Ora e ndalur

Opinione

Ora e ndalur

Nga: Shkruan: Anton Marku Më: 5 shtator 2015 Në ora: 13:27

Populli rezistoi dhe nuk u përkul. Numri i miqëve anë e mbanë botës u rrit. Lufta e bë dhe u fitua. Vendi u çlirua. Shteti u shpall. Por, udhëtimi përtej ëndrrës së lirisë u ndal. Ajo u zbeh nga ata që do të duhej ta jetësonin atë. Pse u ndal ora në Kosovë?

Ecje nëpër errësirë
Kur u duk se më në fund, pas lirisë dhe pavarësisë, edhe demokracia erdhi, ajo, pa lëshuar mirë shtatin, u përndjek. Kjo që tani shohim në Kosovë, ky sistem i instaluar është vetëm një karikaturë e dobët e saj. Një imitim i keq. Ajo më shumë se sa demokraci është autokratizëm, servilizëm, nepotizëm dhe klientizëm që pak ka lidhje me shtet ligjor, shoqëri të hapur, institucione transparente dhe llogaridhënie politike.

Detyra kryesore e udhëqësve shtetërorë të Kosovës do të ishte të sjellin paqe, zhvillim dhe mirë (qenie). E e mira duket ndryshe. Ajo vjen më shpejt. Me më shumë të arritura e begati. Me më shumë ngjyra. Jo vetëm bardh e zi.

Kosova është ende në terr dhe atë jo vetëm nga KEDS-u (ish KEK-u). Ka shumë gjasa që në të ardhmen e afërt qirinjtë të jenë malli më i kërkuar në republikë. Jo dhe aq për të bërë dritë sa për tu lutur. Për veten. Për ata. Ata që janë duke e ditur se çfarë janë duke bërë por që nuk po ndalen. Së paku të shikojnë orën në duart e tyre të cilat ende tregojnë kohën kur ata ‘‘hypen’’ në pushtet. Nga ajo ‘‘ditë historike’’ duket se dhe akrepat refuzojnë të lëvizin përpara. Si dhe padronët e tyre që vazhdojnë të kurdisin vetëm atë që më së miri dijnë të bëjnë: testet, regjistrimet, diplomat, tenderët, listat, anketat, hulumtimet, rezultatet ... dhe historinë.

Solidarizim me viktimat apo kriminelët (e supozuar)?
Atë që nuk e bëri UNMIK-u, EULEX-i apo sistemi i drejtësisë kosovare pritet ta bëj gjykata speciale për Kosovën, e cila do të përpiqet të hetojë krimet e supozuara (apo dhe të ndodhura) në periudhën kohore nga 1 janari 1998 deri me 31 dhjetor 2000. Me gjithë kundërshtimet e zëshme të opozitës, shoqatava të dala nga lufta dhe një pjese të opinionit publik, falë dhe presionit të madh ndërkombëtar, u siguruan votat e mjaftueshme në kuvend për të miratuar krijimin e saj.

E të jemi realistë: besoj se askush nuk do të duhej te jetë aq i menqur që të mohojë se krimet, si në secilën luftë, e edhe në atë të Kosovës, kanë ndodhur. Dhe atë nga të gjitha anët e përfshira në konflikt. Nga ‘‘ata’’ me shumë e nga ‘‘ne’’ më pak. Me apo pa të drejtë. Me apo pa dijen e udhëheqësve ushtarakë ka pasur kidnapime, keqtrajtime, burgosje e vrasje.

Në këtë diskurs bën pjesë edhe vendimi i institucioneve të Kosovës që të mbulojë shpenzimet për të akuzuarit e mundshëm të kësaj gjykate. Në vend të kësaj, apo përpos dhe kësaj, mendohet se do të ishte e drejtë që organet shtetërore dhe shoqëria kosovare në përgjithësi të bashkëndjejnë edhe me familjet e viktimave (atyre të pafajshme) dhe jo ekskluzivisht me të dyshuarit për krime lufte, të cilët, për hir të korrektësisë, do të vazhdojnë të mbesin të tillë derisa të dëshmohet fajësia apo pafajësia e tyre. Një ndër efektet anësore të këtij procesi, i cili do të duhej të kontribonte në afrimin dhe pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve, është dhe fakti se popujt duhet të urrejnë krimelët, qofshin nga radhët e tyre apo nga kombet tjera, e jo njëri-tjetrin. Në lidhje me këtë, në vend se të bëhen publike listat e të akuzuarve potencialë, të vërtetës do i bëhej më nder po të bëheshin të dituara, së paku pjesërisht, listat e viktmave të vrara dhe të zhdukura, të cilët do të jenë objekte shqyrtimi të kësaj gjykate. E numri i tyre duket se është më i lartë se sa mund të ishte pritur fillimisht.

Ata që i kanë duart e pastra nuk do duhej të frikësoheshin nga themelimi i gjykatës speciale. Ata për të cilët do të mund të gjenden fakte relevante se në emër të luftës për çlirim nga regjimi represiv serb, në emër të interesave klanore, grupore apo individuale mund të kenë dhënë urdhër apo edhe marrë jetë të pafajshme të civilëve, qofshin ata shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë, le të përgaditen të ballafaqohen me drejtësinë. Mund të ndodhë që ata, përmes avokatëve që do te paguhen majmë nga taksapaguesit kosovarë, me argumentet e tyre do të bindin gjykatësit ndërkombëtarë se: në Kosovë ka pasur luftë, se në luftë nuk është e mundur që të zgjidhen viktimat, se luftëtarët e traumatizuar edhe mund të kenë dalë ndonjëherë jashtë kontrollit të hieararkisë ushtarake, të jenë prekur nga ‘‘çrregullimet’’ fizike apo psiqike dhe në rrethana të tilla të kenë tejkaluar vetveten dhe, duke mos respektuar kodet etike të luftës, të kenë rrëshqitur në krime kundër një numri njerëzish, të cilët i konsideronin si ‘‘pjesë e armikut’’, pa marrë parashysh gjininë apo moshën. Pra, thënë ndryshe se lufta është luftë …

Në këtë aspekt diçka tashmë dihet: këtu, në krahasim me Kosovën, paratë nuk do të mund të kryejnë punë. Megjithatë, le të mos prejudikojmë vendimet e gjykatës por të ja lëmë asaj që të thotë fjalën e saj.

(Mos)marrëveshjet Kosovë-Serbi
U ngrit dhe do të ngritet edhe më tej shumë pluhur lidhur me katër marrëveshjet e nënshkruara së fundi mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, ato, sidomos ajo që flet për themelimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, është vetëm përmbyllje e një faze tjetër të decentralizimit dhe legjitimim i gjendjes faktike në teren, e cila ka 16 vite që është e tillë-jashtë ndikimit të Prishtinës.

Për sa i përket mosmundësisë që këto të drejta të funksionalizohen në autonomi territoriale duhet thënë se ajo nuk është dhe aq e domosdoshme. Kjo për faktin se secila komunë e ka të përcaktuar territorin e saj. Dhe pasi që dihet se sa komuna do ta përbëjnë këtë bashkësi, atëherë është më se e qartë se në cilin territor të Kosovës do të vlejnë dhe zbatohen vendimet e këtij entiteti-në krijim e sipër. Pra, pos autonimisë kuazi-politike, kulturore dhe funksionale territoret e banuara me serbë kosovarë do të kenë edhe një ‘‘hartë’’ të tyre të veçantë se nga ku, ku dhe deri ku shtrihet ‘‘sovraniteti’’ i tyre në teren. Nëse qëllimi i Prishtinës zyrtare ka qenë që veriu i vendit, më në fund, të vendoset dhe të mbahet me çdo kusht nën kontollë, ndërsa i Beogradit që komunat me popullsi shumicë serbe të fitojnë edhe më shumë kompetenca se sa kanë aktualisht, atëherë bisedimet e Brukselit ngjajnë me ato të zhvilluara në Vjenë gjatë viteve 2006-2007, ku njëra palë ofronte ‘‘gjithçka pos shkëputjes’’ ndërsa tjetra ‘‘asgjë më pak se shtetësi’’. Zgjidhja e arritur së fundi është diçka mes të dyjave. Pra edhe në këtë rast po dëshmohet se ‘‘më pak është më shumë’’.

Sidoqoftë, nuk përjashtohet mundësia që institucionet qendrore të Kosovës së shpejti do të sfidohen nga ky asociacion. Viti 2016 mund të jetë vit i referendumeve. Dhe atë jo vetëm në Angli dhe Bosnjë.
P.S: -Në këngën e njohur të muzikës folkloristike ‘‘Thrret Prizreni mori Shkodër’’ askund nuk përmenden komunat e veriut të Kosovës (Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani) si pjesë përbërëse e territoreve shqiptare në Ballkan. Duket se ‘‘folkloristët‘‘ tashmë kanë hequr dorë nga ato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat