Për

Opinione

Për

Nga: Nga Eduard Frrokaj Më: 30 gusht 2015 Në ora: 14:08

Ne shkruajmë dhe meditojmë shumë për historinë, kaq shumë sa nuk na ka mbet kund njeri i gjallë pa e njollos, thjeshtë pa e shpallë tradhtar, Rugovën nuk e di sa herë e kemi shpallë tradhtar, hija e Adem Jasharit na pengon, lëre më të mos e shpallim Mark Krasniqin të cilin ende nuk e ka tretë dheu!

Akademik Mark Krasniqin e kam njohur pas luftës së fundit i angazhuar si Kryetar i Forumit Rinor të PSHDK, fillimisht më duhet thënë se i kishte të gjitha shenjat e “tradhtarit ” nuk kishte truproje, makina, cigare Puro, kishte një triko, një gazetë, një pale këpucë, ulej në fund të restorantit dhe fliste hapur, i kishte disa shenja tjera Rugovën dhe miqtë ndërkombëtar, Kosovën dhe Shqipërinë, për shumëkënd edhe këto shenja “tradhtie”!

Ai besoni e dinte se do ta shpallin tradhtar, për këtë arsye në moshë shumë të shtyre shkruante, dëshmonte, jetonte … nuk ishte pak në Kosovën e lirë të shkruash, të dëshmosh dhe të jetosh… ata që e akuzojnë në këto çaste të trishta kur trupin e tij nuk e ka tretë dheu për tradhtar sepse nuk e paska sfiduar sa duhet ish Jugosllavinë në Kosovën e lirë nuk kanë arritur të shkruajnë, të dëshmojnë ndërsa po ndoshta kanë arritur të jetojnë për aq sa ka dashur pushteti ti lejoj të jetojnë!

E kam takuar kaq shpesh profesor Markun pasi vinte çdo vit për festë në Malësi të Gjakovës dhe vetëm kam ndezë cigare, me mend në kokë nuk e kam ndjekur modelin për t’i thënë “Profesor ti je më i madhi në tokë të Kosovës më bëjë të madh", ky është modeli që të mos shpallin tradhtar, a e din profesor se ata që e ndjekin këtë model çfarë i kishin bë ish Jugosllavisë!

“Tradhtari” Mark Krasniqi, nuk është se nuk e dinte për këtë nofkë, nuk është se nuk i dinte listat që u përpiluan pas luftës së fundit për gjueti shtrigash ndaj njerëzve të afërt me Rugovën, e dinte nuk ka kurrfarë zbulimi… i ka demantuar me fakte këto lista edhe në vepra të shkruara … Mark Krasniqi ka qenë në vitin 1968, 1981, 1990 në krye të lëvizjeve për Kosovën shtet (ai nuk ishte vetëm natyrisht! )… Ai kujtonte me mall Ernest Koliqin i mërguar përjetësisht në Romë dhe lutjen e tij që të mos e harrojmë Bashkimin Kombëtar!

Në çdo bisedë politikën aktuale për dhe rreth Kosovës e shihte si kompromis të përkohshëm ndërsa Bashkimin Kombëtar si ideal të përhershëm. Nuk e di a do te realizohet ëndrra e tij por e di se e ka parë shpesh dhe e ka treguar përherë.

Duke i parë të gjitha këto epitete për të më vjen keq se nuk e kam pyetur “Profesor përse nuk ulesh pak më larg në errësirë të kalkulosh ndonjë tender dhe të bëhesh hero i qytetit pa lume”… Më vjen keq se nuk e kam pyetur për shumë gjëra dhe njëra nga ato mbase do të ishte se si është e mundur se nuk e dallon heroin dhe tradhtarin!
Të gjithë shqiptarët i more për heronj…!

Në janar të vitit 2006 kur e takuam në një cep të restorantit të harruar, me të njëjtën triko, më të njëjtën gazetë, ishte dita kur Kosova po e varroste presidentin Rugova ndërsa profesor Markut i ranë dy pika loti eh Ibrahim tha më ke lanë keq… e dinte thellë në ndërdije se kanë me e shpallë” tradhtar ”… Dhe a e dini përse se në këtë tokën tonë të egër nuk lejojmë heronj!

Edhe sonte befasohem se si disa nga ne kurrë nuk arritëm të kuptojmë se me folë për Kosovën dhe Bashkimin Kombëtar është “tradhti”… të çuditshëm profesor jemi, ama thjeshtë duket sipas të gjitha gjasave se ke qenë “tradhtar” sepse ke pas një triko, një gazetë, një president dhe ke parë ëndërr një shtet…!!!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat