Shteti i dështuar apo populli?

Opinione

Shteti i dështuar apo populli?

Nga: Mytaher Haskuka* Më: 27 shtator 2015 Në ora: 17:37

Nëse analizojmë fjalimet e shumicës së ministrave të kësaj qeverie do të del që populli është fajtor për shkatërrimin e ekonomisë, për mungesë të prodhimit, për papunësi, për varfëri, për cilësinë e dobët në arsim, për katastrofën në shëndetësi, për të pagjeturit, për fajde e harraq, për ekstremizëm - e thënë me një fjalë “ata janë fajtorë për dështim të shtetit”.
Në fillim të këtij viti Ministri Jabllanoviq, nënat gjakovare i quajti “Egërsira”. Gjatë protestave kundër tij, Ministri Hyseni i quajti qytetarët vandal. Një muaj më vonë Kryeministri Mustafa qytetarët që po iknin nëpër Hungari i akuzoi që po ikin nga qejfi ngase çdonjëri nga ta po ka Iphonë. Gjatë po asaj periudhe ai tha se si kryeministër nuk ndjen përgjegjësi për vdekjen e vajzës 6 vjeçare në Hungari, sipas tij prindërit e saj kanë pasur gabim ngase kanë kërkuar shërbime më të mira shëndetësore për vajzën e tyre. Disa muaj më vonë Ministri Stavileci tha që papunësia dhe varfëria është pasojë e familjeve që bëjnë shumë fëmijë, për më shumë ai këshilloi që ata që i kanë rrogat e vogla nuk duhet të bëjnë më shumë se 2 fëmijë, duke fajësuar gruan shqiptare për papunësinë dhe varfërinë e lartë në Kosovë.
Me këtë qasje akuzuese, së fundi Kryeministri për nënshkruesit e Peticionit kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi, që për një javë kaloi shifrën e 90,000 qytetarëve, i quajti të padijshëm. Por kulmi i këtyre akuzave ndaj popullit dhe vlerave të saja erdhi kur Kryeministri Mustafa në “Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit” tha se “si shoqëri nuk kemi krijuar kritere morale as ligjore për ta luftuar korrupsionin”. Në përkthim çka do me thonë kjo? kjo do me thanë që kryeministri mendon që si popull dhe qytetarë nuk jemi pjek mjaft që të krijojmë kritere morale për të luftuar korrupsionin. Ai poashtu mendon që Kosova nuk ka ligje.
Konstatimi I Kryeministrit për ligje mund të jetë pjesërisht e vërtetë, ngase kemi ligje të mjaftueshme por këtu problem më I madh është mosimplementimi I ligjeve se sa mungesa e tyre, por konstatimi që “si shoqëri nuk kemi krijuar kritere morale” është skandaloze dhe tendencioze. Skandaloze, ngase në shumë periudha historike korrupsioni as që është njohtë si koncept në Kosovë, një kohë të gjatë nuk ka ekzistuar problem I korrupsionit në shëndetësi apo në arsim, por edhe në fusha të tjera. Si një shqiptar i Kosovës që një periudhë kam jetuar në Stamboll kam gëzuar besim të madh tek njerëzit kur jam njoftuar dhe ju kam treguar kombin dhe vendin. Mendimi për “Arnautët” në aspektin e besimit dhe moralit ka qenë jashtëzakonisht I lartë atje. Në një bisedë me një kolegë në universitet ai më pat thënë që kishte votuar kandidatin për kryetar komune të Izmirit me mbiemrin Prishtina, ngase e dinte që ishte shqiptar dhe besonte që prejardhja e tij do ishte e mjaftueshme për integritetin moral për të luftuar korrupsionin në atë komunë.
Por integriteti dhe kriteri moral i popullatës tonë kundrejt korrupsionit është poashtu i gërshetuar në konceptet e “besës”, fjalës së dhënë dhe konceptit të “hallallit”. Kemi edhe autorë serbë që të fascinuar me integritetin moral të shqiptarëve kanë shkruar libra dhe kanë gjiruar filma lidhur me besën. Së fundi regjisori Serdjan Karanovic ka bërë një punë të shkëlqyeshme në filmin e titulluar “Besa”, i propozoj Kryeministrit të shikoj këtë film që tregon rëndësinë e fjalës së dhënë tek shqiptarët. Në thesarin e fjalëve popullore kemi me qindra fjalë të urta që tregojnë rëndësinë e fjalës së dhënë. Në anën tjetër vetë koncepti I “hallallit” do të thotë që të mos përvetësosh të huajën, që bukën e gojës te fitosh me djersë, pa shfrytëzim dhe pa dallavere. Si duket Kryeministri nuk din apo I ka harruar të gjitha këto kritere morale të popullit tonë të gërshetuara në traditat qindra vjeçare.
Deri diku e kuptoj Kryeministrin, ngase ai gjatë fushatës premton me qindra mijëra vende pune, zhvillim ekonomik, kundërshtim të politikave të PDK-së, hetim të SHIK-ut dhe pastaj i shkel të gjitha këto fjalë të dhëna. Ai pos që shkel fjalët e dhëna ndaj popullit gjatë fushatës dhe e shkel nënshkrimin që e pat vënë në marrëveshjen e VLAN-it, për më tepër pa përfunduar viti ai shkon dhe e nënshkruan një marrëveshje me Vucicin. Pra ai i harron të gjitha fjalët e dhëna dhe pas zgjedhjeve krijon koalicion me PDK-në, SHIK-un e bën Kryeparlamentar, ndërsa e bllokon iniciativat për hetim të SHIK-ut në parlament, në vend të politikave për krijimin e vendeve të punës ai shkon e nënshkruan marrëveshje për ndarjen e tregut të Kosovës me Serbinë, duke lejuar operatorëve elektrik, telefonik dhe postar të shtrihen në 30% të territorit të Kosovës. Për më tepër nënshkruan marrëveshjen më të dëmshme për Kosovën atë për “Zajendincën” e Komunave Serbe duke e bosnjëzuar Kosovën dhe duke e kthyer atë në një shtet jofunksional.
Në anën tjetër Kryekuvendari Kadri Veseli thotë që “lufta kundër korrupsionit është akt patriotik, e ata që e denoncojnë atë janë heronj”, por ai denoncimet e korrupsionit dhe të keqpërdorimeve që bëhen në Kuvendin e Republikës nuk i konsideron të mjaftueshme. Kryeparlmentari gjithmonë ka kërkuar nga Deputetët e zgjedhur që ato raste që I paraqesin në foltoren e Kuvendit ti paraqesin në prokurori duke zhvlerësuar foltoren e Kuvendit nga institucioni më i lartë demokratik në vetëm një vend publik ku dilet para kamerave. Si deputet, në dy raste kam parashtruar raste të korrupsionit nga foltorja, por asgjë nuk është ndërmarr për këto, prandaj pos qe e denoncoj në Kuvend mua më duhet poashtu të gjej avokatë dhe të krijoj rast nga aspekti juridik që ti dorëzoj në prokurori. Mosfunksionimi i Kuvendit si organ denoncues është korrupsion në vehte.
Kryekuvendari Veseli dhe Presidentja Jahjaga thonë që denoncimi i korrupsionit është patriotizëm por harrojnë që denoncuesit e korrupsionit në Kosovë dënohen nga gjykatat, si në rastin e keqpërdorimeve të Drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit ku denoncuesi humbi punën e tij në bankë dhe u dënua me një gjobë prej 5,000 Euro. Në anën tjetër keqpërdoruesi I fondeve publike shëtit lirshëm. Për më tepër, po në Prizren për denoncimin e krimit si është fajdeja dhe harraqi vetëm disa javë më parë u vra një qytetar i cili dy herë kishte lajmëruar organet kompetente para se te vritej.
Si kapak këtyre konstatimeve joparimore Presidentja Atifete Jahjaga në fund tha se “ekziston vullneti politik për luftimin korrupsionit dhe tani është koha për rezultatet e këtij vullneti”. Kjo është një humor perfid dhe karikaturizim i gjendjes momentale në Kosovë. Humori si mjet zakonisht ezagjeron realitetin apo e prapton realitetin, pra e thekson realitetin në formën reverze, pikërisht këtë e bën Presidentja. Ajo më këtë konstatim faktikisht konstaton që problemi kryesor në luftimin e korrupsionit në Kosovë është pikërisht pushteti momental, i cili nuk ka vullnet politik që të luftojë korrupsionin.
Ky pushtet nuk mund ta luftojë korrupsionin ngase kjo do të thoshte që të luftojë vetveten. Hapi i parë për këtë do të duhej të ishte dorëheqja e Kryeministrit. Me 70 dosje në prokurori dhe me djalin në procese gjyqësore ai nuk ka aspak vullnet politik të luftojë korrupsionin por pikërisht të kundërtën që të fajësoje popullatën që nuk është i moralshëm apo që nuk ka ligje.
Ndërsa Kryekuvendari që në pushtet ka ardhur me kapjen e mekanizmave shtetërore, duke ditur sa fort janë të lidhur njerëzit e këqij që e kanë kapur Kosovën konstaton në formë humoreske që “ata që denoncojnë korrupsionin janë heronjtë” duke harruar të shpallë hero Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin për denoncimet e korrupsionit në urbanizëm, tenderime, furnizim të shkollave me naftë dhe shumë e shumë skema tjera korruptive.
Por jo, detyra e këtyre “Këshillave”, e Presidentes, Kryeministrit dhe Kryekuvendarit nuk është luftimi i korrupsionit por hedhja hi në sytë e publikut, mjegullim i situatës, duke shfajësuar vetveten dhe duke fajësuar qytetarët për dështimin e shtetit. Si në fjalën popullore “ujku do mjegull”.
Në përfundim, rastet në Komunën e Prishtinës por edhe shumë raste individuale në Kosovë na tregojnë që shumica e qytetarëve të Kosovës kanë kritere morale të mjaftueshme kundër korrupsionit, por çka ju mungon atyre është organizimi për luftimin e këtyre dukurive. Organizimin do të duhej të udhëhiqte shteti, por shteti në Kosovë është i kapur nga njerëz të korruptuar prandaj këto mekanizma nuk funksionojnë, prandaj edhe e kemi shtetin e dështuar, por assesi popull të dështuar.
Përkundër kontrollit të informacionit publik, qytetarët e Kosovës janë duke i kuptuar gjërat dhe janë duke u organizuar çdo ditë e më mirë për të shpëtuar shtetin nga kapja që i është bërë nga të korruptuarit. Në një shtet të kapur ata mbijetojnë me solidaritet dhe me mirëkuptim duke ndihmuar njëri tjetrin. Familjet kosovare, me decenie janë duke e zëvendësuar shtetin e dështuar, me mirëkuptim ndaj qeveritarëve ata vet krijojnë punësim për vehte, vetëfinancojnë infrastrukturë, ndihmojnë të sëmurët dhe të moshuarit por edhe të varfërit, prandaj ata janë heronj të vërtetë. Kjo tregon që kjo shoqëri ka kritere morale shumë të larta përkundër asaj çka thotë Kryeministri. Së fundi popujt kurrë nuk dështojnë, mund të vonohen por nuk dështojnë, shtetet dështojnë, dhe kur shteti dështon atëherë populli duhet të rimarr kontrollin dhe ta funksionalizojë.

*Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje! Në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat