Click

Opinione

Click

Nga: Edison Ypi Më: 3 gusht 2015 Në ora: 22:42

Gjumi në mëngjez të del kur hap sytë, pra kur bën një click.

A ka dita të tjera clicka ?

Që dita ka pafund clicka këtë nuk e dijnë vetëm të clickuarit, budallenjtë.

Pasi ke bërë clickun e parë duke hapur sytë, do ngrihesh nga shtrati do shkosh në banjë do freskosh surratin, si dhe do rruhesh. Hap e mbyll rubinetat, kapakun e tubetit të shkumës, të aftërshejvit dhe të ndonjë apo disa tubetave të tjerë, nga banja nuk del dot pa shtypur nja 50 herë disa butona, pra pa bërë nja 50 clicka.

Kthehesh në dhomë a në kuzhinë për të clickuar telekomandën për të ndezur televizorin. Meqënse jemi në pluralizëm dhe kanale ka me dhjetra, duhet bërë një zaping për tu informuar për të njëjtat ngjarje nga këndvështrime të ndryshme nga disa kanale, çka kërkon jo më pak se nja 200 clicka.

Nuk dilet nga shtëpia pa ngrënë diçka. Diçkaja që do hash duhet ngrohur. Sido që ta ngrohësh, me gaz, korent, mikrovalë, duhen shtypur butonat përkatës, ja edhe disa dhjetra clicka të tjerë.

Pasi ja ke bëre qefin stomakut, nuk mund të lesh pas dore celularin. Do shohësh mesazhet dhe emailat që të kanë ardhur gjatë natës. E pamundur të mos u kthesh përgjigje disave. Po s’u ktheve ti përgjigje për punët e tyre, nuk do të përgjigjen as ata për ndonjë hall tëndin, pra do-s’do disa rreshta do shkruash. Në mos më tepër se një mijë, me siguri disa qindra clicka mëngjezorë mbi butonat e celularit do t’i bësh. E mira është gërmat të shkruhen me penë e bojë mbi letër të bardhë. Sot, përveçse me clicka mund të shkruhen edhe duke folur. Teknologjia monstruoze e të shkruarit duke folur për Gjuhën Shqipe ende nuk ka ardhur. Kurrë mos ardhtë.

Në ashensor duhet të bësh vetëm 1 click mbi butonin e zbritjes. Por mund të bësh edhe më tepër nëse je qefli clickash, ose thjesht për inerci të qindra clickave që sapo bëre në shtëpinë prejku sapo dole.

Në kafene ca nisin mesazhe, ca shkruajnë emaila, ca luajnë lodra. Ti s’je më i mençëm se ata. Edhe ti të njëjtën gjë do bësh, nja tre a katërqint clicka për ca SMS-ra të prapambetura.

Derisa të arrish ku je nisur, në ndonjë punë, qef, qokë apo hall, gjatë rrugës do të marrin dhe do marrësh në celular disa herë, domethënë do bësh disa dhjetra clicka.

Po të hysh në ndonjë dyqan, shitësi do të përgjigjet me përtesë. I kanë hyrë në celular disa virusa. Po bën pafund clicka për t’i hequr. Sa t’i heqi virusat shitësi, është rast i mirë për ty të shkruash një email që kishe lën pas dore me sot me nesër. Ja dhe nja dy a treqint clicka të tjerë mbi butonat e celularit.

Diku në një tezgë do marrësh nja tre a katër gazeta. Kqyrja e gazetave nuk lyp clicka kërcitës. Por i ka të paevitueshëm një numur jo të vogël clickash të heshtur, të nervave, të gjakut, të hormoneve, deri edhe të muskujve dhe gjymtyrëve, të cilët clicka në gjuhën mjekësore emra i kanë latinisht, por clicka janë. Dhe çfarë clickash. Në varësi të efektit tromaksës të lajmeve që do lexosh, mund të merren mentë, mund të alivanosesh, mund të bjeri dhe damllaja.

Clickat e mizërisë së njerëzve të kërrusur mbi celularë nëpër rrugë e sheshe, janë me miliona. Mos u tremb. S’janë të tuat. Vazhdo rrugën. Ndiq instinktin. Nxirr nga xhepi smartfonin bëj ndonjë selfie a fikso një përplasje makinash, sherr njerëzish, pamje këto që pavarësisht se kurrë dhe kurrkush nuk do t’i kqyri, nuk është mirë të lihen pa u pavdekësuar me një numur clickash. Po tu tek t’i pavdekësosh në video, shtoji këtij hesapi edhe po aq clicka.

Ke arritur ku je nisur, të themi, në zyrë.

Në zyrë ke një kompjuter.

Numuri i clickave mbi kompjuter është aq i madh sa nuk ka bir bushtre ta bëjë hesap. As ai që kompjuterin e ka shpikur. Madje as autikët që bëjnë hesape me numra me dhjetra shifra duke u nxjerrë atyre numurave deri edhe rrënjët kubike, nuk munden.

S’do rrish duke u marrë gjithë kohën me kompjuterin, se çmendesh. Gjatë orarit të punës do merresh edhe me celularin që e ke smart. Me të mund të bësh pafund gjëra, të dëgjosh muzikë, të instalosh dhe çinstalosh programe, të luash lodra.

Nuk ka formulë matematike për të llogaritur numurin e clickave që do bësh gjatë orarit të punës për t’u ksehasur në kurriz të taksapaguesve. Për këtë numurim duhet shpikur një program kompjuterik. Kurrë mos u shpiktë. Po të shpikej, do rrëzonte, jo vetëm tonën, por një numur qeverish në mbarë botën.

Pasdite dhe në mbrëmje do kesh të bësh përsëri me celularin, kompjuterin e shtëpisë dhe një lukuni elektroshtëpiakesh që punojnë me butona, pra me clicka. Edhe clickat e mbrëmjes nuk duhen llogaritur. Kush i futet atij kalkulimi rrezikon t’i shkaktojë vetes traumë cerebrale.

Kujdes me clickat.

Po re në muhabet me dikend të cilit i është mbushur mendja se shtimi i numurit të clickave mbi kompjuter dhe celular nuk të budallalleps por të bën më të squt, ruaju se mund të të bëjë click Hypotalamusi.

Mund të ndodhi të takosh ndonjërin që është i bindur se shtimi i clickave të bën më të ditur. Në këtë eventualitet rastet janë dy. Nëse je mashkull rrezikon clickun e prostatës. Nëse je femër, zhdukjen e pikës G brenda vaginës.

Sa clicka ke bërë vallë gjatë një dite ?

Sa yje ka në qiell ?

Sa gjethe ka nëpër drurë ?

Sa kokrriza rëre ka në shkretëtirë ?

Numuroji vetë. Unë nuk mundem. Kam frikë se pasi ta kem gjetur atë shifër do më bëjë click mendja ose zemra, do çmendem ose do vdes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat