Kosova me qizme prej shtat miljesh

Opinione

Kosova me qizme prej shtat miljesh

Nga: Fadil Lepaja Më: 28 korrik 2015 Në ora: 11:52

Më në fund edhe Ferizaj u bë me semafor! Falë qeverisë komunale! Edhe asaj qendrore! Edhe qeveria qendrore ka merita, se nuk e pengoi ëndrrën shekullore të banorëve të kësaj ane, me ec nëpër zebër pa u tutë se po të shkelin! Veç mos ecni nëpër të kuqen! Tash të kuptohemi, nuk është se edhe më herët nuk kishin njerëz që i përfaqësonin në parlament, dhe institucionet e tjera qendrore, por thjesht, në disa qytete tona ende nuk punohet me standarde ndërkombëtare. Rregullat i vë tjetërkush! As Evropa nuk kalon pa aprovimin e tyre!

Por, gjërat kanë ecur, shpejt, me hap prej shtat miljesh! Shprehja e dikurshme e agjitpropit që njihej si “ hap kilometrik” nuk arrin me e shprehë gjendjen e re të krijuar! Semafori, po se po, por më herët kanë dalë edhe rreth rrotullimet, ky zbulim epokal, i cili lirisht mund të renditet pas rrotës. Në kuptimin shkencorë edhe politik! Deri në marramendje.

Kështu, pak a shumë mund të konstatohet se edhe Ferizaj hyri nën standarde ndërkombëtare. Edhe ngjyrat u pranuan lehtë! Aty ku e kuqja, dikur simbolizonte për shumëkënd lirinë, tash u vendos rregull tjetër. E gjelbra e mori kuptimin e lirisë, dmth “kalo”, ndërsa e kuqja “ndal”! Si gjithkund nëpër botë! Edhe “vetëvendosja” shpejt, do të vendosë nëpër të kuqen, sloganet e veta! Do të stolisin edhe semaforin e parë, ferizajas. Nuk bënë të lejohen dallime! Nejse!

Kjo padyshim është edhe një nga sukseset e mëdha të shtetit tonë të ri! Ferizaj ka ecur shumë përpara, e Podujeva ka mbetur prapa! Podujeva tradicionale! Madje e lavdëruan për këtë! Një mik i vendit tonë, ambasador, e vizitoi këto ditë dhe e lavdëroi se po qëndron stoikisht në themelet e islamit tradicional! Ende fëmijët po bëhen synet me ceremoni! Djemtë, kryesisht! Por edhe burrat! Në kuptimin politik! Me rëndësi, me qenë me standarde!

E Gjakova ka të tjera halle! Gjakova ka problem me qentë. Pas kodit për tabela vetjake për vetura ”07”, tash me angazhimin e krejt qeverisë komunale, është arritur ajo çka nuk ka arritur ende askush: tash e tutje do të dallohohen qenët endacak duke u selektuar në dy kategori: prej Gjakove dhe ata ardhacak. Nëse ju ka kafshuar një qen dhe ju arrini të e shihni kodin “02” dijeni se është prej Gjakove. Më herët, qytetarët kishin metoda më primitive për me i dallue qenët endacak. Varet ku e kafshonin njeriun, andej apo këndej! Nejse, gjithsesi edhe ky është një hap i madh përpara!

Por media botërore e regjistroi edhe një ngjarje nga Gjakova, ku ishte prezente edhe vet kryetarja! Kryetarja e Gjakovës! Ajo dëshmoi se Gjakova ka ende burra! Jo, jo, ajo nuk kërceu nga Ura e (F)shejtë! Mbase edhe do të kërcente, por për ndonjë arsye u vonua jo më shumë se një orë në hapjen solemne, por kur erdhi...erdhi! Ajo në fund të fjalës së vet, e shprehu besimin se vitin e ardhshëm nga ura do të kërcejnë edhe femrat! Kjo po që do të ishte interesant. Përpos stilit në këmbë dhe dallëndyshe, duhet të gjendet edhe një emër i ri për këtë stil, por gjithsesi në Gjakovë s’ka munguar kurrë imagjinata, e as oratoria! Nuk u kuptua se çfarë stili ishte , kërcimi i njërit që ishte mbështjellur me flamur kombëtar dhe që ra shahadet përpara se me e bë kërcimin e tij! Nejse, kërcimi i tij mund të futet në stilin “kërkaç” megjithëse ishte një kërcim politik gjithsesi! Pas këtij stili, provokues gjithsesi, në rrethin e dytë të kërcimeve, filluan edhe kërcyesit e tjerë të tregojnë përkatësinë religjioze!

Nejse, kur jemi te vonesa, kryetarja me siguri i ka pas edhe arsyet e veta, apo mos ka qenë në dilemë që vet me e hapë sezonin duke kërcyer e para nga ura. Matu e çmatu dhe ... si duket e la për vitin tjetër. E bënë ajo! Por, ashtu si është ambicioze, deri atëherë, krejt lehtë mund të bëhet kryeministre apo edhe presidente dhe... më nuk i ka hije të kërcej nga ura! As vendi nuk mundet me ja lejue vetes me rrezikue një kuadër të profilit aq të lartë.

E Prishtina mbet pa zgjidhje. Shpendi nuk kërceu nga ura! Ndoshta sepse Prishtina nuk ka lum! E rrjedhimisht as urë!

Mund të kërcej vetëm nga mbikalimet që nuk i përdorë askush! Por, ka ndërtesa. Me leje e pa leje! Le krejt, Shpend! Nuk mundesh me e ba Prishtinën Skenderaj, për dy vjet! Boll ke ba!

Pra, Kosova ka ecur me hapa kilometrik! Ku kemi qenë, e ku jemi...nuk krahasohet! Edhe presidentja e vendit, nuk e pat lehtë të numërojë krejt sukseset e jashtëzakonshme të arritura në Kosovën e pasluftës! As shtat minuta nuk mjaftuan!

Fak, e fak, e fak! Ja ka numrue të gjitha, më tha dikush! Deri sot askush nuk e ka mbrojtur kështu çështjen e Kosovës

Nga kjo fitoi ... Kosova! Publiku gjerman arriti më në fund me e kuptua të vërtetën për ne dhe përfundimisht konspiracioni ndërkombëtarë kundër Kosovës filloi me u zhvesh lakuriq para kamerave. Krejt e kuptuan përse Kosova është ku është! Askush nuk mundet me i fajësue më, udhëheqësit tonë rrush me merita, për egzodin drejt Evropës! Normal që drejt Evropës do të shkojmë! Me ose pa viza!

Ne e duam Evropën! Ne kemi çka i ofrojmë Evropës! Kem futbollist edhe këngëtarë! Kemi “shumëçka 2.5” si i thonë fjalës! Ky ishte mesazhi plot patos, i Presidentës!
Kemi, po çka!

Unë, për vete, sapo u ktheva nga një qytet i bukur i jugut shqiptar! Patriotizmi vlonte! Një klub striptizi, e kishte vënë një reklamë, me ngjyra kuq e zi, ku një femër valltare, varej për një shkop vertikal, të vallëzimit ! Kush e di çka simbolizonte shkopi, por klubi quhej “Shqiponjat”!

Vapë, e madhe sivjet! U kënaqëm! E sa për ne, veç kush na e ka inati! Kemi mbathur çizmet prej shtat miljesh! Kaq e qesim hapin! Me ose pa viza... aty na ke, Evropë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat