sa për protokoll, se nuk durohet pastaj.

Gjithsesi, ende mbetet e paqartë se si u formua ky çmim? Ofertë dinjitoze do të thoshin muzikantët e moçëm! Ka të bëjë me sigurinë apo “Bajaga” po e mbivlerëson veten? Lëre fare, se sentimentet asnjëherë nuk kanë një çmim real!

Lëreni debatin për çmimin! Nganjëherë mjafton të kesh një fans, por që ai të jetë vet kryeministri. E merr edhe çelësin. Derisa çelësin e Tiranës e mori Bregoviqi, çelsin e Elbasanit mundet fare lehtë me e marrë “Bajaga” !

“Duaje armikun tëndë”, Edvin! Ja vlen për mesazhin. Pastaj kjo e relakson edhe atmosferën përpos nëse futbollistët serb do të preferonin ... “kallashin”!

Nejse, në çdo terasë, pra, do të ketë nga një polic dhe padyshim, nëse dikush do të infiltrohet për të bërë keq, ai do të ketë blerë tashmë moti, një uniformë. Edhe një terasë. Apo mund të ketë përgatitur ndonjë befasi tjetër, megjithëse befasia më e madhe do të ishte mungesa e hakmarrjes serbe, edhe pse vështirë të ndodhë kjo, sepse, kjo është një ngjarje për të cilën do të flitet me gjenerata. Është rasti i fundit për me tregua se sa fuqishëm e urrejmë njëri tjetrin, para se të hyjmë në Evropë.

Po flitet edhe për rëndësinë politike dhe histerike, pardon, historike, sa po thuhet se asnjë betejë nuk ka qenë më e rëndësishme se kjo, që nga koha e Betejës së famshme të Kosovës të zhvilluar,në qershor të vitit 1389.

Në libra thuhet se Millosh Kopiliqi, duket të ketë qenë lojtarë fundorë, nga ata që vijnë nga mbrojtja e japin gol, dhe kështu e vendosin fatin e betejës, me kokën e një sulltani.

Atë betejë e patën humbur serbët edhe me shekuj na e patën nxirë jetën duke u mburrur me këtë humbje. Edhe pse Kadareja flet për betejën ballkanike kundër osmanlinjve, unë mendoj se ne shqiptarët , që asokohe ende nuk e dinim se jemi shqiptarë, kemi qenë më tepër shikues... ! Po e prisnim NATO-n!

Nejse, është e çartë se armiku nuk rri kot. Uji rri e hasmi nuk rri. I jashtmi dhe i brendshmi. Konspiracionet po pregadisin diçka, si spektakël, apo performansë me të cilën synojnë të mahnisin përsëri globin, dhe të bëhen lajm global.

Por janë përpjekje të cilat më tepër kanë gjasë të dështojnë. Sepse mungon elementi i befasisë, dhe si e dini të gjithë: guerilën e përbën kryesisht befasia.

Tash të gjithë po presin të ndodhë diçka, kështu që e vetmja befasi që mund të ndodhë është: të mos ndodhë asgjë.
Beafsi mund të jetë edhe po të fitojë nikoqiri ...! Ja kemi marrë dorën me Danimarkën! Forcaaaaa!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat