Hapini ditarët e Mariave!

Opinione

Hapini ditarët e Mariave!

Nga: VALBONA SULÇE Më: 2 gusht 2015 Në ora: 09:30

Historia e trishtë e Marias së vogël që u mbyt nga pakujdesia në një lumë, ndërsa ishte duke udhëtuar ilegalisht së bashku me prindërit që kërkonin punë në shtetin fqinj, s’do t’I kishte kaluar tre ditët e vëmendjes, nëse vajza nuk do kishte lënë një ditar. Dhe ndërsa ditari po qarkullon si hit në rrjetet sociale, sërish ia kemi dalë mbanë të mos e rrokim problemin nga koka, por nga bishti.

Sa Maria kemi në këtë vend? Raportet thonë se afro 148 mijë fëmijë jetojnë në varfëri absolute në Shqipëri, ndërsa mbi 15 mijë fëmijë jetojnë në familje me të ardhura zero. Zero. Secili prej këtyre 148 mijë fëmijëve është një Maria. Pse nuk i shohim ditarët e tyre? Pse nuk i hapim ato? Pse nuk i lexojmë? Sepse fëmijët e Shqipërisë nuk janë lajm. Sepse gazetarët i kanë dënuar me indiferencë fëmijët. E bashkë me ta, edhe shoqëria e politika.

Shumëkush mund të thotë që c’punë kanë gazetarët me këtë gjëmë? Gazetarët raportojnë faktet. Dhe fakt është që Maria vdiq. Unë mendoj se faji i gazetarëve kur raportojnë në këtë mënyrë kaq sipërfaqësore e cinike është pikërisht se e kanë edukuar shoqërinë me mitin e rremë se këto gjëra ndodhin kudo, se e keqja nuk mund të zhbëhet, se ne vetëm mund të qajmë pas saj.

Kemi harruar të pyesim pse. Si mund të rregullohet aksh gjë? Kush është përgjegjës? Duke marrë këtë informacion si ushqim, shoqëria jonë është dorëzuar se ky vend nuk ndryshon duke e parë gjithmonë të keqen tek tjetri, tek shteti. Ne kemi harruar të besojmë se e keqja mund të ndalet. Nëse të gjithë do bëjnë pjesën e tyre: shkolla, policia, gjykatat, gazetat, prindërit, familja, biznesi, politika. Paradoksi është që ne të gjithë presim të ndryshojë gjendja duke bërë të njëjtat veprime. Po bëhemi një shoqëri vajtojcash, hipokrite.

Duke rendur pas sensacionit, shumë shpejt do harrohet historia e Marias, edhe ditari i saj. Sic u harrua historia e Marjanës, Nazimes, Aishes, Sokolit, e shumë fëmijëve të tjerë të abuzuar. Cfarë duhet të ndodhë më që t’I kthejmë sytë nga fëmijët?

Kolegu Cukali dyshonte me të drejtë nëse media në Shqipëri e ka aftësinë të ngrejë një kauzë, ngaqë ajo po dëshmon dita ditës se është më e interesuar me detajet e perversiteteve sesa të drejtat e fëmijëve. Kam filluar edhe unë ta besoj këtë, megjithëse një fije shprese më mban se do dimë të dalim nga ky batak, nëse do t’I kthejmë sytë nga fëmijët.

Maria iku, po la pas atë që nuk e njohim , fëmijërinë e saj. Ikja e saj është një thirrje për t’i hapur ditarët e fëmijëve………… sa janë gjallë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat