Publikoni disertacionet!

Opinione

Publikoni disertacionet!

Nga: Lis Bukuroca Më: 4 shtator 2015 Në ora: 08:41

- Pse fakultetet kanë faqe interneti dhe publikojnë shkrime propagandistike, por jo disertacionet e shkencëtarëve kosovarë me të cilët duhej të mburreshin?
- Pse atij që kanë doktoruar jashtë, nuk i kërkohet përkthimi i disertacionit dhe publikimi në gjuhën shqipe?
- Me një ligj për publikimin e punimeve shkencore, Qeveria e Kosovës do ta çlironte Kosovën nga hajdutët me titull “Dr.” dhe do niste ndërtimin e një shoqëri të moralshme.

A është kjo kërkesë e pamoralshme? Për hajdutët po, për shkencëtarët e vërtetë, jo. Në vitin 80, nëse nuk gabohem, gjatë një bisede me profesor Ruzhdi Ushakun, më pat treguar me keqardhej se disertacioni nuk po i publikohej në mungesë të mjeteve. Në 20 vitet e fundit mund të lexohen shkrime të profesorëve të universiteteve nga Kosova dhe Maqedonia, që nuk posedojnë njohuri elementare: as të gjuhës, as njohuri në fushën e vet shkencore. Në gjuhën shqipe bëjnë aq shumë gabime, sa nuk do të kalonin as klasën e katërtë të shkollës fillore. Njëri prej tyre, profesor i Universitetit të Prishtinës, shkruante në fb: „Sot nuk do të dalë në Gërmi me vrapue, sepse koha është e vrërërt“, në vend e “vranët.” Merreni me mend një profesor në Perëndim, që flet një dialekt!!! Merreni me mend një Kryeministër në Perëndim, madje me titullin akademik, që nuk din ta shkruajë drejt gjuhën e vet!!! Merreni me mend një arsimtar i gjuhës së huaj, që nuk din të shkruajë një fjalë që përdoret aq dendur!!!

Kur isha në Maqedoni, një shok i studimeve më qortoi se kisha ngelur pa titull dhe se disa tjerë, që në gjimnaz kishin përsëritur klasën, sot ishin magjistra dhe punonin nëpër universitete. Atje pata takuar edhe disa që në vitin 2000 kishin mbaruar fakultete në Prishtinë, pa ndjekur kurrë ligjëratat, diku më shumë se njëzet vite pas regjistrimit të parë dhe në degë tjera, jo ku kishin nisur studimet. Kur m' i numëruan profesorët dhe doktorët e shkencave, aty kuptova se të mos kesh titull shkencor, ishte nder i madh. Kaq thellë ishte katandisur kultura dhe arsimi shqiptar. Ishte krijuar një elite surrogate. Një subkulturë, që veten konsideron elitë intelektuale, që nuk ka guxim ta publikojë veprën e vet.

Një shok tjetër i gjimnazit, që pat mbaruar studimet e mjekësisë në Rumani dhe që sot është mjek specialist në Austri më tregoi se atje, nuk mund të mbronte temën e doktoratës. Sipas ligjeve austriake, titullin shkencor mund ta fitojë vetëm ai, që punon në Klinikën Universitare. I rekomandova Shqipërinë për ta zmbrapsur nga një titull i dyshimtë në Universitetin e Prishtinës apo Tetovës. Ai u qesh me të madhe dhe tha:“Në Shqipëri nuk u intereson disertacioni që kam gati, ma kanë thënë qartë, por kërkojnë 2000 euro dhe nuk dua të blej titullin...“

U përmend në fillim rasti mbi shqetësimin e profesorit Ushaku, pse nuk publikohej studimi tij shkencor, që pas një apo dy viteve megjithatë, u botua. Përmenda sepse profesorët e atëhershëm ndjeheshin keq, të zhvleftësuar, nëse nuk publikohej disertacioni i tyre, sot profesorët trishtohen nëse u kërkohet publikimi i disertacioneve. Në anën tjetër, publikimi nuk ka qenë kurrë më i lehtë se sot. Të gjithë apo shumica i kanë në kompjuterë, në USB dhe me disa klikime, mund t' i ofrojnë publikut studimete e tyre shkencore: veprat e tyre me të cilat merituan “Dr.„ para emrit. Pse ata doktorë shkencash nuk u japin mundësi publikut të gjerë dhe studentëve të vet, të mësojnë se çfarë vepre shkencore kanë shkruar? Heshtja e tyre dhe refuzimi nuk mund të kuptohet, por krijon mundësi për shumë interpretime. Pastaj, ata që kanë doktoruar jashtë, duhet të për kthejnë edhe shqip punimin e tyre, sepse universitet e jashtme, nuk janë në gjendje të shqyrtojnë sa ka vjedhur Dr.Filan Fisteku nga librat në gjuhën shqipe.

Para disa viteve qe lakuar emri i një profesori nga Prishtina, - deri para pak kohe me një pozitë të rëndësishme, tani vetëm profesor - pata bërë këtë kërkesë si sot: publikim e disertacioneve duke menduar se ai profesor, ishte i sinqert dhe me këtë ide, e këshilloja të mënjanonte dyshimet. Një ditë më vonë, marrë një email nga ai profesor, ku shkruante: "...kur të vijsh në Prishtinë, eja në zyrën time dhe pijmë një kafe." Nuk kërkova takimin me të kur isha atje, ftesa e tij më la një passhije të keqe.

Nëse fakultetet mbushen me njerëz që kanë dëshirë dhe mundësi për të blerë, por jo dije, nëse spitalet mbushen me shaman, jo me mjek, nëse shoferët nuk kanë patente dhe injorantet janë infermiere, nëse mësuesit janë barinj, jo mësues, por barinjtë mësues, nëse tregtari jep mësime në gjimnaz, nëse pastruesi i rrugëve është me fakultet, ose i papunë, atëherë mund të thuhet se kemi një shoqëri të sëmurë që duron profilimin e arrivistëve dhe manipulatorëve. Atëherë kjo dmth. se ne shtet nuk kemi, sepse pikërisht disa prej tyre mbajnë pozita të rëndësishme në shoqëri. Atëherë mund të thuhet se për shkencën shqiptare më shumë kujdesej Jugosllavia se sa Qeveria e Kosovës. Në kohën e Jugosllavisë talleshim me komunistët, që nuk dinin t' i shkruanin fjalimet e tyre, sot jemi zhytur më thellë në injorancë, sot kemi profesorë që shprehen më keq dhe më dobët se sa komunistët e djeshëm me shkollat partiake të natës.

Nëse politika shqiptare dhe kosovare nuk mund të ndajë shapin nga sheqeri, atëherë ardhmëri nuk do të kemi. Nëse politika injoron shkeljen e ligjeve nëpër qendra universitare, atëherë do të supozohet se kanë frikë ta luftojnë këtë anomali, sepse as ata vet nuk janë të pastër. Qeveritë duhet t' u kërkojnë universiteteve publikimin e disertacioneve, që nuk mund të gjenden si libra, nëse nuk e bëjnë, të detyrohen me një ligj. Jo pse nuk na duhen shkencëtarë, por sepse nuk na duhen hajdutë me titull, por sepse vendet janë zaptuar nga sharlatanë, jo të gjithë, por numëri i tyre nuk është i vogël sa të shpërfillet; sa të rrëfehet si gazmore në shtëpi e kafene, por të veprojë shteti, nëse ekziston ai. Nëse jo, atëherë do të qelbemi tutje si peshku, nga koka. Dhe, plagjiatorë nuk janë pak! Të hetohet edhe Universiteti i Prishtinës dhe ndriçohet numri i diplomave të fakulteti që janë shitur pas luftës. Qeveria nuk është votuar për të numëruar anomalitë, për të treguar si u pasuruan njerëzit, por për ta luftuar krimin në të gjitha sferat edhe atë, duke nisur nga vetja, pastaj nëpër universitete dhe fusha tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat