Revidimi i parcial i parkut qendror në Gjakovë

Opinione

Revidimi i parcial i parkut qendror në Gjakovë

Nga: arch. Ylber Vokshi -Ylli arkitekt i pavarur Më: 28 shtator 2015 Në ora: 13:35

A mendon teknikisht apo politikisht ishte një pyetje që më ishte bërë para shumë vite,natyrisht përgjigja ime ishte teknikisht,pasi isha specializuar në fushën e shkencave teknike. Kjo ishte pyetja që më përcolli tërë jetës time profesionale në fushën e Arkitekturës,Planifikimit Hapësinor dhe Urban,që të jam gjithnjë në shërbim të interesave të përbashkëta të shoqërisë,duke respektuar argumentet profesionale dhe teknike e kurrsesi ato politike,të cilat aspak nuk bazohen në argumente,por vetëm në interesa të kufizuara,jo të qëndrueshme,si ngjan me shekuj në Ballkanin gjithnjë të trazuar.
U njoftova këto ditë për një “revidim parcial” të një pjese të Planit Rregullues të Parkut Qendror të qytetit të Gjakovës. Më bëri përshtypje kjo qasje ndaj problemeve urbane në vendbanimet tona që nuk është e vetmja në Kosovë. Me ligjet aktual nuk mundet me pas revidim parcial të një plani rregullues,ai duhet me qenë komplet. Kjo qasje është shumë e rrezikshme pasi ka mundësi të ketë abuzime të ndryshme,që në vitet e fundit,jemi dëshmitarë që kanë ngjarë në Kosovë. Kategorikisht jam kundër kësaj mënyre se si është vepruar në këtë rast me revidimin e pjesshëm të një projekti,i cili edhe kur është ri-bërë në vitin 2012, nga Qeveria e kaluar komunale,ishte në kundërshtim të hapët me dokumentet hapësinore dhe urbane,që ishin dhe janë ende në fuqi në Komunën e Gjakovës.
Plani zhvillimor urban i qytetit të Gjakovës i aprovuar në vitin 2007,parasheh që aty të ruhet parku ekzistues me përmbajtje dhe aktivitete thjesht rekreative,pa zhvillime të aktiviteteve tjera të banimit apo administrative,të cilat kundërligjshëm ishin “futur”, për qëllime përfitimesh të lehta,në projektin e vitit 2012,të cilën Asambleja e kaluar komunale e kishte aprovuar në mënyrë të kundërligjshme,fare duke mos mbrojtur interesin e përbashkët të qytetarëve të Gjakovës,të cilët suksesivisht do të humbin “mushkëritë e qytetit” gjegjësisht parkun qendror,një pasuri të madhe qe e kanë,e cila do të zhduket me këso revidime parciale, pasi është joshës për ndërtime rezidenciale si ka ngjarë në këtë rast.
Se si është punuar në vitet e pas luftës në Gjakovë,personalisht më dhemb,më denigron në ekstrem. Para luftës isha pjesë e ekipit që ka zgjidhur shumë probleme të mëdha urbane për një qytet kosovar,për atë në atë kohë jemi mburrur në takimet kombëtare dhe ndërkombëtare. Të gjitha veprimet tona janë përcjell me përpilimin e dokumenteve hapësinore dhe urbane të kohës,të cilët kanë definuar konturat e zhvillimit hapësinor dhe urban të Komunës së Gjakovës. Kishte zili patologjike nga të tjerët se si e kemi arritur ketë,me mburrje mund të them se mbas tërë kësaj ka qëndruar puna e pa lodhshme e të gjithë neve profesionistëve,e para të gjithash dashuria e madhe ndaj qytetit dhe banorëve të saj. Natyrisht nuk ka munguar as përkrahja e madhe e të gjithë faktorëve vendimmarrës në qytet.
Në vitet e pas luftës ngjau ajo që ma së paku e kamë pritur,së pari u atakua qendra e qytetit,e definuar me plan detal urbanistik,që përjetoi degradime të mëdha me disa ndërtime të çoroditura,nuk u kursyen as pjesët e tjera të qytetit,për të arritur kulminacionin me intervenimet e dhimbshme në Qarshinë e Madhe,që është një tërësi urbane e rrallë që funksionon edhe sot. Gjakovarët me mençuri e kanë arritur lidhjen e të vjetrës me të renë si rrallëkund në botë. Kjo është arritur fal sensit të lindur për jetën urbane të banorëve të qytetit në shekullin e kaluar.
Natyrisht përshtatjen kushteve të reja të jetesës që i kërkon koha duhet marrë në konsideratë,për atë ekzistojnë planet e renovimeve,regjenerimeve,rindërtimeve urbanë që në mënyrë institucionale do të duhej ndërmarrë,e jo me lejuar këso veprime që janë lejuar vitet e fundit. Ajo çka ka ngjarë me veprimet e pas vitit 1999 nuk do të ju falët askujt dhe do të ketë pasoja afatgjate. Është përdhunuar i tërë një qytet me kulturë të lashtë. I tërë ai degradim i qëllimshëm i qytetit u legalizua pasi qeverisja e re komunale as që kishte “fuqi” materiale dhe kohore për të ndryshuar apo përmirësuar diçka. E vërtetë është se nuk kishte abuzime ekstreme me hapësirën urbane,disi kishte filluar stabilizimi i situatës urbane me ndalesën e ndërtimeve pa leje që ishin normale në ato vite.
Në një shkrim-vështrim kritik urban, të para disa viteve isha shprehur me një optimizëm të matur “Uroj se kaluan vitet e çmendurisë urbane në qytetin e Gjakovës,besoi që këto procese degraduese hapësinore dhe urbane do të ndërpriten,pasi askujt nuk i shkon për nderë. Nga qeverisja e re që premton ndryshime,presim të ndërmarrë hapa konkrete progresive me vizion për të ardhmen,së paku në fillim për të sanuar atë që ka ngjarë në këto vitet e “ferrit urban” në qytetin e Gjakovës, që pak kush,pos profesionistëve të rrallë i vëren dhe i përjeton rëndë. Të shohim,mbesim me shpresë!” Kam pritur që qeverisja aktuale e Komunës të bënë “bllokimin”e ati projekti të parkut pasi kishte arsye të fortë ligjore,dhe ti kthehet projektit të parkut të punuar para shumë vite,atëherë kur Komuna i bleu edhe një herë ato toka nga ish ushtria jugosllave,e cila u dislokua nga qendra e ngushtë e qytetit të Gjakovës. Tani kemi një propozim të ri për revidim parcial,ndërtim të objekteve të banimit që nuk përket me asnjë rregull ligjore,hap rrugën për veprime të ardhshme që do të dëmton ato hapësira të parkut ekzistues.
I kisha lutur të gjithë vendimmarrësit gjakovar të shpallin të pa vlefshme,të bllokojnë zgjidhjen urbanistike të vitit 2012,si të kundërligjshme,kurse propozim projektin e ri për “revidimin parcial” të një pjese të Planit Rregullues të Parkut qendror të qytetit, për hir të mirëqenies se banorëve të tashëm dhe të ardhshëm të qytetit mos ta aprovojnë. Ndërtimi i objekteve të ndryshme si atyre të propozuara në park për banim kolektiv,për të zgjidhur problemet aktuale me shpronësime,duhet të zgjidhen në forma tjera e jo në llogari të parkut qendror,pasi së fundit e kemi edhe obligim ligjor të respektojmë rregullat urbane të cilat janë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Gjakovës sot dhe në të ardhmen.

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat