Nënkontinenti ballkanik dhe revolucioni i Lazaratit

Opinione

Nënkontinenti ballkanik dhe revolucioni i Lazaratit

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 10:30

Një gogol po endet Evropës. Me të po i trembim fëmijët! Gogoli i Lazaratit! Simbol i (pa)fuqisë shqiptare! Kur e ndez një , bëhesh drangua, me flatra! Kështu thotë legjenda! Revolucionet gjithnjë janë përplot me ëndrra dhe me avuj! E avujt e
Lazaratit, i kanë dehur mediat! Frymëzimi u bë ndërkombëtarë! Me kapacitete integruese!
E di se do të ju hutoj titulli i shkrimit tim, me tërë këtë pretendim megaloman për rajonin! Dikur idealistë thoshin : “bëhu realist, kërko të pamundurën”! Asgjë nuk është e pamundur, thotë shkenca! Shkenca e ka marrë rolin e politikës! Pra, edhe nën-kontinent edhe revolucion! Shqipja përsëri në qendër të botës! Por, për revolucionin asgjë nuk duket e pa arritshme. Por, ky shkrim është shkruar nën avujt e humorit të zi serb, i cili në mënyrë të çuditshme lanson idenë e solidariteti rajonal! Kapacitetet integruese, nuk janë hulumtuar krejtësisht! Por, lëre fare, as ne nuk jemi pa humor, të zi! Madje kemi edhe nga ngjyrat e tjera, gjithsesi me nuanca të errëta! Të gjelbër për shembull! E gjelbra te ne nuk është ngjyrë e natyrës! Nuk është “bio”! Është ngjyrë politike!
Nëpër qarqet e “ëndërrimtarëve” ballkanik, u dha alarmi! Kanë mbetur pa gjumë! Pra, rrjedhimisht edhe pa ëndrra! Përfundimisht, ne jemi kujdestarë! Fajtorë kujdestarë! Nëpër ëndrrat e tyre, Lazarati, ishte ajo lugina e lumturisë! Aty ku ujqit nuk arrijnë dot, dhe “goglushët” punojnë arat të lumtur! Arat me Canabis Sativa!
Nuk flihet pa e mbështjellë një ankohen të rinjtë e “varur”, pra ata të cilëve nuk ua var askush, përderisa strategët e “familjeve”, po mendonin me zë se kishin gabuar me Shqipërinë! Ata rrallë flasin me zë, por kur flasin, dëgjohen larg! Nuk kanë guxuar të mbeten të varur nga ajo. Kolumbia larg, e Shqipëria e pasigurt! Për herë të parë serbët ankohen se pasiguria shqiptare u sillte telashe! Gjithnjë kishin preferuar një Shqipëri turbulente!
Shikuar realisht, pas luftërave të përgjakshme, e nën avujt e idealizmës bashkëkohore, e cila te ne ka arritur, vetëm, kohëve të fundit, të rinjtë kryesisht kanë sabotuar idealet e vjetra të lirisë, e të partisë, e të atdheut, dhe i kanë ndërruar me “rap” ! Madje edhe në xhami, ftohen me “rap”!
Kështu rrjedhimisht, po formësohet ideja krejtësisht realiste, se Evropa duhet të na njohë si nën-kontinent. Në fund të fundit të gjithë do të pajtohen se, për ata që ecin nëpër tokë, se këtej kalon rruga për në tri kontinentet e lidhura nyje rreth Mesdheut. Kuptohet, se ata që kanë programe kozmike, i shohin gjërat ndryshe, nga universi, pra universale. Por, ne ecim nëpër tokë! Pra vetëm këto tri, të tjerat nuk i kalon dot me këmbë, pa u lagur, ashtu si bëri dikur njeriu i moçëm, parahistorik, duke vrapuar pas gjahut të tij. Egërsirat ik, ata ndiq! Ik e ndiq, ik e ndiq dhe së fundmi u ngulën diku, fise të tëra, dhe thanë se kjo është e jona! Po na e preku kush farohemi të tërë! Kështu lindi edhe idealizma kombëtare. Kush ka ardhur më herët! Të tjerët që erdhën më pas, nuk kanë hise!
E stoqet janë pakësuar dhe ka rrezik që nën-kontinenti të mbetet pa ”ëndrra” ! Me interesim të madh po përcilleshin ngjarjet në Shqipëri. Është përzier “imperializmi” dhe po kërkon që të mos lulëzojnë më 100 lulet e lirisë në këto hapësira. Nuk mund të mbjellësh më as në saksinë tënde çfarë të duash, lëre më me parcela të tëra. Pra, revolucioni po rrezikohej bashkë me frytet e veta, që sollën lumturi në krejt rajonin, dhe më larg madje. Emri Shqipëri ishte bërë i dashur për të gjithë nga komuniteti i vogël por i përzgjedhur i të rinjve, e besa edhe të gjeneratave të mesme dhe “pleqve” të revolucionit permanent! Atyre që për ndonjë arsye ndihen të veçantë.
Derisa publiku shqiptarë, këndej dhe andej maleve, me emocione të përziera ndiqte operacionet me kode atraktive, nga më të ndryshmet, që po thyenin rebelimet nëpër pjesë të vendit, miqtë nga regjioni e përkrahnin me të madhe revolucionin shqiptaro-kolumbian. Zjarri dhe avujt e Lazaratit u përhapën anembanë vendit të shqiponjave! Edhe shqiponjat ... janë dehur nga avujt! Po gjuajnë kuturu!
Pastaj, plasi sherri, pra lajmi në mediat tona. As në Serbi ku ishte publikuar fillimisht, nuk ishte vërejtur aq. Serbët, ndihmojnë shqiptarët! Kjo po që ishte lajm! Njëqind mercenarë serb, janë nisur për të mbrojtur qendrën e revolucionit, Lazaratin. No pasaran!
Nejse shpejt u kuptua, se kjo ka qenë shaka e radhës e një portali serb, por, ne nuk bëjmë shaka me revolucionin dhe sidomos me zhvillimin rural! Aty është paraja, miq! Në bujqësi! Në bagëti e në bujqësi! Në fshat! Kështu na thonë dhe ne i kemi hyrë bagëtisë dhe bujqësisë me zell! Por ajo që mbeti prapa si shije e hidhur, ishte ideja e “çart” se në Bruksel nuk janë përdorur të gjitha kapacitetet integruese, përkatësisht relaksuese të mardhënieve në mes dy popujve. Gjithçka duhet bërë për normalizim!
Vullnetarë serb, paskan shkuar të mbrojnë Lazaratin nga policia shqiptare, ishte lajmi i rrem, i cili asocionte në anën tjetër idenë se kur është fjala për “bar” të gjitha dallimet bien! Po pra! Dheze një dhe Relax! Relax njeri do të thoshte edhe reklama e famshme, e portaleve ton pëplot imagjinatë!! Relax o Hashim! Relax oj Mimozë! Relax, oj qeveri! Relax oj polici! Vera është! Diell! Deti...! Mbshtillne nga një se ndihmon!
Për ne, esëll, krejt e paqartë mbetet se ku është qendra e revolucionit! Nuk mendohet esëll or vëlla! Në Lazarat, në Prishtinë, Shkup apo në Beograd, ku është qendra?! Popujt janë dehur ende nga avujt! Qeveritë vijnë e shkojnë dhe lumturinë e gjejnë në mesin tonë! Asgjë nuk arrinë me na dëshprue përfundimisht!
Në fund , fare! Evropa kot e krijoi gjithë atë standard! Përsëri, duan “bar”! Duan ëndërra! “Moj Europë, moj...bukuroshe, mbështille një...” do të këndoj rapsodi ynë popullor, pra në “rap”!
Relax moj Europë! Relax, Edi! Relax Vuçiç! Relax Grujevski! Relax Hashim...! Gjukanoviç! Nejse presidentja vet e ka marë me relax!
Mbahu Lazarat! Çlirimtarët nga gjithë nën-kontinenti, po vijnë! Mbështille një! Bëhet krejt rrafsh!
Çfar gogoli, allahile! Relax!
( Për ata që ende nuk e kanë kuptuar, kjo është veç një satirë! Relax! )

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat