Legjitimiteti ndërkombëtarë i shtetësisë

Opinione

Legjitimiteti ndërkombëtarë i shtetësisë

Nga: Bujar DESKU Më: 23 korrik 2015 Në ora: 10:01

Pesë vjet me parë proceset politike ne shërbim te shtet-ndërtimit të Kosovës shënuan arritjen me te madhe në dimensionin ndërkombëtarë. Dhjetëra jurist, diplomat e ekspertë të se Drejtës Ndërkombëtare në një betejë të gjatë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) argumentuan legjitimitetin e shpalljes se Deklaratës se Pavarësisë, duke bërë që historia politike e rrugëtimit te Kosovës të finalizohet me vulën e drejtësisë ndërkombëtare.

Opinioni Këshillëdhënës i GJND-së, ( 22 korrik 2010) i cili konfirmoi në mënyrë të qartë dhe shprehës se, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar asnjë normë ligjore të së drejtës ndërkombëtare, beri që te faktohet ekzistenca reale dhe politike e shtetit të shpallur dy vite me herët , dhe njëkohësisht të forcohet subjektiviteti ndërkombëtarë i Republikës se Kosovës.

Konsolidimi i shtetësisë

Si një argument i fuqishëm , ky opinion përveç heqjes se dilemave ne pyetjen e shtruar para gjykatës, ka bërë që Kosova tanimë te këtë një pozicion më të favorshëm politiko-juridik karshi zhvillimeve për të e rreth saj.

Njëherësh, ka siguruar një bazë të mire për një lobim më bindës për njohje të reja, intensifikim ne marrëdhëniet bilaterale dhe mundësi shtesë e perspektivë më të mirë për anëtarësim në disa organizata, mekanizma e institucione te rëndësishme ndërkombëtare.

Tani, pesë vjet nga ky mendim proceset ne Kosovë kanë shënuar një rrjedhe përmbajtjesore në adresimin e të dy dimensioneve të shtetësisë: konsolidimit te saj në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm.

Duke mos elaboruar rrjedhat e brendshme, sa i përket dimensionit të jashtëm të shtetësisë, Kosova deri me tani është njohur nga mese 110 shtete të botës e po ashtu është bërë pjese e disa organizatave të rëndësishme ekonomike ndërkombëtare.

Mendimi i GJND-së ka shërbyer mjaft edhe ne atë se, pa marrë parasysh kundërshtimet e Serbisë dhe të disa shteteve përkrahëse të saj ndaj legjitimitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, ekzistenca e saj si subjekt shtetëror në marrëdhëniet ndërkombëtare, tashmë pranohet në mënyrë të padyshimtë edhe nga një numër i konsiderueshëm i shteteve, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht janë rreth 130 shtete te cilat tashmë pranojnë pasaportat e Republikës se Kosovës, në baza formale apo joformale.

Njohjet- praktikat ndërkombëtare dhe rasti i Kosovës

Procesi i njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, është kushtëzuar nga rrethanat e veçanta politike dhe ligjore ndërkombëtare, në të cilat është pavarësuar Kosova.

Praktika ndërkombëtare e legjitimimit ndërkombëtar të shteteve të reja, që nga krijimi i OKB-së, dëshmon se ky proces kryesisht është realizuar, përmes anëtarësimit në këtë mekanizëm. Kjo, në thelb, ka nënkuptuar njohje kolektive të shteteve të reja, duke i bërë praktikisht të panevojshme njohjet nga shtetet veç e veç.

Ne këtë kontekst duhet theksuar se rruga për sigurimin e njohjeve individuale është rruga më e vështirë dhe me e gjate. Asnjë nga fqinjët e Kosovës nuk kanë arritur më shumë se disa dhjetëra njohje formale bilaterale sepse, njohjen e kanë siguruar nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërkaq, Kosova këtij procesi është detyruar t’i qaset me rrugët paralele – pra te kërkojë njohje një nga një, nga secili shtet.

Në rastin e Kosovës, mungesa e konsensusit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mbështetjen e propozimit të të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin e Kosovës, Presidentit Martti Ahtisari, për shkak të kundërshtimit të Rusisë, e ka detyruar Kosovën që të ndjekë rrugën e njohjeve individuale, për të arritur integrimin e plotë në bashkësinë ndërkombëtare.

E gjendur përballë këtyre specifikave , mendimi i GJND-se është situata me komfore te cilës politika dhe diplomacia e Republikës se Kosovës i referohet si pika me relevante gjate lobimit.

E diktuar nga gjeopolitika, delikatesa e njohjeve me tepër është e përqendruar tek ato ne nivel rajonal dhe evropian. Derisa rrethanat ne rajon janë te njohura, ne rrafshin evropian disa vende kane dhënë disa sinjale pozitive, por ka pak bazë që qëndrimi i vendeve te BE-se do te ndryshoje për shkak te zhvillimeve te brendshme, pasi që procese te tilla me tepër duken te ndërlidhura me rrjedha rajonale e globale.

Duke vlerësuar në retrospektivë, vendimi i GJND-së, në Kosovë kishte ndihmuar në zvogëlimin e frustrimit të prodhuar nga procesi i ngadalshëm i njohjeve dhe nga qasja neutrale ndaj statusit realisht e pëlqyer nga KB-të .
Në thelb, ky mendim legalizoi pavarësinë e Kosovës dhe minimizoi përpjekjet e Serbisë, dhe faktorëve të tjerë kundërshtues për zhbërjen e saj, nën “argumentin” e mbrojtjes të së drejtës ndërkombëtare.

Mendimi këshillues i GJND-së rikonfirmoi, edhe një herë tjetër, se e drejta ndërkombëtare përbën një sistem të tërë parimesh e normash, në të cilin nuk ka hierarki. Në këtë kuptim, parimi i respektimit të sovranitetit shtetëror nuk ka epërsi mbi atë të vetëvendosjes së popujve.

Me mendimin e saj, GJND dëshmoi se e drejta ndërkombëtare, në përgjithësi dhe Karta e OKB-së, mbron sovranitetin e popujve, ajo nuk ka kuptimin e një licence për qeveritë, që ato të nëpërkëmbin të drejtat njerëzore dhe dinjitetin dhe se sovraniteti nënkupton përgjegjësi, jo vetëm pushtet.

*Autori është studiues i dosjes “Kosova në GJND”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat