Kush pse u “shqetësua “ për veprimet e ministres Hykmete Bajrami?

Opinione

Kush pse u “shqetësua “ për veprimet e ministres Hykmete Bajrami?

Nga: Nazmi Misini Më: 25 korrik 2015 Në ora: 10:02

Letërkëmbimi i (pa)pritur para disa ditësah në mes përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministres së MTI-së, Hykmete Bajrami , në një vend që nuk është “nën mbikëqyrje” dhe ka një qeveri të pavarur,të zgjedhur brenda suazave ligjore dhe kushtetuese, shumkend e ka habitur. Mediat, në të shumtën, megjithatë nuk e panë “si problem” këtë letërkëmbim. Ai kaloi, thuaja, pa u komentuar shumë, dhe përveç Këshillit për Mbroitjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dhe ndonjë reagimi të butë të shoqërisë civile, nuk pati gjë tjetër. Shtizat në mes sllovenit flegmatik Zhbogar,dhe ministres Hikmete Bajrami u përplasën aq ashpër sa “shqetësimet” e z.Zhbogar tejkaluan atë nivel dhe u pritën me habi në opinion. Kjo për arsye se nuk është fort e zakontë që një përfaqësues special të nis e shqetësohet dhe madje t’i dërgojë letër një ministreshe , e cila, jam i bindur, e di ose do të duhej ta dijë, se cilat janë të drejtat e saj si udhëheqëse e atij dikasteri dhe e di cfarë po bën kur ka nisur “ta spastrojë” (në atë mënyrë siç z. Zhbogar është i informuar ) administratën.
Z. Zhbogar, në letrën “dashamirëse” për ministreshën Bajrami thotë se “BE-ja është e shqetësuar për këto ndryshime…” dhe se, sipas tij, “stafi i shkarkuar civil ka patur performancë të shkëlqyeshme “ dhe se i njejti paska patur rol vendimtar në negociatat për MSA-në. Tash, sipas z. Zhbogar, tendenca për ta rrënuar Ministrinë është evidente, ministresha Bajrami ka rrezikuar negociatat me BE,dhe ajo duhet të ndryshojë (menjëherë) vendimet e veta! A është ky urdhër apo dëshirë e z. Zhbogar për ta shpëtuar nga “rrënimi” ministrinë në fjalë apo është dicka përtej këtyre, mbase mund të kuptohet më vonë. Por, z. Zhbogar duhet të ketë patur arsye më të thella që shqetësohet për atë që bën një ministreshë, e cila , ta theksojmë kalimthi, sa për informacion, ka një bagazh dijeje akademike për lakmi dhe ajo është , për më tepër, doktor i shkencave të ekonomisë. Kjo, në këtë rast, edhe nuk ka fort rëndësi, por është skandaloze të mendohet (dhe nga dikush të thuhet) se Hikmete Bajrami është profesionalisht e papërgatitur të udhëheq me atë ministri. Ne mendojmë se kryeministri Isa Mustafa jo rastësisht e ka zgjedhur Hikmete Bajramin të drejtojë atë ministri.
Nga ana tjetër , duke lexuar letrën e z. Zhbogar, është pak e besueshme që BE-ja është e shqetësuar me këto ose ato zhvillime në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Kosovës. Z. Zhbogar shqetësimet e veta personale ia mvesh , duket, lehtësisht BE-së që të duken më serioze . Ndërkaq që z. Zhbogar, nëse është vet i “zhgënjyer dhe i shqetësuar” për ato që paska bërë ministresha Bajrami, mund të jetë e saktë, por pyetja është se pse u shqetësoka ? Sa e sa largime ose ndërrime vendesh bëhen çdo ditë nëpër ministri të tjera (nuk është larg mendsh që edhe në Slloveninë e tij demokratike kjo të ngjajë) dhe kurrë asnjëherë z. Zhbogar nuk u ka shkruar letra ministrave të tjerë. Ai shqetësohet vetëm për këto që ka bërë ministresha Bajrami. Ajo,ndërkaq ka shkruar se mbanë përgjegjësinë personale dhe politike për çdo hap që ka ndërmarrë në ministri, dhe se, nëse ka bërë ato që duhet të vërtetohen ende si janë bërë dhe pse, e ka bërë, thot, për ta luftuar korrupcionin dhe për t’i zhveshur nga privilegjet e pamerituara “ individët me përformancë të shkëlqyeshme “ . Më tutje, zonja Bajrami thot se ata ose kanë dhënë dorëheqje ose janë larguar vet ose, ndonjëri, si zonja sekretare, janë shkarkuar për arsyet që i di edhe z. Zhbogar .Zhbogar thotë se kjo ministri është shumë e rëndësishme për negociatat dhe projektet e planet që ka BE-ja në Kosovë, ndërkohë që, si në pikë të natës , befasisht del në sipërfaqe zonja Kusari , që ka qenë më parë ministre në MTI, dhe zbulon se ajo e paska shpëtuar këtë ministri nga shuarja,në mandatin kur ishte në postin e zëvendëskryeministrres! Thjesht, thot ajo, kjo ministri , shumkujt i është dukur e tepërt dhe e panevojshme!
Dhe, pse lajmërohet zonja Kusari pikërisht në momentin kur z. Zhbogar dërgon letër në MTI dhe shpreh shqetësimet për shkarkim individësh – është vërtetë diçka me shenja interesante, apo jo ? Duket sikur gjithë kësaj i vjen një erë e një skenari , e jo pse z. Zhbogar dëshiron ta shpëtojë Kosovën që të mos rrëshqas në terren tjetër: të moszbatimit të zotimeve që ka dhënë qeveria e saj. Kosova dhe qeveria e Kosovës do të kryejnë zotimet dhe obligimet ndaj BE-së sepse rrugë tjetër nuk ka, por është tejet demokratike që z. Zhbogar të mos ndërhyjë në këtë mënyrë, siç ka bërë, në dikastere ministrore dhe t’iu dërgojë mesazhe dekurajuese atyre që dëshirojnë me këmbëngulje të luftojnë korrupcionin dhe të spastrojnë administrata të caktuara nga ata që bëhen pengesë, pa çka që, sipas z. Zhbogar “kanë performancë të shkëlqyeshme profesionale”. Këtë shkëlqim profesional atyre, dhe kurrkujt tjetër, askush asnjëherë, në cilindo kohë dhe pavarësisht kush është ministër, nuk mund t’ua marrë e as mohojë.
Ndryshe, nëse një ministreshë apo kushdo tjetër bën shkarkime pa bazë dhe pse vetëm i teket ose që, larg mendsh të besohet, pse janë të partive tjera , atëherë në këtë shtet ka instanca përgjegjëse që e hulumtojnë çdo rast, dhe sado që veprohet me brishtësi, e vërteta del në shesh herdokur. Çka, poqese del në shesh ndonjëherë se letra e z. Zhbogar dërguar ministreshës Bajrami, del të ketë qenë e porositur !
Qeveria dhe vet z. Isa Mustafa duhet t’i qaset këtij letërkëmbimi të pazakonshëm në mes përfaqësuesit të BE-së, Zhbogar, dhe ministreshës Hykmete Bajrami. Nga ana e saj, zonja Bajrami ka bërë ftesë publike për mediat, prokurorinë, institucionet dhe vet zyrës së Zhbogarit që të shkojnë në Ministrinë që e udhëheq dhe të shohin cila është e vërteta dhe çka ka krejt të saktë nga ajo që e shqetëson z. Zhbogar. Kjo ftesë është tejet me rëndësi që është bërë. Le të urdhërojnë (fton ajo ) …por zonja Bajrami nuk duhet te lihet nën presion të tillë !

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat