Vota e Diasporës së Republikës së Shqipërisë, a është e mundur?

Opinione

Vota e Diasporës së Republikës së Shqipërisë, a është e mundur?

Nga: Aurenc BEBJA Më: 22 shtator 2015 Në ora: 18:46

Artikulli në vijim, me një stil pyetjesh, trajton çështjen e votës së diasporës të Republikës së Shqipërisë. Gjatë fushatave të ndryshme elektorale të viteve të fundit klasa politike shqiptare u ka premtuar imigrantëve se vota e tyre do të mundësohet në vendet ku jetojnë dhe punojnë, por ky premtim ende nuk është bërë realitet.

Numri i lartë i popullsisë në diasporë, 1.400.000 shtetas [1], të ardhurat e konsiderueshme, qindra miliona euro, që ajo dërgon në vendlindje, [2], eksperienca e demokracive të zhvilluara dhe studimet e ndryshme mbi ndikimin e kësaj vote në zhvillimin demokratik në vend, shtrojnë një pyetje thelbësore « A është e mundur vota e Diasporës Shqiptare? »

Në përpjekje për t’ju përgjigjur kësaj pyetje lindin një numër pyetjesh të tjera : a është e mundur :

- që tu premtosh shqiptarëve të diasporës mundësinë e votës kur ndodhesh në opozitë në zgjedhjet parlamentare të 2009[3], pastaj në pozitë në zgjedhjet parlamentare të 2013 [4], dhe kur ndodhesh në pozitë në zgjedhjet lokale të 2015 [5], kryeministri i vendit tu kërkojë shqiptarëve te diasporës të nxitin vendesit te votojne, me anë të një statuti të publikuar në profilin e tij në një rrjet social [6] ?

- që një koalicion politik[1] të parfaqësojë mazhorancën e pushtetit lokal, në një shtet të banuar nga 2.893.005 shqiptarë [7], por me 3.372.471 votues të regjistruar në listat elektorale [8], ku vetëm 1.613.054 morën pjesë në votime, dhe ku vetëm 840.180 votuan për këtë koalicion, ose ¼ e popullsisë të regjistruar në lista ?

- që abstenimi i lartë (52.15% sipas KQZ[2]-la) në zgjedhjet e fundit lokale të 2015 të jetë një formë pakënaqësie ndaj politikës shqiptare apo pamundësie e diasporës për tu rikthyer në vendlindje për të votuar ?

- që në listen e 1.759.417 shqiptarëve që nuk votuan të jenë dhe emrat e imigrantëve [9] ?

- që një opozitë (2013 - 2015), dikur në pozitë (2005 - 2013) të heshtë ndaj votës së diasporës ?

- që mungesa e votës së diasporës nuk vë aspak në dyshim demokracinë lokale, që nuk forcon pushtetin oligark të klasës politike, apo nuk influencon përhapjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të korrupsionit ?

- që vota e diasporës do të krijojë nevojën për rinovimin e politikanëve shqiptarë, gjë e cila do të mund të kontribuojë në ndryshimin e imazhit të politikës në shkallë lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare ?

- modifikimi i nenit 45, të pikës 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë [10] apo i nenit 3, të pikës 3 të Kodit Zgjedhor [11] për sigurimin e votës së diasporës ?

- mundësimi i votës së diasporës për shembull në shtetet perëndimore si Franca [12] apo Gjermania [13] ?

- votimi në ambasadat dhe konsullatat shqiptare në botë, ashtu siç ndodhi për zgjedhjet parlamentare të prill 2014 në Maqedoni [14], për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershor 2014 au Kosovo [15], për zgjedhjet prezidenciale të nëntorit 2014 në Rumani [16], apo për zgjedhjet legjislative të majit 2015 në Turqi [17].

- që shoqatat shqiptare në botë [18] (një pjesë e tyre të ndjekura nga mijëra e mijëra shqiptarë në rrjetet sociale) të luajnë një rol mediatori ndaj mërgatës shqiptare duke e informuar atë se si dhe ku mund të votohet në diasporë ?

Në përfundim, çështja e votës imigrante të shqiptarve të Shqipërisë, në shtetet ku jetojnë dhe punojnë, mbetet ende një dosje e hapur, dhe realisht e papërfunnuar. Ndërmjet bashkëpunimit të aktorëve të ndryshëm që numëruam më lart, imigrantëve shqiptarë mund tu realizohet mundësia e votimit në distancë që në zgjedhjet parlamentare të 2017, por kjo do të varet nga vullneti, i klasës politike shqiptare, ose edhe nga vetë reagimi i diasporës ndaj kësaj teme./Nga : Aurenc Bebja, © Klara Buda Post

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat