Një ditar si dëshmi për kohën e mbushur me tmerr dhe ankth

Opinione

Një ditar si dëshmi për kohën e mbushur me tmerr dhe ankth

Nga: Fazli HAJRIZI Më: 25 korrik 2015 Në ora: 17:24

Behlul Spahiu njihet në Mitrovicë e Drenicë (Klinë, Skënderaj e Runikë) si mësimdhënës shumëvjeçar i disa lëndëve, si: artit figurativ (vizatim), artit muzikor (muzikë), gjuhës shqipe etj. Ai mbi katër dekada me radhë ka punuar me përkushtim të madh në edukimin dhe arsimimin e shumë brezave të rinj në shkollat fillore dhe të mesme. Qe afro pesëdhjetë vjet njihem me të. Në fillim e kam njohur si mësues të devotshëm, si njeri shumë të dinjitetshëm, ndërsa më vonë edhe si krijues që punon në heshtje, pa zhurmë e pa bujë, gjithmonë prajshëm, siç thonë. Këtë ma tregonte shpirti i tij i ndjeshëm, delli i tij krijues, aftësia e tij për të transponuar jetën e realitetin tonë jetësor, qoftë duke përdorur penelin, kombinimin e ngjyrave, qoftë fjalën e zgjedhur artistike.

Jeta e Behlul Spahiut ka qenë shumë e vështirë. Për këtë ai më ka rrëfyer shumë pak. Më tepër kam mësuar nga të tjerët. Ky mësues i ka provuar të gjitha në jetën e tij, përveç vdekjen. Më shumë ka përjetuar vuajtje e dhembje sesa gëzime e lumturi, por asnjëherë nuk është thyer shpirtërisht. Asnjëherë nuk i ka shkuar mendja te vdekja, sepse me kohë ka dëbuar nga universi i tij frikën nga vdekja. Vullneti i madh e ka nxjerrë në rrugë të mbarë e gjithnjë të fituar përballë ndeshtrashave të jetës. Ka sakrifikuar shumë dhe kjo iu ka shpërblyer shumëfish. Vargu i Luigj Gurakuqit se “Ndër kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtue,/ mjer ai që nuk qindron!” sikur ishte bërë moto e jetës së tij. Behlul Spahiu, siç theksova pak më lart, ka filluar të pikturojë e të shkruajë shumë kohë më përpara, qysh si normalist. Derisa pikturat e tij i ka ekspozuar herë pas here në ekspozita personale e kolektive, prej krijimeve në poezi e prozë që i ka në dorëshkrim, nuk ka botuar, të thuash, asgjë deri më tash. “Arti në përgjithësi është nevojë për shkarkim dhe çlirim nga prangat e magjisë!” – më pati thënë një ditë teksa bisedonim për krijimtarinë artistike. Duke ditur se ai vazhdimisht pikturon e shkruan pa reshtur, u përpoqa që t’ia mbush mendjen dhe ta nxis të ofrojë diçka për botim, poezi qoftë apo prozë. “Ato mund të presin, siç kanë pritur deri më sot! – m’u përgjigj shkurt. Më shumë është duke më preokupuar çështja e një ditari që e kam mbajtur gjatë luftës dhe disa kohë pas përfundimit të saj! Meqë ke dëshirë të lexosh diçka nga shkrimet e mia, ja, lexoje këtë ditar! Nëse konsideron se ia vlen që të publikohet, mirë, nëse jo, atëherë le të presë edhe ky!” Kështu, ma ofroi dhe ma besoi dorëshkrimin “Nëpër shtigjet e jetës” jo vetëm për ta lexuar, por edhe për të dhënë vlerësimin tim për të, ia vlen apo jo për ta bërë libër. Autori, duke qenë shumë modest, kërkoi nga unë që të bëj një vlerësim, po edhe të bëj redaktimin e dorëshkrimit. E pranova me kënaqësi. E hapa me padurim dhe e lexova, siç thonë, me një frymë këtë ditar, i cili, ndonëse në rrethana të vështira të luftës, ishte shkruar me kujdes e gjakftohtësi mahnitëse. Ajo që më ra menjëherë në sy qysh në leximin e faqeve të para, ishte sinqeriteti, stili shumë specifik i rrëfimit, një rrëfim i prajshëm për kohën dhe njerëzit, një kumt i njeriut të shqetësuar, i qytetarit që ndien se duhet të bëjë diçka më shumë për vendin dhe popullin e vet që të ecën vertikalisht edhe në kohën zezonë. Në ditar janë përfshirë momentet më dramatike që ka përjetuar autori, që kam përjetuar unë, që ke përjetuar ti, që përjetuam ne të gjithë. Ai jep mesazhin e vet të ngarkuar me shqetësim nëpërmjet formave të të shprehurit figurativ. Mesazhet e tij shpesh janë edhe të drejtpërdrejta, pra pa nëntekst. Që në fillim, siç theksova më lart, hetova rrëfimin e sinqertë të mikut tim, i cili, duke të mbajtur të mbërthyer, të përthith dhe të përcjell ndjenja, emocione të drejtpërdrejta dhe mesazhe të ndryshme. Pra, hetova se është një ditar imponues, një kronikë ngjarjesh rrëqethëse, që ua heq kapakun shumë gjërave të asaj kohe, siç dihet, shumë të afërt për ne. Aty gjeta shpirtin e ndjeshëm të mësuesit e njeriut skofiar që shkruan me përgjegjësi, me mall e krenari, me dashuri e dhembshuri për vendin e popullin e tij që gjakonte Diellin e lirisë…

Ditari “Nëpër shtigjet e jetës” ka zënë fill në kohën kur po kundërmonte tymi i luftës dhe barotit, kur era e gjakut trondiste çdo qenie të gjallë, madje edhe mësuesin Selim Spahiu, i cili ishte në grahmat e fundit të jetës, po jepte frymën e fundit dhe po ndahej nga kjo botë vetëm me merakun se ç’do të bëhej me Kosovën dhe popullin e tij. Lufta kishte depërtuar edhe në shpirtrat e njomë e të pafajshëm të nxënësve të mësuesit Behlul. Ai në atë kohë kishte marrë përsipër një mision të trefishtë jetësor: prind e kujdestar në familjen e tij, mësues në shkollë, aktivist i angazhuar në fshatin e tij, në Runikë e më gjerë, në kohën kur çdonjëri duhej të jepte maksimumin për çështjen kombëtare. Kështu, gjatë kësaj kohe u ballafaqua me shumë sfida: e para, ishte përballë nxënësve në frontin e dijes, e dyta, ngritja e moralit për të jetuar dhe fituar lirinë, e treta, kishte marrë detyrë që të mbante shënime në ditarin e tij për t’u treguar brezave të ardhshëm se ç’përjetoi populli ynë në kapërcellin e shek. XX. Kështu, autori me plasticitet të mbrujtur emocionalisht përshkruan atmosferën e luftës në Runikë, në Kllodërnicë, në Izbicë, në Tushilë e gjetiu. Derisa forcat ushtarake-policore e paramilitare serbe shfrynin tërë barbarinë e sadizmin e tyre, duke vrarë shqiptarë të të gjitha moshave, duke djegur e plaçkitur çdo gjë, tek gratë, fëmijët e pleqtë vërehej jo vetëm ndjenja e ankthit, por edhe ajo e solidaritetit dhe shpresës. Pra, solidariteti midis njerzëve, siç vëren autori në ditarin e tij, ishte në nivelin më të lartë: askush nuk kishte gjëra të mjaftueshme për të mbijetuar (bukë, veshmbathje, shtrojë e mbulojë etj.), por atë që e kishte njëri, e kishin edhe të tjerët, sepse e ndanin bashkë dhe kështu shtynin ditët. Pra, njerëzit në këso situatash dramatike e ndanin të mirën dhe të keqen bashkërisht. E keqja i mobilizon ndjenjat pozitive njerëzore, të atyre që jetojnë bashkë për të refuzuar atë. Njerëzit e pambrojtur grumbulloheshin në ankth: hanin së bashku, rrinin së bashku dhe flinin së bashku, sepse ashtu të bashkuar ndiheshin më të sigurt, që vërteton maksimën sociologjike e antropologjike, se njeriu, në çfarëdo situatash, sidomos në këso kohe çfarë i imponoheshin Kosovës, ishte dhe mbetej “qenie shoqërore”. Goditjet që bënin forcat e alenacës së NATO-s mbi caqet serbe si dhe rezistenca e luftëtarëve të UÇK-së, popullata shqiptare i shihte si shpresën e fundit për lirinë e tyre dhe të Kosovës. Në këso rrethanash, në marsin e vitit ’99, në Kosovë, lufta më e madhe ishte edhe ajo psikologjike, përmes dezinformatave dhe gjysmë të vërtetave që i plasonte armiku, apo që i thurnin njerëzit nga frika e thashethemet. Në këso situatash apokaliptike bëhej një “bellum omnium contra omnes” me ndjenjat e njerëzve dhe pasigurinë e tyre.

Dimensionin e tmerrit autori Behlul Spahiu e ka paraqitur figurativisht edhe nëpërmjet qenieve të gjalla, si: qenushit të tij, i cili i qëndron besnik oxhakut e pragut të shtëpisë së djegur, pastaj lopëve, bletëve, pulave, zogjve etj. E veçanta e këtij ditari është ndërthurja e shkëlqyeshme e fakteve, e ngjarjeve të përditshme reale me fiksionin, me ëndrrën, duke i veshur me ndjenjën dhe refleksionin me një gjuhë figurative, herë-herë ezopike brenda universit të tij filozofik. Rrëfimi retrospektiv për fëmijërinë dhe rininë e tij: ndërprerja e shkollimit dhe nisja në rrugën e dhembshme për t’u shpërngulur familjarisht në Turqi, vdekja e nënës dhe motrës nga pikëllimi, varrosja në tokën e largët, pajtimi si rrogëtar, pra si bari delesh, kthimi në Kosovë, pikërisht në vendlindje e tij, pastaj vendosja në Mitrovicë dhe vullneti i madh për ta vazhduar shkollimi, domosdoshmëria që, për të mbajtur frymën a shpirtin gjallë, për t’u strehuar e shkolluar, e detyronte të kryente punë të ndryshme fizike në ndërtimtari, si hamall në stacionin e trenit, si çirak (shegert) në dyqanet e jorganxhinjve etj. Pra, të gjitha këto dëshmojnë për atë se si autori qysh herët, duke kaluar nëpër sfidat e jetës, kishte arritur ta mundte a mposhtte frikën nga vdekja. A s’është ky një shembull i mirë për brezin e ri se me vullnet, punë e dashuri për jetë njeriu mund të arrijë çdo gjë. Behlul Spahiu ëndërroi të shkollohet dhe, ndonëse me një moshë më të madhe se të tjerët, arriti ta realizojë atë. Ëndërroi të bëhet mësues. Me punë, me angazhim dhe mësim të përçdotitshëm e të përçdonatshëm, arriti ta sendërtojë ëndrrën e tij, duke ushtruar pastaj deri në pension profesionin më të mire, të thuash, më të shenjtë nën këtë diell. Ëndërroi të sigurojë një shtëpi e një kulm të vetin mbi kokë dhe ia arriti qëllimit. Ëndërroi të kthehet në truallin e të parëve të tij, te rrënja e trungu, të bëhet zot i tokës që ia pati përvetësuar me dhunë për shumë kohë një kolonist i mbështetur a përkrahur nga pushteti okupues serb, si dhe arriti të rindezë oxhakun e të përtërijë jetën aty… Asnjëherë nuk e ndali rrugën e dijes. Për t’i thelluar dhe zgjeruar njohuritë ai kreu SHLP - degën e Artit Figurativ, si dhe Fakultetin Filozofik – degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Kështu, nga një bari delesh e çiraku a shegerti, u bë mësues e profesor. Krahas profesionit të mësimdhënësit Behlul Spahiu gjatë gjithë jetës së tij është marrë edhe me veprimtari e punë të tjera, si atë të bujkut e poetit, kopshtarit e piktorit, pajtimtarit e bletarit…

Duke lexuar ditarin “Nëpër shtigjet e jetës” arrita të zbuloj atë çfarë ndjente miku im, Behlul Spahiu, apo çfarë e trazonte botën e tij të brendshme në periudhën që shkruante. Që në faqet e para ai rrëfen, dihet, me pak fjalë, për ndonjë ndodhi, për personazhet që i njeh dhe për fshatrat kryesisht të Drenicës që i ka shkelur me këmbë. Ditari dëshmon për të gjitha instiktet, emocionet dhe preokupimet e njeriut të ndodhur para vdekjes, por që nuk ndalet kurrë në rrugën e gjakimit të lirisë dhe jetës më të mire e më të lumtur. Autori dëshmon se me kohë e kishte kapërcyer frikën dhe, të thuash, ishte mësuar me këtë hije që lëvizte ngado. Pra dëshmon gjendjen e përgjithshme të atyre që kishin këmbëngulur të mos i lëshonin vatrat e tyre stërgjyshore, dëshmon për karakterin e veçantë të mësuesit, i cili shpesh shfaq refleksionet e tij filozofike për jetën dhe vdekjen, për luftën dhe gjenocidin, për miqësinë dhe armiqësinë, për robërinë dhe lirinë, për autokracinë dhe demokracinë. Këtu fshihet madhështia e këtij ditari, i cili zbulon energjinë e pashtershme të mësuesit atdhetar. Ai, si shumë shqiptarë të tjerë, gjendet në zemër të luftës dhe, ndonëse nuk lufton drejtpërdrejt me armë e me uniformë të luftëtarit të UÇK-së, sikurse bënte i biri, Agroni, përpiqet të ruajë gjakftohtësinë, vetën e të tjerët rreth tij. Tek ndjekim faqe pas faqe ditarin e tij të luftës, vërejmë se ai udhëton ditë e natë, nga Kastërci, fshati i tij i lindjes, në Runikë, nga Rakinica në Llaushë, nga Vitaku në Izbicë, nga Leçina në Skënderaj, nga Kotorri në Mitrovicë… Nisur vetëm nga ky konstatim, por edhe falë kujdesit të autorit për të shënuar itinerarin e tij, sot mund të kuptojmë shumë qartë se çfarë tip njeriu ishte, çfarë përkushtimi kishte ai gjatë luftës. Madje fshatrat e shumtë që ai i shënon në ditar, njerëzit me të cilët takohet e ritakohet, shfaqen e rishfaqen faqe pas faqeje... Ai kthehet e rikthehet, së paku, një herë në ditë edhe në shtëpinë e tij të djegur, ku forcat ushtarake e policore serbe e plagosën. Mendja nuk i shkonte te vdekja asnjëherë, madje as atëherë kur plumbi i armikut e plagosi, ndërsa të tjerë po zbraseshin për t’ia lëruar trupin. E donte jetën, prandaj doli fitimtar dhe gëzoi lirinë bashkë me ata që i shpëtuan gjenocidit serb.

Ditari “Nëpër shtigjet e jetës” ndriçon personalitetin dhe vendosmërinë e mësuesit Behlul Spahiu, i cili në flakët e luftës, aq sa për veten, familjen e shtëpinë e tij, mendoi e u brengos edhe për nxënësit e kolegët, për bashkëfshatarët e shkollën, për popullin e përvuajtur të Kosovës. Kështu, çdo lexues i rendomtë mund ta njohë drejtpërdrejt botën shpirtërore të autorit dhe mund t’i bëjë një portret ja si ky: natyrë e gjallë, e influencuar nga vorbullat e përditshmërisë... Në ditarin e tij autori përcjell dridhjet e shpirtit, dhembjet, hallet e brengat e shqiptarëve gjatë luftës, rrëfen për kriminelët serbë, të cilët vrisnin njerëzit duarthatë, duke u përpjekur kështu t’ua vrisnin edhe ëndrrat e tyre për jetë e liri. Ai shkruan për shqetësimet e mospajtimet, qarjet e qeshjet, psherëtimat e pagjumësitë… Kur lexon ditarin e Behlul Spahiut për ditët e tmerrit dhe ankthit para, gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë, s’ka si mos të kujtohen edhe ditarë të tjerë që janë shkruar nga autorë të ndryshëm në kohë e vende të ndryshme. Mes tyre ka mjaft analogji, mirëpo ajo që e dallon ditarin e këtij autori nga të tjerët është se ai, për t’u strehuar e për të gjetur shpëtim në fshatrat e ndryshme të Drenicës e në Mitrovicë, ishte i detyruar të kalojë nëpër tytat e snajperëve serbë. Kjo bredhje e tij i jep dimension edhe më dramatik ditarit të tij. Shpesh, për shkak të rrethanave të vështira, nuk ka pasur mundësi që të mbajë me rregull shënimet në fletoren e ditarit të tij, dihet, shumë të nevojshme për dëshmi të asaj kohe të mbushur me tmerr e ankth. Behlul Spahiu kryesisht ka përshkruar luftën dhe gjithçka përthekonin sytë e mësuesit. Drama e atyre ditëve të para të paraluftës, gjatë zhvillimit të luftës dhe pas përfundimit të saj është e pranishme në çdo fletë të ditarit. Ai e sheh luftën si realitet. Veneron madje edhe imtësitë, thërrmijat e detajeve jetësore të asaj kohe të denja për një prozë të kultivuar artistike, sidomos për roman. Në ato ditë dramatike ai gjen kohë jo vetëm të shpalosë kujtimet e fëmijërisë së tij të rëndë, por edhe të ëndërrojë: ëndërron ta shohë Kosovën e popullin e tij të çliruar, ëndërron të takohet me anëtarët e familjes së tij të shkapërderdhur, që të bashkohen sërish pranë oxhakut të shtëpisë e në tokën e riblerë nga kolonët serbë, dihet, me sakrifica të mëdha, ëndërron t’u kthehet sërish nxënësve dhe shkollës së tij... Edhe pse i rrezikuar në çdo kohë, ai kishte vendosur që të lë dëshminë e tij tronditëse, ditarin ku ka përshkruar me vërtetësi gjithë ato që ka parë dhe përjetuar. Në krejt fletët e ditarit më ka bërë përshtypje një frazë e përsëritur, por asnjëherë e thënë hapur, pra një shprehje e nënkuptuar: "Ne nuk duam të vdesim, ne duam të mbesim gjallë dhe do ta shijojmë qoftë edhe një minutë lirinë që meritojmë e na takon!...” Ditari i Behlul Spahiut përmban edhe të papritura të tjera. Autori dëshmoi për mizorinë e ushtrisë dhe milicisë serbe mbi Kosovën dhe popullin e saj: vrasjet makabre të fëmijëve, grave, pleqve, djegiet, plaçkitjet. Këto akte gjenocidale kanë ndodhur edhe më herët, ndodhën në mesin e viteve ‘90 në Bosnje, pra para se të ndodhnin në Kosovë, dhe do të përsëritën në të kohërat moderne, domethënë në të ardhmen derisa bota të çlirohet nga eksperimentimi i metodave mesjetare.

Gjuha e pasur letrare, shkrimi me një siguri të jashtëzakonshme, vlera shumëdimensionale ka bërë që ky ditar të botohet si libër madje pa asnjë ndërhyrje. Autori ka regjistruar në mënyrë të shkëlqyeshme kujtesën tonë, prandaj meriton lëvdata e mirënjohje. Ky ditar është edhe një dëshmi tjetër e mrekullueshme për t’u treguar brezave të ardhshëm se nëpër çfarë rrathësh të ferrit e tmerrit ka kaluar populli ynë. Është shumë prekës dhe mallëngjyes përshkrimi që i bën autori fshatit Tushilë, ku brenda disa ditësh gjetën strehim mijëra banorë të fshatrave përreth. Një ditë forcat serbe sikur ua shuan edhe ato pak shpresa që kishin. Piromanët serbë, pasi vranë disa banorë shqiptarë, pasi dogjën shtëpitë e fshatit si dhe automjetet (traktorë, vetura, qerre kuajsh etj.) i urdhëruan pleqtë, gratë me fëmijë e me të sëmurë që të hynin në kolonën e gjatë. Autori rrëfen për barbarinë e forcave serbe që ndanë burrat veç, dihet, për t’i pushkatuar, e gratë veç për t’i nisur në rrugën e mundimshme këmbë drejt Shqipërisë. Me lot në sy hynë këtë kolonë edhe familjarët e autorit. Tepër emocionuse janë momentet e ndarjes së autorit me njerëzit e tij dhe me të tjerët, për fatin e të cilëve nuk arrin të mësojë shumë kohë. Një ditë, kur gati u mbyllën të gjitha shtigjet tjera, edhe vet u detyrua të hyjë në kolonë, ku bashkë me shumë të tjerë përjetoi kalvarin e eksodit biblik. Një ditë më përpara kishte shkuar fshehurazi në shtëpinë e tij të djegur, aty, ku kishte derdhur shumë djersë dhe me të cilën e lidhnin shumë kujtime. Gjithçka, të thuash, kishte dhënë shpirt dhe asgjë nuk fliste. Një kovë “e etur” dëneste në rrethin e bunarit. Arriti të takojë qenushin e tij të përmalluar me të cilin “biseduan” vetëm me sy… Është rrëqethës rrugëtimi i njerëzve të kolonës pa fund, të cilët i përcjell vuajtja, uria, pasiguria, terri, shiu, ankthi. Janë të papërshkrueshme e të pakonceptueshme në këtë rrugëtim biblik ndjenjat e njerëzve që dukeshin si milingona. Të sëmurët rënkonin në shpinë të të afërmve të tyre, pleqtë gjëmonin duke u mbajtur në ndonjë shkop, plakat mallkonin kriminelët, foshnjat qanin me dhembje duke thithur gjinjtë e shterur të nënave, gjyshet nanurisin me ninulla duke u munduar që t’i qetësojnë apo t’i vënë në gjumë fëmijët e uritur e të tmerruar. Personazhet e këtij ferri danteske përjetojnë, përveç vuajtjeve e torturave fizike, edhe fyerje – tortura shpirtërore. Kështu, lexuesi gjen në faqet e këtij ditari përshkrime artistike, emocione të dhimbshme për fatin dhe fundin e njerëzve, të cilët ishin shndërruar në kufoma të gjalla, me të vetmin dallim se këto kufoma lëviznin…
Një gjë tjetër që e karakterizon këtë ditar është ndjenja e optimizmit, e shpresës për lirinë dhe ditën ngadhënjyese të njerëzores mbi antihumanen e barbarinë e pushtetit serb, i cili vazhdonte të bënte gjenocid mbi shqiptarët. Ky optmizëm i pafund ngroh si një flakadan dhe ndriçon edhe skutat më të fshehta të shpirtit njerëzor, madje edhe atëherë kur njerëzit i kaplon ndjenja e ankthit.

Përgëzojmë autorin Behlul Spahiun për botimin e ditarit “Nëpër shtigjet e jetës”. Kjo vepër dhe të tjerat si kjo, dëshmojnë për një kohë zezonë nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar i Kosovës. Ajo jo vetëm që përjetëson kujtimin për më të dashurit dhe për më të lavdishmit tanë, por edhe ndihmon për ta ruajtur energjinë tonë memorizuese për periudhën historike që u kurorëzua me lirinë e Kosovës. Gjatë leximit të ditarit të Behlul Spahiut shpesh kam sjellë në mendje historinë e popullatës shqiptare të këtij mjedisi, e cila në të kaluarën ka luftuar dhe ka sakrifikuar shumë për liri, mirëpo për shkak se gati njëqind për qind e popullatës ishte analfabete, këto luftëra dhe sakrifica s’ka pasur kush t’i qesë në letër. Janë thurur vetëm këngë, përmendore me fjalë, të cilat iu kanë bërë jehonë këtyre luftërave dhe sakrificave. “Të luftosh e të mos shkruash është njësoj sikur të mos kishe luftuar fare!” – thotë një ekspert ushtarak e historian yni i shquar.
Mitrovicë, më 22 korrik 2015

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat