Revolucioni i vonuar i vezëve të Kosovës

Opinione

Revolucioni i vonuar i vezëve të Kosovës

Nga: Shkruan: Nehat Hyseni Më: 27 shtator 2015 Në ora: 15:28

Në Kuvendin e Kosovës aktualisht është duke ndodhur "Revolucioni i vonuar demokratik", si ideologji dhe filozofi politike e akademikut kontravers, Rexhep Qosjes dhe i pasuesve të kësaj filozofie politike në te.

Kjo filozofi politike mbështetet në idetë revolucionare të bolshevizmit rus, në dekadën e dytë të shekullit XX, të bazuara në ideologjinë dhe filozofinë politika të Leninit.

Sipas kësaj filozofie, që tani po përqafohet nga opozita aktuale e Kosovës me "triumviratin" shtetrrënues: VV, AAK dhe Nisma, me objektivin e rrënimit të "Republikës së Dytë" të Kosovës nga themeli, pa zgjedhur mjete, meqë qëllimi politik i tyre, ashtu si i bolshevikëve rus 98 vite më parë, që prodhuan Revolucionin e Tetorit, mbi rrënojat e Rusisë Cariste.

Me rrënimin e "Republikës së Dytë" në krye me Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin, pra koalicionin qeverisës aktual LDK-PDK, sipas Albin Kurtit, i cili, sa duket është kryeideologu i opozitës, do të lind "Republika e tretë" e Kosovës.

Pra, opozita aktuale e Kosovës, padyshim se është e frymëzuar nga filozofia politike qosiane, si bazë e ideologjisë politike të VV së Albin Kurtit, të udhëhequr aktualisht nga Visar Ymeri, ka për qëllim Revolucionin, që sipas Vlladimir Iliç Leninit paraqet rrugën e vetme të përmbysjes së regjimeve "antipopullore" dhe vendosjes së "diktaturës së proletariatit", që sipas tyre paraqet "regjimin popullor" që do të vendosë Drejtësinë sociale dhe barazinë. Pra, kjo ideologji bolshevike allamosovarçe po na serviret aktualisht nga Lëvizja Vetëvendosja, e pasuar nga AAK dhe Nisma.

Arsyetimi i tyre teorik dhe mediatik është se ky regjim Mustafa-Thaçi po e "shkatërrojnë", kurse opozita do e "shpëtoj" Kosovën!

Prandaj, për shpëtimin e Kosovës janë të lejuara të gjitha mjetet e mundëshme, ligjore e joligjore!

Sepse, "qëllimi i arsyeton mjetet", e ai është "Republika e tretë" e Albin Kurtit.

Opozita tanimë ka krijuar një listë të gjatë kërkesash: Trepçën në janar 2015, pastaj evoluoi në kërkesën ultimative për tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit Mustafa, më 25 gusht 2015 në Bruksel, nga ana e Kosovës dhe Aleksandar Vuçiqit, në emër të qeverisë së Serbisë, si dhe Komisioneres së lartë të BE-së, z. Frederica Mogherini.

Ndërkaq, Ramush Haradinaj dhe partia e tij AAK ia kanë shtuar kërkesa e të opozitën edhe tërheqjen e Marrëveshjes së demarkacionit lidhur me pohimet kontraverse për mbetjen në territorin e Malit të Zi herë 84 km2, e herë dhjetë fish më tepër, kuptohet, me qëllim të alarmimit të popullit për ta rrënuar Qeverinë Aktuale, si "burimin e të gjitha të këqiave" dhe. vendosjen e "Republikës së tretë", si burim i të gjitha "të mirave që" na presin.
Kuptohet, poqese fiton opozita!

Ndërkaq, Nisma e Fatmir Limajt, si motiv themelorë ka paraqitur "zhdukjen e korrupsionit", si parti-model që udhëheqësit e saj ofruan në të kaluarën, kur kishin poste të larta qeverisjeje.

Prandaj, si Albin Kurti e Visar Ymeri, ashtu edhe Ramush Haradinaj e Fatmir Lima dojnë të na bindin me çdo kusht se ia vlen "Revolucioni i vonuar demokratik", me demek rrënimi i Kosovës nga themeli dhe pastaj ndërtimi i saj nga fillimi. Kjo do të thotë që "revolucioni" i Shqipërisë i 1997-tës duhet përsëritur në vitin 2015 në Kosovë!

Sepse, sipas tyre, kështu do t'i jipej fund "Tradhëtisë, korrupsionit dhe keqqeverisjes" në Kosovë.

Andaj, sipas tyre, ia vlen të rrënohet gjithçka, në emër të "patriotizmit dhe shpëtimit të Kosovës"!

Gjithësesi, lufta politike, që ka filluar të quhet "Revolucioni i Vezëve", që na përkujton ngjarjet e parlamentit francez të shek XVIII e XIX, ka hyrë në fazën e bllokimit të plotë të funksionimit të Kuvendit të Kosovës. Opozita këtë e bënë "në emër të popullit", paçka se ajo përfaqëson vetëm 17% të votbesimit të tij!

Bllokimi i punës së Kuvendit paraqet grushtshtet klasik të Republikës së Kosovës të opozitës aktuale:VV, AAK dhe Nisma, si përfaqësues të 17% përkundrejt 83% të popullit të Kosovës.

Prandaj, ky 17% patriotik e gjuan kryeministrin e shtetit me vezë dhe paralajmëron se do e gjuaj edhe me "sende më të forta!"

Kurse, kryeparlamentari aktual, Kadri Veseli, çuditërisht, urdhëron mosmbrojtjen e kryeministrit Mustafa!!! Madje, bërtet e çirret sa mundet, në pa ik disa herë: "Sigurimi jashtë!"

Këtu kryeparlamentari Veseli, mbase, heq maskën dhe radhitet në anën e "RVD-së (Revolucionit të vonuar Demokratik). duke treguar fuqishëm se ai është pushtetari numër një në Kosovë dhe, kuptohet edhe në PDK, meqë urdhëroi heqjen e mbrojtjes së shefit të tij partiak nga gjuajtja dhe mëshira e "jurishnikëve" të opozitës.

Ndoshta kjo na paralajmëron edhe ndryshimet brenda PDK-së, si parapërgatitje për funksinin e Presidentit të Kosovës, nga muaji prill 2016, dmth. edhe gjashtë muaj kohë gjithsej?!

Megjithatë, zhvillimi aktual i politikbërjes kosovare, për dallim nga Revolucioni leninist i Tetorit, që u bë me armë, Revolucioni i Kosovës, tani për tani, në Parliament është duke u zhvilluar me vezë. Se a do të eskaloj në mjete më "të forta", kjo mbetet të shihet.

Por, ajo që dijmë me siguri, është fati në fatkeqësi" të Kosovës, që nuk u çliruam vet, prandaj, na mban shpresa se nuk do mundemi ta rrënojmë vet Republikën e Kosovës, meqë ajo është edhe projekt ndërkombëtar, i BE-së dhe SHBA-së e NATO-s dhe partnerëve të tyre strategjikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat